Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Asnjë punë nuk u prish fëmijëve të shtetarëve tanë, jo-ja franceze!

Postuar: 22/10/2019 - 07:13

Të trishtuar dhe humbës real nga vetoja e francezëve në Këshillin e Europës, ku presidenti Macron doli kundër të gjithëve, janë shqiptarët e zakonshëm. Të gjithë ata që nuk e kanë shkelur kurrë ligjin, ata që nuk kanë ndërtuar pa leje. Nuk kanë zënë copa deti dhe s`kanë vendosur gardhe buzë bregut për të ndërtuar resorte apo pallate për biznes turistik. Që nuk kanë ndërmarrë asnjëherë rrugëtimin si klandestinë. Kush zbaton ligjin dhe është i ndershëm, asnjëherë nuk zgjedh shtigje të paligjshme. Nëse hedhim një vështrim në vitin 1990, a disa muaj para tij, në anije dhe në kufi, të parët shkelën ata që nuk njohën asnjëherë rregullin dhe nuk kanë pyetur për të marrë vizë apo leje nga autoritetet shtetërore dhe kanë vepruar me gjykimin se atë që nuk japin, duhet ta rrëmbesh. Shqiptarët e mirë, korrektë edhe kur shkojnë për vizitë tek të afërmit në Europë, numërojnë orët se mos shkelin kushtet e vendosura për kohën e qëndrimit. Kjo është pjesa më ndershme e shoqërisë, që ligjin e ka mbret dhe rregullin vijë sjelljeje. Kategori të shumta shqiptarësh të Shqipërisë, fermerë, ndërtues, biznesmenë, nxjerrësit e mineraleve, intelektualë të profesioneve të mjekësisë, inxhinierisë, veçanërisht të fushës së IT-së, ata që idhull kanë punën, e shikojnë çeljen e negociatave, një mundësi të artë për të përfituar nga përvoja europiane. Është normale të kërkosh të përfitosh zhvillim, siç kanë bërë tërë vendet para nesh, që e kanë nisur nga nivele më të ulta varfërie dhe problematikash. Kjo kërkesë nuk është baras fitim, favore, përfitim i padrejtë, gllabërim fondesh të taksapaguesve europianë. Po nëse populli i vërtetë, jo ata që vetemërtohen popull, elitat politike, duke qenë në pozicionet më të larta të administratës shtetërore, në kryesimin e partive politike, e donin me gjithë zemër dhe e kanë me shpirt kërkesën për t`u ulur në sofrën e unionit europian, bëjnë sikur u copëtohet zemra për Jo-në. Ata prej vitesh edhe para se të binte perdja e hekurt e të hapeshin kufijtë, kanë qenë në Europë, europianë në mijëra mënyra. Me fëmijët, nipër, mbesa, kunetër, dhëndurë, fis. Me të drejta studimi. Specializime gjithëfarëllojesh. Me shërbime në ambasada e konsullata, që nga Australia e largët e deri në zemër të Europës, Bruksel, Paris, Vjenë, Kopenhagen, Romë, e radhazi nëpër qendrat më të zhvilluara e të përparuara europiane. Ky kontingjent e ka shijuar Europën qëkur ishin fëmijë deri sa u bënë gjyshër. Përfitime falë prejardhjes, lidhjeve me nomenklaturën. Lista e atyre që sot mbahen si baballarë të demokracisë dhe shiten si etër të sistemit të ri dhe zhurmojnë, kanë pasur fatin ta njohin jetën perëndimore së brendshmi. Për ta nuk ka qënë kuriozitet Shën Elize, Kulla Ejfel, Notredame De Paris apo Ora në Londër. Jo pak prej tyre iu është dhënë shansi të vendosin edhe nga një çelës në urën mbi Senë, duke kyçur atje ëndrrat e veta dhe të së ardhmes së tyre, siç bëjnë parisienët kur i japin fund beqarisë dhe duan të shprehin besnikërinë se lidhja e tyre do jetë e kyçur, siç është simbolika e kyçit në kambarët e urës së famshme mbi Senë. Një çelës të tillë e kishte ruajtur edhe presidenti francez Macron për ta vendosur, jo tek ura e Senës për dashuri, po në portën e BE-së, jo për mbajtjen pezull të Shqipërisë. Pikërisht, duke përfituar nga kjo kyçje, një kategori e veçantë shqiptarësh, ata që mbajmë mbi shpinë tri dekada, bëjnë sot të dhembshurin e madh për mos çeljen e negociatave. Të parët që këndojnë këtë këngë janë ish-shtetarë e shtetarë aktualë. Analistë e zëra që kanë bërë kritizerin. Nëse verifikon edhe përciptas, ku gjenden sot fëmijët e udhëheqësve tanë të dëshpëruar nga Jo-ja Macron nuk duhet të jesh njohës i teknologjisë dhe informatikës për kërkime në google. Ta thonë vet shtetarët në krye të piramidës shtetërore të këtij vendi. Ku janë sot fëmijët e Presidentit të Republikës? Ku studiojnë? Këtë na e sqaron Monika Kryemadhi, e cila flet për mund e sakrifica, si i ka sistemuar fëmijët në Londër. Shoqëria e hapur nuk ia privon askujt mundësinë e të drejtën për të studiuar në universitetet më prestigjoze të botës. Kjo është një e drejtë që na e ka dhënë demokracia që në vitin 1990. Dhe këtu nuk është fjala për të privuar fëmijët e shtetarëve as të Metës. Ajo që duam të nënvizojmë është slogani që përdorin të mëdhenjtë e politikës, shtetarët tanë për t`u qarë hallin fëmijëve të Shqipërisë që vuajnë mosçeljen e negociatave nga problematikat që krijojnë ata që drejtojnë këtë vend, korrupsionin, mungesën e Gjykatës Kushtetues e atë të Lartë, zgjedhjet me problem, varfërinë. Është vërtet për gaz të madh, si baballarët e mamatë e fëmijëve që kanë vite që i kanë thënë këtij vendi bay-bay, sot gjenden në auditoret e universiteteve më të mira të globit. Jo si kontingjent për rikthim. Dhe për të shkuar atje, vetëm bileta kushton sa rroga e një punonjësi a pensioni vjetor i një pensionisti. Po librat sa kushtojnë? Po akomodimi? Po pagesa e shkollimit? Shumë euro! Po edhe ky nuk është shkaku për të kërkuar llogari shtetarëve që i kanë mundësitë e fëmijët e tyre i kanë dërguar shumë kohë më parë në kryeqendrat europiane. I kanë integruar atje, ku njerëzve të zakonshëm nuk u bie mundësia të shkojnë njëherë të vetme tërë jetën. Po sëpaku mend të mos na shesin, dokrra të mos lëshojnë dhe të bëjnë sikur i mbajnë me rrogën e burrit. Se kalojnë përmes vrimës së gjilpërës, mes fukarallëkut e privacioneve individuale e familjare. Pa sy jemi ne shqiptarët dhe nuk shikojmë vallë? Nuk i shikojmë resortet, vilat, udhëtimet rreth botës, orët mijëra euro, kostumet firmato, fustanet baras me çmimin e një veture? Relaksin e bijëve dhe nuseve nëpër hotele, ku një natë shkon përtej njëmijë eurove? Një rrogë nuk mjafton për asnjë natë fjetjeje në të tilla hotele, pa le më plazhet e vakancat e shtrenjta. Të mos tallen kaq hapur pasi na vënë në stres e na bëjnë që të kursejmë ca qindarka për t`i ndihmuar të dalin nga e keqja, deri sa të shkollohen fëmijët e tyre. Shumë të shqetësuar duken shtetarët tanë këto ditë. Deklaratat janë derdhur lumë. Të gjithë kudër të gjithëve. Qeveria në mbrojtje. Opozita në sulm. Zgjedhje, thërret Lulzmi nga podiumi. Shporrje të Ramës kërkon Manjani me tërsëllimë. Në litar, thërret heroi i Astirit, Balliu Junior. Për shpartallim të qeveritarëve flasin të gjithë. Luftë, brohoret Berisha. Gijotinën kërkojnë, jo pak nga ata që e kanë braktisur Shqipërinë deri edhe tek lënia e shtetësisë dhe janë këtu ende vetëm si kollovarë në pritje të rrugëtimit drejtë shteteve që kanë gjendjet civile. Pas nuk mbetet as ndonjëri që mbahet për korife i televizioneve që na kumton, se i ka bërë gati bijat e tij për t`i dërguar në mes të Europës, se jemi shoqëri maskiliste?! Pse duhet të na ushqejnë me gënjeshtra, të na barazojnë me disa shifra, prindërit shtetarë, se u dhimbsen të këtushmit që nuk po shijojnë Europën? Para disa muajsh u zhvillua një debat i zjarrtë mes shqiptarëve, kur ish-presidenti Bujar Nishani mbronte lënien e shtetësisë së të birit dhe marrjen e shtetësisë të një shteti të Europës. I biri ishte ekselent, kishte mbaruar shkëlqyeshëm universitetin dhe nuk kishte pse të robërohej këtu sipas tij! Po a nuk do ishte më i dobishëm i biri i ish-presidentit, që me shkëlqimin e tij të na ndriçonte dhe ne të vobektëve që i kërkojmë dyert e Europës me qiri dhe jetojmë këtu në Shqipëri? Ky argument nga njeriu që propagandon atdhedashurinë e kombëtarizimin në çdo fjali nuk i shkon kjo propagandë. Dëgjon dhe pyet: Si mund të besohet demagogjia që Shqipëria nuk ia arriti dhe nuk siguroi një ulëse në tavolinën e unionit europian, se do vuajë brezi i ri, kur fëmijët e tyre i kanë hapur prej vitesh portat e BE-së? Jo thjesht me grincard. Po shumë prej tyre edhe me pasaporta shërbimi deri edhe diplomatike. Fëmijët e tyre kanë vite që kanë prekur Europën dhe vijnë këtu vetëm për t`u çmallur me etërit e tyre qeveritarë, deputetë, kryetarë partish, funksionarë të lartë në administratën e vendit që paguhen me taksat tona. Dhimbja që shpalosin ata që familjet e tyre i kanë akredituar prej vitesh në kryeqytetet tërë shkëlqim të Europës, ngjajnë me lotët e krokodilit, ambalazh sa për t`u shitur si baballarë të kombit që nuk i zë gjumi për hallet e popullit. Demagogji shtetarësh dhe ish-shtetarësh. Shumë prej atyre bëjnë të zemëruarin e madh nga kjo që ndodhi. Po e llogaritin, si një fat që u erdhi nga perëndimi dhe një kauzë që kërkojnë ta vënë në krye të axhendës drejt pushtetit. Nuk kanë dërguar vetëm fëmijët delegatë-banorë nëpër Europë. Atje i kanë kontot bankare. Shtëpitë buzë korijeve e anë liqeneve. Pasaporta dhe shtetësi. I pari është vetë pretendenti për kryeministër, Lulzim Basha. Shteti që i ka dhënë pasaportën familjarisht dhe i ka pagëzuar europian tërësisht, fatkeqësisht ishte një nga më këmbëngulësit për jo-në shqiptare. Po nuk mbaron këtu. Me qindra politikbërës dhe drejtues që bëjnë sikur luftojnë fort për rrugëtimin europian, janë në zi për jo-në Makron. Në realitet nuk janë të vërtetë. Janë thjesht në lojë për t`u shitur të merakosur, që e përjetojnë mospranimin, vetëm për të bërë shou politikë, armë për të zhvilluar betejën me pushtetin. Shans që u zbriti nga qielli dhe që duhet ta kthejnë në sukses, të denigrojnë këta, e të vijnë ata, si shpëtimtarë të Shqipërisë. Realisht dhimbjen e kanë brenda vetes shtresat që nuk mund t`i thonë ato që ndjejnë, se u mungojnë podiumet, ekranet, televizionet, shtypi. Qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, ata që mbajnë mbi shpinë të sotmen e të ardhmen. Se kulltofagët e gënjeshtërt, ish-shtetarë e shtetarë aktual, ish-ministra të Brendshëm a të Jashtëm, asgjë nuk kanë humbur. Mund t`iu jetë gricur paksa sedra. Po familjet, fëmijët, pasuritë u mbeten, europianë solid. Ata i kanë çelur dykanatëshe portat e Europës prej vitesh. Çfarë duan më shumë se kaq, “baballarë-kombasit” tanë të dhimbsur? Integrimi për ta është vetëm një kauzë betejash për pushtet me mendjen në kuletë, jo për ne të vobektët.

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/11/2019 - 13:40

Sipas nenit 129 të Kushtetutës “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”.

Postuar: 15/11/2019 - 07:14

Sa nisi reforma në drejtësi të skicohej dhe komisioni i posaçëm nisi punë, përplasjet mes palëve

Postuar: 15/11/2019 - 07:13

Quhet Francesko Becchetti (në shqip Françesko Beketi).

Postuar: 15/11/2019 - 07:11

...Nuk kanë asnjë ndryshim bile muhabetet e gjahtarëve pas gjahut sikur plagosin arinj, ujq, çake

Postuar: 15/11/2019 - 07:10

Tashmë janë të qarta dhe ditët e përfundimit të "dashurisë" së politikanëve andaj këtej

Postuar: 15/11/2019 - 07:09

Për nga faktet dhe historia e shqiptarëve të Kosovës, vërehen dy elementë kryesorë që i ngjajnë k

Postuar: 15/11/2019 - 07:08

Pas më shumë se një viti pritjeje për fillimin e punimeve në shëtitoren “Naim Frashëri&rdqu