BREAKING NEWS

Autoritetet italiane tregojnë çfarë pritet: Lufta nuk është fituar ende, nuk ka kthim në normalitet. Komisioneri i emergjencës shëndetësore tregon se vendi do të dalë nga kjo dramë vetëm nëse...

Autoritetet italiane tregojnë çfarë pritet: Lufta nuk
x

Opinion / Editorial

Albin Kurti theu paktin e pisët anti-SHBA Berisha-Meta-Haradinaj

Albin Kurti theu paktin e pisët  anti-SHBA Berisha-Meta-Haradinaj

 Më në fund kryeministri nacionalist i Kosovës bëri tërheqjen e parë nga qëndrimi i palëkundur sovranist, duke pranuar tërheqjen nga taksa ndaj Serbisë. Albin Kurti pas deklaratave të ashpra kundër heqjes së taksës, më në fund u tërhoq nga gjuha e drunjtë, duke pranuar më në fund këshillat e aleatëve amerikanë.

U desh presioni i ashpër i të dërguarit të Trump, Grenëll që kryeministri kosovar të vinin trutë e kokës dhe të shikonte në sy realitetin. Realiteti i Kosovës është një dhe i pandryshueshëm. Ky shtet ekziston sot si një kontribut unik dhe i padiskutueshëm i SHBA, të cilët kontribuan ushtarakisht dhe diplomatikisht për çlirimin dhe krijimin e shtetit kosovar.

Për më shumë, SHBA është garanti i vetëm i pavarësisë së këtij shteti, duke filluar që nga mbrojtja e kufijve, ndihma ekonomike dhe formatimi i shtetit në çdo qelizë. Gjithkush që bën sovranistin apo paatriotin e sëmurë nuk është gjë tjetër veçse një miop që jeton në ëndrra.

  Tërheqja e Kurtit ishte rruga e vetme e tij për të qëndruar në qeveri dhe alternativa e vetme e shtetit kosovar për të mbyllur një marrëveshje definitive për njohjen e tij nga Serbia dhe pjesa e mbetur e shteteve që duhet të formojnë kuorumin për njohjen si shtet në OKB.

Vendimi i djeshëm i Albin Kurtit tregon qartazi se fryma e qeverisë Haradinaj ka qenë frymë antiamerikane dhe antikombëtare, pasi duke i mbyllur rrugën dialogut krijonte mundësinë e dërgimit në kalendat greke të çështjes kosovare. Ky vendim konfirmoi se në Kosovë kishim të bënim me dy linja të qarta antagoniste, proruse dhe proamerikane.

Në njërën anë armiqtë më të mëdhenj të marrëveshjes me Serbinë ishin Ilir Meta, Sali Berisha dhe instrumenti i tyre Ramush Haradinaj dhe krahu tjetër Hashim Thaçi dhe Edi Rama që përcillnin frymën amerikane të gjetjes së gjuhës me Serbinë.  Edi Rama u gjend nën breshërinë e akuzave të Sali Berishës dhe Ilir Metës, të cilat e anatemonin si shitës të interesave nacionale, ndërkohë po kaq agresive ishte gjuha e dyshes Berisha-Meta ndaj beniaminit të amerikanëve Hashim Thaçit.

Nuk mund të harrohet gjuha e shthurur e Sali Berishës dhe kuzhinës së tyre mediatike kundër dyshes Rama-Thaçi. Ndërkohë që lëvizjet e Ilir Metës në takime të shpeshta me Haradinajn krijuan një frymë antiamerikane kundër gjetjes së një fryme bashkëpunuese me Serbinë. Veprimi i sotëm i Kurtit, që padyshim duhet përshëndetur, ka prishur ëndrrat e këtij grupimi, për t’i hapur rrugë njëherë e përgjithmonë dritës jeshile të një marrëveshje të re sipas këshillave të partnerëve amerikanë.

Pas heqjes së taksës do shohim që Kosova do ulet në tavolinë me Serbinë për të mbyllur një marrëveshje ndryshimi kufijsh, të cilat do përmbyllin njëherë e përgjithmonë procesin e njohjes së shtetit kosovar, por dhe do plotësojnë detyrat strategjike të partnerëve amerikanë. Padyshim që shumë shpejt Kosova do përfshihet edhe në shengenin ballkanik  dhe në të gjitha proceset që do krijojnë një treg të madh ballkanik që të mund të kthejë sytë e Europës, si një atraksion fitimprurës.

Me Albinin pa Albinin ky proces do përmbyllet si dëshirë e patronatit amerikan. Rruga shqiptare në termin panshqiptar e ka lidhur përfundimisht të ardhmen e saj me SHBA, në një zonë dominuese pansllave aspak dashamirëse ndaj këtij kombi. Kjo ditë e bukur për Kosovën është padyshim një moment i ligshtë për gjithë faktorin që përmëndëm më sipër. Kosova me Albinin ka hedhur një hap të madh që vlen për tu uruar.