BREAKING NEWS

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi zyrtar nga Policia shqiptare për sasinë rekord: Dorëzuam drogën

1.3 tonë kokainë në Maqedoni, vjen reagimi  zyrtar nga Policia
x

Opinion / Editorial

Ajo marrëzi ideore si sot, që "Kongresi Lushnjës" e zgjidhi!

Ajo marrëzi ideore si sot, që "Kongresi Lushnjës" e

Në qarkoren e parë të famshme që ministri Brendshëm i qeverisë së dalë nga Kongresi Lushnjës shpërndau nëpër prefektura, në tekstin origjinal thuhej: 1- Dëshpërimi i madh që ndjen populli mbas lajmeve të fundit për vendimin e tri fuqive të Entantës për copëtimin e Shqipërisë. 2- Vendimet e qeverisë së përkohshme të Durrësit jashtë tagrit e kompetencës, e kundër programit që ju është dhënë prej Kongresit të Durrësit. 3- Pengimet që ka treguar qeveria e përkohshme për ndalimin e mbledhjes së senatorëve të vendosur nga Kongresi i Durrësit si mbas dëshirës së popullit e përzemjes së tyre me shnderim nga zoti Feizi Alizoti. 4- Anarshia dhe paqetësia që mbretëronte në gjithë fiset e Shqipnies të shkaktueme prej pa kujdesisë së qeverisë së përkohshme të Durrësit. 5- Mos vijimi i delegatëve nëpër detyrat e tyre në Durrës, e largimi tyre prej detyrës pa arsye. 6 - Ndalimi zyrtar e intrigat e vrasjet politike të përdorura për prapësimin e Kongresit Kombëtar të Lushnjës i dëshiruar prej gjithë kombit shqiptar për t’i dalë zot atdheut që ndodhet në rrezik.

Këto arsye thuhet në urdhëresën e ministrit të Brendshëm A. Zogu - që shërbente dhe si njoftim zyrtar, shtrënguan popullin mbarë të mblidhet sa ma shpejt në Lushnje më 21 janar 1920. Këtë ditë filloi seanca e parë e mbledhjes, por duke qenë se të gjithë delegatët nuk ishin mbledhur, priti e filloi punë rregullisht me 28 janar. Pastaj komunikata si qarkore e shtetit të parë shqiptar mbas Kongresit të Lushnjës, themelues pikërisht i shtetit shqiptar modern - sqaron vendimet e marra që tashmë dihen! I duhet bërë nderi i qartë Kongresit të Lushnjës, asaj ngjarje madhore e cila qëndron përkrah 28 nëntorit të vitit 1912! Sigurisht qëndron përkrah, sepse qeveria e Ismail Qemalit përfundoi funksionet e saj në janar të 1913-të dhe situatat e mos njohjes së territorit dhe padyshim dhe pavarësisë, por dhe viti i mbrapshtë 1913-të bënin që shteti shqiptar të ishte jo gjysmak, por dhe virtual megjithë përpjekjet e patriotëve për ta bërë atë. Që nga viti 1913-të dhe deri në nisjen e Kongresit të lavdishëm të Lushnjës ku u përcaktua kryeqyteti i Shqipërisë dhe sigurisht shteti parë me firma dhe vula që nuk ndaloi më së funksionuari deri sot kur po shkruaj - u formua mentaliteti dhe ideja absolutisht si sot, se "ky vend nuk bëhet", se ky vend bëhet vetëm nga të huajt dhe interesat e tyre dhe se shqiptarët zor se e bëjnë Shqipërinë.

Këtë gjë nuk është se e them unë sot, sepse çdo kush mund të lexojë "Lumo Skëndon" ose Frashërlliun kur shkruan për lavdinë e respektin për pikërisht Kongresin e Lushnjës. Ai pikërisht këtë temë trajton dhe këtë ide të mbrapshtë të shqiptarëve kritikon apo kërkon të largojë dhe që Kongresi i Lushnjës e arriti që pastaj shteti shqiptar të njihet nga shumica e fuqive të mëdha menjëherë dhe shumica e vendeve të botës deri në vitin 1923. Vetëm marrja e aspiratës kombëtare për të bërë shtet nga vetë shqiptarët dhe bashkimi i shumicës së popullit shqiptar me idenë kombëtare që shtetin shqiptar e bëjnë shqiptarët dhe se ligjet e mbrojtjen e shtetit e bëjnë shqiptarët - krijuan 100 vite më përpara dhe shtetin real dhe modern shqiptar me kryeministrin e parë Sulejman Delvina. Larguan menjëherë qeverinë e Durrësit, ku një pjesë ishin kthyer në vasalë dhe të pashpresë se mund të vepronin të pavarur dhe sigurisht filluan punën për të vendosur autoritetin e qeverisë së Lushnjës apo atë të dalë nga asambleja e saj ose Kuvendi i parë që ngriti një qeveri dhe përcaktoi Tiranën kryeqytet dhe flamurin e trashëguar nga pavarësia e Vlorës dhe Ismail Qemali.

Në mars u vu nën kontroll Shkodra dhe kjo ishte një fitore bashkëpunimi dhe me ndërkombëtarët dhe pastaj me radhë Korça e liruar nga francezët, Gjirokastra dhe Vlora me luftën e famshme të 20-tës. Por shqiptarët po kërkonin miqësi me fqinjët, duke qenë të vendosur në shtetin e tyre dhe mbrojtjen e tij dhe me armë e luftë. Historianografia jonë ka bërë gabime në sajë të ideologjisë dje dhe politikës sot, por në përgjithësi të gjithë ata njerëz në Lushnje duhen nderuar, sepse ishin bashkë me qëllimin për të bërë shqiptarët shtetin shqiptar dhe jo të huajt. Sot ne jemi të sëmurë sërish politikisht dhe filozofikisht nga kjo sindromë idiote, e cila vjen si nga karakteri jonë shoqëror i dobët dhe nga qeverisjet e korruptuara dhe delirante.

Mbas një monarkie që e largoi një shtet fashist dhe mbas një diktature që u largua (ra vetë nga fëmijët e saj) mbasi e teproi në mënyrë të jashtëzakonshme, kjo farë demokracie e risolli po në të njëjtin pozicion shoqërinë shqiptare. Po pra në pozicionin e dikurshëm që solli dhe Kongresin e Lushnjes. Sigurisht ne kemi atë shtetin e themeluar në Lushnje, por shoqëria jonë ka po atë "kërkesë dhe mentalitet" se shqiptarët nuk e bëjnë dot pa të huajt ose më mirë jua bëjnë të huajt shtetin, sepse nuk kanë as dëshirë as mundësi ta bëjnë vetë.

E nuk është vetëm çështje demokracie sot, por model i degraduar dhe shpërdoruar shtet-ndërtimi me ligje dhe vula, si ishte imperative dikur në Kongresin e Lushnjës. Kjo ide e tepruar në të keqen e saj shqiptare - po bën akoma dëme të mëdha në shoqëri. Ka bërë dëme të mëdha në vitin 1996-të dhe 1997-të, por ka bërë dëme dhe në ‘98-tën dhe më vonë duke rrëzuar besimin te shteti, duke shkelur Kushtetutën dhe duke mos rënë dakord kurrë që të mbrohet shteti dhe të bëhet ai qëllimi i përbashkët shoqëror që të ketë prosperitet si shoqëria dhe kombi.

Ideja se "shtetin na e bëjnë të huajt dhe jo ne" se referenca vetëm te ata, se ne jemi armiq të njëri-tjetrit ose se sa hipim në pushtet bëhemi grabitës pasurie dhe të korruptuar - po largon njerëzit nga vendi dhe po përsërit kohën e kaluar. Por ata përpara 100 vitesh vinin nga Lufta Botërore dhe nga pushtimet e huaja, kurse ne vijmë nga armiqësia me njëri-tjetrin politikisht që pastaj përkthehet dhe në shkatërrim të shtetit dhe ligjeve apo Kushtetutës së Shqipërisë. Sot kemi një marrëzi ideore pothuaj njësoj, të cilën përfaqësuesit e popullit dhe shoqëria shqiptare e zgjidhi në Lushnje përpara 100 vitesh. A do ta zgjidhim ne sot? Nder Kongresit të Lushnjës dhe nder atyre baballarëve të shtetit dhe kombit, që realizuan shtetin e parë modern shqiptar.