BREAKING NEWS

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë shqiptare po kërcënohen rrezikshëm’, Spartak Ngjela paralajmëron zhvillime të bujshme në vend

‘Krerët e korruptuar të politikës së lartë
x

Opinion / Editorial

Amnistia që duam

Amnistia që duam

Pardje qeveria reflektoi dhe ndryshoi projektligjin per amnistinë fiskale, që do të miratohet në Kuvend këtë muaj, duke mos lejuar amnistinë e pasurisë dhe pronave të padeklaruara për zyrtarët dhe politikanët që kanë qenë në detyrë tre vjet para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Neni 6 i ndryshuar i projektligjit përcakton se nga amnistia nuk përfiton asnjë ish-zyrtar dhe familjar i tij, që sipas ligjit ka pasur detyrimin ligjor të bëjë deklaratë të të ardhurave dhe pasurisë. Ndryshe nga falja e përgjithshme e prillit të vitit 2011, kjo amnisti do të përmbajë edhe ndërhyrje në Kodin Penal, me një shtojcë ligjore të miratuar me 84 vota. Amnistia do të jetë e ndarë në tri faza, me nga katër muaj secila, për të nxitur biznesmenët dhe qytetarët që kanë para të padeklaruara t’i depozitojnë ato në banka sa më parë. Në fazën e parë, detyrimi për të depozituar paratë do të jetë 5 për qind. Pra nëse një sipërmarrës ka një magazinë të padeklaruar me vlerë 200 mijë euro, do të paguajë 10 mijë euro për të ligjëruar si pronë të tij. Në katër muajt e dytë, ose në fazën e dytë, detyrimi rritet në 7 për qind dhe në katër muajt e fundit, ose në fazën e tretë, në 10 për qind. Thirrja e qeverisë është për emigrantët që të depozitojnë paratë e tyre në banka. Duke qenë se shumica prej tyre kanë punuar në të zezë, paratë e sjella në Shqipëri nuk kanë një burim legal, pra, nuk janë taksuar. Mirëpo nga ana tjetër, thirrja dhe pritshmëria më e madhe e qeverisë është për paratë e ekonomisë informale në vend. Ato janë në nivele qindra milionë euro dhe nëse futen në qarkullimin ekonomik ligjor, përfitojmë të gjithë. Kjo është ajo amnisti që do të donim, në kushtet kur ekonomisë pritet t’i mungojnë të paktën 1.5 miliardë euro nga pandemia Covid-19. Nga amnistia do të përfitojnë edhe të gjitha ato sipërmarrje që kanë punuar me dy bilance, duke ju fshehur detyrimit ndaj shtetit. Nuk mund të ketë falje më të gjerë se kaq. Gjendja e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë, gjysmë të gjunjëzuar nga pandemia, e detyron këtë shtrirje të pazakontë të faljes. Ky është detyrimi, por edhe morali i kësaj amnistie të plotë, që duhet të shërbejë për të ringritur ekonominë tonë. Opozita duhet të jetë aleat i natyrshëm i saj i amnistisë që duam ne qytetarët dhe të vigjilojë që të bëhet me transparencë të plotë, pa e mbytur në djep. Nga ana tjetër, amnistia duhet të jetë konf denciale. Asnjë emër i atij që deklaron pará dhe ndërtesa të padeklaruara më parë nuk duhet të bëhet publik. Kushti i të mos bërit i njohur është themelor për suksesin e një amnistie. Italia mund të kishte ligjëruar dhe kthyer në atdhe edhe 500 miliardë euro të italianëve të pasur nga Zvicra në vitet 2009-2010, por disa emra sipërmarrjesh dhe pasunarësh italianë dolën në media dhe me mijëra deklarues potencialë u tërhoqën dhe morën përsipër rrezikun dhe kostot e kalimit të parave dhe bizhuterive e veprave të artit nga Zvicra në parajsa të tjera fiskale si Lihtenshtejni, Singapori, Ishujt Kajman, etj. Amnistia jonë duhet të synojë dakordësimin me opozitën reale të vendit, përtej votave nga opozita surrogate në Kuvend, që duhen për të bërë numrin 84 të votimit të ndryshimeve në Kodin Penal. Opozita reale është ajo që nuk ka folur ende shkoqur për këtë amnisti të re të propozuar nga qeveria. Opozita duhet të shprehet si e mendon. Nëntë vite më parë, një nga shkaqet themelore që dështoi amnistia e parë e përgjithshme fiskale ishte mohimi i saj nga opozita e atëhershme, sot në pushtet. Mohimi solli mos arritjen e kuorumit të 84 votave dhe biznesi e qytetarët nuk i besuan asaj amnistie. Nuk mund të mbartim sërish rrezikun që qytetarët dhe sipërmarrësit të mos i besojnë kësaj amnistie të re dhe shpresojmë të fundit. Në lojë janë me qindra milionë euro, ndoshta dhe më shumë, në duart e fermerëve tanë (shumë syresh sigurojnë të ardhura mbi 5 milionë lekë të reja në vit nga prodhimet në sera dhe nuk i deklarojnë, për të mos paguar tatimin), emigrantëve dhe bizneseve. Amnistia do të kërkojë edhe paratë e shqiptarëve në parajsat fiskale, duke filluar nga ajo e Qipros. Destinacion shumë i përfolur deri tani, që mendohet se ka shërbyer si epiqendra e parave të politikanëve dhe shtetarëve tanë të korruptuar. Sigurisht që këto para nuk do të amnistohen, por në shtator të këtij viti vjen një zhvillim interesant. Shqipëria bëhet pjesë e 102 vendeve të botës që kanë vendosur të bëjnë publike llogaritë bankare të qytetarëve të huaj. Pra, edhe autoritetet tona tatimore do të marrin nga 101 vendet e tjera të dhëna për qytetarët tanë që kanë depozita bankare jashtë. Dhe kjo i ekspozon ata përpara detyrimit për të justifikuar burimin e këtyre kapitaleve që kanë jashtë. Për të shmangur probleme, të gjithë ata që këto para nuk i kanë nga korrupsioni apo trafiqet e paligjshme, mund t’i amnistojnë. Por që ta bëjnë, duhet të jenë të mirinformuar që tani. Transparenca dhe informacioni i plotë për mënyrën se si do të zhvillohet kjo amnisti është një kusht tjetër themelor që ajo të realizohet si duhet tek ne.