BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Opinion / Editorial

Arsyet dhe një fondacion që nuk kemi alternativë, por rrotacion!

Arsyet dhe një fondacion që nuk kemi alternativë, por rrotacion!

Nuk është as sekret, as e dyshueshme, por krejtësisht e pranueshme që në Shqipëri, Soros ka "full fitoren" e vetme në Ballkan dhe pothuaj dhe Europë. Shqipëria është parajsa e zbatimit dhe praktikave të fondacionit të dytë më të madh në botë mbas atij të Bill Gates dhe të shoqes së tij. Praktikisht klasa politike shqiptare është gjeneruar sidomos mbas piramidave, por me veprim hulumtues dhe mbas viteve 1990-të nga Soros. Ky fondacion është në fakt "babai dhe nëna" e transformimit të PPSH-së në PDSH, PSSH dhe shumë të tjera, të cilat bashkë pastaj bëjnë dhe spektrin politik të paracaktuar të aktrojnë majtas dhe djathtas në Shqipëri pluralizmin. Fondacionit Soros duhet t’i jepet merita e madhe e ndarjes së shërbëtorëve nga ish-komunistët fanatikë drejtues, të konvertimit të ish-anëtarëve të leverdisë nga PPSH-ja në misionarë demokracie në media, politikë dhe biznes. Sorosit duhet t’i njihet e drejta e transformimit të kryeneçësisë ideologjike idiote shqiptare në "dashuri po kaq idiote për pasurim" pa pasur as moral, as parime, kurrfarë kombëtariteti dhe as zbatim ligji si pasojë e mbështetjes në njerëz të mungesës së ndershmërisë. Mjaftoi për të kapur në fillim disa që dinin anglisht apo dhe që kishin pasur lidhje që nga koha e tregtisë së jashtme, mbarimit të shkollave jashtë në kohë diktature dhe të artikulimit të mirë intelektual që fondacioni t’i bënte korifenj të demokracisë dhe shoqërisë së hapur të cilën të tillë levendë e kthyen në shoqëri të mbyllur për fitimet e tyre dhe të shpartalluar për zbatim të ligjit. Ai që ju bind në fillim dhe pastaj ju rebelua, por dhe më vonë fëmijët e bënë të rrijë urtë ndaj Soros është Berisha, i cili sigurisht që do të bëhej njeriu që do kishte inate me të vetë. Po, por do t’ia linte trashëgim partinë njerëzve të fondacionit Soros me në krye Lulzim Bashën dhe një tabor përpara dhe pas tij në PD. Po po me emrin “Demokratike” si në USA, por medemek konservatore (djathtas) si republikanët po në USA. Imagjinoni pastaj socialistët që e mbajnë veten për progresistë të së majtës europiane dhe Rilindisët e Mjaftistët apo 99-të istët se çfarë mrekullie sorosiane janë në Shqipëri. E për më tepër qindra organizata të mbështetura nga Soros dhe paguara nga fondacioni që kanë thyer plotësisht jo vetëm krahët politikë majtas djathtas në Shqipëri, por kanë prishur gjënë kryesore ose alternativën e ndryshimit të pushtetit. Sikundër e pranojnë në lidershipin sorosian të PD-së ata nuk duan "alternativë pushteti", por duan rrotacion pushteti dhe kjo mjafton për të kuptuar se nuk kanë asgjë ndryshe nga miqtë e tyre të "deklaruar" kundërshtarë politikë që janë Rilindisët. Janë bordet më të rëndësishme në Shqipëri që janë mbushur me sorosianë dhe janë mediat të mbushura me shërbëtorë të fondacionit, janë borde bankash, drejtimi kulturor dhe organizativ e universitar dhe janë mbushur bashki e arti e kultura me të tillë tipa që i shërbejnë vetëm "globalizimit" dhe "botës së lirë" pa u menduar dhe pa i shërbyer një herë të vetme Shqipërisë dhe shqiptarëve. Sigurisht të kritikosh të tillë levendë dhe aprofitatorë e të korruptuar pushtetesh të përhershme të thonë - populist. Por ndërkohë që një pjesë e mirë e atyre që njohin këtë tarikat mashtruesish dhe armiq realë të demokracisë dhe ligjit të zbatuar në Shqipëri tentojnë t’i zbulojnë një shoqërie retro se ky tarikat është anti kombëtar në thelb dhe anti demokraci në parim. Soros thotë kështu në batutat e tij: Në veshjen si operator i tregut, nuk më kërkohet të preokupohem për pasojat e operacioneve të mia financiare. E sigurisht ky është një nga parimet e qarta të të gjithë mënyrës së madhe të administrimit, por sidomos të prodhimit kudo ku hyn ky fondacion, të njerëzve të rinj të "operacioneve të tilla" që nuk njohin asgjë përveç fitimit dhe tregut. Pastaj fjalët e bukura të "shoqërisë së hapur" janë patjetër një mbulesë e rëndësishme me parime demokracie që sigurisht i bën mirë vetëm njeriut të fuqishëm dhe fondacionit të madh të tij. Gjithsesi ai urrehet nga shumëkush në botë. Prandaj përpara disa kohësh në një intervistë tha: "Për mua, paraja përfaqëson lirinë dhe jo fuqinë". Paratë i dhanë Soros lirinë për të bërë dhe thënë atë që i pëlqente dhe gjithashtu lirinë për të mos u shqetësuar për atë që të tjerët thanë dhe menduan për të. Por tani që ai është 87 vjeç dhe që gjithçka është thënë për të, ai pranoi se filloi të shqetësohej: "Unë jam bërë pak më i shqetësuar për imazhin tim, sepse është shqetësuese që ka shumë nga ato gënjeshtra që qarkullojnë atje jashtë. Nuk jam i lumtur që kam kaq shumë armiq. Do të doja të kisha më shumë miq”. Soros thotë i qartë se: Jemi fuqia dominante, e kjo na imponon përgjegjësi për t’u okupuar efektivisht për mirëqenien në botë. Po pra intervistë me David Branaçio në 2003-shin. E nga kjo kuptohet se në çfarë lartësie ai lëkundet duke shkuar atje ku fuqia barazohet me zotin. Kjo është plotësisht e qartë dhe në dukje një frazë e mirë, ka të bëjë praktikisht me arrogancën e pasurisë që të bën të lirë të dominosh botën, biles dhe të merresh me mirëqenien e saj. Sot teoria e sidomos tij mbi globalizmin po keqpërdoret dhe njëkohësisht po kundërshtohet dhe padyshim rrëzimi si spekulator i bankës së Anglisë në të mërkurën e zezë në vitin 1992 ka mbetur si hije biografike. Një super inteligjent i praktikave financiare, Soros u tregua dhe super ekulibrist i mbështetur politikisht nga e majta apo Partia Demokratike Amerikane, për të cilën ai ka qenë gjithmonë një donator i madh. Soros ka pasur një farë zhgënjimi nga presidenti Obama dhe afërsia më e madhe e tij është me zonjën Klinton. Soros në një intervistë i tha gazetarit të New York Times se Obama është "në realitet" "zhgënjimi i tij më i madh". I nxitur nga një ndihmës, ai menjëherë e korrigjoi veten, duke thënë se nuk ishte i zhgënjyer nga presidenca e Obamës, por nga fakti që ai nuk ishte i përfshirë nga Obama për çështje financiare dhe ekonomike. Pasi u zgjodh Obama, "ai më mbylli derën", tha Soros. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2016, Soros kontribuoi mbi 25 milionë dollarë në fushatën e Hillary Clinton dhe kandidatëve të tjerë demokratë. Ai gjithashtu tha se u takua me Trump rastësisht dhe darkoi me të disa herë, rreth 30 vjet më parë. "Nuk kisha ide se ai kishte ndonjë ambicie politike", pranoi ai. Trump gjithashtu u përpoq t'i jepte me qira një nga ndërtesat e tij: "Unë i thashë atij se nuk mund ta përballoja atë", kujton Soros. Për Trump, edhe gjatë një interviste me Neë York Times, Soros përdori fjalë shumë të ashpra, duke thënë se kishte shumë frikë se Trump do të preferonte "të hidhte në erë botën, sesa të pësonte një pengesë për narcizmin e tij". Por ai tha se ishte i lumtur që Trump vendosi të shkojë në Korenë e Veriut. "Unë mendoj se rreziku i luftës bërthamore është zvogëluar shumë dhe ky është një lehtësim i madh". Sigurisht që Soros ka rëndësi të madhe në Shqipëri. Politikisht fondacioni tij është determinant për ngritjen apo uljen politike të individëve dhe partive. Në dukje, janë kancelaritë, por në të vërtetë "fondacioni" është arsyeja bazike e pushteteve në Shqipëri. Në Shqipëri ka pluralizëm sorosian, mes atyre të vjetërve dhe të rinjve, mes miqve të plakut dhe të riut në dinastinë Soros. Arsyeja pse nuk duhet të kemi alternativë duhet gjetur te fondacioni Soros. Ai ndoshta "pa dashje" ka pllakosur vertikalisht dhe horizontalisht klasën politike shqiptare relevante dhe me aksione të mëdha politike. Edhe në drejtësinë e Sali Berishës që dukej sikur ishte një folklorizëm tipikisht Berishian kishin hyrë "sorozionologët" e drejtësisë. Vetë teoritë e një "sorosiaologjizmi" shqiptar, krejtësisht autentik dhe marrëzisht i korruptuar për faj të karakterit tipikisht shqiptar janë që "njeriu ynë i ri" i PPSH-së të triumfojë në PS, PD, LSI dhe kudo. Aty të djathtë që u gënjyen nga antikomunizmi i shprehur në fjalë, nuk kanë bërë asgjë tjetër kur kanë qëndruar me të tillë post komunistë përveç faktit të shërbimit të përjetësisë politike të atij themeli politik të vendosur me 8 nëntor 1941. Sot ata sigurisht nuk janë as komunistë, as post komunistë dhe as majtistë. Sot janë tipikisht rrufjanë dhe spekulatorë me demokracinë dhe shtetin ligjor. Janë thjesht shkatërrues të lirisë dhe demokracisë shqiptare. Në fakt i kanë dalë jashtë dhe fantazisë së Sorosit. Po po, kanë kaluar çdo fantazi të fondacionit "Shoqëri e hapur", e cila kërkonte njerëz të shërbimit të tillë, por jo kaq shumë të zellshëm, kaq shumë mashtrues dhe kaq shumë maskarenj për vendin e tyre. Absolutisht kjo nuk ju kishte shkuar nder mend dhe tani mundohen që t’i korrigjojnë disi, por që realisht nuk do të munden të bëjnë asgjë. Prandaj po e mbyll me fjalët e një "miku ideator" të Sorosit si Karl Popper që thotë: Shteti është një e keqe e nevojshme, por fuqitë e tij nuk duhet të rriten përtej të nevojshmes. Tani kjo duhet kuptuar qartë nëse mungesës së pluralizmit, alternativës, krahut politik Soros dhe fondacioni në fjalë, do t’i bëjë rrotacion apo nuk do të jetë dakord dhe do të gjejë - alternativë. Praktikisht fajtor për një gjendjeje të tillë absurde në Shqipëri është dhe veprimtaria e tij, që padyshim i bie ndesh dhe të "bekuarës" shoqëri e hapur. Kjo e jona mbushur plot e për plot me sorosianë shpesh herë folklorikë dhe sorosianë super aktivë tashmë është një shoqëri e mbyllur, plotësisht e mbyllur deri në marrëzi.

Por nuk duhet habitur shumë kaq shumë. Konfuci thotë: Shteti është si një shllak (thes gome për nxjerrje uji nga pusi) dhe populli është uji. Natyra e këtij të fundit është të marrë formën e qeses apo gomës, enës apo çfarë do gjëje tjetër që mbushet me ujë. E këtë e dinë dhe ata që ndërtojnë në Shqipëri - shtetin.