BREAKING NEWS

COVID-19/ 6 humbje jete dhe 959 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri, ja zonat "më të nxehta"

COVID-19/  6 humbje jete dhe 959 raste të reja në 24 orët e
x
BREAKING NEWS

I bëri ftesë për të vizituar Kosovën, Rama i përgjigjet Kurtit: Faleminderit

I bëri ftesë për të vizituar Kosovën, Rama i
x
BREAKING NEWS

“Nuk ka kthim pas”/ Lulzim Basha mban qëndrimin e prerë për përjashtimin nga PD të Berishës dhe lëshon paralajmërimin e fortë: Këta të tre janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar!

“Nuk ka kthim pas”/ Lulzim Basha mban qëndrimin e prerë
x
BREAKING NEWS

Albin Kurti i dërgon letër publike Edi Ramës: Le të fillojmë përgatitjet për ...

Albin Kurti i dërgon letër publike Edi Ramës: Le të
x
BREAKING NEWS

Vendim i papritur/ Mbyllet Ambasada Gjermane në Tiranë, anulohen të gjitha takimet. Zbardhet njoftimi zyrtar

Vendim i papritur/ Mbyllet Ambasada Gjermane në Tiranë, anulohen
x
BREAKING NEWS

Trondit Spartak Ngjela, tregon fundin e frikshëm që e pret Sali Berishën: Ndodhet në vështirësi! Aq i fortë është ai, sa kur kishte përballë Ramiz Alinë...

Trondit Spartak Ngjela, tregon fundin e frikshëm që e pret Sali
x
BREAKING NEWS

Yuri Kim reagon pas takimit me Lindita Nikollën, jep mesazhin e fuqishëm për politikën shqiptare

Yuri Kim reagon pas takimit me Lindita Nikollën, jep mesazhin e
x
BREAKING NEWS

Del dokumenti/ Nga Berisha tek Kryemadhi, deputetët që nuk votuan qeverinë “Rama 3”, ja kush abstenoi (EMRAT)

Del dokumenti/ Nga Berisha tek Kryemadhi, deputetët që nuk votuan
x

Opinion / Editorial

A do jetë vija e kuqe, shamia e toreadorit për t`i ndalur demat e abuzimit me pushtetin dhe pasuritë kombëtare?

A do jetë vija e kuqe, shamia e toreadorit për t`i ndalur demat e

Shqiptarët janë lodhur me përbetimet se e ardhmja do jetë drejtimi me duar të pastra,beteja me të korruptuarit do bëhet lajtmotivi dhe mënyra e drejtimit në mandatin e tretë. Kohë më parë pas konfirmimit të fitores të socialistëve në 25 prill duke përcjellë shqetësimin e qytetarëve për luftën e munguar për reformimin e administratës dhe largimin e atyre drejtuesve dhe punonjësve që paguhen me taksat tona, të cilët më parë se të nisin të të shërbejnë presin t`i shpërblesh ekstra për kryerjen e punëve që e kanë detyrë funksionale. Është e njohur aksioma se mund ta fitosh pushtetin, po jo administratën dhe mund ta humbasësh këtë të fundit nëse nuk zbaton ligjin.

Populli të voton, jo thjesht për një qeveri, po se ka besimin që administrata do jetë në shërbim të tij dhe kurrsesi zhvatëse e xhepave të qytetarëve, të cilët i kanë deleguar besimin me votën e tyre me vullnetin për të gjetur në zyra njerëz të devotshëm, të kulturuar, jo nga ata që një letër me vulë, ta shesin si frëngu pulën. Kjo mënyrë shërbimi nga administrata i ka bërë qytetarët mosbesues, i ka detyruar të urrejnë, jo thjesht një nëpunës pa dinjitet, po vetë qeverinë, ministrat dhe kryeministrin. Kjo pasi çdo veprim të shëmtuar dhe papërgjegjshmëri të nëpunësve që kanë kontakt, ia faturojnë qeverisë dhe mllefin e urrejtjen e zbrazin kundër saj. Sido që ta gjykosh, qytetarët kanë gjithë të drejtën e zotit, se tek e fundit në ato karrige nga skaji më i largët, posti më modest deri në krye të piramidës së ekzekutivit, i ka shpënë vota e popullit, i cili është në të drejtën e vet legjitime t`i vërë para gijotinës së drejtësisë tërë ata birbo që e shkelin qytetarin me mosbegenisje dhe e sorollasin dhe e tallin si ta kishin shërbëtor në tokat e tyre. Këta drejtues në opinionin shoqëror, janë të nxirë nga kritikat, janë të anatemuar prej bëmave të tyre pa fund, si administratorë që nuk shërbejnë, po presin të qethin kuponat e korrupsionit. Janë këta administratorë në disa zyra tipike, ku të duhet të presësh me vite të shkosh e të kthehesh për të gjetur gjilpërën në kashtë. Të duhet të prishësh tre-katër palë këpucë e shih të shohim. Aman i thoshte një mikut të vet një gazetar i njohur në Sarandë vetëm në zyrat e Kadastrës mos më dërgo. Më ngarko të të kryej çdo punë tjetër të vete në dhjetë zyra, po në atë ferr të lutem më kurse. Të shkosh atje të duhen të të shoqërojnë forcat e NATO-s ose më e pakta të shoqërohesh nga rambot që janë përgatitur të përballojnë duelet në xhungël. Jo vetëm për të tjerët, po edhe për vete kam frikë dhe ndihem i tmerruar të trokas në ato zyra me simbolin kadastër. Për të shkuar në këto zyra duhet ta pyesësh veten mire. Të sigurosh një kontakt, të vësh në shërbim miq, të marrësh njëqind herë në telefon. Është çudi e madhe po në këto zyra që gumëzhijnë si koshere grerëzash dëgjon sharje dhe mallkime nga qytetarët në pritje. Atyre u ka ardhur inati në hundë dhe më e bukura të gjitha i adresohet ministrit dhe kryeministrit se tek e fundit qytetari tek punonjësit shikon të konverguar qeverinë sepse nëse drejtuesi kërkon tremijë euro apo për një certifikatë njëmijë euro tërë hallkat e shumta nga portieri tek juristi apo hartografi presin hakun e punës për pagesa kesh, atëherë si të mos revoltohen, shajnë e pështynë këta dreq administratorësh që e bëjnë popullin të flasë me vete dhe të gjurmojë shtigje e të kërkojë labirinte për t`ia dalë në krye? Po nuk është kadastra e vetmja zyrë e frikshme. E njëjta surprizë të pret edhe nëse troket në tatime në dogana në bashki, ku organizohen tendera në zyrat e arsimit në spitale apo në institucione të tjera, ku qytetarët janë të detyruar të trokasin për hallet e tyre.

Nuk janë administratorët e shtetit të vetmit që të plasin buzën e të presin me këmbët e para që i fërkojnë gishtat si personazhi i prefektit duke i lëvizur gishtat në çdo çast si të numëronin kartëmonedha. Të tillë janë edhe ato që cilësohen shërbime private apo kompani që kanë fituar tendera të majme. Më shumë se pesë herë kemi trajtuar shërbimin mizerabël të “ALEAT” që pajis shqiptarët me pasaporta dhe karta identiteti, të cilët mbeten dyerve shurdhe të kompanisë dhe ku tallja është bërë mal i madh, ku përplasin kokën dhe të copëtojnë shpirtrat dhe ndjejnë dhimbje therëse për trajtimin që u bëhet nga dritarja frëngji e kasolles zyrë në Sarandë, ku të zë tmerri të trokasësh dhe duhet të hysh në parzmore, veshur me antiplumb nëse do t’i shpëtosh gërvishtjeve të punonjësit mospërfillës që e trajton qytetarin si ta kishte raja dhe jo si detyrim për t`i plotësuar kërkesën ligjore për të cilën ka paguar paratë në arkën e kompanisë “ALEAT”. Po ku do t`ia dijë “ALEAT” për shqiptarët që i trajton jo si qenie të ndërgjegjshme, po si të ishin ufo apo qenie biologjike, frymor që tepër e kanë edhe ajrin që thithin. Nëse do ishin më të përgjegjshëm “ALEAT”, po të kishin një minimum kërkesë llogarie për cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve pas kritikave të adresuara me emër dhe mbiemër, pas vuajtjeve të qytetarëve që vuajnë mungesën e shërbimit dhe keqmenaxhimin e kësaj kompanie do kishin bërë qoftë edhe një zgjidhje minimale për zgjerim të mjediseve dhe shtim të operatorëve, pa i lënë qytetarët pas porte në pikë të diellit mbuluar nga djersët. Sigurisht “ALEAT” ashtu si SGS deri dje, kanë mburojë dhe mbrojtje shtetërore. Ata i kanë ngulur spirancat tek institucione që u thonë: Mos e çani kokën. Ecni dhe pasurohuni. Kështu e do ky popull! Duhet ti bësh nënën të të thotë baba. Na keni ne. Ndaj dhe trimat e “ALEAT” të padukshmit fshehur pas kompjuterëve deklarojnë zë lartë: Topi bam dhe “ALEAT tutje, qytetarët ngul dhe “ALEAT” shkul! Po pse kjo administratë e cila është përzgjedhur për t`i shërbyer me ndershmëri e korrektesë qytetarit, që i mban me pagë nga taksat që i vjelin çdo muaj vepron në këtë mënyre të papërgjegjshme? Si është e mundur që një administrator i zakonshëm që është një hallkë në makinerinë e stërmadhe të shtetit të ketë kaq guxim sa të rrjepë secilin prej qytetarëve që i troket në portën e zyrës, e cila është e qytetarëve dhe jo e zyrtarëve? Këta administratorë janë vërtet të guximshëm dhe të bindur se nuk i zë rrufeja. Janë të garantuar e besimplotë se për ta nuk ka ligj dhe person t`i ndëshkojë. Se kanë imunitet para shtetit dhe drejtësisë. E vërteta është se në këto tri dekada, shteti shqiptar është treguar i pafuqishëm për të çuar në mengene administratën dhe veçanërisht nëpunësit abuzues. Deri sot administratorët e kanë parë veten të përkëdhelurit e fatit që u takon të jenë në krye të punëve, zyrtarë që shkruajnë e vulosin si zota që kanë të drejtën me vete të marrin të vjedhin të fitojnë përmes veprimtarisë së tyre korruptive. A kanë frikë këta burra dhe gra, të rinj apo të vjetër qofshin se do i zërë haku i popullit që i mban mbi shpinë dhe u ka siguruar atë karrige ku rehatojnë të ndenjurat, duke gjykuar se janë në të drejtën e tyre të drejtojnë e mbretërojnë?

Apo janë nga ai stof që qepin kostume të vyera dhe mbeten tërë jetën mbi piedestalin e pushtetit? Cilët janë këta burra që shiten të pazëvendësueshëm, që tërë jetën kanë të drejtën të jenë në administratën e shtetit dhe pretendojnë se kjo detyrë u takon dhe askush nuk mund t’u cënojë lirinë dhe t`u prekë privilegjet!? Dhe kështu, vit pas viti tek ata krijohet kulti i administratorit fuqiplotë që nis detyrën në drejtim dhe merr pensionin po drejtor. Këta drejtorë të privilegjuar. Këta mjeshtra të përshtatjes dhe xhonglimit edhe kur i heqin për dobësi të thella në detyrë edhe kur i pushojnë si të padenjë e hajdut riciklohen përsëri pasi ata e kanë lidhur gomarin në portën e të mëdhenjve. Në Sarandë ka disa drejtorë që sa i largojnë nga një institucion për shkelje të Kodit të Punës apo Etikës dhe performancës ata si delfinët shfaqen ngado për të mbetur në limanin e shpresës së mirë, duke ruajtur statusin e administratorit. Çuditërisht përzgjedhja e këtyre drejtuesve është unike. Më i anatemuari dhe i pashkolluari sa lë një drejtori i ofrojnë një tjetër sikur ai të jetë i vetmi që ka diplomën e universitetit, po i mungon dëftesa e shkollës së mesme.

Ka nga ata drejtues që si diplomë kanë juridikun, përfunduar studimet në Tetovë. Po në pasaportë nuk ka asnjë vulë për të hyrë në Maqedoninë e Veriut dhe diplomën kuptohet e kanë blerë. Këta administratorë mbase nuk njohin menaxhimin, po dinë në detaje mashtrimin. Ka administratorë vetëm nga një mbiemër sikur këta të kenë bërë vezën e kuqe, si të jenë lindur me këmishë dhe luftojnë vetëm për një pozicion pëllumbash në administratë. Si punon një administratë mjafton të njihesh me arrestimet më të fundit në pushtetin lokal të Lushnjes apo në prokurori e gjykata për të krijuar bindjen se sa e inkriminuar është administrata. Qytetarët nga përplasja me zyrtarët e administratës kanë arritur në përfundimin se pa frikën e ligjit nuk ka administratë korrekte. Nëse nuk do ishin arrestuar disa dhjetëra administratorë pavarësisht cilët janë nuk do ta mësonim kurrë sa frikacakë janë administratorët tanë që u duket vetja baras me perënditë. Po beteja me administratorët e korruptuar, jo duke i barazuar të gjithë me një standard të së keqes nuk jep rezultat vetëm me disa shembuj në të rrallë. Po nuk u kthye në praktikë ndëshkimi i të korruptuarve zor se do arrihet në administratë solide, të përkushtuar, dinjitoze dhe të ndershme nëse administratori i pandërgjegjshëm, kasapi i xhepave të qytetarit nuk ndjen mbi kokë prozhektorët e institucioneve të kontrollit të veprimtarisë tyre, po qe se drejtuesit dhe auditet e brendshme, kontrollorët dhe inspektoriatet e shumtë nuk vënë para përgjegjësisë abuzuesit, fara e mbjellë në këto tri dekada korrupsioni kapilar, shtrirë gjerësisht në të gjitha poret e shoqërisë nuk mund të zhduket. Mund të ndryshojë strategji, po mbetet po aty. Sa pret një nyje, një tjetër shfaqet dhe një rrënjëzim i ri shtrihet duke infektuar tërë strukturat administrative të shtetit. Peshqit dhe peshkaqenët e korrupsionit vetëm do kalojnë nga një pellg në tjetrin, duke notuar në limane të qeta për t`iu rikthyer përsëri presë së vet, qytetarit për ta stërmunduar dhe bezdisur deri në atë farë feje sa të deklaroj me zërin plot se ky vend nuk bëhet dhe nxitur kështu pakënaqësitë me pushtetin e radhës. Sot është krijuar bindja në opinionin e gjerë shoqëror se korrupsioni nuk mundet. Se shteti dhe drejtësia është e pafuqishme për ta vënë me shpatulla për muri të korruptuarin. Dhe kjo plagë e rëndë e shoqërisë sonë, duket sikur asnjë terapi nuk e sfidon. Qytetarët janë lodhur nga beteja me padrejtësinë dhe zyrtarët rrjepacak që e shikojnë detyrën si mjet pasurimi dhe e shesin firmën si të jeni biznesmen milioner që bëjnë transaksione milionëshe me pasuritë që zotërojnë. Beteja me korrupsionin dhe administratorë të papërgjegjshëm është lufta që ende nuk është fituar. Do jetë rrugëtim i gjatë. Nuk mjafton premtimi dhe nuk ka asnjë vlerë përbetimi i drejtimit me duar të pastra, ku realisht takojmë duar të pista nga katrani i hajdutllëkut. Është realisht beteja më e vështirë të cilës në se nuk i këputen fijet, rrjeta e stërmadhe e merimangës do të na mbështjellë të gjithëve brenda vetes deri në asfiksim. Indikatorët qeveritar e kanë ndjerë këtë plagë të mahisur e shtrirë gjatë e gjerë duke infektuar deri në qelizë administratën dhe administratorët tanë ndaj Kryeministri Edi Rama në takimin me deputetët në Pallatin e Brigadave, deklaroi se do jetë vija e kuqe e pakalueshme ndaj atyre që me siglën e PS në ballë, të përzgjedhurit e saj në krye të dikastereve apo drejtorive, zyrtarëve të zgjedhur apo emëruar për t`u shërbyer qytetarëve do dërgohen para drejtësisë për t`u transferuar pas hekurave. Rama deklaroi për tolerancë zero dhe mos mbrojtjen e askujt që vë dorë mbi pasuritë kombëtare apo ushtron presion për ryshfete apo para kesh në emër të një shërbimi. Qytetarët mbajnë shënim. Memorizojnë deklaratat e të parit të qeverisë. Shumë prej tyre vënë buzën në gaz. Premtim në erë, thonë mosbesuesit. Propagandë politike deklarojnë liderët e opozitës. Fjalë pa kuptim, thonë nihilistët dhe mosbesuesit klasik. Secili ka të drejtën e ve dhe arsye pse nuk beson. Vetëm shembujt real, beteja dhe lufta pa cak e qeverisë dhe institucioneve në varësi të saj do e ndryshoj këtë opinion. Vetëm në se administratori do ndryshoj sjellje, do bëhet më i matur, më njerëzor, më dashamirës do pres dhe zgjidh problematikat e qytetarëve në kohë reale mund t`i bindë shqiptarët se vërtetë më në fund u vendosën vijat e kuqe se ndryshe nëse gjithsecili do vijojnë të punojnë sipas traditës së vjetër, ha Muço, pi Muço merr të marrim e vidh të vjedhim atëherë mund të themi tani po, qeveria e ka mprehur shpatën për të prerë çdo nyje të korrupsionit. Nëse vazhdohet me premtime për luftë imagjinare kundër të korruptuarve, nëse administrata nuk do ndihet nën kontroll, nëse zyrtarët nuk do tmerrohen nga ligji dhe ndëshkimi, atëherë le t’u pijnë ujin qeveritarët deklaratave. Vërtet pushtetin ta jep vota, po humbjen e tij në përmasa të frikshme ta jep në pjatë të argjendtë administrata e korruptuar dhe e paaftë. Është koha që vijat e kuqe të funksionojnë me kapacitet të plotë. Pa asnjë tolerim. Me tolerancë zero. Administratorët hajdut duhet të dërgohen në qeli. Pastrimi i ahurit të administratës duhet fshirë me fshesë të hekurt. Ndryshe kudo në trupin e atdheut tonë, shushunjat do na pinë gjakun dhe dërmojnë kockat. Korrupsioni nuk ka mëshirë. Ai kafshon kudo dhe cilindo. E gërryen prenë deri në kockë. Është kjo arsyeja që deklarata e kryeministrit për vendosjen e vijave të kuqe për të ndalur hajdutët e pasurisë kombëtare është vendosur në lupën popullore. Gjithë prozhektorët janë fokusuar mbi kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, vendosur në monitorim sa seriozisht e ka luftën kundër të korruptuarve dhe korrupsionit.

Nëse kjo betejë do jetë serioze, shqiptarët do vlerësojnë këtë betejë titanësh, qeveri- korrupsion dhe do verifikojnë çdo hap të administratës shtetërore. Në të kundërt, koha e llogarisë ka nisur startin. Se mund ta fitosh pushtetin, po mundet të humbasësh administratën dhe bashkë me të popullin shqiptar që të dha statusin për të qëndruar në piedestalin e pushtetit edhe katër vitet që vijnë. Populli pret! Shqiptarët verifikojnë çdo betim dhe deklaratë. Dhe mbi këtë bazë vendosin për vitet që vijnë! Të japin votën për qeveri apo vizën për të shkuar në shtëpi! A do jetë vija e kuqe e Edi Ramës, shamia e toreadorit për t`i ndalur demat e abuzimit me pushtetin dhe pasuritë kombëtare? Le të presim!