BREAKING NEWS

SPAK para “provës së zjarrit”, avokat i njohur paralajmëron arrestimin e Edi Ramës, ja aferat ku dyshohet se është përfshirë kryeministri

SPAK para “provës së zjarrit”, avokat i njohur
x
BREAKING NEWS

Idajet Beqiri: Si e ngriti Flamur Noka mini-fabrikën në Greqi me valixhet me euro nëpërmjet dy njerëzve të tij të besuar nga Kukësi dhe Fieri që përfunduan në burg, ja detajet nga afera e madhe që ndodhet në duart e SPAK

Idajet Beqiri: Si e ngriti Flamur Noka mini-fabrikën në Greqi me
x
BREAKING NEWS

Ja pse Grenell është lidhja e dyshes Berisha-Meta me Edi Ramën, si po i varin shpresat tek njeriu i Donald Trump për të shpëtuar nga sanksionet e SHBA duke shitur ishullin e Sazanit, Evi Kokalari nxjerr detajet e forta

Ja pse Grenell është lidhja e dyshes Berisha-Meta me Edi Ramën,
x
BREAKING NEWS

Richard Grenell konfirmon pazaret Rama-Berisha për ishullin e Sazanit, ja detajet e marrëveshjes me dhëndrin e Donald Trump

Richard Grenell konfirmon pazaret Rama-Berisha për ishullin e Sazanit, ja
x
BREAKING NEWS

Edi Rama pazare të pista me Vuçiç dhe Grenell për të ringjallur idenë e copëtimit të Kosovës, media gjermane plas “bombën”, ja çfarë fshihet pas investimit të dhëndrit të Donald Trump në ishullin e Sazanit

Edi Rama pazare të pista me Vuçiç dhe Grenell për
x
BREAKING NEWS

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja çfarë përmban marrëveshja e Edi Ramës me “Rithemelimin”, nga shkatërrimi i SPAK dhe rrëzimi i ligjit të dekriminalizimit, te ngritja e komisionit anti-reformë

Gati lirimi i Sali Berishës dhe Jamarbër Malltezit nga burgu, ja
x
BREAKING NEWS

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti Bajram Begaj, te Xhaçka dhe Belinda Balluku, zbardhen shkeljet e rënda penale për interesat e oligarkëve, si u vendos në rrezik siguria kombëtare, operacionaliteti i Forcës Detare dhe detyrimet...

Ja çeta e grabitjes së pronave të ushtrisë, nga presidenti
x
BREAKING NEWS

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të suksesshëm Taulant Balla, policia mbledh gëzhojat e ekzekutimeve

Katër atentate e plagosje në katër ditë ministrit të
x

Opinion / Editorial

Artan Fuga/ “Dashnorja e fundit”? Hajde të gjesh kuptimin

Artan Fuga/ “Dashnorja e fundit”? Hajde të gjesh kuptimin

ARTAN FUGA

Pogradeci dhe rrethinat e tij përbëjnë jo vetëm një zonë bukurish të rralla gjeografie, por edhe një trevë perlash kulinarie. Sepse kultura e një popullsie tek ushqimi që përdor dhe gatuan duket në radhë të parë në jetën e përditshme. Njerëz të mishit, por po aq edhe të peshkut. Të të kripurave, por edhe të të sheqerosurave. Klimë e ftohtë Pogradeci, sidomos në dimër. Njerëzit kanë kërkuar energji ushqimore për të tretur dhe çliruar kalori. Njerëz të mishit të viçit, por edhe të gicit me famë. Të gjitha larmitë kulturore, fetare, të shijeve, i gjen atje.

Duke dalë nga hoteli aq i rehatshëm, modern, i pastër, “Pogradeci 2”, ku kam qëndruar bashkë me miqtë e mi të huaj, dhe shkuar në drejtim të qendrës të qytetit, sapo del nga Voloreka, mbi tabelë e shkruar me pirografi, mbi dru të errët, lexon: Restorant “Dashnorja e Fundit”.

 

 

Pamje nga liqeni i Pogradecit

 

Sa e fillon shëtitjen e mëngjesit, nis e vret mendjen se çfarë kuptimi ka logoja: “Dashnorja e fundit”? Hajde të gjesh kuptimin, se cila është lidhja midis një restoranti buzë gjolit dhe një dashnoreje! Apo sepse dashnorja donte që ta çosh në restorant? Apo se mos dashnorja në fjalë ka qenë kameriere?! Kushedi!

 

 

Pastaj nis hapat buzë gjolit dhe pyetjet vijnë me furi: Çfarë kuptimi ka togfjalëshi “dashnorja e fundit”? “E fundit”, në kuptimin e asaj që pas asaj, njeriu nuk kishte më dashnore? Apo që ajo që vjen e fundit në një çast kohe në radhën e gjatë të tyre? Ky koleksionist dashnoresh! Kushedi se çfarë drame ka pasur ai që i ka vendosur atë emër atij restoranti. Vetë hyrja e restorantit është shumë misterioze. Disi e errët. Në fakt, restoranti nuk funksionon prej vitesh. Është e rrënuar edhe hyrja e tij. Vetë emri i ka paracaktuar edhe fatin e dështimit. Ka dramë në logon “dashnorja e fundit”. Diçka nga mbarimi, ka tragjedia, nga përmbyllja totale.

Por, përpos kësaj logoje tragjike, kupton shpejt se Pogradeci i ka pasur zonja gratë në kulturën shtëpiake, veçanërisht në gatim. Gatimi është mbi të gjitha një çështje filozofike, sepse krijon harmoninë midis burimeve natyrore të të jetuarit, artit të njeriut për të krijuar margaritarë në pjatat e stolisura, si edhe në lidhje të fuqishme me organizimin e njeriut dhe nevojat e shijet e tij.

Sikurse e theksuam, pogradecarët kishin arritur sidomos dy shekujt e fundit, deri aty nga vitet ’60 të shekullit të kaluar, të kishin ngritur në mënyrë monumentale kulturën e një qyteti buzë gjoli. Bashkëjetonte urbanizimi me gjolin si estetikë, si mjedis, si marrëdhënie e njeriut me natyrën, si formë riprodhimi urban që ndikonte edhe psikologjinë kolektive të pogradecarit: e pastër si uji i gjolit, e sinqertë si transparenca e ajrit, e drejtpërdrejtë si peshkimi i bollshëm në ujërat e ëmbla, e butë në dukje, por e vendosur, si ky diell që ndrit e shkëlqen atje dhe të duket se digjet i butë nga freskia e ajrit.

Atë kulturë qindravjeçare urbane që e rrafshoi komunizmi. E vërteta është se nga Pogradeci i shekujve të kaluar kanë mbetur pak gjë, disa farëra, që i gjen me kujdes dhe dëshiron të rriten. Mendoj se atje gjendet e ardhmja e atij qyteti. Jo te betonizimi si në Sarandë a në Vlorë, mos o Zot si në Tiranë! Pogradeci duhet të ringrihet mbi traditën e tij sikurse Korça, jo të bëhet krejtësisht tjetër.

Të paktën kjo është bindja ime. Unë mendoj si pragmatist në filozofi, që e kaluara afatgjatë, pra, përvoja, ka një mijë herë të drejtë mbi të sotmen. E kaluara është e verifikuar, kurse e sotmja, nëse nuk është vazhdim i së kaluarës në kushtet e reja të kohës, rrezikon të jetë jo vetëm shkatërrimtare, por edhe një ndërtim i dobët.

Vilat buzë liqenit, që erdhën deri në vitet ’70, besoj, ishin një mrekulli urbane, që mund ta kishin pasur zili qytete me famë në Europë. Dykatëshe, me tulla të kuqe, që të kujtonin shtëpitë londineze apo belge, ku dallohej përbërja e hekurit në shkëmb. Me dritare të gjata. Me një ballkon që dilte mbi gjol. Përballë lundronte një varkë e shtëpisë. Kati përdhes me një korridor që përfundonte në një derë prej xhami, me katrore metalike dhe që të nxirrte buzë gjolit. Pinin kafen alla-turka zonjat mbi ballkon. Te bregu i liqenit parkuar një varkë me lopata jo për të shëtitur mbrëmjeve mbi gjol nën dritën e hënës, por për të peshkuar.

mullar

Ajo varkë me lopata ishte vetura e asokohe e pogradecarit të fuqishëm dhe punëtor. Pa karburant, por me forcën e krahëve. Pa gazra ndotës, por që pllaq-plluq, njeriu i shtonte tinguj elegantë mbi ujë zhurmave të natyrës.

Dilte bandilli nga shtëpia kur nuk kishte shkuar në mërgim, gjuante koranin – peshkun e famshëm, mbretin e peshqve, dhe ia sillte zonjës ta gatuante, si dinte ajo nazelia.

Trëndafilat në bahçe. Në mal, parcela me vreshta, pemëtari, etj. Kosheret e bletëve me nam të Pogradecit dhe të zonave përreth.

Një qytetërim ku familja ishte pothuajse autonome nga shteti, madje disi edhe nga shoqëria. Unë gjithmonë kam menduar se një lloj kryeneçësie e shokëve të mi të rinisë nga Pogradeci vinte nga mënyra e tyre e jetesës e një qyteti, që ishte kthyer me fytyrë nga gjoli. Ishte kthyer nga natyra, peshqit, duke i kthyer shpinën beut, pushtuesit, totalitarizmit, sekretarit të partisë a çdo pushteti tokësor. Prandaj edhe e fshinë nga faqja e dheut atë qytetërim, ku individi është i punësuari i vetvetes, i vetmi qytetërim, i pronarëve të vegjël, ku liria e individit ka kuptimin e një pavarësie pothuajse tërësore të gjithkujt nga të tjerët.

Ku mund ta pranonte totalitarizmi këtë mënyrë jetese, që prodhon pyetje: “Ce bre?”

Shoh me admirim monumentin e Pojskës, ku djem pogradecarë dhanë jetën për çlirim, duke ngritur pritë mbi nazistët dhe mendoj se për ta fjala liri dhe çlirim ndofta kishin kuptim të njëjtë.

Kudo gatuhet korani sot në kuzhinat pogradecare të hoteleve dhe restoranteve të turizmit. Por, edhe peshk tjetër. Aty te kanali në Tushemisht, te një lokal i qetë mes lulesh dhe pemësh, që varin degët e tyre drejt ujit, “Qetësia”, korani noton si nëndetëse krenare në ujin e ëmbël duke bashkëjetuar me rosa të mëdha që qëndrojnë në çifte, apo edhe me zogj të tjerë lundrues, emrat e të cilëve nuk i mësova që nuk i mësova dot. Sa specie ka natyra dhe sa pak fjalë ka për to njeriu!

Duke mbajtur në mendje emrin e restorantit të mbyllur “Dashnorja e Fundit”, duke parë çiftet e zogjve dhe peshqve në një bashkëjetesë në kanalin e Tushmishtit, pyes veten: Kush e ka bërë kështu që individët e specieve të ndryshme nuk kryqëzohen seksualisht mes tyre, edhe sikur të jenë specie të afërta me njëra-tjetrën. Pi kafen e shijshme dhe kundroj pemët që varen mbi kanal, koranët që duken si nëndetëse të zeza nën ujë, si edhe fluturimet mbi ujë dhe pastaj zbritjen në ujë si avionëamfibë të zogjve madhështorë, në ngjyrë të bardhë. Ngjajnë si avionë gjigantë prej gjasme.

Zonjën e fisme të restorantit “Te Koçoja” e kam fanse të faqes sime në “Facebook”. Kurse i shoqi, Koçua pra, edhe ai aty afër të gjashtëdhjetave, thotë se merret me gjëra serioze, nuk i jepet për “Facebook”. Pogradecar që sheh qetësisht punën e tij, ma ka bërë të qartë qysh më parë, që atij i intereson kryesisht mbarëvajtja e restorantit të tij, ku ai ka angazhuar veç gruas, edhe djalin që një sy e ka mbi kamerierët, por po ashtu vigjilon mbi kujdesin ndaj klientit dhe aspekte të tjera.

Të zonjën e lokalit e pyeta nëse mund të më gatuante tre lloje lakrorësh pogradecarë, me mish e qepë, me kungull dhe me djathë. Sa edukatë pashë në sjelljen e saj. E nderon klientin, e trajton si mik, si thuhet në marketing, bën çmos ta personalizojë marrëdhënien me klientin. Personalizim që në kulturën e mençur pogradecare ka ardhur shumë kohë përpara se sa përdorimi i web-it për marketing.

Sikurse çdo gjë e fisme, edhe lakrori me famë i Pogradecit, ha dhe vdis, do pak mund që ta kesh në pjatën tënde. Jo ndonjë stërmundim kushedi se çfarë, sidoqoftë! Sepse duhet porositur pak përpara lakrori i famshëm, në restorante, përndryshe del pa gjë. Duhet një kohë për t’u pjekur në saç. Lakrorin e shijshëm, me petë të trashë, e tregtojnë edhe byrektoret në qytet. Unë që kam vesin për të ngrënë duke ecur dhe për të blerë si fëmijë gjëra të shijshme, që shoh në vitrina byrektoresh, ëmbëltoresh apo marketesh, e shijoj më shumë një lakror të mbështjellë në një letër të pastër, valë të sapodalë nga furra.

Për një qytet turistik si Pogradeci, fakti që turistët ushqehen në kontekstin lokal, është një bekim për bujqësinë, blegtorinë, dhe industrinë e përpunimit të produkteve ushqimore. Nëse popullsia e qytetit do të shtohej nja dhjetë a më shumë fish përgjatë muajve të verës, përse jo edhe gjatë gjithë vitit, kjo do të bënte të lulëzonte e gjithë ekonomia e zonës. Mjalti i Pogradecit, reçelrat e bëra me frutat e zonës, qumështi dhe nënproduktet e tij, peshku e kështu me radhë. Çfarë kuptimi do të kishte atëherë që popullsia rurale të vinte në qytet, kur atje ku banon dhe ka pronat e veta, do të ishte furnizuesja e qytetit me produkte ushqimore?! Përse djali nga fshati do të vinte për t’u bërë e shumta shitës uturakësh plastikë në qytet, ndërkohë që mund të ishte bletërritës i suksesshëm në fshatin e tij pak kilometra më larg?

Sa ngjitesh në qafën e Thanës, ndien se nga malet burojnë e vërshojnë ujëra të bollshme. Kudo lavazhe. Edhe në Pogradec shumë lavazhe. Te një i tillë shkoj edhe unë në Tushemisht. Sapo kthej veturën për të hyrë në cepin e tokës, ku mund të parkoja, lavazhisti më jep të njohur:

“Jemi miq në ‘Facebook’!”.

“Sa mirë!”,-i them.

Më tregon se ka biznesin e lavazhit. Por, luan edhe një rol si qendër informacioni turistik. Sa jam aty, vijnë dy turistë dhe e pyesin nëse njeh dikë që mund t’u shërbejë si shoqërues me veturën e tij deri në Ohër. Djaloshi i telefon dikujt. Dy dhoma të shtëpisë aty ngjitur jepen me qira. “Po ajo arë aty?”, e pyes. “Është kopshti ynë”, përgjigjet. Më shpjegon se jeton vetëm me të atin, i cili është minator në pension. “E ka qejf pemëtarinë dhe bujqësinë”, – tregon djaloshi. Ndërkaq shoh se çfarë ndodh. Turistë të ndryshëm vijnë për të blerë domate të freskëta, patate, rrush. Ftohen të shkojnë t’i mbledhin vetë në arë, produktet peshohen dhe gjithçka shkon për bukuri.

Tregti nga më modernet, që bëhet vetëm në qytete luksoze me popullsi shumë tekanjoze. E po ja, në Pogradec mund ta bësh gjithashtu!

E ka menduar mirë djaloshi, kompleks i thjeshtë, modest, i një ekonomie që është bazuar te pluraktiviteti ekonomik. Edhe bujqësi, edhe informim, edhe ekonomi shërbimesh. Ka pompë të fuqishme për larje veturash djaloshi. Më vonon, sepse është nikoqir e pastërtor si një amvisë. Vetura ime e vjetër ndriçon si nuse e re. Nga brenda dhe nga jashtë.

Ja modeli i ekonomisë të zonës që mungon. Turizmi liqenor duhet të ketë zgjatime si turizëm agro-rural, po ashtu ekonomia bujqësore dhe peshkimi duhet të jenë plotësa të industrisë të turizmit.

Nuk sheh peshkarexha mbi liqen. Në qytet, disa tregtarë të lodhur paraqesin produktet e tyre në trotuar aty përballë ish-kampeve të punëtorëve, ushtarakëve, etj., që sot janë hotele. Pa asnjë kusht higjenik. Duhet ta dashurosh fort Pogradecin, që të pranosh të blesh fruta dhe perime te tregu i pisët i qytetit. Çmimet janë të ulëta. Ti nuk mund të dish se ku janë mollët dhe dardhat e famshme të Pogradecit. Ku janë punishtet që do të përpunonin reçelrat e shijshëm të zonës. Qyteti i Pogradecit duket sikur ka turp nga fshati, nga bujqësia, nga blegtoria, nga peshkimi.

Në vend që, pikërisht, kur ka turistë të promovojë produktet e tij, t’u bëjë reklamë.

Kam parë se çfarë bëhej në një qytet midis Polonisë dhe Bjellorusisë për ta promovuar markën e tij. Gjithçka lidhej me bizonët që ndodheshin në një pyll aty pranë. Bizoni kudo. Sa ishin? Nja dhjetë bizonë gjumashë, që dukeshin si kafshë parahistorike. Po të kisha qenë kryetar bashkie në Pogradec, gjithçka do t’i vija logon e koranit. Edhe vulën e bashkisë do ta kisha me një koran – mbret i peshqve.

Sapo të hynte në qytet, turisti do të ndeshej me një monument të madh të një korani.

Pimë verën pak të athët, të hollë, me aroma druri pogradecar dhe mendojmë ku prodhohet ajo? Hiç! Asnjë informacion. Sa i lumtur do të kishte qenë turisti t’i vizitonte punishtet.

Duket sikur produktet e pemëtarisë, blegtorisë, bujqësisë në Pogradec, dalin nga liqeni si me magji. Asnjë mundësi për vizitorët të dinë se ku janë bazat ushqimore të qytetit dhe çfarë bëhet me to.

Miqtë e mi të huaj më tërheqin drejt fshatit Tushemisht. Nuk e di se përse u pëlqen aq shumë të shkojnë atje. E kanë zbuluar bukurinë e tij të sotme përpara meje.

Rruga kryesore e fshatit që të çon drejt qendrës së tij, është me kalldrëm të rregullt. Plot ndriçim natën, derdhur si një vello e verdhë nga llambadarë që rrezatojnë një dritë të butë. Të duket sikur je në universin e Harry Poterit. Tek oborri i një shtëpie, afër një baseni me ujë me buzë betoni, qëndron mbi një platformë të vogël, monumenti në përmasa thuajse reale i aktores së madhe Violeta Manushi, në rolin e personazhit të Ollgës, Zonjës nga qyteti. Zonjë e madhe Ollga, por zonjë e madhe edhe Violeta Manushi. Ollga dhe Violeta nuk ndahen më dot nga njëra-tjetra. Fshati e nderon aktoren e teatrit dhe personazhin e saj si të ishte një monument i shenjtë. Çfarë do të kishte bërë komuna e Tushemishtit, e këtyre njerëzve që e nderojnë aktoren, që ka xhiruar filmin e vet të njohur nga të gjithë në fshatin Tushemisht, për ta mbrojtur ndërtesën e vjetër të teatrit, që Bashkia e Tiranës me dell shkatërrimtar, kërkon ta rrafshojë! Ajo, Violeta, erdhi aty se ishte Tushemishti, por Tushemishti sot është ai që është për shkak edhe të Ollgës, kësaj zonje nga qyteti, që fati si personazh në teatër e hodhi në këtë fshat, duke ndjekur pas vajzën e saj Melkën.

Ku komuna e Tushemishtit, që nderon teatrin me traditën e tij dhe e lartëson estetikën e tij, ku Bashkia e Tiranës, që nuk dihet se përse i ka hipur në kokë të vejë buldozerin e Lezes, Teatrit Kombëtar, atë ndërtesë, ku veç aktorëve të tjerë të mëdhenj, ka luajtur edhe Violeta Manushi.

Lezja kundër Violetës

Lezja kundër Ollgës.

Bota e allishverisheve dhe bota e kulturës!

Sa larg njëra-tjetrës!

Aty djathtas, një shtëpi disakatëshe, edhe hotel, edhe restorant, ngrihet anash vijës të ujit që zbret nga larg, nga burimet e malit, dhe shkon në liqen. Hoteli dhe restoranti mbajnë emrin “Shtëpia e Teto Ollgës”. Nuk ka turist të huaj që kalon andej dhe të mos pyesë: Cila ka qenë kjo grua, themeluesja e fshatit? Përulen përpara traditës të teatrit, që i ka dhënë famën, pasurinë, aktivitetin kryesor tregtar, turizmin, këtij fshati ! “Po, po,-u them,-është e shenjta e fshatit, totemi mbrojtës i tij, veç fat i ka dhënë fshatit”, por mendjen e kam gjetiu, atje tek po shoh të vijë buldozeri dhe bërë masakrën urbane mbi ngrehinën e sotme të Teatrit Kombëtar.

“Po me teatrin çfarë patët more të uruar?!”

Kamerierët, vajza dhe djem të rinj, janë si flutura. Të mirëpresin qysh te holli dhe të shoqërojnë gjithë mirësjellje të sinqertë pogradecare, pakëz naive, deri te tavolinat e drunjta me stola po prej druri.

Në Pogradec, petulla të fshira quajnë ato që unë jam mësuar t’i quaj krepa, ose palaçinka. I qajnë fare. “Si i dëshironi?”, pyet Donaldi, me master në inxhinieri, kamerier në kohën e verës, “me akullore, me nutella, me mish gici ose viçi”, etj. Petullat e fshira mbështjellin ushqimin që kërkohet nga klienti dhe bëhen si tuba. Të lëpish duart. Te “Shtëpia e Teto Ollgës” shërbimi bëhet shpejt dhe me saktësi. Ke rastin që gjellët e shijshme t’i shoqërosh edhe me kulaç, nëse ai nuk ka mbaruar. Vera e kuqe vjen e hollë, me aromë dhe pak e athët. Tamam për ta tretur koranin apo mishin e gicit a të viçit.

Petullat e fshira, sikurse dhe lakrorin, duhet t’i porosish që më parë, sepse kuzhinat pogradecare si vështirë t’i përgatisin në çast. I japin rëndësi ritit.

Por çfarë e do? Pak shi dhe rruga kryesore e qytetit që të çon te “Shtëpia e Teto Ollgës” apo edhe te restorantet e tjerë të fshatit, buzë ujit, me tavolina të nxjerra poshtë yjeve në qiell,përmbytet krejt. Pllaq-plluq nëpër ujë. Zonjushat ankohen për sandalkat e tyre, që u bënë pis. Zotërinjtë i kanë çorapet ujë. Nata pus, as drita. Te vejë tjetri gishtat në sy. Lart hëna përjeton eklipsin e vet. Një dritë e kuqe si gjak vjen që andej. Një pamje apokaliptike. Në trotuare nuk hipën dot, sepse ke frikë nga gropat, që nuk shihen në atë natë. Në xhade kërcënohesh nga vetura, që jo rrallë ecin si të marra. Marrin përpara çfarë gjejnë. Gomat fërshëllejnë në ujë dhe rrebeshi nga presioni përplaset mbi trupat tanë. Jemi bërë qull kokë e këmbë.

“Unë të vij më këtu?!”, por të nesërmen zbutur në bukuritë e natyrës, e harron betimin e darkës. Nga restoranti i hotel “Pogradecit 2”, vjen një muzikë e butë live. Kamerierët lëvizin me të shpejtë sa brenda sallës të restorantit, sa në tarracën me dyer të hapura, sa në kopshtin e ndriçuar me delikatesë të Hotelit.

Uron veten dhe zotin që ke dalë nga një hapësirë që e menaxhon pushteti publik lokal dhe ke hyrë në hapësirën që e menaxhon privati. Por, janë dy hapësira që varen e ndërthuren me njëra-tjetrën. Degradimi i hapësirave publike e dëmton rëndë biznesin lokal. Rëndë fare!

Petullat e fshira nuk duhen ngatërruar me petullat e vërteta. Petullat e vërteta i rinjoha te restoranti i hotel “Pogradeci 2”, kur gjatë mëngjesit, në mënyrë shtesë, kamerierët me sjellje të butë dhe dashamirëse me të gjithë klientët, i sillnin, duke i vendosur në tavolinë së bashku me reçelin e qershisë, ngjyrë të errët, që vinte i shoqëronte.

Po në Tushemisht, atje në atë rrugën me kalldrëm, që natën të jetë përshtypjen se je në ndonjë fshat diku në Europë, krepën me akullore mirë është ta hash te restoranti i hotel “Dantes”, që e kanë djem që kishin pasur emigruar dikur në Itali.

Sado që lokalet janë shtuar, unë, asnjëherë kur gjendem në Pogradec, nuk e humbas rastin për të vajtur tek ish-Hotel Turizmi i vjetër. Të gjithë hallin e kam te bufeja e restorantit. Atje ka ëmbëlsira me shërbet, që vështir se i gjen dot më të mira gjetiu. Sheqerpare, bakllava, kopenkaj si edhe akullore, krem karamel, etj., për të lëpirë gishtat. Gjej një tavolinë të lirë në gjysmë tarracën e lokalit, kthehem me fytyrë nga liqeni dhe meditoj, duke pritur shërbimin. Gjithandej shoh fytyra të njohura, që kanë ardhur për t’u fshehur nga vapa e shëmtuar e Tiranës ose nga vapa e natyrshme e brigjeve të detit.

Askush nuk e ka këtë privilegj si në Pogradec për t’i ikur vapës. Në ditët e vapës të tmerrshme ngado, e lija dritaren e ballkonit të dhomës të hotelit të hapur dhe natën atje më duhej të hidhja jorganin mbështjellë me çarçafë bardhë si bora, që zonjat e pastrimit e kishin futur në dollap. Nga dera e ballkonit të bollshëm hyjnë tingujt e liqenit dhe aroma e shelgjeve bashkë me freskinë e motit.

Miqtë e mi të huaj kërkojnë të lëvizin. Plazhi buzë gjolit nuk u mjafton për të kaluar ditën. Pas tij kërkojnë të njohin zonën.

Vështir se gjen në Pogradec informacion të kollajshëm se çfarë mund të vizitohet atje. E marr vetë çështjen në dorë.

Pushteti lokal nuk e di nëse e kupton që qyteti është disi i mbyllur në vetvete.

Po i merret fryma Pogradecit, mbyllur në ato 500 metra rrugë turistike disi e mirëmbajtur. Qyteti, ashtu sikurse është, ka arritur tashmë kufijtë maksimalë, që mund ta bënin të zhvillohej sadopak. Pa i thyer ato kufizime, Pogradeci është i destinuar të mbetet një qytet rural, që tërheq vetëm disa segmente shumë të kufizuara, të një fluksi turistik, të përbërë nga individë, që u përkasin moshave thuajse të treta dhe që kërkojnë qetësi, fresk, inaktivitet. Ndërkohë që i gjithë ai breg gjoli mbetet ende i patrazuar, i pashfrytëzuar, që sa zbret, përballë fshatit Lin, e deri te dogana, në kufi me Maqedoninë në pjesën lindore të gjolit.

Duket sikur lobitë e qytetit nuk dëshirojnë zgjerimin e aktivitetit ekonomik e financiar të tij përtej atyre 500 metrave të famshëm. Prandaj e kufizojnë hapësirën turistike të qytetit në një lloj pozite monopol, që vjen nga zënia e terreneve me ndërtime, hotele, restorante, ndërtesa për banim. Çfarëdo që vjen të vijë te ne!

Po qe se është kështu, kemi shembullin tipik, që monopoli e bllokon zhvillimin!

Detyra e pushtetit lokal është t’i hapë rrugë konkurrencës së lirë, pa dallime partiake apo klanore, nëse vërtet dëshiron ta justifikojë votën që i kanë dhënë qytetarët!