BREAKING NEWS

Priten stuhi të fuqishme/ Ulje temperaturash dhe rrebeshe shiu në të gjithë vendin, si parashikohet të jetë moti për ditën e sotme

Priten stuhi të fuqishme/ Ulje temperaturash dhe rrebeshe shiu në
x
BREAKING NEWS

Tritol në Vlorë, policia jep informacion për ngjarjen! Nisin kërkimet për kapjen e autorit

Tritol në Vlorë, policia jep informacion për ngjarjen! Nisin
x
BREAKING NEWS

Shqiptarët me gomone për në Angli/ Ambasadori britanik takon Gledis Nanon dhe bën deklaratën e fortë: Do depërtohen, nuk mund të kenë kurrë...

Shqiptarët me gomone për në Angli/ Ambasadori britanik takon
x
BREAKING NEWS

Publikohet dokumenti i gjykatës, Donald Trump po hetohet për ‘Spiunazh’, ja çfarë u gjet gjatë kontrollit nga FBI (Dokumenti)

Publikohet dokumenti i gjykatës, Donald Trump po hetohet për
x
BREAKING NEWS

Kamioni me grurë përmbyset në mes të autostradës, reagon ashpër Erion Braçe: Zotërinj të policisë, buka nuk shkelet, nuk kalojnë makinat mbi...

Kamioni me grurë përmbyset në mes të autostradës,
x
BREAKING NEWS

Foto/ Aksident i frikshëm në Levan-Tepelenë, plagosen 8 persona, detajet e para

Foto/ Aksident i frikshëm në Levan-Tepelenë, plagosen 8 persona,
x
BREAKING NEWS

“Do ketë ‘non-grata’ të tjerë politikanësh”/ Ambasadorit britanik bën paralajmërimin tronditës: Ja kur do të fillojë vala e dytë

“Do ketë ‘non-grata’ të tjerë
x
BREAKING NEWS

Veliaj i përgjigjet ‘flakë për flakë’ ish-presidentit: Për të jetuar unë shisja fiq, Ilir Meta spiunonte miqtë

Veliaj i përgjigjet ‘flakë për flakë’
x

Opinion / Editorial

A është vërtet Bullgaria pengesë e RMV për në BE?

A është vërtet Bullgaria pengesë e RMV për në BE?

Më 17 nëntor 2020, në takimin e ministrave të Këshillit të Evropës, ku pritej të miratohej korniza e negociatave për Republikën e Maqedoninë së Veriut në mënyrë që të fillonte procesi i dialogut në dhjetor, Bullgaria vendosi veto ndaj shtetit më të ri të Evropës. E bëjmë me dije se RMV është kandidate për në BE që në vitin 2005. Edhe para disa ditësh Bullgaria në mënyrë të qartë dhe kategorike rritheksoi për të disatën herë, që edhe në takimin e fundit për këtë vit që BE do të zhvillojë gjatë muajit dhjetor nuk do të ndezë dritën jeshile për RMV. Nga ana tjetër Bullgaria, e cila mbështet fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, i ka thënë „po“ anëtarësimit të Shqipërisë.

Pse Bullgaria ndërmori këtë hap për RMV? Si një shtet ballkanik, anëtar i BE dhe NATO-s, Bullgaria (së bashku me Greqinë) ka një përgjegjësi të veçantë për vendet e Ballkanin Perëndimor, që ato sa më parë të integrohen dhe të bëhen pjesë e familjes së përbashkët Evropiane. Kjo do ta kthejë Ballkanin në një vend më të sigurt për të jetuar dhe punuar. Por që një vendi kandidat t’i hapet drita jeshile që të fillojë negociatat për në BE, ai përveç të tjerash duhet që të arrijë standarde evropiane në marrëdhëniet me fqinjët e tij. Këto standarde të fqinjësisë së mirë me Greqinë, anëtarja më e vjetër e Ballkanit në BE, përmbushi edhe Bullgaria para se të futej në BE. Por si janë këto marrëdhënie midis Bullgarisë dhe RMV? A kanë qenë dhe a janë të mira dhe të qëndrueshme marrëdhëniet dypalëshe midis dy vendeve fqinje, a janë këto marrëdhënie në interes të qytetarëve të të dy vendeve? A e plotëson RMV këtë kriter. Me ato që ndjekim të ndodhin para syve tanë mund të themi me plot gojën se jo. Por pse na qenka kaq i vështirë ky bashkëpunim, pse nuk po ecën dialogu midis dy vendeve fqinje?

Bullgaria që në vitin 1991, kur RMV (në atë kohë e njohur si Republika Socialiste e Maqedonisë dhe më vonë si IRSM) u shkëput nga ish-Jugosllavia dhe filloi rrugëtimin e vështirë si shteti më i ri në Evropë, e ka mbështetur pa rezerva atë. Bullgaria ishte vendi i parë që e njohu për herë të parë shtetin e ri me emrin Maqedoni më 15 janar 1992 dhe jo vetëm kaq, ajo loboi edhe tek shtetet e tjera për të bërë dhe ato të njëjtin veprim. Bullgaria ka qenë kundër shpërbërjes dhe ndarjes së RMV (plane të tilla kanë egzistuar gjithmonë). Ajo e mbështeti gjatë embargos që i vendosi Greqia duke i hapur kufirin dhe portet e Varnës dhe Burgasit për mallrat maqedonase duke e shpëtuar nga kolapsi ekonomik. Bullgaria e mbështeti pa rezerva edhe në përpjekjet dhe anëtarësimin në NATO. Pra, mbështetja e Bullgarisë si shtet anëtar i dy organizmave më të fuqishme ushtarake dhe ekonomike, NATO-s dhe BE-së, ka qenë e gjithanshme dhe pa rezerva për shtetin e ri të RMV, gjithmonë me shpresë se problemet në marrëdhëniet dypalëshe me kalimin e kohës do të ndryshonin për mirë.

Por e gjithë kjo politikë mbështetëse pa kushte e Bullgarisë gjatë gjithë këtyre viteve nuk gjeti reciproritet nga ana e RMV. Shkenca historike dhe linguistike vazhdon të keqpërdoret si edhe më parë. Falcifikimet dhe gënjeshtrat e komunizmit për historinë dhe gjuhën vazhdojnë të egzistojnë dhe të përdoren. Me to janë të mbushura tekstet shkollore, nga ato fillore deri në ato shkencore, ato përdoren dhe në media duke helmuar çdo ditë e më tepër opinionin shoqëror në RMV. Kjo situatë prodhon probleme nga më të ndryshmet me të gjithë fqinjët e saj, por në veçanti këto janë më të theksuara me fqinjin e saj lindor, Bullgarinë. Dhe këtu lind pyetja logjike, pse kjo sjellje e RMV ndaj fqinjit të saj lindo,r Bullgarisë, vazhdon dhe nuk arrin të ndryshojë? Ku i ka rrënjët, cili është burimi që e ushqen për kaq vite?

Shpjegim për këtë na jep historia. Siç u përmend dhe më lart, shteti i sotëm i RMV është vazhdim i Republikës Socialiste të Maqedonisë e cila u shfaq në vitin 1944 si krijesë e ideologjisë komuniste mbas LDB. Para këtij viti një shtet i tillë nuk egzistonte. Vetë popullsia sllave e trevave të Maqedonisë historike në pjesën dërmuese të saj e identifikonte veten si pjesë e pandarë e popullit bullgar. Serbët kanë qenë gjithnjë në minorancë. Këtë e kanë dëshmuar me fakte të gjithë ata të huaj që kanë kaluar në këto troje dhe kanë pasur kontakte direkte me popullsinë vendase, kanë studiuar gjuhën, kulturën dhe traditat e saj, dhe për fat të mirë ato mund t’i gjejmë sot të shkruara në botimet ? vyera që kanë lënë (për këtë dëshmojnë shkrimet e V. Karaxhiq, P. Shafarik, V. Grigorowiç, V. Oblak, G. Vajgant, A. Selishtev, E. Durham e shumë të tjerëve). Këtë më së miri e dëshmon dhe historia e kësaj pjese të popullsisë e cila e ka konsideruar veten si pjesë e pandarë e trungut bullgar, nga gjiri i së cilës kanë dalë mjaft figura të shquara të penës dhe pushkës që sot nderohen nga i gjithë populli bullgar. Janë të shumta dëshmitë (historike dhe gjuhësore), që në përpjekjet për krijimin e një gjuhe standarde të përbashkët për të gjithë bullgarët në Ballkan, një rol aktiv ka luajtur një plejadë shkrimtarësh dhe intelektualësh nga trojet e Maqedonisë, si: Joakim Kërçovski, Paisij Hilendarski, Partenij Zoografski, vëllezërit Konstantin dhe Dimitër Miladinov, Rajko Zhinzifov, Jordan Haxhikonstantinov-Xhinot, Marko Cepenkov, Grigor Përliçev, Kuzman Shapkarev etj. Të gjithë këta, pavarësisht se kanë lindur në Maqedoni, e kanë konsideruar veten si pjesë e popullit bullgar dhe gjuhën e nënës që flisnin dhe e përdorën në shkrimet e tyre si gjuhë bullgare. Këtë më së miri e dëshmojnë tekstet e shkruara nga vetë ata që mund të gjenden dhe lexohen në origjinal (E theksoj në origjinal, sepse në RMV ato i gjen të falcifikuara!). Të shumtë janë dhe ata që kanë luftuar dhe kanë dhënë edhe jetën për të mbrojtur fatet e popullit bullgar të Maqedonisë, si: Goce Delçev (sot konsiderohet heroi kombëtar i RMV), Nikola Karev, Gjorçe Petrov, Damjan Gruev, Todor Aleksandrov, Ivan Mihajlov etj. Pikërisht bullgarët e Maqedonisë krijuan dhe Organizatën e famshme IMRO që si qëllim të vetin kishte çlirimin e Maqedonisë ku të jetonin të lirë të gjithë banorët e saj: bullgarë, shqiptarë, grekë, vllehë, hebre etj. Të gjitha këto etni, duke qenë pjesë e Maqedonisë, quheshin me emrin gjeografik maqedonas. Pra para v. 1944 ky emër nuk i përkiste vetëm një grupimi etnik. I ashtuquajturi maqedonizëm me ato format që njohim sot u bë ideologji shtetformuese në territorin e sotëm të RMV mbas LDB, mbi bazën e të cilit u bënë përpjekje për formimin e një identiteti të ri kryesisht mbi pjesën bullgare të popullit maqedonas. Qëllimi ishte që në mënyrë artificiale dhe me mjete politike të krijohej një etni e re nëpërmjet vjedhjes, mohimit dhe deformimit të historisë, gjuhës dhe kulturës të popullit të Maqedonisë, sidomos atij bullgar. Në thelb maqedonizmi është shumë i ngjashëm me doktrinën e nacionalistit serb Stojan Novakoviç e fundit të sh. XIX. Bashkë me Garashanin, ata u bënë themeluesit e Doktrinës së Serbisë së Madhe në Ballkan. Duke parë pozitat e dobëta të Serbisë në zgjidhjen e çështjes së Maqedoninë, e cila ishte akoma pjesë e Perandorisë Osmane, Novakoviçi krijon dhe mundohet ta zbatojë në praktikë doktrinën e maqedonizmit si instrument i politikës kolonizatore serbe në Maqedoni. Doktrina e tij në thelb është antibullgare dhe synonte që me mjete dhe forma nga më të ndryshmet të largonte popullsinë bullgare në Maqedoni nga pjesa tjetër e trungut bullgar duke e konvertuar në një popullsi tjetër e cila më vonë mund të kontrollohej dhe të asimilohet më lehtë nga serbët, që sipas pikëpamjeve të tij shoviniste ishte populli i përzgjedhur i Perëndisë. Doktrina e tij nuk arriti të hedhë rrënjë në Maqedoni përveç disa rasteve të rralla, të cilat nga bullgarët e Maqedonisë konsideroheshin si tradhtarë ndaj popullit të vet dhe të shitur dhe shërbëtorë të politikave serbe. Edhe në kohën kur territori i RMV u pushtua nga Mbretëria Serbe situata nuk ndryshoi, përkundrazi në këtë pjesë të Maqedonisë lufta e popullit bullgar kundër pushtuesve serb vazhdoi nën drejtimin e organizatës bullgare IMRO. Shpesh çetat bullgare dhe ato shqiptare bashkëpunonin me njëra-tjetrën në aksione të përbashkëta kundër pushtimit serb. E tillë është kryengritja e Ohrit dhe Dibrës e shtatorit të vitit 1913, një kryengritje e organizuar nga bullgarët dhe shqiptarët në Maqedoninë Perëndimore, atëherë Mbretëria e Serbisë e cila u shtyp dhe shumë bullgarë dhe shqiptarë u vranë, ndërsa një pjesë e madhe u detyruan të shpërngulen dhe të emigrojnë drejt shteteve amë, Shqipërisë dhe Bullgarisë. Kjo situatë vazhdoi deri në mbarim të LDB. Mbas vitit 1944 filloi një terror i paparë nga pushteti sërbokomunist i Jugosllavisë së Titos. Viktimat e tij ishin përsëri shqiptarët dhe bullgarët të cilët iu nënshtruan një politike denacionalizuese. Maqedonizmi i Novakoviçit u zyrtarizua nga autoritetet komuniste në ish RSM dhe u bë mjet për konstruksionin e edentitetit kombëtar modern maqedonas i imponuar me çmimin e dhunës ndaj popullsisë bullgare (ka të dhëna që edhe një pjesë e shqiptarëve të ish RSM u asimiluan në këtë mënyrë). Njerëzit me vetëdije të theksuar bullgare që kundërshtonin këtë eksperiment të kohëve moderne përballeshin me aparatin e egër të sigurimit jugosllav, UDBA-s, dhe persekutoheshin. Në shërbim të këtij eksperimeti, pra krijimit të një miti që do të shërbente për formimin e kombit të ri maqedonas, u vu dhe një plejadë e tërë historianësh, arkeologësh dhe gjuhëtarësh të cilët shkencën e historisë dhe gjuhësisë e mbushën me manipulime, falsifikime, gënjeshtra dhe pretendime territoriale ndaj fqinjëve. Shumë ngjarje dhe figura historike të cilat i takojnë historisë dhe popullit bullgar mbi baza joshkencore u vunë në funksion të krijimit të identitetit të ri. Gjuhëtarët nga ana e tyre u morën me rikodifikimin e detyruar të gjuhës standarde bullgare që deri atëhere ishte përdorur dhe pranuar si gjuhë e nënës nga bullgarët e Maqedonisë. E gjithë trashëgimia historike, letrare etj. , që kishte të bënte me Maqedoninë, ku flitej për “popull bullgar” dhe “gjuhë bullgare“ u zëvendësua me termat e reja “popull maqedonas” dhe “gjuhë maqedonase”. Ky eksperiment i paparë në botë përbën një cenim të drejtpërdrejtë ndaj trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare në Maqedoni. Nëse një ditë do të hapen dhe publikohen arkivat e shërbimeve sekrete jugosllave do të kemi një informacion më të plotë të asaj që ka ndodhur në ish RSM, për persekutimet ndaj bullgarëve që dolën hapur kundër maqedonizmit, inxhinierisë etnike dhe kodifikimit të ri gjuhësor që iu bë popullatës vendase nga komunistët e Titos. I imponuar me dhunë në periudhën komuniste 1945-1990, maqedonizmi vazhdoi dhe u afirmua në shtetin e pavarur maqedonas edhe mbas vitit 1990.  Bullgaria vite me radhë ka ushqyer shpresën se elita politike në shtetin më të ri të Ballkanit do të ndryshonte. Me një përkujdesje dhe durim prindëror Bullgaria e ka mbështetur RMV edhe kur gjuha e politikanëve dhe institucioneve zyrtare të kësaj të fundit ka qenë e mbushur me urrejtje, përçmim dhe përbuzje ndaj çdo gjëje që ka lidhje me bullgarët dhe Bullgarinë, edhe kur janë shkelur të drejtat e qytetarëve të RMV që e ndjejnë veten bullgarë. Ndaj këtyre qytetarëve edhe sot vazhdon praktika e komunizmit, e përndjekjes dhe margjinalizimit. Pra jo vetëm se nuk është pranuar gjenocidi i bërë nga sistemi i vjetër por vazhdohet me shkeljen flagrante të të drejtave të njeriut.

Zyrtarët maqedonas mundohen që me politikat e vjetra të gënjeshtrës të manipulojnë jo vetëm opinionin e brendshëm por dhe atë ndërkombëtar në lidhje me ngërçin që ekziston me Bullgarinë duke e akuzuar këtë të fundit se u mohon të drejtën e gjuhës dhe identitetit. Bullgaria respekton vullnetin e lirë të popullit të RMV, por në të njëjtën kohë kërkon nga kjo e fundit të respektojë identitetin e atyre që nuk jetojnë më, por e kanë quajtur veten bullgarë si dhe identitetin e atyre që vazhdojnë edhe sot ta konsiderojnë veten si të tillë. Kërkon gjithashtu të korrigjohen falcifikimet historike dhe të hiqet nga librat shkollorë gjuha e urrejtjes ndaj bullgarëve me të cilën mësohen fëmijët maqedonas që të vegjël. Nga sa u tha më lart, mendoj se RMV është akoma e papërgatitur, ka edhe shumë detyra për të kryer para se t’i çelet dera për në BE. Rruga e drejtë që duhet të ndjekë është të pranojë genocidin dhe falcifikimet e bëra në kohën e komunizmit, të respektojë të drejtat e individit, të heqë gjuhën e urrejtjes ndaj fqinjëve në të gjitha nivelet, duke arritur kështu të qetësohet dhe pajtohet fillimisht me veten dhe te respektojë zbatimin e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017. Duke bërë këtë gjë do ta ketë më të lehtë të pajtohet dhe me fqinjët e saj. Pra RMV e ka vetë në dorë të ardhmen e saj.

Bullgaria vetëm po e ndihmon në këtë rilindje të saj drejt të vërtetës. Duhen vlerësuar edhe angazhimet e Bullgarisë me faktorin ndërkombëtar për zgjidhjen e problemit në fjalë. Para pak ditësh, më 1 dhjetor 2021, në Strasburg, Presidenti i Bullgarisë Rumen Radev ka biseduar me presidentin e Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier dhe Presidentin francez Emmanuel Macron, për sigurinë përgjatë kufijve të BE-së dhe perspektivën evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në të dy takimet presidenti bullgar Radev shprehu shpresë për dialog aktiv me Shkupin. Ai theksoi se Maqedonia e Veriut duhet të tregojë pjekuri evropiane dhe respekt për vlerat e BE-së. Nevojiten veprime konkrete për t'i dhënë fund gjuhës së urrejtjes ndaj Bullgarisë në tekstet historike maqedonase, institucionet shtetërore dhe shkencore dhe në media, për të ndaluar falsifikimin e trashëgimisë kulturore dhe historike bullgare dhe veçanërisht për të respektuar të drejtat e qytetarëve maqedonas që shprehin hapur identitetin e tyre bullgar. Edhe Ministri i Jashtëm Svetllan Stoev zhvilloi para tre ditësh bisedime dypalëshe me komisionerin e zgjerimit të BE, Olivér Várhelyi dhe homologun e tij spanjoll, José Bueno. Në Barcelonë, në forumet rajonale Unioni për Mesdheun dhe takimi i BE-së dhe vendeve partnere të Fqinjësisë Jugore, u shkëmbyen mendime për mundësinë e fillimit të negociatave për anëtarësim të Republikës së Maqedonisë së Veriut në BE. Stoev theksoi përpjekjet proaktive të Sofjes për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Shkupin për të garantuar të drejtat e qytetarëve maqedonas me identitet bullgar dhe zbatimin e Traktatit të Miqësisë, Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit të vitit 2017.