BREAKING NEWS

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë të re doktoresha e njohur (Emri)

Mjekësia shqiptare në zi! Ndërron jetë në moshë
x

Opinion / Editorial

Ai është elektorat “blu” që nuk dini ta merrni ju!

Ai është elektorat “blu” që nuk dini ta merrni ju!

Në bisedë me një mik, demokrat dhe themelues si dhjetorist i PD-së, më thotë se: të ndjek gjithë zona gri e qytetarëve. Në të qartën e fjalës, kishte diçka të vërtetë, por që ka brenda një tjetër të vërtetë të madhe që në lidershipet e PD-së, ose nuk dinë, ose nuk duan ta vlerësojnë për shumë e shumë individë të tillë. I përgjigjem mikut tim idealist dhe të palyer nga pushtetet e PD-së: ai është elektorat “blu” që nuk dini ose nuk doni ta merrni ju. Nuk desha të bëj diversion me një burrë të mirë dhe të pandryshuar në karakterin e një idealisti, por në fakt PD-ja e sotme idealistë, rebelë, njerëz të ndjekjes (jo përndjekjes) së demokracisë dhe parimeve të saj nuk i do. Kurse ai që quajnë pa kuptim elektorat “gri” që nuk identifikohet as me PD dhe as me PS, është realisht elektorat demokrat që nuk ka më vend, nuk pranohet në PD. Janë njerëzit e shtresës së mesme dhe qytetarë, që as që bëhet fjalë se do të bashkohen ndonjëherë me PS-në e Gramozit dhe as me Rilindjen e Ramës dhe Veliajt. Nuk janë transformerat e demokracisë që thonë: kur të jetë pushteti ynë, dimë si të sillemi me demokracinë dhe lirinë e shqiptarit. Por ata nuk mund të identifikohen me PD-në e Berishës, Bashës dhe vijimësinë e një tarikati të tillë që ka prezantuar në mënyrë të qartë një devijim të kuptuar tashmë të së djathtës moderne dhe ka sabotuar të djathtën tradicionale shqiptare. Kur në fakt ky elektorat “gri” janë qendër e djathtë e vërtetë, liberale, por që nuk devijon demokracinë e brendshme, nuk ngre idhuj tiranokratësh sipër partisë dhe nuk mbledh militantë për të sharë të vetët në një luftë klasash moderne dhe përballur me hunj shtetin, apo kundërshtarin politik. Ky elektorat “gri” sipas idesë së atyre në pushtet dhe opozitë, nuk mund të pranojë jetëgjatësinë e të korruptuarave në pushtet. Nuk pranon ata që janë sot dhe ata që ishin dje dhe vazhdojnë sot, duke harruar se kush ishin dje. Ky elektorat në shumicë do të ishte me PD-në dhe opozitën, por ajo nuk i do dhe nuk i kupton për më tepër, një pjesë së tyre i lufton shumë më keq se sa “rilindistët” me të cilët bën “dashuri” herë mbas here. Ky lloj elektorati tashmë i shumtë është “blu”, por nuk mund të pranojë një parti e cila “proletarizohet në ide” dhe jeton si aristokraci përtace asgjëbërëse. Ky elektorat nuk mund të pranojë që të ndërrojë kostum, rregull dhe sistem vlerash. Partia Demokratike nuk e ka këtë elektorat me vete, sepse nuk tha një herë të vetme “më fal”. Po për renegatizmin që i bëri të djathtës shqiptare dhe humanizmit të vërtetë të saj. Se shpërdoroi “antikomunizmin” në gojën dhe veprimet e komunistëve me shumicë në krye të saj. Nuk tha më fal, për shumë veprime të bëra në qeverisje të cilat janë faje. Faje të mëdha në korrupsion dhe degradim politik. Nuk ndaloi njëherë në përjashtimet e saj si imitim i PPSH-së dhe largoi në periferi idealistë dhe njerëz të vlerave njerëzore e intelektuale, duke u bërë për ditë e më e pabesueshme. Afroi lëtyra të neveritshme propagande dhe marrëzie në sjellje politike dhe njerëzore, duke turpëruar të djathtën dhe karakteristikat e një shoqërie që beson në vlera. Nuk iu la asnjë shteg bashkëpunimi njerëzve që nuk besojnë te “shallvaret idiote të Ramës” dhe ngjyrat e tij, por dhe te konkubinat femra dhe meshkuj të politikës së tij. Lejuan që dhe “dy gishtat” si simbol i PD-së t’i përdorte Rama dhe Rilindja e tij groteske e korruptive. PD-ja mbylli rrugët e përfaqësimit në saj dhe me anën të trashëgimisë së Berishës, e cila duhet të mbaronte aty dhe vazhdoi në prodhim të një lidershipi të ri që ishte edhe më pak i djathtë, më pak guximtar, familjar në krye dhe shumë më pak i ditur në sjelljet përballë shqiptarëve. Pengoi mendimin e lirë dhe u mor vetëm me dëshirën për të ardhur në pushtet, duke bërë dhe marrëveshje të kota, degraduara dhe imorale me Ramën. Nuk përfunduan një kauzë të madhe në fitore të plotë të tyre, sepse nuk u morën me kauzat reale, por me “buzëkuqe” demokracie mbi konceptin “rrotacion”. Imagjinoni sa të djathtë janë, kur thonë – rrotacion. Kur janë të qartë se “nuk janë alternativë”, por thjesht e njëjta gjë, por që rrotullohen mes njëri-tjetrit. U sollën keq me demokracinë duke e lënë jetime atë në Kuvendin sharlatan të Shqipërisë. Kthyen Ramën në një tiranozaur pushtetesh të pamerituar moralisht dhe drejtësisht. Lanë Kuvendin me sharlatanëve. E pikërisht pse ishte i tillë duhet të qëndronin në të, për të bërë të mundur zbatimin e demokracisë si parim dhe në fund të detit për një demokrat. Por ishin dakord me sharlatanizmin si filozofi dhe pse ikën për të mos u dukur vetë si të tillë. Jo u treguan si bolshevikë që ikin për të marrë me sulm “Smolnin” apo dhe “Pallatin e Dimrit” gjë që nuk ua pranuan ndërkombëtarët. Larguan pothuaj të gjithë sojin e të djathtës normale dhe humane shqiptare me anën e prurjeve idiote të lidhura me lëtyrën e fundit të regjimit të PPSH-së. Humbën karakteristikën kryesore të së djathtës që është kohezioni dhe rregulli në bazë të lirisë dhe demokracisë në një parti tradicionale të së djathtës popullore me vlera sa konservatore dhe moderne në kohë. Nuk lejuan kurrë ngritjen e elitokracisë së re, por si “e majta e degraduar në ekstrem të djathtë” katapultojnë elementë të dizenjuar si servilë dhe mediokër, për të përdorur pushtete dhe mbajtur gjatë ato. Kanë lejuar që krahun e djathtë në Shqipëri ta zërë – lali Fiku dhe “fantomasët” e vjedhjeve të pështira me PPP dhe bërje qejfi plutokracisë shqiptare në mënyrë organike të korruptuar. Biles marrin pjesë sëbashku në borde dhe tendera miqsh, por dhe drejtues shoqatash, mediatikësh që hanë nga të katër anët etj. etj. E si ka mundësi ky elektorat “gri” që në fakt është blu demokracie, të bashkohet me një degradim të tillë politik dhe filozofik. Nuk ka kurrfarë mundësie. Ky elektorat sigurisht do të rritet dhe nuk do të bashkohet kurrë as me to, as medemek djathtas dhe medemek majtas dhe as me ato parti të reja sot dalë nga mitra e tyre. Do grumbullohet dhe dikur do të shpërthejë, sepse e keqja dikur do të nxjerrë qelbin e vet 30-vjeçar e atëherë nuk do të kenë mundësi fytyrat e sotme të stërkonsumuara të mbijetojnë.