BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Opinion / Editorial

Akademia e Shkencave, një veprimtari shkencore për akademikun Bahri Beci

Akademia e Shkencave, një veprimtari shkencore për akademikun Bahri

Akademia e Shkencave (Seksioni i Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike) organizoi në 85-vjetorin e lindjes së akademikut Bahri Beci një veprimtari shkencore-jubilare, dhe promovimin e botimit të tij “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe”. Për shkak të kushteve të pandemisë, veprimtaria u zhvillua online, me një pjesëmarrje të kufizuar në sallën “Aleks Buda”. Kryetari i Akademisë së Shkencave akademik Skënder Gjinushi përshëndeti organizimin e kësaj veprimtarie dhe vlerësoi personalitetin shkencor të Bahri Becit, në mbi gjashtë dekada veprimtari. Kryetari i ASH Gjinushi, foli për të gjitha pikat kulmore të jetës shkencore të akademikut Bahri Beci, që nis qysh në vitin 1958 dhe vazhdon deri më sot. “Vepra e akademik Bahri Becit, qoftë në dialektologjinë sinkronike, qoftë në atë diakronike, është prova më e mirë se tek dijetari i vërtetë vetëdija shkencore është ajo që garanton pagabueshmërinë dhe jetëgjatësinë e rezultateve dhe përfundimeve në procesin e kërkimit”, tha Gjinushi. Prof. dr. Seit Mansaku paraqiti kumtesën për botimin e akademik Bahri Becit “L’union linguistique balkanique à la lumière des données de la langue albanaise”, duke kujtuar kontributin në disa fusha të gjuhësisë. Gjatë fjalës së tij, prof. dr. Mansaku theksoi meritat e akademikut Beci në studimin e dialekteve dhe për tezat që e trajtojnë shqipen si gjuhë të veçantë të Ballkanit, si dhe për ngritjen e problemeve në studimin e Becit për formimin e tipareve të përbashkëta të shqipes me gjuhët ballkanike. Akademik Bahri Beci, pasi mori urimet e përzemërta të kolegëve dhe pjesëmarrësve në veprimtarinë jubilare për 85-vjetorin e tij, i emocionuar falënderoi kryetarin e Akademisë së Shkencave. “Unë e falënderoj në mënyrë të veçantë, nuk ishte thjesht një vlerësim i punës së një anëtari të Akademisë së Shkencave, por ishte një njeri, një shpirt që fliste shumë më gjerë, shumë më thellë dhe të them të drejtën më ka emocionuar me fjalën e tij”, u shpreh akademik Beci. Vepra e akademik Bahri Becit “Lidhja gjuhësore ballkanike nën dritën e të dhënave të gjuhës shqipe” në gjuhën frënge vjen në vazhdën e punimeve, që kanë si objektiv sqarimin e marrëdhënieve gjuhësore midis gjuhëve të Ballkanit.