BREAKING NEWS

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!

Propozimi i papritur i Silva Binos: Të mbyllim sërish fundjavat!
x

Opinion / Editorial

Albin Kurti, vepro si kryeministër dhe jo si populist!

Albin Kurti, vepro si kryeministër dhe jo si populist!

Çështja e heqjes së taksës për prodhimet serbe vazhdon të mbetet thembra e Akilit për qeverinë dhe politikën kosovare. Për këtë ka pasur dhe ka një angazhim të vazhdueshëm të diplomacisë kryesore të shteteve europiane dhe ekskluzivisht të amerikanëve. Kjo çoi edhe në dorëheqjen e detyruar të Ramush Haradinajt, njërit prej njerëzve karizmatikë dhe protagonist i UÇK-së. Emisari amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shprehu mosaprovimin dhe e quajti gjysmake kushtëzimin që i bën kryeministri Kurti heqjes së taksës, vendosjen e disa kushteve dhe afateve për “reciprocitetin”. Dhe në fakt po luhet keqas me durimin e amerikanëve, me investimin që kanë bërë ata për çështjen e Kosovës në vite, në emër të një nacionalizmi ekstrem agresiv, ku populizmi i verbër nuk njeh asnjë lloj kompromisi dhe racionaliteti. Deri aty, sa apriori nxirret në plan të dytë roli vendimtar i amerikanëve në kuadër të NATO-s, i vihet pikëpyetje procesit të paqes në këtë rajon dhe ngrihet dyshimi “nëse meritonin pavarësi, apo qe një akt i nxituar”. Me apo pa dashje kjo favorizon ndërhyrjen e rusëve dhe aleatëve të tyre në këtë rajon, për të marrë rol lidershipi. Krejt pakuptim duket interferenca e ish-kryeministrit Haradinaj, që e cilëson Kurtin “mashtrues” dhe që po minon atë çka është arritur deri më tani. Gjë që tregon se ende ka mbetur ushtarak në thelb dhe nuk kupton se në paqe operohet me mjete diplomatike dhe jo me kokëfortësi dhe ultimatume. Edhe pse nuk na vjen mirë, karta e reciprocitetit nuk ngjit, për aq kohë sa shumë shtete në botë ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për vetë situatën politike globale, konfliktet në rajone të ndryshme, ruajtjen e ekuilibrave midis fuqive kryesore, paralelizmave me popullsi të kolonizuara historike që kërkojnë shkëputjen, shtetformimin njëanshmërisht, nuk mund të pritet një zgjidhje definitive e shpejtë për Kosovën. Do jetë një proces hap pas hapi i monitoruar ndërkombëtarisht, me oferta dhe lëshime, duke mbajtur larg riciklimit forcat konservatore, regresive në Serbi e kudo gjetkë. Bie fjala, kurdët qenë në vijën e parë të frontit anti-terror krahas amerikanëve në Siri, por planet e tyre për një shtet në kufijtë ekzistues mbetën në letër pas tërheqjes amerikane, madje u gjendën të vetëm dhe të pambrojtur përballë kërcënimit të qeverisë turke. “Nga gjuetar u kthyen në gjah” dhe zëri i tyre i arsyes ra në vesh të shurdhër. Dhe “mini Shengeni” aq i përfolur shkon në këtë linjë: të uljes së tensioneve dhe zhvillimit të dialogut midis atyre që janë quajtur “armiq historikë”. Kjo nuk ka ndodhur vetëm me shqiptarët, por edhe me maqedonasit në raport me grekët, të cilët u detyruan të pranonin emrin Maqedonia e Veriut. Gjë që i ka bërë të ndihen më të favorizuar dhe vlerësuar se ne në procesin e hapjes së negociatave për në BE. Paradoksalisht u deshën disa muaj pas zgjedhjeve në Kosovë që të krijohej qeveria, ku dominuan interesat e vogla, parciale për portofole midis Vetëvendosjes dhe LDK-së, gjë që e zbehu dhe i vuri njollë procesit dhe standardeve të gjithëpranuara. Largqoftë që kjo të ketë qenë e qëllimshme, e kalkuluar s’di se ku, dhe në ç’rrethana! Nëse europianët kanë dështuar shpesh në qasjen e tyre ndaj Kosovës, janë dorëzuar ndaj presionit rus, kjo nuk ka ndodhur me amerikanët (aleatët tanë më të mirë), të cilët kanë marrë stafetën. Pikërisht atëherë kur dukej e pamundur, imponuan uljen në tryezë të autoriteteve serbe dhe kosovare për të nënshkruar një sërë marrëveshjesh. Dhe fotoja e fundit e ambasadores amerikane në Shqipëri me gjeneralin e NATO-s për Europën, Tod. D Uolters, ka një simbolikë të vendosjes së vetos, të stoicizmit dhe mos braktisjes së objektivave strategjike. Prandaj nëse më lejohet, si publicist dhe bashkëkombës shqiptar, i bëj thirrje Albin Kurtit të shmangë populizmat, ruajtjen e sensit të masës me spektrin politik vendor (dhe në rast të humbjes së disa kuotave elektorale), të ngrihet në lartësinë e një diplomati të zgjuar, elokuent, të një burrështetasi të vërtetë. Shansi për të bërë gjëra të mëdha të jepet vetëm njëherë në jetë!