Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Për ata që kundërshtojnë çdo projekt zhvillimi

Postuar: 15/11/2019 - 07:08

Pas më shumë se një viti pritjeje për fillimin e punimeve në shëtitoren “Naim Frashëri” të qytetit, punimet filluan. Premtimi i kryeministrit Rama për “lungomaren” e Sarandës tashmë është një realitet. Është ngritur kantieri dhe ka nisur puna për mbushjen me inerte të një sipërfaqeje të plazhit ekzistues, te vendi i quajtur “Centrali”. Saranda është një ndër 4 qytetet e vendit që përfshihet në “Programin e Zhvillimit të Integruar Urban dhe Turizmit”, që ka si financues qeverinë shqiptare, nëpërmjet Bankës Botërore. Objekti “Rigjenerim urban i shëtitores ekzistuese “Naim Frashëri”, me investitor Fondin Shqiptar të Zhvillimit, është i dyti në harkun kohor të tre viteve të fundit, pas projektit të “shkallareve”, tashmë të bërë realitet. Rreth 476 milionë lekë do të investohen për zbatimin e këtij projekti. Një shumë e konsiderueshme kjo, që bashkë me fondin e përdorur në projektin e “shkallareve”, i tejkalon disa herë investimet direkte të qeverise shqiptare në Bashkinë e Sarandës për këto 6 vitet e fundit dhe nuk krahasohen me fondet e përdorura nga të ardhurat vendore për investime. Në këtë vështrim, këto investime përshpejtojnë zbatimin e projekteve, që në ide apo në letër, kanë vite që presin. Shkurt është një e mirë dhe përfitim publik, një mundësi dhe qëllim për rritjen e performancës dhe kreativitetit urban të bregdetit, në dobi të qytetarëve dhe zhvillimit të turizmit. Po jo të gjithë mendojnë kështu dhe në këtë pikë dua të ndalem në dy dukuri të investimeve të këtij lloji, që shfaqen jo vetëm në Sarandë. Gjatë gjithë muajit tetor dhe në vijim, investimi për “lungomaren” ka qenë temë debati jo vetëm në median lokale, apo në rrjetet sociale, por dhe mes banorëve. Skepticizmi është shfaqja më evidente, që duket në thëniet se: “Hidhen fonde për t’u vjedhur”, apo “nuk do të bëhet ndonjë gjë e veçantë”, “nuk do prishen objektet pranë e mbi shëtitore, por vetëm plazhi” etj. Pas një thirrjeje në rrjetet sociale ku ftoheshin qytetarët të dilnin në protestë me qëllim pengimin e punimeve, paraditen e të shtunës, një grup i vogël qytetarësh, (në fakt më shumë gazetarë e operatorë të televizioneve lokale apo të ëeb-eve të ndryshme) kishin dalë dhe ishin përballur me dy tre punonjës të firmës zbatuese. “Pezulloni punimet”, “nuk do lejojmë prishjen e plazheve”, “Saranda është qyteti ku ne jetojmë dhe ne duhet të pyetemi e të vendosim, sepse ne e dimë më mirë se ku duhet te investohet”, “ne s’kemi ujë dhe qeveria mbush bregdetin me beton” etj. Ishin këto thirrjet paralajmëruese për përshkallëzim të protestave drejtuar në adresë të firmës zbatuese të projektit dhe qeverisë. Ata penguan mjetet që sillnin inerte për mbushjen e plazhit (madje një qytetar u shtri përtokë për të penguar avancimin drejt vend hedhjes së inerteve, të mjeteve) dhe akuzuan firmën se është duke shkatërruar shtretërit e lumenjve nga ku merren këto inerte. Do ta konsideroja si një aspekt pozitiv në ndërgjegjësimin qytetar, për rolin e tyre, jo thjesht në kuptimin qeverisës, por edhe kontrollues të qeverisjes qendrore e lokale, pasi çdo investim, çdo para e përdorur është pronë e qytetarëve taksapagues. Në këtë vështrim ata janë në të drejtën e tyre, jo thjesht të kërkojnë informacion, por dhe të pyeten dhe mendimet, opsionet e propozimet e tyre të bëhen pjesë e hartimit, pse jo dhe e ndryshimeve të projekteve për investime. Në Sarandë, ku thuajse mungojnë organizatat jo qeveritare dhe shoqëria civile ndodhet në një stad,le ta themi, foshnjor, thashethemet, pëshpëshet në mungesë të informacionit përkatës, pse jo dhe mos dëshirës për informim, çdo projekt, çdo para që investohet, pavarësisht se ku dhe si, anatemohet dhe paragjykohet. I gjithë rrugëtimi i një investimi ndodhet nën breshërinë e akuzave për përvetësim parash nga qeveritarët, oligarkët, etj. Është një klimë që frymëzohet e nxitet shpesh nga të pakënaqurit dhe shfrytëzohet mandej politikisht nga opozita, Pak a shumë kjo po ndodh aktualisht në Sarandë me fillimin e punimeve për zbatimin e projektit “Rigjenerimi urban i shëtitores “Naim Frashëri””.Veç qyteti nuk janë ca grindavecë që e rrotullojnë gjithnjë mbrapsht gjuhën. As ndonjë “personalitet” mediatik a “përfaqësues” i shoqërisë civile. Qyteti dhe banorët e tij i mirëpresin investimet dhe e duan të renë (e reja nuk do parë thjesht e vetëm në mentalitetet e njerëzve, në zhvillimin social e shoqëror të vendit, në mënyrën e jetesës etj.) që përmirëson performancën urbane të qytetit, lagjes, bllokut e mjedisit ku jetojnë. E gjithë zhurma që bëhet sot mediatikisht dhe në këtë mini protestë, për të cilën folëm, nuk duhet paragjykuar dhe as kritikuar. Gjithkush është në të drejtën e tij. Veç, do ishte më mirë dhe më produktive që ky presion, kjo revoltë e qytetarëve ndaj këtij investimi apo cilësisë së projektit etj, të bëhej qysh në gjenezë.

Në këtë ballafaqim qytetarë- qeveri, me kritika, protesta pse jo dhe sharje e akuza që i adresohen më së shumti kryeministrit Rama, si “njeriu që vendos për gjithçka pa pyetur as vartësit, jo më qytetarët”, ka diçka racionale që duhet parë me vëmendje nga qeveria, nga ministria përkatëse, përgjegjëse e një investimi të kryer, të një projekti që duhet zbatuar etj. Sarandjotët kanë të drejtë të jenë mosbesues për këto projekte dhe kjo shpjegohet me faktin se ata e kanë përjetuar zhgënjimin në disa raste. Investimi për sheshin qendror të qytetit dhe “Rrugën e Flamurit”, psh ku sipas projektit shndërrohej nga një rrugë kalimi të automjeteve në një pedonale, ishte zhgënjyes. Në vend të asfaltit sheshi dhe rruga u shtruan me gurrë në formë kalldrëmi, (Saranda nuk është Gjirokastër), tashmë e papërdorshme nga njerëzit, jo vetëm se atje, si para investimit, kalojnë automjetet, por edhe se gurët vështirësojnë ecjen. Qytetarët folën, kundërshtuan, por nuk u dëgjuan. Kjo jo thjesht si shfaqje e indiferentizmit të strukturave përkatëse shtetërore, por dhe e dominimit të interesave përfituese,pasi, jo më kot është përfolur për lobim dhe një aferë mes një firme prodhim gurësh dhe firmës projektuese, kjo me mbështetje politike. Ka edhe te tjerë shembuj, por le të kthehemi te investimi në fjalë. Edhe se janë bërë dy tre takime ku firmat projektuese kanë shpjeguar idetë për zhvillimin e integruar urban të bregdetit të Sarandës, si dhe për projektin në fjalë, këto ishin thjesht, siç thotë populli “sa për të larë gojën”. Së pari për faktin se pjesë e këtyre takimeve kanë qenë, në shumicë punonjës të administratës së bashkisë dhe në pakicë përfaqësues të aktorëve civilë, të biznesit turistik dhe qytetarëve. Së dyti, sepse edhe ndonjë vërejtje e bërë nuk është mbajtur parasysh në përmirësimin e projektit dhe për më keq, aktualisht, kur ka një shqetësim evident (arsyeja kryesore e kundërshtive) për fatin e sipërfaqeve të plazheve, kur “gojët e liga” thonë se ato do të zëvendësohen nga betoni dhe shkallët askush nuk shqetësohet, as deputetët, as përfaqësuesit e firmës apo të qeverisë, për të bërë shpjegimet përkatëse dhe informuar zyrtarisht qytetarët, se çdo bëhet dhe nëse ky projekt do t’i ruajë sipërfaqet e plazheve apo jo. Këtë duan të dinë qytetarët. Kjo e drejtë informimi u mohohet, sikundër ndodhi edhe me investimin për pedonalen dhe sheshin qendror të qytetit, një makth për ta sot.

Nga Panajot Zoto

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 05/12/2019 - 07:18

Shumë pyesin, përse Enver Hoxha i refuzoi ndihmat e jashtme ofruar për rastet e tërmeteve?

Postuar: 05/12/2019 - 07:16

Për ata qindra e mijëra qytetarët të mbledhur për të drejtat e tyre më 21 janar 2011, zëvendës kr

Postuar: 05/12/2019 - 07:14

Në të gjitha situatat, qeveria ka detyrimin kushtetues të organizojë tërë punët për të drejtuar s

Postuar: 05/12/2019 - 07:12

Të gjithë jemi dëshmitarë për tërmetin e fuqishëm dhe të pazakontë të 26 nëntorit të këtij viti q

Postuar: 04/12/2019 - 07:18

Hidhërimi i madh i pafjalë që la pas dridhja e tokës, pse-të e pafundme që do na mundojnë gjatë,

Postuar: 04/12/2019 - 07:15

Neni 21 i Kushtetutës ka përcaktuar se “Jeta e çdo shtetasi mbrohet me ligj”, pra sht

Postuar: 04/12/2019 - 07:12

Kur doli zoti Basha në mbështetje të atyre që dëmtoi tërmeti dhe deklaroi se tani s’ka poli