Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja çfarë thotë kryeministri Rama  

Vizita në Gjermani për të takuar kancelaren Merkel? Ja
x

Opinion / Editorial

Arti që lëngon nga makutëria

Arti që lëngon nga makutëria

Ka një debat përherë të ndezur në lidhje me cilësinë e artit sot dhe mënyrën e të bërit të famshëm. Thënë ndryshe me peshën e talentit në periudhën e konsumizmit, ku gjithçka matet me vlerën e shitjes në treg. Është i njohur fakti se arti i vërtetë, megjithë kufizimet e veta (na vjen mirë ose jo), kulmet i ka pasur në sistemet autoritariste, si në mbretëritë dhe ato njëpartiake. Pikërisht ka qenë një nevojë për të rikuperuar mungesën e lirisë dhe censurën, ka shërbyer si dritare për mijërat, milionat e skamnorëve, për të parë një tjetër horizont: atë të shpresës dhe mirësisë. Arti është rendje drejt së bukurës, drejt përsosmërisë, drejt së virtytshmes dhe megjithë përpjekjet e disave të quajtur “kritikë bashkëkohorë”, nuk mund të hidhet tej vlera e tij edukuese. Teoria e “Artit për art”, mbetet thelbi i dekadencës, i shumëçkaje që s’thotë asgjë. Arti është mision dhe artisti misionar. Dhe kur niset nga prerogative të “këqija”, artisti prapë ndërton kultin e së mirës, pikë për pikë si në Librat e Shenjtë ku tregohet horizonti i dritës, i amshimit. Kjo nuk mohon individualitetin e artistit, përkundrazi e forcon ndjenjën e tij identitare. Talenti cilësohet një e dhënë, por nga kush? Pra, një aftësi që të është ofruar për të përmbushur diçka, një detyrim, për të shërbyer. Ndjenja, përjetimi, dramaciteti është brenda teje dhe ti (artisti) nuk mund t’i shmangesh, ta anashkalosh, t’i kthesh krahët, sepse kjo do krijonte disharmoni, do të shtypte pamëshirë deri në mosekzistencës. Artisti nuk është qenie materiale, por më shumë shpirtërore. Është një ndërthurje e së zakonshmes me uniken. Prandaj ofrimi i disa benefiteve financiare, i një statusi të veçantë nga ana e shtetit, mbetet i patjetërsueshëm për të mundësuar një art elitar, konkurrues dhe me vlera kombëtare. Sepse në momentin kur nevoja materiale (mbijetesa) është në zgrip, arti vdes bashkë me artistin dhe surrogatet shfaqen në “top listë”. Koncepti modern (i tregut) sot është më i “shituri” dhe jo më i “miri”. Nëse teknologjia ka bërë progres gjigant, arti ka regres të paparë, ka zbritur në nivelin e turmës, të rrugës, të vlugut. Kjo mospërputhje ka krijuar një kolaps të frikshëm, ku njeriu “makinë” zhvishet nga çdo ndjenjë, çdo cilësi dhe e kthen gjithçka (madje edhe botën e brendshme) në karburant të rrugëtimit të tij ekstrem drejt së panjohurës. Nuk diskutohet se në kohën e komunizmit, shumë artistë janë dënuar për çështje biografie, për një fjalë goje dhe tek-tuk ka penetruar ndonjë i paaftë për motive aspak artistike. Por kanë qenë kaq fragmentare këto situata sa nuk ja vlen të përmendet. Kishte kërkesë për t’u pranuar në botën e artit. Kjo jo për shkak të ndjeshmërisë së diktatorit dhe klikës në fuqi, por për nevojat që ata kishin, që ta paraqisnin realitetin me ngjyra të ndezura për sytë e Perëndimit. Dhe këtu lipseshin më të zotët dhe jo mediokrit. Këta ta fundit mund të zinin vend në ndonjë “shtëpi kulture” në periferi, në ndonjë institucion si burokrat shkresash apo diku gjetkë. E shumta do ishin figurantë apo në role episodike të dorës së dytë. Në këtë kontekst artistët shquheshin për talentin, jo për fizikun e tyre, militantizmin, bisturinë, silikonin dhe të pasmet e mëdha. Arti pa sens dhe bëmat e artistëve aktualë që shiten për VIP-a janë në disbalancë me të shkuarën, gati të pakrahasueshëm. “Këta” nuk bëjnë art, por kanë para me shumicë, “ata” bënë art, por u ngrysën të varfër!