Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Afër “barit”, pa nevojën e parullës së Enverit!

Postuar: 11/08/2017 - 07:21

Nga Besi BEKTESHI

Sigurisht kur u prish dhe me Kinën, regjimi, ose më mirë klika e medemek komunistëve shqiptarë, do të linte shoqërinë shqiptare jo vetëm pa ngrënë, por dhe të rreckosur në mes të Europës! Padyshim që dhe dikur (para ‘44-trës) ishim po ajo shoqëri e veshur keq, e prapambetur dhe e paarsimuar, e damkosur nga varfëria dhe dekulturizimi absurd në një thellësi mesjetare orientale dhe folklorike në lashtësi! Kjo ja bënte rrugën dhe ideologjinë më të lehtë “shokut Enver” – bie fjala në krahasim me komunistët e tjerë në Europën Lindore!

Pasi kishte kaluar politikisht dhe ekonomikisht si varësi nga jugosllavët te rusët dhe nga rusët te kinezët – Enver Hoxha tashmë ishte vetëm fare me “Marksizëm-Leninizmin” e tij, sa skizofren dhe aq larg vetë Marksit në rradhë të parë! Një vendi të vogël që sapo kishte shkuar sa jemi sot – rreth 2.7 milionë banorë në vitet 1978-1979, ju aplikua parulla “Edhe bar do të hamë, por parimet nuk do ti shkelim”! Pra njerëzit, populli shqiptar, do të hante bar – por klika e Enverit nuk do të lëshonte pozicionet e saj kundër gjithë botës! Nga Kina nuk vinte më as grurë, as miell, as sheqer që ajo e blinte në Kubë, as sidomos - që Enveri thoshte janë dhe “bukëëëë dhe gjellëëëë”! Lopët i kishin mbyllur në kooperativë dhe askush nuk kujdesej si për të vetat, pulat i lanë koteceve fshehtas, gënjenin për kuintalët për hektar – e kështu kishte vetëm lakra dhe purrinj (pras) e tek-tuk dhe spinaq i mbushur me dhe e me gurë! Qepët ishin të kalbura, mollët po ashtu, kastravecët me tollon, domatet po zvogëloheshin dhe ishin të kalbura  sepse gjithçka shkonte jashtë! Po gjithçka  bio! Bio pra bio, siç e prodhonim dikur domaten, kastravecin, pulën dhe vezën!

Njerëzit vërtetë po hanin bar dhe vetëm bar! Ishim fibra, të dobët, pa kolesterol, për t’i marrë shembull për sot që njerëzit janë obezë dhe të fryrë me ...?! Po po, jetojnë më mirë dhe hanë shumë më shumë, por  çfarë hanë?! Janë të “shëndoshë” njerëzit, apo jo?!

Po pra me hormone në mish, vezë, perime dhe bostan, në pothuaj çdo gjë që hamë!

Në vitet 1975-1990, Enver Hoxha detyroi një popull ose të gjithë shoqërinë shqiptare ideologjikisht me parullën e tij “bar do të hamë” që vërtetë të hanin – bar! Sot shqiptarët kanë prodhuar, po prodhojnë, po importojnë, produktet më të ndotura me OMG (OGM), me trajtues nga më kriminalët e mundshëm – për të rritur sa më shumë prodhimin, fryrë lopë dhe derra, pula dhe kastravecë, bostanë dhe patëllxhanë, rosa dhe qingja, që fitimi të jetë maksimal! Dje kishin kriminelin Enver Hoxha që për pushtetin e tij, për klikën e tij familjare (pothuaj si sot diku e diku në politikë) linte dhe e detyronte popullin e tij haptas të “hante barë”, kurse sot shqiptarët vetë po shkojnë drejt barit, sepse kaq shumë ndyrësira prodhojnë dhe importojnë, për t’ja shitur vetes! Kanë marrë veset e perëndimit dhe lindjes  për prodhimin dhe i bombardojnë pulat me gjilpëra për të mos u rënë sëmundja – ndërkohë që bëjnë pastaj dëme të mëdha në mishin dhe vezët e tyre që konsumohen nga njerëzit ose po ata vetë?! Kush nuk e di këtë dhe kush është i zoti t’i kontrollojë fabrikat dhe pularitë si shqiptare dhe importin nga kjo mënxyrë fatale për shqiptarët?! Mirë fryrjet dhe manipulimet gjenetike të domates dhe kastravecit që i kemi parë – po pesticidet e dëmshme që përdoren pa mëshirë medemek për sigurinë e prodhimit?! Të gjitha vijnë te pjata jonë?!  Nuk e them unë por PAN Europe (Pesticide Action network), një network i rëndësishëm Europian! Kontrolli te ne? Duhet sigurisht vite e vite e ritmi i tyre (OGM) është i pashembullt?! Koktejli i tyre kimik që vesh frutin apo jeshillëkun e prodhuar është i lidhur me uljen e fertilitetit, rritjen e disa tipeve të tumoreve, pubertetin shumë të shpejtë dhe problematik, diabetin dhe obezitetin! Ndërhyrësit,- thotë “Pan Europe”, janë prezentë në masa të ndryshme dhe ilaçet, kozmetikët, mbajtëset plastike dhe veshjet e tilla etj., etj?! Sa të zot jemi t’i ndalim me kontrolle të tilla gjëra?!  Po po dhe mishi - CIWF (Compassion in World Farming Italia Onlus) jep alarmin për shtetin fqinj dhe rajonin në përgjithësi! Densiteti i 20 pulave për metër katror ne kapanone, bën që patologjitë imunitare të bëjnë namin dhe kështu përdoren antibiotikë pa hesap dhe jashtëzakonisht rëndë me pulat e ngrata?!  Vuajnë shpendët dhe kanë dhimbje, mishi më i dhjamosur, rrezik për shëndetin e njerëzve – është pasoja! Nuk po them për ato që fryhen me gjilpëra dhe përdorim të dozave kriminale të tilla! Studimet tregojnë në raportet e ministrisë së vendit të madh fqinj me ne, se në 709 kampione pulash të kontrolluara 12.69% ishin pozitive me salmonelën! Pra dhe se 79% ishin pozitivë me prezencën e “Campylobacter spp” ose kauza e parë e “zoonosës” e transmetuar nga kafshët te njeriu! Po ashtu dhe për prezencën e “Escherichia-n”!

Pastaj ç’të shpjegosh për qumështin, mishin dhe bovinët e fryrë të ardhur dhe OMG tonat akoma më keq, se sa bëhet fjalë me luftën mes USA dhe BE?!

Si blegtori ynë, as fshatari, as kultivuesi (jo të gjithë) nuk ndalen, përpara fitimit të madh, rritjes me mënyra hormonale dhe të ndaluara, në përdorim të pesticideve pa fund dhe pa kontroll, në përdorim të metodave fryrëse dhe mashtruese, për rritjen në përgjithësi të prodhimit.

Orizi plastik i frikshëm, bostani i fryrë dhe i keq, kombinacion OMG (OGM)  dhe hormone, domatja e ngjyrosur dhe e fryrë OMG, apo akoma më keq me gjilpëra banalisht, mielli i ardhur nga vende të dyshimta me rrezatim, mishi i vjetër dhe ai i fryrë gjenetikisht, pulat e trajtuara keq dhe vezët si prodhim i dalë nga ilaçet, sallamet e dala nga mishi i pakontrolluar dhe gjenetikisht i përpunuar, ujrat në shishe të rrejshme dhe nganjëherë të fryrë me ngarkesa mikrobiologjike, gjalpi me vaj palme, zarzavatet të rritura me gjilpëra dhe insekticide të dëmshme – çfarë duhet më që të shkosh dhe të hash bar në fushë?!

Tashmë nuk ka nevojë për parullë, sepse jemi koshientë vetë për dëmin kolosal të shëndetit të fëmijëve dhe tonin sigurisht!

Të pangopur në fitim, mashtrues të pandalur në cilësinë e dëmshme – një pjesë e madhe e tregtarëve dhe prodhuesve shikojnë vetëm këtë drejtim! Nuk kemi nevojë me për Enverin – sepse e kanë zëvendësuar disa që për fitim të vrasin! Ai të vriste për pushtetin dhe ideologjinë e poshtër të tij, sot të vrasin për fitimin, lekun, euron apo dollarin”. Çfarë dallimi kanë?!

Asnjë dallim! Përveçse në fakt krimineli Enver të thoshte – edhe bar do të hamë?!

Tani po e kërkojmë vetë barin që nuk është i ndyrë me pisllëqet hormonale dhe kimike, që përdorin ata që deri dje hanin barë  nga Enveri! 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 19

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/08/2017 - 07:34

Ne shqiptarët tashmë e kemi të qartë se nuk do të mund të bëjmë asnjë prokopi, përderisa drejtohemi nga një klasë politike krejtësisht të korruptuar, mashtruese dhe të pabesë.

Postuar: 22/08/2017 - 07:26

Politikisht nuk ka humbje më të sigurt dhe po ashtu model bumerang, se sa kur në lëvizjet opozitare, krijon dhe ndjek kauza – inatçore!

Postuar: 22/08/2017 - 07:23

Historia e shqiptarëve është e shkruar vërtet me gjak, jo vetëm në luftë kundër pushtuesve, por edhe nga lufta brenda llojit që u diktuan nga rrethanat e krijuara nga sistemi di

Postuar: 20/08/2017 - 07:29

Nga Ilir Vata

Postuar: 20/08/2017 - 07:23

Nga Ilirian Demiri

Postuar: 20/08/2017 - 07:21

Nga Ramazan Sherja