BREAKING NEWS

Rritet ndjeshëm kurba/ 23 raste të reja me koronavirus, zgjerohet harta e infektimeve

Rritet ndjeshëm kurba/ 23 raste të reja me koronavirus, zgjerohet
x

Opinion / Editorial

A ia vlen gjithë kjo zhurmë për teatrin!?

A ia vlen gjithë kjo zhurmë për teatrin!?

Këta ditë po bëhet një zhurmë e madhe për Teatrin Kombëtar. Politika është rindezur përsëri, ku opozita si gjithmonë, gjen “një fije kashtë” në turbullirën e ujërave të kohës që po kalojmë dhe kapet pas saj për të rritur kredibilitetin e përbaltur politik në opinion. Disa ulërasin për shkelje të demokracisë dhe instalim të diktaturës, e ca të tjerë si presion korruptiv i oligarkisë për shkatërrimin e trashëgimisë kulturore. Opozita e quan rënie të shtetit të Rilindjes, kurse mazhoranca si vazhdim i ofensivës së saj për suksese të mëtejshme në udhën e rilindjes dhe zhvillimit të kulturës qytetare. E gjithë kjo luftë dhe zhurmë, deri në deklarime për vetësakrifikim të ndonjë artisti, është e pamotivueshme, e pajustifikueshme sepse nuk ka ndonjë ndikim të madh në jetën social ekonomike e kulturore të vendit në kushtet që po kalojmë, përveçse të përfitimeve politike. Sa mirë do të ishte sikur të gjitha problemet e hallet e mëdha që ka ky vend të na i zgjidhte mos shembja e një teatri të vjetër apo ngritja e një teatri të ri. Në Tiranë si kryeqendra kulturore, apo në Shkodër e Elbasan, gjithmonë edhe nën ndikimin e politikës, mund të ketë një farë sensibilizimi shembja e teatrit, por më larg në zonat urbane dhe në fshatrat e drobitura nga karantina dhe fukarallëku,vështirë se e vret mendjen kush se qenka shembur një godinë teatri në Tiranë. Fshatarit të Zall-Bastarit që i kanë mbetur tokat pa mbjellë se nuk ka mjete e farërat e duhura, atyre familjarëve që paraqiten në emisionet e Marin Memës ku nxënësit kanë mbetur pa shkollë, jo vetëm nga mungesa e celularëve, por edhe ngaqë nuk kanë as energji elektrike, të dëmtuarve nga tërmeti në Bubq që kanë mbetur pa një strehë ku të fusin kokën dhe atyre plakave të Laprakës që ledhatohen me nga një qese ndihmash, as që u bie mendja se ca politikanë në Tiranë hahen e grinden mes tyre për “mustaqet e Çelos”. Ato dhjetëra familje që nuk kanë bukë të hanë dhe për arsye burokratike akoma nuk kanë marrë pagën e luftës, të cilat dridhen para syve lutës të fëmijëve, as që u bie mendja se në Tiranë ka nisur një betejë e ashpër nga opozita dhe Aleanca për mbrojtjen e teatrit sikur të ishte fjala për rrënimin e Trojës. Lufta mes opozitës dhe pozitës që u rindez tani për teatrin, e ka fillin e saj në mesditën e 8 shkurtit 2018. Atë ditë shkurti, një grup artistësh me emër, mes të cilëve Robert Ndrenika, Bujar Asqeriu, Mehdi Malkaj, Arben Derhemi, Altin Basha, u mblodhën në një nga sallat e Universitetit të Arteve për të kundërshtuar disa pika të projekt ligjit “Për artin dhe kulturën” bërë prezent nga ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro. Në këtë takim ministres në fjalë iu kërkua një sqarim në lidhje me thashethemin e hapur se godina e re e teatrit do të ndërtohej me financimin PPP. Ministrja, pasi i dëgjoi me vëmendje artistët, e mohoi ekzistencën e një projekti të tillë. Por për ca artistë thashethemi po konturohej si realitet imediat, ndaj pas asaj dite, nisi rezistenca e tyre në mbrojtje të teatrit. Çdo mbasdite, ora 19, në ugaret e Teatrit Kombëtar dhe atij Eksperimental “Kujtim Spahivogli”, nisën protestat për mbrojtjen e teatrit. Në pasditen e 12 marsit 2018 kryeministri Rama prezantoi projektin e teatrit të ri të arkitektit danez Bjarke-Ingels. Zërat e artistëve që kundërshtonin shembjen e teatrit shtohen dhe krijohet kështu ajo që quhet Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit. Në qershor 2018 projektligji i qeverisë, me gjithë kundërshtimin e disa artistëve të Aleancës, kthehet në ligj. Megjithëse u bënë shumë përpjekje nga ana e qeverisë për të unifikuar zërat pro dhe kundër të artistëve për vlerat e teatrit të ri, nuk u arrit asnjë konsensus. Kështu me 5 korrik 2018 ligji për projektin e ngritjes së godinës së teatrit të ri me anë të PPP, me një sipërfaqe prej 5522 m2, miratohet në Parlament. Ky miratim i irritoi disa artistë dhe intelektualë, të cilët më 24 korrik 2019, pas një kundërshtimi të ashpër, nisin rezistencën kokëfortë, duke u ngujuar në ambientet e teatrit. Në mbështetje të këtij grupi artistësh vihet edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili jo vetëm e kthen këtë ligj në Parlament, por pas rimiratimit të tij, me 27 korrik 2019 e çon atë në Gjykatën Kushtetuese. Pas tentimit disa herë për ta shembur teatrin forcërisht, përballë rezistencës së Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, ku u ingranuan dhe ca intelektualë e pjesëtarë nga shoqëria civile, lufta për teatrin sikur u la në heshtje. Disa artistë ngryseshin e gdhiheshin në teatër. Por lufta u rindez kur më 8 maj 2020 qeveria merr vendimin për t’ia kaluar teatrin në pronësi Bashkisë së Tiranës. Kundër këtij vendimi të papritur reagojnë jo vetëm disa artistë, por edhe presidenti Meta, i cili e padit këtë vendim të qeverisë në Gjykatën Kushtetuese më 14 maj 2020. Kështu erdhi mëngjesi i së dielës së 17 majit, ku mes një përplasje të Aleancës me forcat e policisë, godina e teatrit u shemb dhe u rindez lufta e ashpër midis opozitës dhe mazhorancës. Është momenti për t’i analizuar disa probleme që dolën nga kjo situatë e krijuar. Së pari, ç’i duhet opozitës dhe Presidentit të Republikës të merren me një godinë teatri?! Opozita dhe presidenti ynë nëse i kanë zgjidhur një sërë problematikash dhe hallesh që ka vendi dhe nëse kanë mbajtur qoftë edhe një premtim të vetëm politik, qoftë edhe një, mund t’u lejohet që edhe ta ngrenë zërin për teatrin. Nëse një godinë teatri shembet forcërisht, apo ngrihet paqësisht, është detyrë e atij që e ka në pronësi, e ka në program dhe nëse kjo gjë nuk është e mirëargumentuar, qeveria apo pushteti lokal që është votuar për të qeverisur, duhet të veprojë sipas ligjeve që ka nxjerrë në emër të shumicës dhe nëse e ka gabim, do të marrë ndëshkimin e duhur me votë në zgjedhjet që do të pasojnë. Së dyti opozita dhe kushdo që pretendon për rrënim të vlerave kulturore e arkitektonike, duhet t’i lërë pas hipokrizitë e shtirjet të tilla për këto. Kjo opozitë dhe ata artistë që i bashkon “shqetësimi për rrënim vlerash kulturore”, nuk e kanë ngritur asnjëherë zërin kur është prekur dhe rrënuar trashëgimia kulturore e vërtetë, në çdo skaj të vendit, duke filluar nga kinematë e deri tek teatrot dhe bibliotekat që mishëronin vërtet vlera kulturore. Nga sa pamë edhe në rrënojat që la fadroma të godinës së Teatrit Kombëtar, nuk kishte ndonjë vlerë të madhe kulturore, as të stilit barok e as atij gotik ndërtimi, përveçse ca mbeturina tallashi e copa kompesatash të deformuara nga agjentë atmosferikë. Pra duhet thënë shqip se ulëritësit e mbrojtjes së vlerave kulturore, kanë hallin si të rrëzojnë Edi Ramën e jo të mbrojnë trashëgiminë kulturore. Dhe më bajat akoma është argumenti i paraqitur prej tyre se “kjo godinë i rezistoi tërmetit”. Edhe një kasolle e ndërtuar me kallam i reziston presionit sizmik për vetë arkitekturën luhatëse që ka, por kjo nuk do të thotë, se kjo qëndresë duhet marrë si shembull rezistence e vlerash kulturore. Së treti nga ana e shtetit duhej të ishin më të studiuara disa vendime e më të vetëpërmbajtura disa veprime. Nuk duhej bërë me aq nxitim shembja e godinës, e cila aktualisht nuk sillte asnjë dëm e nuk prekte ndonjë interes publik të çastit dhe aq më keq që ishim në kushtet e pandemisë dhe mjaft njerëz janë ende të stresuar e kanë mungesa bazike financiare dhe ushqimore. Në argumentimin e vendimeve të marra duhet t’u lihej më shumë vend specialistëve, inxhinierëve, duke dëgjuar mendime të vlefshme pro dhe kundra, që edhe ajo pjesë e popullit, sado e vogël, që nuk e dinte as dëmin e teatrit që shembej dhe as vlerën e të riut që do ngrihej, të bindej me argumente. U fol, se nga ana qeverisë paskan patur dhe konsulta edhe me specialistë të huaj, por kjo do të ishte e mira, t’i paraprinte veprimit për shembjen e godinës, pa qenë nevoja të bëhej gjithë ai demonstrim force nga ana e policisë. Gjithashtu në momentet që po kalojmë, prej një karantinimi disajavor, e ku përgjithësisht po dalim fitimtarë mbi koronavirusin, situatat nuk janë favorizuese e nuk i justifikojnë veprime të tilla të policisë, për të shembur me urgjencë e forcërisht një godinë teatri. Fakti që ka ende mjaft kundra shembjes, si artistë e intelektualë, fakti që opozita është mjeshtre në gjetjen e sebepeve, por duke marrë në konsideratë edhe sensibilizimin e shkaktuar në një sërë mediash e organizatash botërore, ky veprim ishte i nxituar. “Kurrë mos u përpiq ta fitosh me forcë atë që mund të fitohet me dinakëri”, thotë Makiaveli. Dikush nga pushtetarët mund ta justifikojë me vlerat kulturore kolosale që do të ketë teatri i ri. E pranojmë edhe këtë, por një pjesë e mirë e popullit është ende larg për të kuptuar një gjë të tillë. Përsëri është momenti për t’ju referuar Makiavelit. “Njerëzit në thelb, nuk u besojnë gjërave të reja, që nuk i kanë përjetuar vetë”, shkruan ai.