Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Abuzuesit VIP-a mbi re, hajdutët ordinerë i mbeten drejtësisë në derë!

Abuzuesit VIP-a mbi re, hajdutët ordinerë i mbeten

Sentenca “Para ligjit të gjithë të barabartë”, të paktën këtu në vendin tonë ngjanë si një përrallë nga e kaluara, e cila nuk është verifikuar të zbatohet në këto tri dekada, veç në propagandën mediatike dhe nëpër buletinet e drejtësisë nga baza në qendër. Sapo hyn në mjediset e gjykatave, përballesh me peshoren simbol i gjykimit të balancuar, të ligjshëm të pavarur të barabartë, të paanshëm për cilindo, pavarësisht nga rangu, gjinia, prejardhja, pasuria. Për atë që përfaqëson ligji, i varfër, i pasur, i pavarur, oligark, pronar i madh i medias, njeri politik me tituj, dekorata, i shumëshkolluar apo pa shkollë fare nuk duhet të përjashtojë askënd që shkel ligjin, është fajtor i provuar nga hetimi dhe provat e faktet. Teorikisht, kjo është një e drejtë absolute, shumë e bukur për të qënë e vërtetë, e pëlqyeshme kur e dëgjon, e ëmbël kur ta thonë, po e hidhur kur e provon mbi shpinë aq më tepër kur dënohesh për faje të pakryera apo merr dënime si të ishe vrasës edhe kur ke përvetësuar një biletë autobuzi urban, një aparat celular apo të gjejnë në xhepin e pantallonave një gram hashash që deklaron se e ke për përdorim vetjak. Në realitet, asnjëri që bën faje nuk mund ta amnistojmë, të kërkojmë zbutje të fajit, duke i kategorizuar, jo sipas ligjit, po moralit, anësisë faj i vogël, i mesëm, i lartë, apo ekstrem. Kjo është detyrë e organeve gjyqësore. Ajo që duam të vëmë theksin është shkalla e dënimit sipas fajësisë. Dhe barazia para ligjit për të gjithë. Për dënime që nisin nga gjobat deri me burg të përjetshëm. Shoqëria e sotme shqiptare, ka mijëra problematika që i ndeshim përditë. Kemi sherre deri edhe vrasje, disa të momentit, të tjera të mirëorganizuara larje hesapesh të vjetra, shumë prej të cilave bëhen me porosi dhe ekzekutohen nga atentatorë me pagesë që ikin në drejtim të paditur, ndryshojnë identitet dhe pajisen me pasaporta të reja me emra të ndryshuar për të mos u identifikuar kurrë. Thënë këtë nuk mund të mohohen ndryshimet thelbësore në proceset e gjykimit, veçanërisht pas reformës në drejtësi dhe krijimit të organeve të reja, SPAK, së fundi BKH, të cilat monitorojnë dhe kalojnë në sitën e verifikimit procedurat dhe vetë njerëzit e drejtësisë nga prokurorë deri tek gjyqtarët e shkallëve më të ulta tek ato më të lartat. Po realiteti nuk është rozë. Problematikat që ndeshen në drejtësinë tone, jo vetëm atë që jep verdiktin ligjor, po edhe iniciuesit e akuzave që kanë detyrimin e dekriminalizimit, veprojnë me standarde të ndryshme për individë të veçantë. Ka një shtresë që edhe për fajin më të vogël bëhen objekt i drejtësisë dhe përfundojnë në qeli, si të fajshëm, pa asnjë preferencë për gabimin që kanë bërë dhe peshën e fajit. Dënimi i të pambrojturve, të vobektëve, është shumë më i lehtë. Ata janë anonim, pa emër e mbiemër, parti e të afërm me pushtet politik. Nuk zotërojnë pasuri. Vijnë nga hiçi. Nuk kanë suporte partiake. Nuk kanë kartë anëtarësie partish. Nuk janë nipa apo mbesa deputetësh, le të ishin bijë e bija të tyre. Të pambështeturit mbeten kontingjenti numër një për t`u dërguar pas hekurave. Në perceptimin shoqëror, biseda të zakonshme, para dyerve të gjykatave, tavolina të thjeshta, kudo kur bie fjala për trajtimin e fajësisë dhe individëve, objekt i drejtësisë, është i palëkundur opinioni se, ai apo ajo do dënohet. Është pa suport politik. Xhepashpuar, pa pasuri. Është anonim. Nuk ka kush t`i dalë në krah. Shumëkush, nuk flasim vetëm për periudhën e sotme, ka provuar se i afërmi i tyre kur është konstituuar në shkeleje të ligjit për dhjetë rrënjë kanabis, ka zënë qelinë dhe i është komunikuar pretenca për vite të tëra burg, në një kohë kur dikush tjetër, fare pranë tij, me parcelë me qindra rrënjë, bos i drogës, ia ka hedhur mrekullisht, bile i është mundësuar koha për t`u larguar, pa pasur asnjë shqetësim nga ata që e kanë zbuluar e konstatuar shkeljen e ligjit. Pabarazi të tilla, janë vërejtur, jo vetëm për grimca fajesh, po edhe për faje apo shkelje në shkallë kombëtare, ku dëmi moral, ekonomik dhe pasuror i shtetasve të republikës shkon në miliona euro. Në këtë drejtim, atë të zhurmimit nuk mund t`i ndash forcat politike. Të majtë të pafajshëm, të djathtë që e kanë bërë baltë me veprimet e tyre, duke vjedhur. Ajo që dallon mes opinioneve, jo vetëm në lagje, takime të zakonshme, po deri në tavolinat e opinionistëve, është gjykim subjektiv, shumë herë në interes të politikës. Mbrohet njëra palë dhe sulmohet pala tjetër. Le të ndalemi në dy fakte që kanë për bazë ndërtimin e rrugëve të rëndësishme, projekte madhore. Njëra: “Rruga e Kombit”. Ministër i linjës, Lulzim Basha. Sponsor qeveria “Berisha”. U harxhuan një miliardë e gjysmë euro. Rruga mbeti pa ura dhe nuk u përfundua. Kontrolli i Lartë i Shetit, provoi se bilancit të shpenzimeve i mungonin 250 milionë euro të paargumentuara në situacionet e dorëzuara. Një çerek milion dollarë u mbytën në gropën e zezë të korrupsionit. Vetëm për procedurë, kjo vjedhje u amnistua. Pa asnjë ndëshkim. Pa autor. Përkundrazi u konsiderua politike. Dëmtim i imazhit të ministrit Lul Basha, sot kryetar i opozitës shqiptare, pretendenti për kryeministër. Përgjegjësi shumë e rëndë për një politikan që kërkon t`iu mbushi mendjen shqiptarëve, se vjen, si etalon dhe ekzemplar i papërlyer, i pastër, pa asnjë mëkat mbi shpinë. Shkurt, me duar të pastra, kur i ka të ndotura me një shumë “simbolike” 250 milionë euro?! Sa herë është evidentuar kjo vjedhje, propaganda e PD-së dhe analistëve, opinionistëve zyrtarë pranë saj, kanë ngritur zërin në qiell, si një hakmarrje primitive e rilindjes që shpif për të denigruar liderin e opozitës. Në emër të frikës se po i ikën pushteti nga duart. Për këtë vjedhje, gjykatat shqiptare e mbyllën çështjen me procedurë, ministri doli pa faj, i pastër fare. Sot për një rrugë tjetër, e cila është ende në tenderim, jo me buxhetin e shtetit, po me koncension, rruga Milot-Fier, përllogaritur një miliardë e dyqind milionë euro, sapo u publikua vlera, vërshuan akuzat. Vjedhja e shekullit e qeverisë Rama! Sekretari i PD-së, Minarolli deklaroi se shqiptarët po vidhen në mënyrën më çnjerëzore, duke bërë llogari se u takon të paguajnë 17 euro secili për të shlyer këtë borxh të krijuar nga abuzimi i qeveritarëve. Ballë përballë dy rrugë, dy qëndrime, dy mendësi. Njëra për objektin e përfunduar, vërtetuar vjedhja, me 250 milionë euro të shpërdoruara. Tjetra ende pa nisur. Njëra me gjykim të mbyllur, pa vendim, tjetra pa nisur as traseja. Në akuzat e PD-së, Milot-Fier, është vjedhja e shekullit. Autostrada që lidh Shqipërinë me Kosovën, ura lidhëse e kombit shqiptar, është vetë mrekullia. E njëjta parti, dy standarde. Dy kude për të njëjtin problem. Njëra, trajtohet si thesi me arra që kërcasin, vepër e qeverisë mavi, tjetra, shportë e fiqve që shtypen dhe nuk dëgjohen nga askush. Po drejtësia? A nuk duhet trajtuar akuza e vjedhjes së rrugës së Milot-Fier prej saj? Sigurisht që po. Po nuk është vetëm rruga objekt i parë nga standarde të ndryshme. Kjo është qasje që bëhet për gjithçka kur në mes hyn politika dhe drejtësinë e bëjnë partitë, jo organet ligjzbatuese, prokurori e gjykata. Le t`i referohemi shembujve të tjerë për të evidentuar sentencën, ca të nënës, ca të njerkës. Njëra palë tolerohet, tjetra varroset dhe degdiset tërë jetën në burgje. Ish-kryetari i Bashkisë së Vorës, Kajmaku u trajtua si objekt i ligjit të dekriminalizimit. Edhe ish-kryebashkiaku i Shkodrës, Valdrin Pjetri. Vetëm se në formularin e dekriminalizimit nuk kishin deklaruar ndalimin nga policia e shtetit fqinj, Italia e Greqia. Të dy u larguan nga drejtimi. U bënë objekt i gjykatave, i Vorës u arrestua. Mbi ta u hodhën tonelata balte. Si të ishin Al Kaponët shqiptarë. Çfarë nuk u tha për ta dhe socialistët! U shumëfishuan akuzat. U denigruan individët. U gjendën në qendër të ciklonit të politikanëve. I njëjti qëndrim edhe për rastet kur janë gjykuar figura të socialistëve ndër vite nga Shpëtim Gjika e deri tek Saimir Tahiri. Fajtorët duhen dënuar njëlloj. Po me fakte dhe prova pasi më mirë njëqind fajtorë të lirë, se një i pafajshëm i dënuar. Kujtoni si i trajtuan rastet e drejtuesve të LSI dhe PD, ish-ministra e drejtorë. Jo vetëm që nuk u gjykuan, po u shpallën martirë. Partitë i mbrojtën me zjarr. Gjykatat mbyllën çështjet me procedurë. Shembujt e diferencave të trajtimit të individëve me peshë ose siç u thonë të huajt “peshqit e mëdhenj” kurrë nuk mbeten në rrjetat e drejtësisë. Përkundrazi, gjejnë shtigjet për t`i shkatërruar dhe për të lundruar drejt limaneve të qeta, atje ku nuk i rrahin dallgët, stuhitë, breshëri e rrebeshi. Ata mbeten gjithnjë të pacenueshëm, të paprekshëm në punë të vet, të patrazuar në pritje të riciklimit në politik e administratën shtetërore për të vijuar zakonin e vjetër. Shikoni mbrojtjen që iu bë pronarit të medias Ylli Ndroqi. U shqetësua presidenti dhe kërcënoi ish-presidenti. U ngrit në alarm opozita. Përse kaq ngut?! Pse kaq pezëm?!Nuk e akuzojmë. Ai është i pafajshëm deri sa gjykata të vendosë. Po i tërë kori i politikës, u ngrit vërtik dhe fshikulloi politikanët në pushtet se u veprua për hakmarrje. U bë politikë. Kundër medias së lirë! Shteti u quajt diktatorial. U vlerësua si vepër e Ramës. Po pse nuk lihet drejtësia të vendosi?! Ashtu siç evidentoi edhe ambasadorja amerikane, Yuri Kim! Shumë herë jemi gjendur në sallat e gjykatave. Është fare lehtë kur para trupit gjykues, vijnë individë që kanë shkelur rregullat e qarkullimit rrugor, kanë zgjatur dorën dhe kanë vjedhur një pulë të komshiut, një karikues telefoni apo makinë llogaritëse. Seancat mbyllen rrufe. Fajtori degdiset në qeli për të bërë ca muaj burg për të vënë mend. Trajtimi i të vobektëve dhe dënimi i tyre, gjykimi e amnistia e të rëndësishmëve, atyre që rëndom cilësohen VIPA në shoqërinë tonë, gjyqtarë, prokurorë të flakur për bëmat e tyre nga detyra prej vetingut, punonjës të administratës së lartë, deri në majë fare, jo për kulturën e shkollimin, sapo hynë nga dera e gjykatave, dalin nga dritarja, pa u ndjerë fare, bile pa u parë as në sallën e gjykimit. Nuk duam kurrsesi që keqbërësit e çdo niveli, ata që shkelin ligjin të mos ndëshkohen apo të fitojnë lirinë, duke i amnistuar me një të rënë të lapsit. Problemi është tek trajtimi preferencial dhe i përshkallëzuar i tyre kur janë “peshq” të vegjël dhe ndryshe kur janë me peshë që të shtypin, me portofol, llogari, vila, grada, konto bankare. Dënimi i secilit duhet bërë sipas ligjit. Dhe ligji nuk njeh preferenca. Drejtësi e drejtë është atëherë kur i vë në atë peshoren që gjendemi përballë, sa herë qëndrojmë para togave të zeza. Drejtësia nuk është baras, trajtim ca të nënës, ca të njerkës. Faji është i ndëshkueshëm. Drejtësia dhe politika që nuk e lë rehat drejtësinë nuk mund të tolerojë VIP-at, t`i amnistojë, t`i riciklojë. Abuzuesit me suport politik t`i trajtojë sikur qëndrojnë lart mbi re dhe ordinerët t`i mbeten përherë drejtësisë në derë.