BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Administrata plus

Administrata plus

 Dihet se administrata është domosdoshmëri për organizimin, drejtimin dhe zgjidhjen e detyrave të rëndësishme, dhe shumë herë të komplikuara të punëve në shkallë vendi, qyteti, lagjeje deri në familje. Pa administrim dhe administratë, qoftë e lartë, e mesme, apo nëpunësit e zakonshëm nuk do ishte e mundur asnjë zgjidhje apo shërbim ndaj qytetarëve. Shteti do ishte një makineri e ndryshkur. Pa mekanizmat që e vënë në veprim. Është pikërisht kjo domosdoshmëri që nuk ka vend pa administratë. Edhe pse kushton dhe ha paratë e buxhetit në sistemet me emërtime të ndryshme me rendet shoqërore nga periudha e antikitetit deri në kohët moderne të mos ketë pasur punonjës që kanë detyrë të zgjidhin probleme, të organizojnë, të udhëheqin, të drejtojnë bashkësi popullore qoftë ajo e shkallës më të ulët, komunitetit primitiv e në sistemet më të hershme, tributë deri tek organizimet moderne. Çdo stad shoqëror ka nevojë për drejtim dhe organizim, shkalla dhe perfeksioni i së cilit është ndikim i drejtpërdrejtë në ecurinë e zhvillimin e një vendi. Ne shqiptarët kemi provuar ndër shekuj administrata të ndryshme dhe sipas sistemeve shoqërore përmes të cilave kemi kaluar, i kemi emërtuar: “Administrata e kohës së sundimit turk”, “pavarësisë”, “mbretërisë”, “komunizmit” dhe sot e “sistemit demokratik”. Edhe pse në thelb me të njejtin qëllim, në praktikën e përditshme ka dallime themelore të organizmit të administratës. Nëse në një periudhë të caktuar, administrata ka ushtruar kompetencat e veta mbi bazën e dokeve, zakoneve, kanunit e sheriatit apo të kalifatit, Perandorisë Osmane në periudha të mëpasme, ajo është udhëhequr nga ligje dhe ideologji të caktuar. Dhe në këtë mënyrë, administrata ka fizionominë e vet. Ka gdhendur portretin e saj.

Pas viteve 1990 në kushtet e ndryshimeve të thella, përmbysjes së sistemit diktatorial, qeveritë e njëpasnjëshme, duke filluar nga PD, si e para qeveri post diktaturës e më pas PS e koalicionet përkatëse, janë rrekur të përzgjedhin administrata që në konceptin e tyre të jetë e ndryshme nga ajo e mëparshme. Në fillimet e pas vitit 1990, ardhja e PD në qeveri u shoqërua me shfarosjen e administratës, rrëmujën e pashembullt të rokadave të ashpra, pa studime dhe në empirizëm ekstrem, largimeve masive të specialistëve dhe zyrtarëve me përvojë dhe emërimin e militantëve sipas teserës partiake. Nën pretekstin e administratës së politizuar që i ka shërbyer sistemit të përmbysur, qeveria e dalë nga zgjedhjet e marsit 1992 solli në krye të punëve në të gjithë sektorët jetikë individë që nuk i lidhte asgjë me vendet e punës ku u emëruan. Sektorë të rëndësishëm u mbushën me militantë, me ata që për përvojë kishin ditët e anëtarsimit në parti dhe gatishmërinë për të qenë besnikë të saj. Është e njohur nga të gjithë përpjekja për të emëruar në krye të institucioneve më jetike ato që konsiderohen shtylla vertebrale e një shteti, individë që nuk i lidhte asgjë me atë pozicion ku i delegoi politika. Dhe kështu, në sistemin drejtësisë u vendosën plepistët, ata që morën diplomat e juristëve me kurse gjashtë mujore dhe veshën pelerinën e drejtësisë sapo lanë traktorin e karvanët dhe u diplomuan juristë e u futën nëpër zyra pa prekur kurrë gjatë tërë jetës as me dorë, kodet penale e civile. Po, ishin ata që i kthyen sallat e gjykimit në teatër absurd. Në krye të ushtrisë u caktuan mësues të matematikës. Pa qenë asnjë ditë oficerë dhe pa kapur tërë jetën pushkë me dorë. Ashtu si në drejtim të spitaleve u deleguan shoferë e ish policë, apo në komisariate u emëruan mjekë e mësues, që nuk njihnin asgjë nga lufta kundër krimit dhe keqbërësve. Dihet se kjo administratë militantësh e shpuri shtetin në zgrip. Iu hapi rruga rrokopujës. Piramidave. Shkatërrimit të vlerave në arsim e në shkencë. Dhe tërë kjo histori u shoqërua me shkallmim të shtetit në të gjitha kolonat më të rëndësishme të tij. Po administrata me partizanë të rastit e militantë të njohur e shoqëroi shtetin tonë në tërë këto vite me ndryshme të pakta e të papërfillshme. Administrata jonë është e njejtë me situatën që lënë pas tërmetet e shumta, që edhe pasi shuhen, lënë mbrapa lëkundjet e vockla që janë shumë më të rrezikshme e të frikshme nga tronditjet e mëdha.

Forcat politike që janë ngjitur në pushtet në këto tre dekada kanë pasur vetëm një merak. Të emërojnë në postet kyçe individë të bindur, njerëz që nuk kanë asnjë kualifikim, apo nuk dinë si drejtohet e si organizohen punët. Më të mirët janë ata që thonë lepe peqe. Që nuk pengojnë. Nuk nxjerrin kleçka. Që ulin kokën para eprorit e bëjnë arrogantin ndaj hallexhiut. Po administrata është një nevojë e domosdoshme. Se pa administratë nuk ka zhvillim e as zgjidhje dhe vlerën e saj e matim të gjithë dhe e peshojmë përditë. Kudo përballemi me kompetencën ose me agresivitetin e administratorëve. Në zyra takojmë administratorë, që bëjnë punë dhe kanë predispozitën të zgjidhin shqetësime e halle të qytetarëve të tjerë, që i fusin nëpër labirinthe hallexhinjtë, duke i mbyllur në rrethe vicioze nga ku nuk mund të gjejnë shteg dalje. Kush më shumë e kush më pak, të gjithëve u ka takuar të gjenden në situata që kanë mallkuar veten përse janë ndodhur këtu dhe janë lutur të mos kenë asnjë lidhje me ca administratorë, që shikojnë jo hallin as shqetësimin, po duart e atyre që trokasin në zyrat e shtetit si të jenë ca taksidarë e jo zyrtarë.

Po sjellja dhe puna e administratës është njëra anë e medaljes. Një fenomen gati 30 vjeçar është se në vendin tonë kanë funksionuar simetrikisht, dy administrata gjatë tërë kohës. Sapo vjen një forcë politike në pushtet fillon operacioni “fshesa” duke larguar veç zyrtarëve të rangut dhe funksionit politik, edhe shumë nga ata që konsiderohen militantë. Dhe të tillë ka me shumicë, ashtu siç kemi zyrtarë që nuk kanë asnjë lidhje me detyrën që duhet të kryejnë dhe janë atje vetëm se kështu ka gjykuar partia në pushtet. Dhe të tillë të papërshtatshëm nuk është se takon vetëm në shkallët e ulta të administratës. Shumë prej tyre ngjiten deri në katet e larta të pushtetit, duke mbetur atje si monumente që bllokojnë tërë proceset e reformat e rëndësishme me pazotësinë e tyre, me sjelljen e dyshimtë dhe metodat e punës që ndjekin. Dhe ky kontingjent nuk lëviz e s`ka forcë që t`i zhvendosi për t`ua lënë vendin të rinjve më të shkolluar e të kualifikuar. Qëndrojnë në këto pozicione, jo për merita e njohuri, përvojë e kualitete si specialistë, po vetëm se janë militantë dhe kështu gjykojnë ata që kanë në dorë emërimet. Deputetët, ministrat, drejtorët e drejtorive qendrore apo lokale qofshin.

Po nëse ky fenomen ka fituar qytetarinë e vet dhe në shkallë të fundit dëmi që sjellin administratorë të kësaj kategorie prishin punë e zbehin rolin e zyrtarëve në zgjidhjen e punëve ka një problem tjetër shumë më të rëndë e të dëmshëm me administratën dhe administratorët tanë. Është administrata plus, ose ata që largohen për efekte politike, reformimi, zëvendësimi me militantë të partisë së radhës, të cilët përbëjnë një ushtri të madhe në numër që mund të thuhet pa frikë se ka përmasat e administratës aktive. Pra kemi dy administrata paralele që ecin secila në shinat e veta. Ecin dhe nuk kanë asnjë pikë takimi. Administrata aktive dhe ajo korresponduese, paralele, parazite, rentiere, që jeton duke qethur kupona, që nuk kryen asnjë punë, po që vazhdon të paguhet nga buxheti i shtetit me të njejtat paga sikundër kanë përfituar prej vitesh, kur kanë qenë me firmë e vulë. Administrata paralele ose administratorët e klubeve dhe diskove, basteve e klientë të gjykatave, sapo marrin urdhërin e largimit e pushimit u drejtohen gjykatave, ku denoncojnë si të paligjshëm pushimin nga puna. Secili prej tyre e lexon largimin si ndëshkim politik. Dhe për këtë bën polemika pafund, po kjo është vetëm njëra anë. Kryesorja është se gjykata gjen të çara në çdo vendim për largim nga puna, që shumë herë bëhen pa u konsultuar me Kodin e Punës dhe Kodin Civil, duke mos marrë në konsideratë kontratat e punës dhe qenien e shumë prej të larguarve me statusin e nëpunësit civil, i cili është klasifikuar si specialist që duhet të qëndrojë në atë vend pune ose në një pozicion të njehsuar me të. Nuk ka ndodhur që gjykatat të mos marrin një vendim në interes të të larguarit nga puna. Në dëm të shtetit. Biles në këtë aspekt janë dorëlëshuar. Dhe vendimet janë kthim në vendin e punës, ose pagën për një vit, pesë vite, ose deri në fund të plotësimit të moshës për pension. Dhe këta administratorë teorikë dalin në krijimtari të lirë si shkrimtarët e realizmit socialist, vijojnë të marrin pagën ashtu siç e kanë pasur. Dhe për një vend pune paguhen një, dy, tre e më shumë punonjës plotësues. Një ushtri e tërë parazitësh që kafshojnë thesin e financave publike. Një vend pune ka të shtresuar disa punonjës. Ka lindur disa binjakë e trinjakë. Të gjithë në pritje të ylefesë. Për një postë, njëri ka vulën dhe zyrën, makinën, telefonin e kompetencat dhe zbaton detyrat e veta, bën tendera e vendos për largimet nga puna të tjerët, të larguarit pa shkak, me shkak, me arsye, pa arsye, me argumenta, pa baza, me baza, duke zhvatur buxhetin e varfër të Shqipërisë. Nuk jemi kundër pagesës së punonjësve të larguar, kur është vepruar padrejtësisht. Kurrsesi nuk jemi enblok paragjykues për atë që nuk duhet të largohet nga vendi i punës se kështu dua unë apo urdhëron partia ime. Të iki se i përket një partie tjetër. Se nuk është tesera përcaktuese. Nuk zëvendëson diplomën e karrierën. Është kualifikimi, ndershmëria, këmbëngulja, përvoja e viteve dhe cilësitë që ka një punonjës zyre që e kualifikojnë si të domosdoshëm. Po me administratën plus që lulëzon e shtohet në këto 30 vjet bëhen dy bordero. Ata që punojnë pesë ditë në javë dhe ata që bëjnë gjumë shtatë ditë të javës. Ata që punojnë, firmosin në bordero, brenda institucionit e ata që kanë fituar me vendim gjykate u shkon paga llokum në bankomat. Dhe shteti i varfër shqiptar ecën me dy administrata si të ishin dy ushtri. Njëra aktive e tjetra në rezervë. Njëra në punë e tjetra në gjumë. Njëra në zyra e tjetra në shtëpi, në bare e lokale, lloto, kazino, në biseda pafund apo në pikat e basteve në kërkim të fatit. Kur takon administratorë të “punësuar” në administratën plus si shtëpiakë, ata plot krenari të thonë: -Punë e madhe që më hoqën! Pagë unë, pagë ata. Qejf unë, punë ata.

Po nuk është vetëm kjo që bën diferencën mes dy administratave. Nëse njëra, aktivja ka zyrën, tjetra, pasivja i ka të dyja, edhe pagën edhe mundësinë për një punë të dytë. Dhe kështu i larguari merr dy e ndonjëherë tri paga. Nga buxheti. Nga privati. Nga shoqatat e dikush edhe nga emigrimi. Se je këtu apo në Belgjikë, paga rrjedh dhe depozitohet në bankomate. Të larguarit nga puna, përjashtuar ata që e meritojnë, nuk janë aspak fajtorë. Ata që e shkelin në tërë këto raste janë drejtuesit e institucioneve, mosnjohja e ligjeve, nxitimi, presioni për të zëvendësuar palët. Për të ikur ca militantë e për t’u zëvendësuar me të tjerë. Fajtorë nuk janë ata që marrin pagën e administratorit pa statusin aktiv, po ata që nënshkruajnë në kundërshtim me ligjin largimin nga puna të specialistëve, të cilët merren në qafë për bindjet që kanë. Deri sa disa drejtues udhëhiqen nga fryma militante dhe nuk zbatojnë kërkesat e ligjit dhe Kodit të Punës nuk kanë parasysh Kushtetutën dhe vendimet e praktikat e miratuara do vazhdojmë të kemi dy administrata. Njëra, aktivja që është zyrtare dhe tjetra, administrata plus që paguhet ekstra nga buxheti i shtetit. Dhe derisa vendimmarrësit nuk mbajnë përgjegjësi për vendimet që marrin, derisa do ndjekin vijën e partisë dhe jo kërkesat e ligjit, strategjinë europiane të reformimit të administratës në emërimin e largimin e administratorëve vetëm se i vlerësojnë politikisht, Shqipëria do ketë dy paga për një vend pune. Dy ushtri ballëpërballë. Njëra që firmos në bordero e tjetra që i drejtohet bankomatit për të marrë pagën që ka pasur për vite me radhë në zyrën ku ka shërbyer. Kjo është administrata e qylit. Deri sa vetë vendimmarrësit nuk do preken në xhepin e tyre dhe do lëvizin punonjësit pa asnjë kriter ligjor e administrativ, vendi ynë do vijojë të paguajë, jo dy, po nesër edhe tri administrata. Se secila palë do mbajë në këmbë administratën e vet. Ai që e pëson është buxheti i varfër i Shqipërisë, shoqëria jonë.

Nga Bardhyl BEJKO