BREAKING NEWS

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19

71 raste të reja në Shqipëri me Covid-19
x

Opinion / Editorial

Aleanca për Teatrin në mes, dy partitë politike anash

Aleanca për Teatrin në mes, dy partitë politike anash

Zhurma për shembjen e Teatrit Kombëtar nuk ka të sosur. Kjo zhurmë sa vjen e shtohet. Flasin për të gazetat, televizionet, politikanët… E kjo zhurmë nuk ndihet vetëm në Tiranë, por është përhapur anë e kënd Shqipërisë, nga veriu në jug e nga lindja në perëndim. Gati gati po harrohen hallet, problemet ekonomike, koronavirusi. Qytetarët kanë hequr maskat dhe dorezat. A thua se koronavirusi nuk ekziston! Po kush i mori ato jetë njerëzish nëpër botë?! Kush infektoi miliona të tjerë? Ku vajti virusi?! Mos vallë e mori tymnaja e godinës së Teatrit Kombëtar?! Godina u shemb. Aleanca për mbrojtjen e godinës u kthye në Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit. Dhe ka gati një javë që proteston. Kërkon me këmbëngulje që teatri të ndërtohet atje ku ka qenë dhe si ka qenë. Kjo është kauza e saj. Deri këtu çdo gjë është në rregull. Po forcat politike ç’duan? Ose më saktë, kryetarët e partive pse dalin në shesh?! Para se të shpreh mendimin tim lidhur me pjesëmarrjen e partive politike, m’u kujtua një kryetar kooperative, i cili u caktua të punonte në zonën e Malit të Thatë, se atje nuk ecnin punët mirë. E filloi punën me qejf se nuk i njihte njerëzit. Punoi gjashtë muaj dhe vajti në Komitetin e Partisë dhe kërkoi dorëheqjen.

-Pse do të japësh dorëheqjen?! -e pyetën. Ai buzëqeshi e në mënyrë figurative u përgjigj:

-Unë në vend të qeve isha mprehur vetë në qerre. Përpiqesha me të gjitha forcat që ta tërhiqja në malore. Populli më ndiqte pas. Bënte sikur e shtynte dhe vareshin prapa duke e tërhequr qerren poshtë. Kjo ndodhte vazhdimisht. Një ditë me mundim, duke u bërë ujë në djersë arrita afër majës. Populli kishte hipur në qerre. Unë e lëshova qerren tatëpjetë me gjithë njerëzit. Qerrja u bë copë e çikë e s’i mbeti nam e nishan, ndërsa njerëzit të gjakosur e të vrarë u shpërndanë sa andej këtej. Pra, partitë politike nuk besoj se e shtynë qerren përpara. Ata patjetër do e heqin për nga poshtë. Prandaj Aleanca duhet të thërrasë popullin e thjeshtë në protestë për të realizuar kauzën e saj, pra, ta detyrojnë qeverinë të tërhiqet nga vendimi për të ndërtuar një teatër të ri. Madje t’i faktojë edhe anët e errta korruptive, në qoftë se ka korrupsion.

Me këto mendime në kokë dola për të pirë kafen e mëngjesit. U futa në një bar. Po vështroja rrethe qark për të gjetur ndonjë tavolinë bosh. Nga fundi i barit, se kishte gjatësi të madhe, pashë një dorë të ngritur lart, që më ftonte të ulesha atje. U afrova. Ishte një shoqja ime e gjimnazit me tre shoqe të tjera. I përshëndeta dhe po shikoja kamarierin. Një djaloshi ri u afrua dhe tha:

-Mos u ul, prit pak sekonda. Solli shpejt e shpejt tre tavolina dhe një karrige. I bashkoi të katra.

-Tani uluni! Çdo gjë është sipas Protokollit të Shëndetësisë.

Mbasi u prezantuam, pyeta shoqen:

-Po ti ç’do këtu?!

-Dy veta një hall s’e kanë. Shtëpinë ma dëmtoi tërmeti. Derisa të rregullohet, banoj me qira këtu pranë.

-Ke bonus qiraje?

-Po,po. Ti si je? Mora vesh që je operuar. I hoqe penjtë?

-I hoqa. Mirë jam. Tumor belinjë.

-Durrësi ka mjekë të zotë. Sidomos drejtoresha e spitalit është e përkryer.

-E njeh?

-Personalisht jo, por tri cilësi mund t’i them: rrezaton kulturë,fjala e saj është kurative, zemërgjerësia zbardhon si dëbora…

-Ngjan me zanat e maleve, është e zgjuar dhe e shkathët,- e ndërpreu shoqja që ishte pranë.

-Tani plotësoje portretin vetë,-tha Diamanta duke vënë buzën në gaz.

-Kur ta mbarosh na i lexo me zë. Kohë kemi sa të duash, -thanë dy shoqet e tjera.

U vura në siklet. T’i vësh në dukje këto cilësi të rralla, nuk duhet pena e një gazetari si unë, por ajo e Gorkit, Çehovit, Pushkinit, Tolstoit apo Balzakut. Megjithatë do të përpiqem,-thashë me vete.

Drejtoresha Nadire Jani-Kërtusha ose Diri siç e thërrasin shkurt është largpamëse e me vizion. Është mjaft e kulturuar. Kjo vihet re në veshje, në ecje, në biseda, në rrugë, në zyrë, në vende publike e kudo. Gjakftohtësia dhe toleranca janë binome të përhershëm të saj. Fjala e Dirit zë vend,sepse ajo para se ta thotë e përpunon dhe e gdhend bukur. Fjala e saj është e ngrohtë e të motivon për punë. Ajo është kurative si ato bimët medicinale që rriten në Malin e Thatë të Pogradecit, të Moravës në Korçë, të Gramozit në Ersekë, të Tomorrit në Skrapar apo në Malin e Gjerë të Gjirokastrës. Zemërbardhësia e drejtoreshë Dirit ngjan me dëborën e bardhë që zbardhon Alpet, Jezercën, Thethin, Korabin,Tomorrin apo Lenijen. Zemërgjerësia e saj ngjan me ujin freskues të lumit të Cemit, me burimet e kristalta të Lenijes, të Drilonit, të Sarisalltikut, të Syrit të Kaltër, të Kroit të Pashait, të Tepelenës apo ujin kristal të Qafështamës.

Drejtoreshë Diri e do të bukurën sepse edhe vetë është e tillë. Ajo u ngjan zanave të maleve që janë freskuar me ujin e ftohtë të burimeve, kanë pirë ujë në gurra e ujëvara, kanë bredhur natën e ditën, në shi e në dëborë, në zhegun e vapës dhe në netët e acarta. E ashtu si këto zana që rrinë maleve e ndihmojnë njerëzit, ashtu edhe drejtoreshë Nadire Jani kujdeset për njerëzit, u jep energji, besim, për ta përballuar jetën, për ta shijuar atë, sepse ajo nuk vjen dy herë. Ajo punon pa u lodhur për t’i shërbyer njeriut me vizionin e saj, me modelin e saj.

-Detyra jonë, -thotë Diri,- është t’i bëjmë njerëzit optimistë për jetën, t’ua lehtësojmë sadopak, nëse kemi mundësi. Të udhëhiqemi nga parimet e humanizmit, brenda mundësive të bëjmë mirë, por asnjëherë keq. Veprimi i keq, sjellja e keqe e njollos njeriun, e sidomos mjekun. Drejtoreshë Nadirja është e zgjuar dhe e shkathët. Për të gjitha këto cilësi atë e duan dhe e respektojnë të gjithë. Ato e lexuan të gjitha në heshtje.

-U pëlqen?- pyeta unë.

-Të lumtë! Ndryshe nuk do ishe gazetar.

-Po ju do thoni ndonjë gjë për teatrin?

-Pse të mos themi? Ç’na pandeh ti? S’marrim vesh ne? Edhe ne jemi pjesëtarë të kësaj shoqërie, -thanë të tria me një zë duke qeshur.

-Mendimi im është ky. Teatri u shemb. Por veç teatrit të ri të ndërtohet ndoshta edhe një apo dy dhoma muze, për të ruajtur disa vlera.

Sandër Prosi në filmin që i kushtohet shpalljes së Pavarësisë thotë: “I ruani këto telegrame,se nesër do të na qortojë historia”. Kështu e përfundoi mendimin e saj njëra nga shoqet e Diamantës.

-Aleanca për Teatrin nuk duhet të hallakatet shumë. Kauza e saj duhet të jetë e qartë. Se sipas meje ka shumë kërkesa: të dënohet Erion Veliaj, të dënohen ata që firmosën për shembjen, të dënohen policët, fadromistët etj. Këtë punë le t’ia lërë SPAK-ut. Të luftojë për kauzën parimore, ndryshe nuk do të fitojë asgjë.

-Po ti Diamanta ç’ke për të thënë?

-Unë kam shumë gjëra për të thënë. Por së pari dua të theksoj se s’më pëlqen fare gjuha e deputetëve në Parlament. E, çfarë nuk dëgjon aty: Banditë! Horra! Hajdutë! Prostituta! Kriminelë! Vrasës! E keni bërë Kushtetutën si prostitutë e Amsterdamit! I ha veshin Ramës shtrirë në krevat se nuk ia arrin dot se është i gjatë! E dhjetëra e qindra epitete të ndryshme që ia veshin njëri-tjetrit. Pra, të tillë deputetë nuk duhet të jenë në Parlament. Ndërsa për teatrin kam këtë mendim. Nëse ka afera korruptive le të bëhet denoncimi në prokurori. Nëse ka shkelje ligjore nga njëra palë apo pala tjetër të mbajnë përgjegjësi. Partitë nuk duhet të futen në protestat e Aleancës, sepse ata nuk ndihmojnë në kauzën e saj, përkundrazi e pengojnë atë.