Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Akuzat hidhen poshtë me fakte, jo me deklarata patetike!

Postuar: 12/02/2019 - 07:15

Që kur ka filluar demokracia në fillim të viteve ’90, janë shënuar shumë ngjarje të hidhura e janë bërë male me akuza, por ama pak ose aspak janë zbuluar e ndëshkuar fajtorët e vërtetë. Janë akuzuar kryeministra e ministra, presidentë e deputetë, drejtues të institucioneve të pavarura e drejtorë digasteresh, kryetarë gjykatash e kryeprokurorë, por më shumë është hedhur mjergull për t’i thënë botës se jemi edhe ne shtet demokratik, se sa është punuar për të vendosur shtetin e vërtetë ligjor. Janë bërë akuza publike në mbledhje e séanca parlamentare, në shtyp dhe në media televizive, në konferenca shtypi dhe në fushata elektorale, dhe sapo kalojnë disa ditë e muaj, të gjitha shuhen si një flakë kashte. Të çudit fakti, se edhe disa akuza që i janë dërguar prokurorisë, janë lënë në heshtje për një kohë të gjatë, janë zvarritur qëllimisht deri sa i ka mbuluar pluhuri i harresës. Një mal me akuza janë ngritur në adresë të ish presidentit dhe ish kryeministrit Berisha, dhe asnjëra nuk paska shkuar deri më sot në prokurori. Këtë e deklaroi ish ambasadori Donald Lu kohët e fundit, kur është pyetur se pse nuk dënohet ky shkatërrimtar i Shqipërisë. “Se mos ka shkuar ndonjë dosje denoncuese në organin e akuzës për Berishën dhe ai nuk është dënuar”, është përgjigjur shkurt ai. Kur një akuzë bëhet prezente në prokurori, askush nuk ka të drejtë të llomotisë më tej, deri sa të shprehen organet e drejtësisë dhe nëse ato nuk e bëjnë një gjë të tillë, atëhere është përgjegjësia e tyre dhe ato duhet të japin llogari para ligjit. Por kur ngrihen akuza dhe ato nuk i adresohen prokurorisë, atëhere ose jemi në kuadrin e shpifjes, ose në mes palëve ka hyrë bashkëpunimi i fshehtë. Duhet thënë se i vetmi institucion që po u shkon deri në fund akuzave dhe veprimtarisë së organeve të drejtësisë është KPK, që vërtetë po u nxjerr ujin e zi korrupsionit të gjykatësve dhe prokurorëve. Kurse të gjitha akuzat e tjera të ndërsjellta midis politikanëve në parlament apo ndaj funksionarëve të tjerë të shtetit kanë qenë vetëm mjergull për të mbuluar të vërtetën.

Kohët e fundit, disa persona publikë janë akuzuar për plagjiatura në mbrojtjen e diplomave dhe doktoraturave të tyre. Madje një stacion televiziv transmetoi një emision special për këtë problem të titulluar “injorantët e parlamentit”. Në parlamentin tonë ka plot figura të nderuara që e kanë fituar titullin me punë serioze kërkimore shkencore, ashtu siç ka edhe spekulantë që mundohen të krekosen para opinionit me plagjiatura, por për dy tre persona nuk është e drejtë të përlyhet i gjithë parlamenti me epitetin injorantë! Por duhet thënë se publikimi i emrave të disa deputetëve në këtë emision, kishte edhe një farë tendence hakmarrëse, e kjo mund t’ia zbusë deri diku ekslamacionin titullit të përdorur, “injorant”. Por realisht një figurë publike që bën plagjiaturë, nëse nuk reflekton vetë, duhet ndëshkuar. Ai që bën plagjiaturë nuk është një gabues i thjeshtë, por një fajtor i ndërgjegjshëm për disa arsye.

Së pari ai që bën plagjiaturë, e përfiton titullin shkencor në mënyrë të paligjshme dhe i shkakton dëme financiare shoqërisë, pasi çdo titull paguhet me një kuotë të caktuar nga shteti. Ka njerëz hallexhinj që rropaten gjithë ditën në punë të rënda, në shtet apo tek privati, dhe nuk arrijnë dot të marrin një pagë mujore, aq sa shpërblehet titulli i një plagjiaturisti.

Së dyti ai që merr titullin me plagjiatura, u ka hedhur hi syve jo vetëm atij që e ka udhëhequr diplomën, i cili mund ta ketë edhe nga paaftësia, por edhe atyre që e kanë patur detyrë ligjore kontrollin dhe denoncimin e plagjiaturës. Këta persona që hiqen si studiues e mburren me titullin e gradën shkencore të fituar padrejtësisht në një fushë të caktuar, duhet patjetër sipas ligjeve në fuqi të kalojnë në filtrin e kontrollit, pavarësisht nga pozicioni shtetëror apo partiak që mbajnë. Por pse është neglizhuar në rastet e denoncuara nga media, kur këtë duhet ta bënin instancat që e kanë për detyrë? A nuk është këtu përgjegjësia e përbashkët, si e atyre që kanë bërë plagjiaturën, edhe atyre që kanë firmosur dëshminë përkatëse?

Së treti akoma më i madh është dëmi moral i personit që i atribuohet plagjiatura. Nuk mund të ketë më moral një person publik t’u bëjë propagandë e t’u flasë për edukatën e shkencën të tjerëve, kur ai vetë është një kopjues, ose më shqip, është një vjedhës i ndërgjegjshëm i vlerave shkencore të të tjerëve. Por gjer tanimë nga këta të akuzuarit për plagjiaturë, asnjeri nuk ka paraqitur fakte konkrete që të vërtetojë të kundërtën, por janë mjaftuar me deklarata bombastike e kanë kaluar në kundërakuza, siç bën Kryemadhi. Nëse dikush akuzohet me të padrejtë për plagjiaturë ka dy rrugë: ose të përgjigjet me dokumente e fakte konkrete, siç bëri deputeti Taulant Balla, i cili botoi në shtëpi kopjet e dokumentave që vërtetonin autenticitetin e mbarimit të studimeve me rezultate të larta, dhe të bëjë denoncim për shpifje në organin e akuzës, ose të heshtë e të japë dorëheqje nga posti e titulli që mban padrejtësisht, siç bëri njeri nga zv.ministrat e Arsimit. Ndryshe me deklarata patetike se “kam mbaruar shkëlqyer” dhe “më njohin të gjithë për zotësinë dhe zellin që kam” më shumë i zbulon petët lakrorit të plagjiaturës se sa i mbush mendjen kujt. Në këtë demokraci të brishtë, akuzat hidhen ndaj njeri tjetrit sikur me qenë karamele, dhe shumica e të akuzuarve e ha turpin me bukë, ose mundohen të bëjnë zhurmuesin. Akuza nuk hidhet poshtë as me britma, as me lot melankolie dhe as me kërcënime. Ka ndodhur që një personaliteti publik, pas vdekjes së tij, ose i atribuohen cilësi që nuk i ka patur, ose pasi i thuhen dy fjalë të mira ditën e varrimit, i vishet lloj-lloj epiteti, ngaqë ai nuk është më gjallë të kundërshtojë me fakte e argumentet shpifjet. Kështu pas rrëzimit të regjimit të Enver Hoxhës, na dolën plot disidentë se kishin kundërshtuar Enverin, se kishin shkruar vepra ndaj tij, por që nuk u ishin botuar, e se kishin vuajtur prej disidencës së tyre. Biles njeri akuzonte këto ditë në shtyp edhe Prof. Shuteriqin, se nuk paska kundërshtuar në atë kohë një vendim të diktaturës për ekzekutimin e katër intelektualëve të pafajshëm! Po ku kishte burrë e trim atëhere të kundërshtonte Enver Hoxhën, ku edhe gjeneralët më madhorë, kur dilnin nga zyra e tij harronin brenda kapelën të cilën e kishin hequr kur hynin!? Gjithashtu lexova para disa ditësh në shtyp, pas ndarjes nga jeta të ish ministrit të Mbrojtjes, z. Mustaqi, se ai paska kundërshtuar urdhërin e Ramizë Alisë për ta vënë ushtrinë kundër popullit! Kjo bëhet sepse tani më nuk jeton as Ramizi dhe as Kiçoja, që të argumentojnë të vërtetën.

Janë botuar dhjetra libra me kujtime nga autorë të ndryshëm, që mundohen të glorifikojnë vetveten, që realisht nuk mbajnë asnjë datë, asnjë fakt, nuk përmendin asnjë dëshmitar që të provojë disidencën e tyre, ose ngrihen akuza të paqena ndaj personave historikë,të cilët nuk ka kush t’i mbrojë sot. Po ashtu ngrihen shumë akuza gjatë fushatave elektorale, e zënkat arrijnë deri në rrahje e vrasje dhe pas zgjedhjeve palët akuzuese rehatohen e shtrëngojnë duart duke u justifikuar se të gjitha “ishin emocione fushate”! Ngrihet deputeti në faltoren e parlamentit, flet mbarë e prapë, duke akuzuar për gjithçka të turpshme kolegun e tij dhe në fund çdo gjë mbyllet pa ndëshkim, përfundon në një hiç, pasi “deputeti nuk mban përgjegjësi për ata që thotë!? Do vijë dita kur dallgët që ka ngritur e ashtuquajtura demokraci do të qetësohen, turbullirat patjetër që do të kthjellohen e llumrat do të bien në fund, atje ku kanë vendin, e atëhere secilin që ka ngritur akuza me shpifje, historia do ta ndëshkojë rëndë. Një e vërtetë apo një e drejtë, që është e tillë, mos sot nesër do të dalë pa tjetër në shesh dhe nuk do të zërë më vend ajo shprehja e karrieristëve se “historinë e bën populli, por e shkruajnë fitimtarët”. Koha bën histori të vërtetë, lartëson ajkën e fundos llumrat, se ndryshe me plagjiatura e me ditirambe vetëlavdëruese, në çdo vend do të kishte më shumë “heronj” se sa popull.

Nga Ramazan SHERJA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/02/2019 - 07:33

Demokracia të jep përshtypjen e një Pallati të shndritshëm. Nga jashtë mund të duket i madhërishëm, por ç'e do që poshtë në bodrumet e këtij pallati fshihen djajtë.

Postuar: 17/02/2019 - 07:31

Tashmë të gjithë, ata që po ia japin vrapit për t’u larguar, por edhe ne që nuk duam të iki

Postuar: 17/02/2019 - 07:30

Kot e kishte mbuluar Rama atë kërpudhën e shkretë!

Postuar: 16/02/2019 - 07:15

“U pa fati ynë që kur lindëm në Shqipëri”, ka thënë në një sentencë shkrimtari i nder

Postuar: 16/02/2019 - 07:14

Në këtë vend "partitokracia" ka shkatërruar themelin e demokracisë!

Postuar: 16/02/2019 - 07:13

Në fytyrat e opozitarëve, kohët e fundit vërehet entuziazëm.

Postuar: 16/02/2019 - 07:11

Nga studio e emisionit “Opinion”, Monika Kryemadhi përsëriti disa herë se protestën e