BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Agron Tufa dhe e ëma e Zeqos në majë të thanës

Agron Tufa dhe e ëma e Zeqos në majë të thanës

Që nga “ekzili politik”, ish-kreu i Institutit për Krimet e Komunizmit, Tufa i tufëzinjëve, na rikujton shprehjen e popullit, kur duke satirizuar atë që grin dokrra, thotë: “Filani, po flet si e ëma e Zeqos në majë të thanës”!

            Paraardhësit e Tufë – tufëziut, pasi humbën luftën kundër partizanëve dhe në shërbim të nazifashistëve pushtues italo-gjermanë, u vunë në ikje pas bythës së padronëve pushtues dhe që nga grazhdi i makaronave të tyre lehnin, por edhe vepronin kundër pushtetit popullor të dalë nga LANÇ. Lehnin dhe vepronin me propagandë dhe me armë për rrëzimin e pushtetit popullor, por asnjëherë nuk ia arritën qëllimit, ndonëse kishin mbështetjen e pakursyer të kapitalizmit anglo-amerikan dhe satelitëve të tyre në Europë

            Mirëpo në rastin e tanishëm, Tufa i tufëzinjëve, nuk ka me vete as kapitalizmin anglo-amerikan, aq më pak popullin shqiptar, çka e bën qesharake thirrjen e tij për luftë me armë kundër një sistemi, që në thelb është sistem i serës së tij. A nuk ishte Rama që e mbante Tufëziun në drejtim të Institutit famëkeq të luftës kundër komunizmit dhe i paguante rrogën për veprën e tij të zezë, që ishte shpifje kundër LANÇ dhe kundër Socializmit, sistemit që doli nga Lufta Çlirimtare?

            Tufa i tufëzinjëve, ashtu si paraardhësit e tij, do të mbetet gjithnjë jashtë kohës. Paraardhësit e tij, ballisto-zogistë, nuk e kuptuan drejtimin e Luftës së Dytë Botërore, ndaj dhe u rreshtuan kundra Aleancës së madhe Antifashiste, doemos dhe kundër popullit të tyre, siç kishin vepruar edhe në raste të tjera të historisë së kombit tonë. Gabimin e paraardhësve, Tufa e përsërit në invers të së parës. Ai nuk e ka kuptuar ende se në vendin tonë sundon sistemi kapitalist, sistemi që ai ëndërronte dhe falë situatave të reja, ia arriti. Por si dritëshkurtër që është, mendon se në pushtet janë komunistët, prej të cilëve ai ka marrë lemerinë qysh në gjenezën e tij. Pikërisht nga kjo lemeri, ai nuk guxon të vijë e të luftojë vetë më armë në dorë kundër këtyre “komunistëve”, ndaj siç e thamë më lart, lëshon thirrje “që nga maja e thanës”, ose më saktë, që nga kazani i makaronave të padronit të ekzilit politik.

            Tufa i tufëzinjëve, ashtu si shumë pinjollë të ballisto-zogistëve, nuk kanë mësuar asgjë as nga e kaluara, e as nga e tashmja. Të kaluarën e tyre e përcollën me turpe prindërish në shërbim të pushtuesit. Të tashmen po e nakatosin me veprime kontroverse, veprime që duke e quajtur Ramën komunist, apo pasardhës i bllokut, i jep këtij të fundit kredite politike përpara Veteranëve, Familjeve të Dëshmorëve dhe gjithë atyre që militojnë për socializmin, të cilët parullën e Tufës e marrin si të vërtetë dhe për pasojë forcojnë radhët e tyre rreth Ramës, duke ia bërë të pamundur Tufëziut mundësinë të përdorë armën për rrëzimin e tij.

Kryeministrit Rama, nuk i vjen rreziku nga thirrjet e Tyfë-ziut edhe sikur ky i fundit të vijë e të vihet në krye të “batalionit” të sivëllezërve të tij. Nëse Tufa do të kuturiste të vinte për të luftuar Ramën, me siguri Rama do ta vendoste përsëri në krye të Institutit antikomunist, ose më e pakta në krye të “Bunk-arteve”, me të cilët ka “zbukuruar” kryeqytetin. Dhe Tufa e di këtë mesele, por ai nuk mund të vijë, sepse mund të rrezikohet jo nga Rama, por nga dalja në shesh e allishverisheve që ka bërë me kualifikimet e tij “profesionale” në fushën e “dijeve dhe të shkencës”, si dhe ndonjë korrupsioni të vockël me fondet e Institutit që dikur drejtonte.

Rama, Berisha, Basha e Meta, që kemi sot në krye të sistemit të shokëve të Tufës, e që emërtohet kapitalizëm, mund dhe do të rrëzohen me votën e qytetarëve që janë në Shqipëri dhe jo në ekzil. Dhe nëse kjo nuk arrihet, atëherë qytetarët do të gjejnë mënyra të tjera, por asnjëherë nuk do të dëgjojnë thirrjet e Tufës e tufëzinjëve, e aq më pak të pranojnë armët pa shula e pa fishekë të skotës së tyre, që është varrosur në të njëjtin varr me padronët pushtues qysh në datën e lavdishme të historisë sonë, 29 nëntorin e vitit 1944.