Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Adoleshentët politikë ia nisën si në lojën me kukulla

Postuar: 12/09/2017 - 07:24

Nga Bardhyl BEJKO

Habi e madhe. Edhe gjatë zgjedhjeve për kryetarin e ri në parlamentin e Shqipërisë në sesionin e parë, ditën e çeljes së punimeve e njëjta gjuhë. Sipas çdo zgjedhje. Të vetmet fjalë, vjedhje, vjedhje, vjedhje! U vodhën votat për të zgjedhur Gramoz Ruçin kryetar. U manipulua. Kryeministri manipulator. Iu kthye traditës, mashtroi. Rrjedhjen e votave nga radhët e PD-së edhe pse një deputet ka të drejtën legjitime ta adresojë vullnetin e tij ku t`ia dojë zemra dhe bindja dhe të mos mbetet rob i qëndrimit politik të partisë se tek e fundit është përfaqësues i popullit dhe ka dinjitetin e vet u trumbetua si vjedhje e votave të deputetëve brenda sallës së kuvendit. Obobo ç`hata e madhe. U shemb dynjaja. Arriti cunami. U bë hataja. U prish ekuilibri partiak. U poshtërua partia. Si një gjëmë u përcollën këto dy vota. Sikur u votua armiku më i madh botëror. Kur realisht asgjë nuk ndodhi. Tek e fundit kjo është demokracia. Dhe adresim vote jashtë frontit partiak ka ndodhur qindra herë. Edhe Topi, President u zgjodh me votat e socialistëve. Dhe ishte një votë përcaktuese. Pa to nuk do kishte president. Dhe debatet u bënë institucionale. Nuk u sha dhe nuk u vra askush. Jo zgjedhje. Po vjedhje, ulëritën adoleshentët politikë. U vodhën votat e deputeteve demokratë.

Se në të vërtetë, sipas tyre, ata nuk e votuan Ruçin. Që në minutën e parë, deputetët socialistë vodhën votën sipas deklaratave të PD-së. Ndryshe për ta, dy votat e demokratëve nuk ka si të shpjegohen. Askush nga deputetët blu nuk mund të tradhtonte. Se kjo ishte vërtetë tradhti e paparë sipas tyre. Si të votohej nga antikomunistët një kryetar “komunist”!? Aq më tepër pas udhëzimit dhe urdhërit Basha. Është vjedhje e pastër deklaroi zëdhënësja më e re e grupit parlamentar të PD-së, Grida Duma. U manipulua vullneti parlamentar. U mashtrua. E bëri komisioni. Deputetët socialistë. E më pas, edhe të tjerë ia nisën të njejtës melodi. Ne, tha Duma, provokuam me mosdelegim të deputetit tonë në komisionin e zgjedhjes të Kryetarit të Kuvendit. Ishte një provë për ndershmërinë e socialistëve. Ishte një grackë për ta mbërthyer në çark këtë bandë hajdutësh e oligarkësh që janë jo deputetë, por hajdutë ordinerë. Dhe ia arritëm ta provojmë këtë vetëm për pak minuta. Çfarë logjike fëminore. Edhe një adoleshente që nuk ka erë nga punët në kuvend, edhe një analfabet klasik nuk do pranonte të bënte zëdhënësen kaq mediokre.

Nuk do pranonte të bëhej një marionetë në duart e politikës gënjeshtare të PD-së dhe posaçërisht të Bashës. Vërtetë e beson një e shumëshkolluar siç reklamohet dhe aq shumë e emancipuar sa hiqet këtë pohim dhe a ka vend për një argument të tillë që edhe më pak inteligjentët, edhe ata që nuk e dinë fjalën kuvend, të sapolindurit nuk do ta besonin? Askush nuk do guxonte të merrte përsipër një mision të tillë qesharak! Kush e pengoi zonjën Duma dhe të sajtë të mos delegonin anëtarin e komisionit për mbikqyrjen e kontrollin zgjedhjeve në kuvend? Një të drejtë që ia garanton ligji dhe rregullorja strikte e kuvendit? Përse bojkotuan? Apo u trembën se ndoshta anëtari i tyre mund ta shiste votën dhe të pranonte një rezultat edhe më të thellë dhe kështu zgjedhja noterizohej e zyrtarizohej nga opozita. Besojmë se është kjo e dyta. Frika se mos përfaqësuesi i partisë opozitare në komision mund të kompromentonte zgjedhjet dhe të bëhej dëshmitar dhe garant se Ruçi fitoi bindshëm. Po jo vetëm kaq. PD nuk mund ta përtypë që edhe nga të zgjedhurit e rinj, lista e deputetëve, “made in Basha” mund të ketë tradhtarë që i bëjnë tetëshin. Ndryshe kritikët e tij do ta dërrmonin. Me fakte. Me argumenta. Me të vërteta. Dhe Basha nuk mund ta përtypte një veprim të tillë kaq alarmant. Ishte fyerje për partinë. Për deputetët. “Kishte brenda grupit pabesinë”, do komentonin opozitarët e opozitës.

Dhe adoleshentët politikë, kënduan avazin e vjetër dhe në këtë lojë kukullash, zënkat fëmijnore se: Ngatërrove “Barbyn” me “Stelën” më vodhe “Bubin kaçurrel” vijojnë e do vazhdojnë nëpër mbledhje dhe analiza të PD-së. Deri sa të gjenden tradhtarët. Shyqyr që pati dhe një gjykim ndryshe se avazi i vjedhjes së votës do të mbetej i vetmi version opozitar. Eksperimenti me mos delegim të antarit të komisionit ka edhe arsye të tjera. Mospëlqimi dhe mbështetja e kandidaturës. Po kjo bëhet vetëm me votë dhe jo me shou. Rrjedhja e votave i kishte futur lepurin në bark pëdësitëve deputetë. Dhe nuk ishin të vetmit. Po sidoqoftë ideja për një fillim ndryshe pa bojkot i shpuri në sallën e kuvendit. Me gjysëm opozitën ndodhi ndryshe. Ishte pikërisht kjo frikë që detyroi zonjën Kryemadhi të mbajë një qëndrim edhe më ekstrem. Ajo largoi fare nga kuvendi shpurën e vet. E dinte se shumë prej atyre që ka në grupin parlamentar mund të votonin dhe LSI do vihej para faktit të kryer se nuk është aq solide dhe se kryetarja jo aq “xhandare” sa të mund të pengonte deputetët të votojnë për kryetarin, edhe pse partia ka një qëndrim tjetër politikë. Nëse do kishte kaq garanci dhe besim, përse nuk i la deputetët të dënonin me votë kryetarin e ri. Se me 40 vota kundër, Ruçi është shumë më i fituar nëse ato do bëheshin 59 duke iu bashkuar PD-së! “Taktikë parlamentare”, arsyeton kryetarja. E ç`taktikë është largimi. Të gjitha me bojkot do i zgjidhi hallet e veta LSI?!

Argumenti i zonjës Kryemadhi për zgjedhjet në kuvend është identik me mendimin e Bashës. Të njejtat fjalë. E njejta logjikë. Nuk e kemi njohur këtë parlament. Është i deformuar. Janë deputetët e krimit. E parrulla që as vetë nuk i besojnë. Ndryshimi, vetëm se deputetët e Bashës mbetën në sallë dhe votuan sipas logjikës dhe bindjes së tyre ndryshe nga të frikësuarit e LSI-së që qëndruan jashtë procesit zgjedhor. E ç`të keqe do kishte që deputetë të LSI-së që e njohin dhe vlerësojnë Ruçin ta votonin për kryetar? A pati ndonjë të keqe dhe humbje PS që votoi zotin Meta, President të Republikës dhe nuk bëri asnjë lojë me votën e deputetëve edhe pse shumë prej tyre ishin jashtë listave dhe nuk ishin rizgjedhur? Dy kude nga dy të majta. Deputetët socialistë u thirrën si në rresht dhe dëgjuan zërin e arsyes për të mos cënuar standartin zgjedhor të Presidentit. Ata e kishin dhënë njëherë votën e tyre dhe duhet të respektonin këtë vullnet duke qenë të pranishëm në betimin në parlament. Dhe shumë mirë bënë. Pjekuri politike, treguan. Udhëheqje nga arsyeja dhe jo nga pasioni ose ideja se mund të hakmerreshin edhe pse gjatë fushatës elektorale u kacafytën e u goditën u anatemuan dhe u ofenduan. Bile edhe emër për emër. Po politikë me inate nuk bëhet. Dhe nëse udhëhiqesh, jo nga arsyeja po nga pasioni, edhe rezultatet do i kesh minimale. Respektin si një parti serioze nuk do ta gëzosh. Dhe përsëri nesër mund ta pësosh.

Sa herë që opozita jonë humbet. Në zgjedhjet qendrore, lokale, zgjedhjen e organeve drejtuese të kuvendit apo çdo zgjedhje tjetër, ku kërkohet të votohet, nëse nuk konfirmohet platforma e saj nëse rezultatet janë të ndryshme nga ajo që duan plas sherri. Për gjithë humbjet ka vetëm një argument. Na vodhën. Na batërdisën. Manipuluan. Vunë dorë në proces. Nuk ishin tanët që votuan. Ishin ata që deformuan votën e deputeteve. Dhe tregojnë me gisht se çfarë ndodhi. Dhe ku ndodhi kjo? Fiks në parlament. Atje ku tërë sytë e prozhektorët, kombëtarë e ndërkombëtarë ishin të përqendruar në rregullsinë dhe solemnitetin e zgjedhjes së kryetarit të ri të parlamentit që është një eveniment serioz. Po a është e mundur të bëhet një veprim i tillë brenda asaj salle? Sa mundësi praktike ka? A vërtetë ishte e nevojshme një sakrificë e tillë ku vihej në pazar dinjiteti e deputeteve në pikëpyetje morali politikë i pozitës, serioziteti dhe prosperiteti i një kuvendi të tërë? E ç`interes kishte pozita të shtonte dy apo tre vota kur votat ishin plot 74 të PS dhe 4 të PDIU dhe një i PSD? Fiks shtatëdhjetë e tetë. E cili do ishte ndryshimi sasior? Po PD dhe LSI e kanë gjetkë hallin. Refuzimin e PS-së. Ekspozimin e opozitës së fortë.

Përpiqesh të arsyetosh, jo për atë çfarë u fol e u tha. Po për atë që interpretohet sikur është vjedhja e shekullit. Aludohet subjektivisht. Dhe arsyetohet në këtë mënyrë kur opozita kishte tërë mekanizmat të kontrollonte dhe të mos bënte se gjoja provokonte. I duhej opozitës një provokim i tillë? Kujt i shërbeu hedhja e dyshimeve për një zgjedhje të manipuluar? Iu bë nder opozitës apo keq mazhorancës? Këto manovra për të fshehur rrjedhjen e votave që tek e fundit nuk është ndonjë hata e bëjnë opozitën e gjithë zërat denoncues, veçanërisht Bashën që kurdisi ca adoleshentë, vërtetë qesharak. Po kjo e keqe e ka edhe një të mirë. Të gjithë ata që dëgjojnë e shikojnë deri ku arrijnë akuzat e opozitës, sa pa baza e futja kot janë, shikojnë me zë e figurë sa hipokrite dhe e pasinqertë është kjo opozita jonë dhe sa të pa baza dhe të pavërteta janë tërë ato akuza që bëhen prej vitesh sa herë që opozita jonë mbetet me gisht në gojë. Se rezultatet u deformuan. Se votat u vodhën. Kur një opozitë deklaron se bëmë një provë, ishte një eksperiment, provokuam, një inskenim, sikur janë në laboratorin e eksperimenteve politike për të treguar si vjedhin votat edhe në kuvend, mendoni arsyetojnë ata, ç`gjëmë bëjnë larg syve tanë në cepat e katundet e Shqipërisë, socialistët.

E gjithë kjo maskaradë nuk është gjë tjetër, veç marifet që në vend të të bëjë të mendosh, të bën të qeshësh hidhur. Histori me spiunë. Me sekrete opozitare. Me gracka për të zënë gafil kundërshtarin. Po që në realitet nuk bëjnë gjë tjetër veç e bëjnë dordolec gjithë klasën politike në vendin tonë. I bën të tjerët të gjykojnë se këta që vjedhin deputetët mund të vjedhin tërë botën. Dhe i paraqesin përfaqësuesit e popullit sikur të ishin disa ordinerë. Si Basha edhe Monika, Grida Duma, Salianji e liderë të tjerë të opozitës janë në hall. Dilema hamletiane: Të qëndronin LSI-stët në zgjedhje do kishte rrjedhje. Të bojkotonin nuk do ishin të moderuar. Po në fund lanë parlamentin se votimi mund të ishte surprizë dhe Ruçi mund të merrte jo tetëdhjetë po nëntëdhjetë vota. Ndaj zgjodhën të ikin. Po sa herë do ketë votime në kuvend?! Nuk besoj që deputetët të lënë sallën nga frika e rrjedhjes së votave. LSI duhet të flaki frikën. Të besojë tek deputetët e saj. Po tek e fundit deputetët të pavarur janë. Mund të votojnë ku dhe si të duan. Ata nuk mund të përtypin gjithçka që thonë kryetarët. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 24/09/2017 - 07:11

Pavarësisht nga mosbesimi që në titull, ajo që po ndodh sot në Partinë Demokratike, është shprehje “lulëkuqe” e demokracisë! Po pra, sepse jeton pak, e rrëzon menjëherë era dhe shiu dhe po e kape në dorë prishet!

Postuar: 24/09/2017 - 07:08

Se çfarë klase politike kemi në krye të punëve çdo ditë bëhet gjithnjë e më e qartë për ne shqiptarët.

Postuar: 24/09/2017 - 07:06

Ka vite që një nga kauzat më të preferuara të partive politike dhe organizatat e shoqërisë civile në vendin tonë, është lufta për pl

Postuar: 23/09/2017 - 07:37

Shoqëria shqiptare, në këto 27 vjet demokraci të brishtë, asnjëherë nuk e ka mësuar të vërtetën e Zotit, lidhur me integrimin e vendit në botën moderne europiane.

Postuar: 23/09/2017 - 07:29

Sot opozita gjithë ditën vetëm bërtet se, votat e 25 qershorit janë të vjedhura, apo të blera.

Postuar: 23/09/2017 - 07:27

Fatkeqësisht në këtë një çerekshekulli, bashkëpunimi pozitë - opozitë tek ne, ka munguar.

Postuar: 22/09/2017 - 07:02

Me sa duket fillimi i përballjes me kriminelët dhe sidomos strukturën e tyre mbështetëse ekonomike, por dhe arrogancën po shton në publik besimin se “loja sapo ka nisur&rd