BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Opinion / Editorial

Akuza imagjinare për pazare, me det e hapje varre!

Akuza imagjinare për pazare, me det e hapje varre!

Asgjë nuk të çudit më në debatet e zjarrta në politikën shqiptare, ku politikanë e analistë, janë mbërthyer në një betejë epike për të njollosur politikën e qeverisë të kryesuar nga Edi Rama për t`i vendosur mbi shpinë damkën e tradhtisë kombëtare. Kjo puna e tradhtisë dhe pagëzimi “Esat Pasha i riu”, ka rrugëtuar prej kohësh, fillimisht me shitjen e territoreve të Kosovës në interes të Serbisë për të cilën u kryqëzua edhe pse nuk është as udhëheqësi i Kosovës dhe nuk ka asnjë tagër mbi trojet dhe të drejtat e këtij shteti. Nuk ka asnjë mundësi praktike për të bërë transaksione për të cilat nevojitet fuqi vendimmarrëse dhe ekzekutive. Po akuzuesit, këtej dhe andej Drinit, nuk u intereson e vërteta dhe faktet. Për ta, vlerë ka përfitimi politik. Shtimi i aksioneve dhe damkosja me çdo çmim e Ramës. Pasi mbaruan punë me Kosovën që marrëveshja e fundit në Washington, provoi të kundërtën e akuzatorëve dhe rrëzoi në përtokë, si mall pa vlerë akuzat dhe marifetet për të bërë pis qeverinë, u kthyen në të kundërtën e tyre, duke pastruar plotësisht të akuzuarin. Politikanë seriozë do kishin kërkuar minimalisht ndjesë, po kjo nuk është në profilin e politikanëve tanë, jo për akuza të tilla, po edhe më të rënda nga ato që jemi mësuar të dëgjojmë gjatë tërë këtyre viteve, sa herë gjendemi para zgjedhjeve apo periudha ngërçesh politike. Pasi lanë duart me tradhtinë kosovare, arkitektët e shpifjeve, u mbetej të kthenin sytë këtej kufirit në Shqipëri, atje ku kanë interes dhe të vijonin me akuza e deklarata për shitjen e detit dhe më shumë akoma me intriga që bien erë që larg, si të pavërteta keqdashëse, aventureske. Të tilla kanë qenë marrëveshjet e fshehta të shitjes së detit sapo kryeministri i Greqisë, deklaroi në Parlamentin e vendit të tij se Greqia do luftonte për shtrirjen e kufirit detar deri në 12 milje. Kaq u desh që bateritë të karikoheshin dhe altoparlantët e politikës të ngrinin zërin deri në qiell, duke dhënë alarmin fals se Shqipëria ka dalë në treg dhe qeveria e kryeministri Rama, është duke bërë pazare me shtetin fqinj për t`i falur detin Jon, duke e sjellë kufirin deri në brigjet e Sarandës e Ksamilit. Deklarata të tilla u bënë radhazi nga tërë politika shqiptare dhe u mbështetën nga media pranë tyre, shtypi i shkruar deri tek ai viziv. Për shqiptarët, është e njohur marrëveshja e viteve më parë, ku u firmos dhënia e detit, marrëveshje që u flak, si e pavlerë nga Gjykata Kushtetuese. Firmëtarët edhe sot bëjnë propagandë shiten të virgjër, të pastër qelibar, në një kohë kur ata kanë mbi marrëveshjen, firmat e vulat. Të njëjtët akuzojnë me imagjinatë e supozime. Kaq të fiksuar janë në akuzat që bëjnë sa media pranë tyre, kalemxhinj që nuk e kanë për gjë të ndërtojnë legjenda e të shesin të pavërtetat, si të vërteta të kulluara. E pashë Ramën shumë të ngazëllyer. Të gëzuar. Të lumtur. E pashë se doli nga takimi me kryeministrin e Greqisë buzagaz. Dhe kuptova, shkruan analisti se ia kishte falur detin Greqisë. E thënë kjo në një kohë kur dy qeveritë në njoftimet zyrtare sqaronin tërë axhendën mes dy kryeministrave dhe në asnjë resht nuk përmendej një marrëveshje e tillë. Po kjo nuk ka asnjë vlerë. E vetmja e vërtetë është ajo që pjell imagjinata e liderëve tanë politikë në shërbim të qëllimit për ta trajtuar edhe një vizitë normale, për pazare e marrëveshje të fshehta. Cili e njeh praktikën e marrëveshjeve të tilla e di shumë mirë rrugëtimin që bëjnë, kontaktet, takimet, mënyrat e qasje deri në nënshkrime të dokumentave zyrtare. Ato marrin vulat e institucioneve më të rëndësishme të vendit, Kuvendit, presidentit dhe në përfundim gjykimin suprem të Gjykatës Kushtetuese. Marrëveshja e kohëve më parë edhe pse e nënshkruar në kundërshtim me të drejtën e konventat ndërkombëtare në cënim të interesave tona si shtet, u bë faqe tërë shqiptarëve. Nuk u nënshkrua fshehtas, po në dritë të dellit në selinë e qeverisë. Iniciuesi i dërgimit të saj në gjykatë është i akuzuari i sotëm. I bie që Rama të luftojë kundër Ramës. Pasioni për ta trajtuar vizitën e Ramës në Greqi, si pazar dhe ujdi, si të ishte tregëtar i flamujve politikë dhe interesave të shqiptarëve, të sillej si pronar me territoret dhe sovranitetin kombëtar të Shqipërisë, veç shitjes së detit, pra ujit, të tjerë analistë e opinionistë, kanë zbuluar të fshehta më tronditëse edhe më të rënda. Imagjinata, ka kapërcyer çdo limit dhe ka shkuar deri në konçesione tokësore. Kështu, Edi Rama duhet sulmuar, jo vetëm për pazare me detin, ujin e kripur, po edhe me tokën. Ai sipas analistit që e vë veten në shërbim të politikës dhe operon me imagjinatë e fantazi, duke gënjyer në dritë të diellit, shkon edhe më thellë. Sipas tij Rama, ka rënë dakord të shesë edhe stadiumin e futbollit në qytetin e Përmetit pasi në atë fushë janë edhe nja dymijë varre të ushtarëve grekë, rënë në betejat kundër forcave italiane. Dhe jo vetëm kaq, po edhe vetë Pallatin e Kulturës. Pothuaj tërë nën Përmetin deri në Kosinë. Nuk i ndahen Kosinës, si njolla e turpit këtë demagog. Dhe ky tregtari Rama, pazarxhiu më i madh i shqiptarëve, tregëtar trojesh e ujërash detare e shkëmbore, po bënë namin, vetëm në interes të shtetit fqinj. Ai paska marrë përsipër, jo vetëm të kryhen gërmime në qytetin e Përmetit, po edhe tokën ta paguajë shteti shqiptar. Po kujt do ia paguajë vallë pasi ato janë toka të shtetit me sa dihet nga zërat kadastralë? Dhe imagjinata vrapon e vrapon. Ecën e nuk ndalon. Nuk ka asnjë vlerë morali dhe e vërteta. Rëndësi ka që akuzat kundër Ramës, tani në prag të nisjes së fushatës elektorale të lartësohen dhe të tejkalojnë edhe lartësitë e Himalajeve. Dhe për ta arritur këtë strategji, janë mobilizuar tërë liderët e politikës opozitare në Shqipëri. I gjithë aksioni është të nxi sa të mundi. Dhe shqiptarët kur dëgjojnë çuditen me ato që thotë opozita. Se vërtet analistët e opinionistët kanë ndezur motorët e akuzave dhe kanë nisur intifadën anti qeveri, po dëgjojnë edhe debatin me ish-ministren e Jashtme, firmëtare të paktit detar dhe kundërshtimin e kryeministrit shqiptar. Po njëherësh janë njohur për mënyrën se si kryeministri gjykon për një marrëveshje të kontrolluar dhe të balancuar pa shkelur Kushtetutën e vendimin e gjykatës. Për këtë qëllim ka kërkuar arbitër ndërkombëtar. Kur dëgjon Besnik Mustafajn që merr në mbrojtje, jo të vërtetën, po ish-ministren e Jashtme, Bakojanis, firmëtare të paktit apo Tritan Shehun, çuditërisht të dy ish-ministra të Jashtëm të Shqipërisë që flasin për prishje të marrëdhënieve me shtetin fqinj nga Rama, atëherë vërtet mendon sa larg arrin propaganda dhe akuzat e politikës. Dhe thua: Kjo është politika jonë? Këta janë politikanët tanë? Burrashtetasit që na kanë prirë nëpër botë? Kaq lirë na shesin faqe botës në emër të votës?! Kështu do marrin pushtetin duke shitur shtetin?! Edhe më e pabesueshmja paraqitet si realitet, sikur të ketë ndodhur vërtet. E thonë këtë, analistë, gazetarë me zë, opinionistë, liderë politikë, militantë, punëtorë, fshatarë, barinj, gjithë të zgjuarit e popullit tim. Derisa, Edi Rama nuk kishte bërë vizitë në Greqi, u sulmua si kryeministri që ka kredencialet më të ulta me shtetin fqinj, në të cilin jetojnë më shumë se gjashtëqind mijë shqiptarë që kanë shkuar në këtë vend në këto tri dekada. Është sulmuar si anti grek. Si kryeqeveritar që nuk ka bërë asgjë për marrëdhëniet me Greqinë, bile më të avancuarit e kanë akuzuar, minues të këtyre marrëdhënieve për interesa të shteteve të tjera. A nuk bëri këtë Berisha me garancinë njëqind përqind që Erdogan kishte kurdisur telat me Ramën në Tiranë për paktin e detit? Të këtushmit, aktorët e tutorët e marrëveshjes së detit, e cila u nënshkrua në Tiranë dhe u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese edhe pse e kanë nënshkruar këtë marrëveshje, e kanë vulosur dhe tundur si flamur para tërë shqiptarëve nga ekranet e televizioneve për të balancuar fajin e kanë akuzuar Ramën për shitje të detit dhe marrëveshje të fshehtë me të cilën ka cënuar integritetin territorial pasi u ka dhënë grekëve pjesë të detit tonë në një sipërfaqe që shkon sipas akuzatorëve më shumë se 350 kilometër katror. Aq i fuqishëm ka qenë sulmi për shitje dhe marrëveshje tinzare, sa nuk mbeti lider politik në Shqipëri nga i fundit deri tek njëshi pa i fryrë me gjithë fuqinë këtij akti që është pak të cilësohet tradhëti dhe në çdo shtet të botës dënohesh me përjetësi. Ja, bërtasin akuzatorët, Rama shkoi në Athinë për të përfunduar marrëveshjen e detit për të mbyllur aktin e tradhtisë dhe të turpit, për të cilën do ta dënojë historia dhe Shqipëria. Po faktet flasin ndryshe. Në takimin me kryeministrin e Greqisë, në intervistën për TV grek së fundi, Rama diskutoi për shumë probleme dhe asnjëherë nuk u përmend marrëveshja e detit. Të dëgjosh politikanët fantazistë shqiptarë, analistët e opinionistët, shakatarë e guximtarë si e shfrenojnë imagjinatën e fantazinë më në fund ky tregtari dhe pazarxhiu Edi Rama nuk do shesë vetëm një copë det e toka në Përmet e gjetkë, po edhe Shqipërinë vetë!