BREAKING NEWS

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos heqjen e koalicioneve, Basha dhe amerikanët lënë në baltë presidentin

Fundoset Meta, Kuvendi rrëzon dekretin për Kodin Zgjedhor dhe vulos
x

Opinion / Editorial

Afrimi në politikë i figurave të shquara i bën nder shoqërisë dhe Shqipërisë!

Afrimi në politikë i figurave të shquara i bën nder

Është në strategjinë e forcave politike ndryshimi i imazhit edhe përmes afrimit të figurave të njohura që vijnë nga fusha të artit, kulturës, shkrimit, shkencës. Nuk ka fare rëndësi nëse individët që kanë bërë emër dhe i kanë dhënë shoqërisë gjithçka me artin e tyre, duke zbuluar cilësi të spikatura personale në art, kulturë sport dhe kudo. Afrohen si rekuizitë a makiazh apo për të sjellë ndryshimin, këtu ndahet politika reale nga mashtrimi e subjektivizmi. I afrohen, PD, PS, LSI apo partive periferike, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Është zgjedhja e tyre e pavarur. Nderi në këtë rast nuk është për ata që afrohen dhe bëhen pjesë e politikës, po për partitë që i bëjnë pjesë të bashkësisë së tyre, i promovojnë, u japin vendin që u takon në drejtimin e punëve të shtetit apo si përfaqësues të popullit. Shoqëritë njerëzore, kanë nxjerrë nga gjiri i tyre individë të shquar në çdo fushë të jetës. Me figurën e tyre ata i kanë dhënë popullit gjithçka nga fama e tyre. Artistë të mëdhenj të skenës, piktorë, romancierë të shquar apo poetë e studiues, i kanë dhënë politikës një tjetër dimension, e kanë bërë më ritmike, më të qetë, më familjare, më të butë, duke zbutur shumë herë ashpërsinë e militantizmin i cili jo rrallë herë bëhet udhëheqës dhe zëvendëson sjelljen e moderuar dhe të arsyeshme. Elitat gjejnë zgjidhjet më të mira për të transmetuar ide e programe te masat e gjera, të cilat kanë prirjen të dëgjojnë më shumë ata që flasin me gjuhën logjike, skenike, analizat, shkrimet, romanet, studimet shkencore, me vargjet e poezive të tyre pikante. Në historikun e këtyre tri dekadave shqiptarët, kanë njohur në shtëpinë e demokracisë, Kuvend, shumë figura të shquara që janë bërë pjesë e Parlamentit shqiptar. Kanë dëgjuar fjalën e urtë e shpotinë therëse të Dritëro Agollit, i cili edhe kur fliste edhe kur kritikonte dëgjohej me respekt pas ai nuk ka qenë kurrë i njëanshëm dhe partiak fanatik. Analizat e Agollit, qysh në vitin e parë të pluralizmit politik bëri epokë me kritikën e hapur e të guximshme në kongresin e parë themelues të së majtës shqiptare, duke marrë përsipër anatemimin e asaj pjese të socialistëve që nuk e kuptonin ende ndryshimin e madh që kishte nisur në Shqipëri me instalimin e sistemit të ekonomisë së tregut dhe heqjen e monopolit të partisë shtet. Ishte Dritëro Agolli që kritikoi hapur kultin e individit, rolin e sigurimit dhe luftën e klasave. U desh kohë që të kuptohej brendia e mendimit të Agollit dhe të niste emancipimi i socialistëve të cilët më shumë se gjithë partisë iu bindën logjikës racionale të poetit të madh shqiptar. Po jo vetëm kaq, të gjithë mbajnë mend se si e përkufizoi Agolli, epokën që kishte nisur të jetonin shqiptarët, duke e përcaktuar shkërdhatokraci atë që pretendonin politikanët me emërtimin tingëllues meritokraci. Ose fabulën e famshme, përmes të cilës vinte në lojë përzgjedhjen e elementëve mediokër në administratë apo institucione përmes vargjeve me kalin e gomarin, kur kali i kërkonte të zotit për të shtuar shpejtësinë të vinte gomarin pas tij. Dhe mesazhi ishte fare i qartë. Të aftit të zënë vendin që u takon, t`u jepet merita, të vlerësojnë për atë që i japin shoqërisë dhe jo ata që rekomandohen nga miq e shokë të partisë, fisit, shoqërisë. Po emra të përfaqësuesve të popullit që vinin nga radhët e shkrimtarëve, ishte edhe ish-Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, i ndjeri, Pjetër Arbënori, i cili asnjëherë nuk foli me tone të larta dhe nuk ngriti zërin e nuk bëri shamata, po drejtoi me urtësi. Figura të tjera të shquara i kanë dhënë parlamentit fytyrën e tyre, duke u dhënë zgjidhje mjaft problemeve dhe shqetësimeve, po çdo herë me kujdes, me mend, urtësi, guxim e largpamësi. Kështu Parlamenti i parë post pluralist, mbahet mend për numrin e madh të profesorëve dhe shkencëtarëve, shkrimtarëve, studiuesve, njerëzve të shquar. Dhe këtu nuk mund të lihet pa kujtuar shkrimtarët e shquar, Vath Koresh e Kiço Blushi apo shkenctarë të njohur si Xhevat Lloshi e biologu i njohur Hetem Ruka. Numri i personaliteteve të shquar në krye të institucioneve nuk kanë munguar kurrë, ashtu siç janë promovuar tenorë e këngëtarë të njohur, të cilët janë ndikuar në masë të gjerë në edukimin e shqiptarëve përmes fjalës, aktrimit, punimeve dhe studimeve të spikatura gjatë tërë jetës së tyre. Në vazhdën e afrimit të figurave të shquara edhe në këtë prag nisje të fushatës zgjedhore, partitë politike, po u hapin rrugë figurave të njohura, promovimit të tyre me qëllim që ata të kontribuojnë edhe në politik ashtu si në tërë jetën e tyre. Në këtë kuadër, pothuaj përditë, opinioni shoqëror, po njihet me emra që i ka dashur dhe i do për atë që përfaqësojnë në jetën tonë të përditshme. Siç janë futbollisti i shquar Lila, i cili është promovuar nga PD apo figura të artit skenik e artistik, duke filluar nga misi i parë shqiptar,Valbona Selimllari, e cila grisi perden e hekurt të ndrojtjes dhe ia arriti të shpallej misi i parë shqiptar në vitet kur ende jetonim ngurtësinë e së kaluarës dhe pasarelat e miseve dhe modës i shikonim me pikatore, vetëm në televizione të vendeve të tjera të botës. Aderimi i Valbonës në politikë nuk është ndonjë çudi. Po është një eveniment, i cili nuk ka vlerën e një individi të rastësishëm, peshkuar nëpër skuta, as një njeri me para, biznesmene e fuqishme, po është përgjithësimi i një shembulli të një zonje që ka bërë emër në shkallë vendi. Një emër i shquar, iu afrua Partisë Socialiste në këtë prag zgjedhjesh, mesosopranoja e njohur Vikena Kamenica, e cila me zërin e saj magjik ka ngritur peshë shqiptarët, i ka frymëzuar në jetën e tyre të përditshme. Jo vetëm në skenat tona, po edhe në skenat më të njohura të botës. Të jeni të bindur, se një zë si Kamenica është nder ta dëgjosh në çdo vend publik, kudo ta shikosh në ekrane apo në biseda, në mjedise të kulturës dhe shkencës. Ashtu siç i bën nder socialistëve dhe tërë shoqërisë Kastro Zizo apo piktori i penelit të artë Hila, i cili shquhet për artin e tij magjik, si pedagog e krijues. Po emrat e artistëve të muzikës e pikturës, të aktrimit e humorit, artit e shkrimit, është një mrekulli nga e cila do fitojë shoqëria jonë. Zërat e tyre nuk do kenë asnjë ngjasim me fishkëllimat dhe boritë e atyre që në sallat e podiumet, dinë vetëm të bërtasin e të thërrasin, të gjuajnë me shishe e të hedhin fishekzjarre, duke tmerruar dynjanë. Nuk do jenë njerëz të kulisave, të cilët duket se me fjalën luajnë në një terren agresiv dhe janë gati të shajnë e mallkojnë sipas porosisë së liderëve, të imtojnë e të përgojojnë, të bëjnë zhurmuesin dhe imituesin e së keqes. Afrimi i individëve të shquar do t’i japë politikës një dimension, jo vetëm më të kulturuar e njerëzor, po edhe një ngjyrim pikant e të përgjegjshëm, do zbehin egërsinë dhe i japin shoqërisë fytyrë më njerëzore, duke shmangur nga mesi zërat që dinë vetëm të bëjnë kamxhikun dhe kopaçen ndaj cilitdo si militantë që dinë vetëm të zbatojnë urdhërat dhe mesazhet në telefon. Pjesa agresive përball toneve të qeta dhe individëve karizmatikë do ngjishen në qoshet e harresës. Artistët e individët publik nuk janë anonimë. Nuk kanë nevojë të duken dhe të bëjnë shou. Ata e kanë krijuar portretin e tyre dhe politikës vetëm do i japin dhe nuk do ti marrin asgjë. Nuk do i japin oksigjen të keqes dhe sherrit, po moralit dhe virtytit. Sado të bëjnë liderët e politikës për t`i shndërruar në ingranazhe e manekinë që të zbatojnë rekomandimet e partisë, ata kanë individualitetin e tyre dhe nuk do ia lejojnë vetes të përdoren nga askush. Po afrimi i VIP-ave të çdo fushe, individëve të shquar e duartrokitur në publik dhe jo individë pa emër e pa asnjë zë do t`i sjellin politikës emancipim dhe kulturë nga e cila do mësojnë edhe pjesa agresive dhe militante që shumë herë ngatërron se zgjidh. Përfitimi i politikës dhe institucionet dhe nëse këta persona afrohen edhe si kandidatë për deputetë dhe nesër zgjidhen nga vota popullore do jenë garantët që do mbrojnë me dije dhe emrin e tyre, demokracinë, do i japin demokracisë një përmasë të re, atë të kulturimit dhe dijes. Shoqëritë i emancipojnë elitat. Si ato politike edhe ato të kulturës dhe artit. Emra të mëdhenj të artit e kulturës, skenës dhe shkrimit kur janë promovuar kanë shkëlqyer dhe kanë qenë nga më të vlerësuarit edhe gjatë votës popullore. Ndryshe nga anonimët, individët këngëtarë, piktorë, artistë, muzikantë, skulptorë, shkencëtarë, janë nga një brum tjetër. Ata kanë një emër personalitet, janë të njohur, njerëz publikë. Natyrisht, ata nuk janë mesia. Nuk pretendojnë se janë mbinjerëzorë. Po kanë shumë cilësi personale. Dhe këto cilësi do t`i vënë në funksion të shoqërisë. Prej tyre mos prisni të çirren e anatemojnë. Mos prisni të përdoren, të orientohen, si të ishin manekinë. Ata për çdo rast do reflektojnë shpirtin e tyre, kulturën, dinjitetin, aftësitë, famën, karrizmën, dijet, qytetarinë. Janë nga ata që do i japin më shumë shoqërisë dhe do marrin shumë pak prej saj. Do jenë lokomotiva që do tërheqë pas vetes shoqërinë për t`u bërë më e mirë më e vetëdijshme. Shqipëria do ketë zëra që do dëgjohen këtu dhe më larg ashtu siç ka pasur gjatë tërë historisë emra që edhe sot pas një shekulli, përmenden si kalorës të fjalës dhe shembull i debatit dhe dialogut. Afrimi në politikë i figurave të shquara, i bën nder, jo thjesht emrit të atyre që afrohen në politikë, po shoqërisë dhe vetë Shqipërisë.