BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Opinion / Editorial

Amerika është më tepër se një flamur

Amerika është më tepër se një flamur

Në protestën e thirrur nga presidenti më 2 mars, për “mbrojtjen e Kushtetutës” u panë të valëviteshin ndërmjet të tjerëve edhe flamuj amerikanë. Kjo “surprizoi” ambasadoren Yuri Kim dhe ca më pas pati një deklaratë distancimi nga rasti. Presidenti e justifikoi gjestin me praninë e disa shqiptaro-amerikanëve të ftuar prej tij në tubim, teksa disa analistë në mënyrë cinike thanë se shqiptarët i kanë mbajtur simbolet amerikane (shprehje të drejtësisë dhe idealit për liri) përgjatë 30 viteve dhe u “çuditën” me çudinë e ambasadores. Truku i përdorimit të simboleve të BE-së dhe SHBA-ve nuk është as i ri dhe as i padëgjuar nga subjektet dhe protagonistët politikë të tranzicionit. Dhe kur kanë sulmuar institucionet me zjarr. Por presidenti nga podiumi i protestës përpos dekorit, gjesteve të uljes në gjunjë me duart të kryqëzuara si flatra shqiponje mbi gjoks, bëri disa retorika vërtet të forta. Pak a shumë: A ka vend demokratik në botë pa Gjykatë Kushtetuese? A ka vend në botë pa Gjykatë të Lartë? A ka vend anëtar të NATO-s që shpërfill vendimet e numrit një të shtetit dhe i heq përditë kompetencat arbitrarisht? A ka vend në botë që krijon struktura paralele (OFL) dhe shmang ato legale, etj.? Paradoksi shpjegohet vetëm me paradoks. Drejtësia u kthye sistematikisht në një pellg kundërmues klientelist, në një bina të kalbur që s’kishe më nga e kapje. Gjithmonë ka qenë nën sqetullat e politikës, e nominuar prej saj jo për meritat, por mbylljet e aferave të protagonistëve me dosje të njohura “me zë dhe figurë”. Krijimi i organeve të reja SPAK dhe BKH nuk kishte asnjë shans përzgjedhjeje brenda këtij rrethi vicioz interesash. Do ishte kohë e humbur, joproduktive. Kësisoj (dhe pse nuk duket normale) veprohet si në kirurgji me trupin e gangrenizuar. Me masa ekstreme, të jashtëzakonshme. Pyetjet meritojnë kundërpyetje: A ka vend tjetër në botë (sidomos në Lindjen komuniste) me këto ritme zhvillimi, me politikanë që e kanë filluar jetën dhe kërkojnë të pensionohen në karrige të Parlamentit, duke penguar qarkullimin e elitave?! A ka vend tjetër në botë ku subjekti politik trajtohet si pronë, si harem ku të rinj gjimnazistë pa asnjë kualifikim i imponohen votuesit me lista të mbyllura për deputetë të ardhshëm?! A ka vend në botë ku politikanë rrogëtarë janë më të pasur se biznesmenët, kanë vila, veshje, makina dhe aksesorë prej sheikësh?! A ka vend në botë që për dosje të nxehta korrupsioni me paratë publike s’ju hyn gjemb në këmbë, e kanë në majë të gjuhës “sajesa, montazh”, dhe bëjnë moralistin?! Kushtetuta është thjesht një makinacion, një mënyrë për t’i ikur të vërtetave, fateve individuale në raport me përgjegjësitë. Ashtu si edhe flamujt e cilitdo vend aleat-partner, që marrin konotacion negativ. Përgjigjja e ambasadores Yuri Kim është apel, se gjithçka e ka një masë dhe nuk mund të vazhdojnë të keqpërdoren. Amerika nuk është një copë beze, por histori, vlera, parime demokracie të shenjtëruara në atë flamur.