BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

A do të ketë kohë Amerika të merret gjithmonë me shqiptarët?

A do të ketë kohë Amerika të merret gjithmonë me

Ne shqiptarët duhet të ndihemi me fat për një mik të madh që na është gjendur pranë në ditët më të vështira. Përjashto një periudhë të gjatë, kur mendonim se mjaftonin forcat tona për gjithçka, ndihma e saj ka qenë gjithmonë vendimtare. Në fillimin diplomatik (Ëilson mbrojti Shqipërinë në Konferencën e Paqes në Paris) dhe pas viteve nëntëdhjetë, kur u kujtuam se paskemi nevojë për të tjerët, ndihma e saj ishte e gjithanshme si politike, ekonomike, kulturore për të arritur kulmin më atë ushtarake në Kosovë. Amerikanët udhëhoqën çlirimin e Kosovës nga serbët dekada më parë, tani po investojnë për të çliruar Shqipërinë nga korrupsioni dhe për të zgjidhur përfundimisht çështjen e Kosovës. Vijojmë të jemi në qendër të vëmendjes së tyre në të dy krahët e kombit shqiptar, kryesisht Kosova, sepse për sa i përket korrupsionit pret puna, është një sëmundje aq e hershme, saqë shqiptarëve u duket se bashkëjetojnë normalisht. Përshtatja graduale bën që dhe një kafshe të zgjebosur t’i duket se po përtyp në normalitet. Kosova, me institucionet e saj në konflikt, tamam si tek vëllezërit e tyre të shtetit amë, gjendet përballë një presioni serioz për të marrë vendime të rëndësishme për të ardhmen e saj. Kosovës, e cila gjendet në një farë dileme të ngjashme me atë të gomarit të Buridanit, (një gomar ndërmjet dy barrëve me kashtë të njëllojta ngordh urie sepse nuk di të zgjedhë), i duhet të përllogarisë ndërmjet dy alternativave: të dëgjojë amerikanët tani ose të presë për një moment të dytë. Po të vendosë tani, do t’i duket një vendim i përshpejtuar. Ndërsa, po të presë për një moment të dytë, kur administrata amerikane të ndryshojë, Kosova do të jetë në situatë pritje të tejzgjatur ashtu si për heqjen e vizave. Dhe në rast se ndryshon Presidenti i SHBA-së, (por këtë e dinë vetëm amerikanët dhe askush tjetër) politika e jashtme nuk është e thënë se ndryshon shumë. Politika amerikane në Ballkan do të udhëhiqet gjithmonë më shumë nga parimi i paanshmërisë, kur bëhet fjalë për arritjen e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, sesa i vëllazërisë me njërën apo tjetrën palë. Gjithashtu nuk mund të lihet mënjanë fakti se në axhendën e amerikanëve dhe shteteve të tjera të mëdha mund të shfaqen probleme akoma më serioze dhe me dimensione akoma më të mëdha se të tonat. Probleme që faktikisht janë të filluara prej kohësh nga Iraku, Ukraina, Siria, Libia për të mos përmendur më tej vende të Afrikës, Amerikës Latine etj. Pa lënë mënjanë dhe koronavirusin me efekte tronditëse për jetën dhe ekonominë globale (bursat janë tamam në situatën e tyre karakteristike: rrezik katastrofik). A thua politikanëve shqiptarë të Kosovës u bën mirë ndonjë dyshim kopernikan: mos vallë nuk jemi në shqiptarët në qendër të universit politik të botës dhe nesër pasnesër mund të gjendemi në një trajektore periferike ku forcat centrifuge mund të mbizotërojnë krahasuar me ato centripete? Ose, thjesht, mund të lihemi në fatin tonë që pak herë është kujtuar për ne.