BREAKING NEWS

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi: Sot është një ditë shumë e vështirë për mua

E trishtë! Valentina Leskaj humb njeriun e shtrenjtë nga koronavirusi:
x

Opinion / Editorial

Ahhh... sikur të zgjidhesha deputet, pa e di unë pastaj...

Ahhh... sikur të zgjidhesha deputet, pa e di unë pastaj...

Ju të dashur lexues e dini se “Biken” (Sabriun) e kam patur shok të hershëm, veçse që kur u fut te ne demokracia ai u tjetërsua menjëherë dhe si i themi ne këtej nga jugu “mori rrugën e shejtanit”. Fillimisht Bikja e mbante veten të persekutuar se nuk i kishin dhënë bursë për të vazhduar të lartën, por kjo nuk i piu ujë sepse ata të komisionit dhe të shoqatës së të përndjekurve politikë, nuk e pranuan ngaqë 90% e maturantëve në atë kohë nuk merrnin bursa, por futeshin direkt në punë dhe nëse do i jepnin çertifikatën e të përndjekurit, atëherë i binte që Kurt Kola i cili aso kohe ishte kryetar shoqate, të kishte jo shoqatë, por partinë më të madhe në Shqipëri dhe për rrjedhojë zgjedhjet do t’i fitonte vetëm ai. Por “Bikja” ishte këmbëngulës dhe pse iu refuzua ajo kërkesë iu kujtua origjina e tij prej Çamërie. U mendua mirë “Bikja” dhe vërejti se rezultonte dy herë i përndjekur, një herë nga korofillakët grekë që patën djegur dhe gjakosur Çamërinë dhe herën e dytë nga regjimi i Enver Hoxhës, por dhe kjo nuk i shkoi, sepse ia patën kujtuar se dikur babai i Bikes në kohën e "diktaturës", kishte qenë Përgjegjës Sektori në një fermë të rëndësishme, madje dhe komunist pararojë e i dalluar në tabelën e nderit. Shkurt regjimi i mëparshëm i kishte trajtuar mirë. Meqenëse as këto nuk i pinë ujë ai u mor me disa allishverishe, vuri pak pasuri dhe iu fut studimeve universitare pa shkëputje nga puna. Ç’është e vërteta ai nuk i dinte dhe nuk ishte në gjendje të kujtonte as titujt e librave e jo më të dinte se cili ishte thelbi dhe qëllimi i tyre. Kur një ditë e pyeta si ndodhi kjo, ai mu përgjigj se ishte një gjë fare e thjeshtë. Djali i Umberto Bossit, (ish kryetarit të “Legës Nord” në Itali ), Renzo-ja, kishte 7 vjet që hynte e dilte nga dyert e universitetit atje në Milano dhe kurrë nuk arriti që t’i merrte dot provimet. Ama sa erdhi kërkesa e tij në Shqipëri për të vazhduar studimet e larta, ai i mori që të gjitha provimet madje u laureua dhe me rezultate të mira e shumë të mira pa shkelur asnjëherë në tokën shqiptare, teksa tani është një afarist i madh i laureuar jashtë shtetit, dmth në Shqipëri, paçka se shokët e fëmijërisë së tij i thërrisnin me nofkën “scimia di Lega” (majmuni i legës). Kështu që unë Bikja në këto kushte, kisha shumë më tepër avantazhe nga Renzua i “Bosit”, Umberto Bosi, rrethana këto, që më jepnin garanci të mëdha për sigurimin e diplomës sepse jam shqiptar autokton dhe banues i rregullt në Shqipëri. Është me vend të nënvizojmë se faktori vendimtar që përcaktonte aftësitë e tij, dmth të Bikes, nuk ishte mobilizimi për përvetësimin e përmbajtjes së lëndëve, por aftësia për të kuptuar pikërisht ata pedagogë të lëndëve, të cilët merreshin me asimilimin e parasë. Përflitej se njëri syresh me paratë që mblidhte nëpërmjet një studenti menaxher, kishte ndërtuar dhe një shtëpi të bukur në bregdet, por gjithsesi kjo i takonte të kaluarës dhe përderisa thuhet, mund të ishin edhe llafe kafenesh. Gjithsesi dhe sikur e vërtetë të ishte, hallall t’i kenë thoshte Bikja se fundja nuk janë kot së koti pedagogë të administrimit, ekonomisë e të financës! Një lëndë mësimore nëse nuk gjen aplikim në praktikën e përditshme është e kotë që e studion! Një teori ekonomike pa aplikim praktik ngelet e verbër. Dhe të jesh i verbër do të thotë se nuk shikon... Po a mund të ecim dot qorrazi në ekonomi? - e përfundonte ligjëratën ai duke qeshur dhe shkelur njërin sy. Ja pra kështu “Bikja” ish shoku im i hershëm u gjend me diplomën universitare i specializuar në fushën e ekonomisë dhe jo vetëm kaq, por ai po me lekë përfundoi masterin, madje kishte gjetur dhe një profesor me emër në Tiranë, i cili e ndihmonte shumë për të mbrojtur dhe temën e doktoraturës. Them ish-shoku im i hershëm, sepse ai qëkurse u bë afarist i madh në fushën e ndërtimit me dhe pa leje, mua përherë më shikonte në mënyrën më ironike aq sa nga inati nuk më mbante as vendi. Ai sa herë që më shikonte mua, nga makina e tij “fuoristradë” me xhama të errët, ulte shpejtësinë duke e shoqëruar këtë veprim me uljen e xhamit të errët të makinës dhe mbasi lëvizte me një gjest kapadaillëku syzat e tij të diellit duke i çuar te maja e hundës, më hidhte një vështrim qesëndisës duke qeshur. Kjo qeshje e tij nuk di pse më nervozonte. Disa herë ai ishe bërë objekt diskutimesh madje dhe verifikimesh nga organet kompetente, por si përherë në fund rezultonte se më kompetent ishte “Bikja”. Përfundimet ishin të atilla, që ai asnjë herë nuk kishte bërë ndërtime abuzive, se punëtorët e tij rezultonin të siguruar e të paguar, se detyrimet, taksat, ujë korrent e më the e të thashë i kishte të paguara. Edhe pse disa herë kishte patur kallëzime te organet të cilat mbikëqyrnin veprimtarinë ekonomike në fushën e ndërtimeve, metoda e tij e cila bazohej te dhuratat financiare i kishte dhënë rezultat dhe ai ishte bërë një nga bosët e qytetit, aq sa dhe vetë Renzo Bosi, ish-studenti italian i cili përjetonte krizë ekonomike, kur mori vesh arritje dhe hapin galopant të Bikes, kërkoi të vinte në Tiranë për shkëmbim eksperience. Kur Renzoja e kishte pyetur se si ishte bërë bos, Bikja me të qeshurën e tij karakteristike i pati thënë se shembull dhe idhull udhërrëfyes kishte patur Grida Dumën, femër e shkathët, manovruese, e aftë të bëjë atë që nuk bëhet dhe të mos bëjë atë që duhet, duke i treguar se si ua kishte punuar disa klientëve apo pronarëve të truallit, se si kishte manovruar me një mençuri të paparë dhe ia kishte dalë paq duk lenë me gisht në gojë jo vetëm ish-pronarin e truallit, por dhe një deputet të Parlamentit, të cilit i jepte e shkëmbente mesazhe kërcënuese. Trime e madhe e bijë e botës e jo shaka, tamam shqipe! Kur mësoi këto gjëra prej Bikes, Renzo-ja u largua në drejtim të Rinasit, andej nga kishte ardhur duke i thënë se për kësi punësh më mirë unë marr eksperiencë nga Berluskoni që ishte i marrosur mbas Rudit, se sa nga Grida që do Saliun apo Salianjin. Me kaq kishte përfunduar dhe biseda midis tyre, por ajo që mua më çuditi pa masë nuk ishte fakti se Bikja kishte vendosur të kandidonte për deputet, por propozimi që më bëri pikërisht mua që të drejtoja fushatën elektorale të tij. Megjithëse nuk pranova ai këmbëngulte se ishte figurë e pastër. Ç’është e vërteta e pranoi se kishte patur disa kallëzime, ama prokuroria dhe gjykata e patën nxjerrë të pafajshëm dhe është pa asnjë precedent penal. Oreee më tha në fund, do vish apo jo, se do bëhesh pishman. Unë do zgjidhem e do zgjidhem deputet se kam në dorë paranë, veçse ti duhet të mendohesh dhe një herë. E di pse ta them, sepse po u zgjodhën Iliri, Saliu, Luli, Mediu, Shpëtimi, Grida apo dhe Rama me Ruçin pse të mos zgjidhem dhe unë? Ja e di ti që atë Salianjin dhe pse e kanë dënuar një vit ai përsëri është rrezik të kandidojë?! E ku pjerdhim ne për SPAK e Amerikë? Fundja çfarë ndryshimi kemi nga njeri tjetri pse ai si ja thonë emrin Trapi a Trampi, a nuk u akuzua dhe ai para 4 vitesh për dallavere financiare? E çfarë i bënë?! Mbasi ia rruajtën mirë e mirë në fund i bënë freski te bytha dhe e zgjodhën jo deputet por President të Amerikës. Mua as që më intereson ai titull sepse president jam, jam president i firmës sime “Bathorja pa bath & Co” veçse të betohem që vdes të behem një herë deputet se skam qenë kurrë.!Veç të lutem eja e bëhu pjesë e stafit tim elektoral, se jam figurë e re në politikë, deri tani vetëm kam korruptuar, por të betohem që kaq ta bëjnë dhëmbin (tregon me gisht se sa) mua nuk më korruptojnë dot dhe ska "bir... k... e" që të mundë! Kam fituar imunitet dhe po fitove imunitet s’të gjen gjë! E jo si ata trapat e PD-së që shkuan e dogjën mandatet, por nuk e kuptuan budallenjtë që me atë rast dogjën dhe imuitetet e tyre... (më fal imunitetet)!Mirë Luli që ishte çunak në politikë po usta Saliu si e hëngri të koqe? Koqe ulliri e kam fjalën. Ahhh mos u bëfsha deputet sepse e di unë në të pastajmen!