Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Arrestomania me bujë dhe në fund një vrimë në ujë

Postuar: 11/09/2019 - 07:20

Përditë opinioni shqiptar bombardohet me lajme për arrestime të shumta, që njoftohen në median vizive dhe atë të shkruar. Një numër i madh zëdhënësish komunikojnë përmes deklaratave inicialet e të ndaluarve. Komunikatat e policisë shqyhen nga numri i tejskajshëm i atyre që u pritet bileta për një natë apo diçka më shumë në hotelet gratis të komisariateve. Sa shumë të ndaluar dhe sa pak prej tyre u provohet fajësia?! Është pothuaj praktikë e njohur, sapo kalojnë pragun drejtë dhomave të izolimit, hapen dyert dhe dërgohen në shtëpi për të vijuar punët e ditës, bizneset, tenderat apo veprimtaritë e përditshme në ferma, njësi tregtimi apo për të hapur dyert e hoteleve të pezulluara, të konfiskuara apo të shpallura si pasuri të vendosura me para krimi. Gjithçka shkrihet si dëbora në diell. Nëse u referohej statistikave europiane dhe bën një krahasim mes të ndaluarve, të gjykuarve dhe atyre që u provohet fajësia, ne mund të jemi ndër vendet e para që prodhojmë kaq shumë arrestime. Është bërë traditë që lajmet e para, gjatë gjithë ditës, t`i zënë pikërisht arrestimet. Deklaratat janë vërtet pompoze. Duket se këtu ndër ne, ndëshkohet faji maksimalisht,vihen para drejtësisë gjithë ata që shkelin ligjin, toleranca është zero për cilindo që kryen evazion fiskal, aplikojnë skema mashtrimi me TVSH-në, vjedhin kreditë apo kryejnë grabitje ordinere, deri tek ato të sofistikuarat në mes të ditës në qendër të aeroportit të Tiranës. Sa shumë arrestime në deklarata! Dhe sa pak prova. Pikërisht se arrestimet bëhen me dhe për bujë, shumë çështje shfryjnë brenda ditës. Të ndaluarit me tam-tame, ikin në shtëpi pa dhënë llogari. Një inflacion i llahtarshëm, sikur synon të plotësojë planin e arrestimeve. Bombardohet opinioni me lajme sensacionale. Sikur shteti është në këmbë, policia gjurmon, prokuroria kopsit provat dhe gjykatat i vënë vulën tërë kësaj veprimtarie. Nëse hallkat e zinxhirit dhe bashkëpunimi mes institucioneve që ngarkon detyra do vepronin në sinkron, do zbatohej në praktikë ligji, shoqëria jonë do vuante më pak nga korrupsioni, hajdutëria, mashtrimi. Në deklarata mësohet se u bënë: Arrestime VIP. Goditje të rënda. U shpartalluan grupe me peshë. Shteti po vepron me dorë të fortë. Disa lajme janë vetëm për një natë. Të nesërmen sapo të akuzuarit dalin para togave të zeza, në pak minuta bien shumica e akuzave. Tullumbacet shfryhen. Të ndaluarit lënë prangat. U kërkohet deri edhe falje. I kthehen jetës së përditshme. Në përfundim, në rrjetat e drejtësisë mbeten ca cironka. Në burg përfundojnë ata që nuk kanë as njohje as fuqi as para që t`i çajnë rrjetat prej fijesh të holla. Rrjeta të dobëta që nuk mbajnë asnjë peshë. Pa rezistencë, që me një goditje nga brenda apo jashtë sistemit të drejtësisë bëhen copë. Kur flasim për arrestime nuk dëshirojmë kurrsesi që pas hekurave të qëndrojnë të pafajshëm. Nuk duam të funksionojnë plane, shifra, grafikë, fushata. Lutja jonë është sa më pak qytetarë pas hekurave. Kush e ka provuar e di mirë se çfarë vuajtje dhe stres përjeton një familje kur njëri prej tyre arrestohet apo dënohet. Në këtë sens asnjërit nuk ja duam burgun. Shqiptarët kanë një shprehje brilante: “Në spital dhe në burg mos pafsha as hasmin”. Po privimi i lirisë dhe dënimet për faje të kryera nuk mund të tolerohen. Burgjet kanë ekzistuar që në krijimin e shoqërisë njerëzore. Dhe shumë prej tyre kanë qënë të tmerrshme për mënyrën e trajtimit dhe vuajtjet që provonin në qeli të burgosurit. Vendi ynë ka historinë e vet dramatike me burgjet dhe të burgosurit. Sot të gjithë janë njohur me atë kalvar që kanë kaluar gjithë ata që kanë bërë jetën e burgut, veçanërisht në vitet e diktaturës, që njërit faj i shtohej patjetër edhe agjitacioni e propaganda si plus, që ishte një thes pa fund përmes të cilës garantohej dënimi për cilindo. Po sot jemi në demokraci, ndalimi i individëve të akuzuar apo të dyshuar nuk ka asnjë lidhje me të kaluarën. Me ato vite kur në mesnatë në emër të popullit, xhipi 111 i degës së Punëve të Brendshme, ndalte frikshëm para dyerve të shtëpive dhe e rrëmbenin të akuzuarin drejtë e nga shtrati, gjysmë lakuriq, pa dhënë asnjë sqarim familjarëve apo vet të ndaluarit. Po sot? Arrestimet janë të shumta. Numri i të ndaluarve i panumërt. Më interesantja, disa prej tyre kanë një historik të pasur me drejtësinë. Pasi ndalohen u numërohen bëmat. Kanë qenë trafikantë. Përdhunues. Kanë tentuar të vrasin. Janë arratisur nga burgu. Kanë trafikuar lëndë narkotike. Pra individë që kanë bërë qindin dhe jetojnë mes të tjerëve pa i shqetësuar askush. Për këtë kontingjent kujtohen kur bëjnë krime të rënda. Po ç`ndodh me të arrestuarit me bujë, tam tame, me zhurmë, me propagandë, sikur këtu bëhet nami? Le t`i referohemi vetëm disa rasteve të freskëta. Njoftim i rëndësishëm i Policisë së Shtetit: Goditet shtabi drejtues i Bashkisë së Lezhës. Akuza: Kanë privatizuar e tjetërsuar troje në vijnë e ujit. Drejtuesit dhe kryetari në burg. Dhe vijon seriali. Lirohet i pari. I dyti. I treti, i katërti. Nga qelia në detyrim paraqitje. Nga detyrim paraqitje, arrest në shtëpi. Në fund? U mbars mali, populli një mi. U ndaluan për trafik narkotikësh dhjetë persona. Lexohet një listë e gjatë, shumë e gjatë. Një ditë më pas, kokoshi bëhet një thelë. Tjetër komunikatë e rëndësishme e policisë. Drejtorja e Fondacionit “Besa” përmes mashtrimit me kreditë në bashkëpunim me një numër jo të vogël specialistësh, kanë përfituar miliona, duke vjedhur klientët. Vjen lajmi bombë. Në Tiranë u arrestuan 15 biznesmenë. Të përfshirë në një skemë informale të përfitimit me dokumenta të falsifikuara me TVSH-në. Sqarohet edhe mekanizmi që ndiqnin biznesmenët, të përfshirë në këtë skemë. Tregohen cilët ishin përfituesit. Format që ndiqnin. Një histori e përsëritur periodikisht. Ndodh nën hundën e tatimorëve. Para syve të një ushtrie të tërë auditesh, të brendshme e të jashtme. Gjithnjë biznesmenët ia kanë arritur t`ua kalojnë miun nën mustaqe atyre që e kanë për detyrë të parandalojnë skenare të tilla, që janë pothuaj të njëjtë në kohë të ndryshme. Ndryshojnë vetëm sektorët dhe individët që përfshihen. Bile, rastet pararendëse i njohin skemat dhe zbatojnë të njëjtat metoda. Një ditë pas arrestimeve të bujshme, pothuaj gjykata e shpoi tullumbacen. E shfryu policinë. Gjysma e biznesmenëve shkuan të shtëpi. Atyre u “takon” t`u kërkohet ndjesë për shqetësimin për prishje imazhi. Arka e shtetit duhet t`i dëmshpërblejë, siç ka ndodhur me shumë persona VIP, që edhe pse u vidhet banka mbeten pa asnjë pickim. Përkundrazi marrin gjysmë milioni dollar dëmshpërblim. E njëjta edhe me pronarët e urbanëve të linjave në Tiranë. Bosët u dërguan në shtëpi. Fajtorë mbetën vetëm fatorinot! Edhe ata duhen dëmshpërblyer. Me këto peshqeshe cili nuk do pranonte të vihej nën akuzë?! Tek e fundit asgjë nuk do humbiste. Përsëri theksojmë se mes arrestimeve dhe dënimeve, ka gjithnjë shpërpjesëtime. Nuk mund të jetë barazim njëqind për qind. Nuk jemi në laborator. Po pyetja që bëhet është: Kur bëhen ndalime për persona të dyshuar, sa janë puthitur dokumentat? Sa janë siguruar provat? A ka një hetim të thelluar dhe progresiv, për t`i gdhendur në dosje faktet dhe për të dërguar pas hekurave ata që meritojnë të ndëshkohen nga ligji?! A nuk do ishte më ligjore, më korrekte, më e pacënueshme kur arrestimet bëhen pasi sigurohen provat e nevojshme pa ngutje? Me faktet, të mos guxojë të luaj askush. Kur ndodh ndryshe atëherë edhe hamendësimet dhe akuzat nga qytetarët janë në kahje të ndryshme. Dikush fajëson gjykatën. Të tjerë prokurorinë. Korrupsionin një tjetër. Dhe dëgjon sloganin e famshëm: “Policia i arreston, prokuroria jep pretencën, gjykata i liron”. Po ku çalon procesi dhe cilat janë shkaqet që arrestimet bëhen lumë dhe në burg mbeten vetëm ca individë të papërfillshëm? Te mungesa e provave të pakundërshtueshme. Hetime të pa thelluara. Arrestime të paargumentuara. Në këto tridhjetë vite, opinioni shqiptar është bombarduar, mëngjes - mbrëmje me lajme, komunikata, lista arrestimesh. Nëse do bëhej një llogari, gjysma e shqiptarëve duhet të ishin në qeli. Po në praktikën e gjykatave tona, në punën e policisë, jo në pak raste mungojnë provat, faktet. Jo rrallë deformohen apo tjetërsohen nga ata që duhet të zbatojnë ligjin. Veç këtyre mangësive dhe punës së paorganizuar sipas ligjeve në fuqi nuk janë të pakta ndërhyrjet për t`i çliruar nga fajet ata që konsiderohen të paprekshëm, persona me imunitet që mbrohen politikisht apo shoqërisht. Shteti ligjor nuk mund të funksionojë me parulla dhe propagandë. Një shtet demokratik, ashtu siç pretendojmë se jemi, duhet të mos udhëhiqet nga arrestime për statistikë. Ato nuk mund të jenë qëllim në vetvete. Kërkohet harmonizimi i hallkave institucionale e ligjzbatuese. Bashkërendim për t`i kopsitur provat para arrestimeve. Ndryshe do ngopemi me lajme për arrestime për bujë dhe në fund do bëhet një vrimë në ujë!

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 06/12/2019 - 07:13

Nuk e njoh së afërmi dhe nuk kam patur asnjë rast të vetëm për t’u takuar ballë për ballë me Elvis Naçin.

Postuar: 06/12/2019 - 07:11

Tërmeti i fuqishëm i 26 Nëntorit që goditi Shqipërinë, me qendër në qytetin e Durrësit, mori shum

Postuar: 06/12/2019 - 07:09

Me thënë të drejtën sapo lexova lajmin “bombë” se Agron Tufa na qenkësh arratisur dhe

Postuar: 06/12/2019 - 07:08

Turi i kryeministrit shqiptar për ndihmë dhe padyshim sensibilizim të miqve, vendeve që na rretho

Postuar: 05/12/2019 - 07:18

Shumë pyesin, përse Enver Hoxha i refuzoi ndihmat e jashtme ofruar për rastet e tërmeteve?

Postuar: 05/12/2019 - 07:16

Për ata qindra e mijëra qytetarët të mbledhur për të drejtat e tyre më 21 janar 2011, zëvendës kr

Postuar: 05/12/2019 - 07:14

Në të gjitha situatat, qeveria ka detyrimin kushtetues të organizojë tërë punët për të drejtuar s