BREAKING NEWS

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh prapaskenat: Marrëdhëniet u normalizuan pas 20 muajsh, ja për çfarë ramë dakord!

Përfundon takimi Hoti-Vuçiç, i dërguari i BE zbardh
x

Opinion / Editorial

Arsimi pas COVID-19

Arsimi pas COVID-19

Pak ditë mësimdhënie në distancë, Matura Shtetërore dhe plotësimi i dokumentacionit janë hapat përmbyllës të këtij viti mësimor. Dhe me eliminimin e problemeve të mbetura nga mësimdhënia online deri në fillim të shtatorit mbyllet viti shkollor 2019 – 2020. Vit që tashmë në historinë e arsimit shqiptar është shënuar si vit i vështirë. Vështirësi që janë përballuar me shumë punë, përkushtim, përgjegjshmëri, aftësi e vlera të larta morale. Parametra që mësuesit i shpalosën pa kursim në kushte shumë të vështira mësimdhënie. Kjo traditë e lindur që me formimin e shkollës së parë shqipe u përcoll nga mësuesit shqiptarë brez pas brezi. Edhe përvoja e fituar në “luftën” COVID -19 dhe reflektimi i lindur në ketë periudhë do të ndihmojnë që arsimi të shikohet në një këndvështrim të ri. Me përvojën e fituar e vizionin e ri duhet të shkojmë drejt institucioneve. Ndërkohë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë para se të arrijmë atje duhet të zgjidhë disa probleme të lëna pezull. Dhe konkretisht: -Udhëzimi nr. 13 duhet të publikohet me ndryshimet e rëna dakord që nga viti i kaluar. Ndryshime që vlerësojnë realisht cilësinë e mësuesit. -Vendimi i Këshillit të Ministrave për transportin e mësuesve sëbashku më pagesën e vështirësinë duhen korrigjuar, sepse pas krijimit të disa zyrave arsimore të reja ka paqartësi te financat përkatëse, megjithëse nuk ka ndryshuar as largësia as vështirësia. -Pagesa e mësuesve me arsim të mesëm pedagogjik e atyre të njëvlershëm me ta është bërë gabim, që me rritjen e pagave në mars 2017 nga disa drejtori arsimore, kur shumica prej tyre bënë pagesë korrekte. Po të veprojmë si ato pak zyra, i bie që paga e këtyre mësuesve të jetë zbritur. Ky korrigjim nuk ka vlerë financiare, ose është e papërfillshme, sepse qeveria pati planifikuar rritjen e pagave për të gjithë mësuesit. Ndërsa kur të arrijmë atje shumë gjëra nxënësit duhet t’i gjejnë ndryshe. Higjiena, distancimi në përgjithësi, numri i nxënësve në klasë dhe gjithë menaxhimi do të jenë në parametra të rinj. Edhe përmbajtja mësimdhënie - nxënie do të kërkojë të tjerë tregues. Aq më shumë kur arsimi ndodhet në një reformë të thellë. Reformë që ka filluar në vitin 2012 dhe ka kaluar në disa faza. Tani po hyjmë në fazën e katërt, atë përmbledhëse. Në këtë fazë që mbyllet në shtator 2021, qeveria ka objektiv: “Bazuar në arritjet që prodhon standardizimi i hapësirës arsimore shqiptare, pritet të integrojë Sistemin Arsimor Parauniversitar në hapësirat arsimore europiane”. Arritja e këtij objektivi do të thotë që të kemi një arsim cilësor. Për këtë duhen parë tri shtyllat në të cilat mbështetet arsimi cilësor. 1-Mësimdhënia cilësore. E që të arrihet kjo duhet të kemi një mësues dinjitoz (pagë normale e kushte të përshtatshme pune). 2-Mjete mësimore cilësore për mësimdhënie. Nuk mund të kuptohet që të ketë klasa pa laptopë e videoprojektor, pa folur për mjete të tjera apo për laboratorët. 3-Ambiente të përshtatshme për mësimdhënie e nxënie. Kjo shtyllë e arsimit cilësor kërkon kujdes e angazhim maksimal të pushtetit qendror e lokal për mirëmbajtje, higjienë dhe një menaxhim në tjetër nivel nga drejtuesit e shkollave. Me kërkesat e pas pandemisë shumë shkolla nuk mund të hapen, në qoftë se nuk veprohet shpejt. Vështirësitë shtohen kur po hyjmë në një krizë ekonomike. Kjo krizë vjen në një në një kohë vendimtare për arsimin, duke rrezikuar të sotmen e të ardhmen e tij. Duhet bërë e pamundura që arsimi të mos preket nga kriza, në të kundërt reforma arsimore do të dështojë. E po dështoi reforma arsimore kriza ekonomike do të thellohet. Ky fillim shekulli është i arsimit cilësor. Motoja “Arsimi, një e drejtë njerëzore dhe e mirë publike” tregon që arsimi barazohet me kërkesat bazike për njeriun dhe është prioritet i prioriteteve në të gjitha vendet që synojnë progresin. Të mos harrojmë se disa vende të zhvilluara që kaluan në një krizë të thellë para disa viteve nuk e prekën arsimin, ose ishte i fundit që u përfshi në krizë. E ato vende nuk ishin në një reformë jetike siç jemi ne. E kishin kaluar me kohë ketë fazë. Nga mënyra e sjelljes ndaj arsimit në ketë periudhë krize, varet e ardhmja e Shqipërisë.

*Kryetar i Federatës së Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës