BREAKING NEWS

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë, zbardhet shifra: Ja sa të infektuar me koronavirus u shënuan ditën e sotme

Publikohet përditësimi më i fundit i Ministrisë së
x

Opinion / Editorial

Atë që e ke mundur tri herë, mund ta mundësh përherë

Atë që e ke mundur tri herë, mund ta mundësh

Lulzim Basha, kryetari i PD, pa llogaritur zgjedhjet për pushtetin lokal në vitin 2019, ku opozita nuk pranoi të futet, u mund për të tretën herë. E treta e vërteta- thotë populli. 25 prilli shënoi humbjen e tretë për Lulzim Bashën, e cila ishte më e madhja dhe fund i tij në politikë. Fitorja e kryeministrit Edi Rama ishte madhështore, sepse ai pati përballë të gjitha forcat e tjera politike të vendit si dhe institucionin e Presidentit, i cili qe opozitari më i egër dhe më i papërmbajtshëm në fushatën zgjedhore. Një kapitull i rëndësishëm u mbyll për partitë politike më 25 prill dhe ai që fitoi ishte populli shqiptar, ndaj opozita duhet të pranojë me dinjitet humbjen. Por Basha edhe në daljen e fundit para publikut, kur kishte dalë pjesa më e madhe e rezultateve dhe trendi i numërimit të votave tregonte qartë humbjen e opozitës, nuk pranoi asnjë lloj përgjegjësie dhe bëri përsëri fajtor Edi Ramën, duke kërcënuar se “do të ngrihemi më të fuqishëm në rrugën e fitores”. Nëse mundesh tri herë, është e vështirë dhe e kotë të kërkosh të ringrihesh më. Kush të mund tri herë rresht, mund të të mundi përherë, ndaj është e kotë të angazhohesh e të marrësh pjesë në beteja të reja. Nëse pretendon të fitosh e kërcënon kundërshtarin kur je i shtrirë dhe i rraskapitur, populli do të krahasojnë me atë grindavecin e barsoletës së katundit, të cilin i forti e kishte shtrirë për tokë dhe sa herë e qëllonte, ai ia kthente me ulërimë “sill dhe një herë pa ta shohësh”. Pra Lulzim Basha nuk ngrihet më. Këtë e kanë të qartë të gjithë tanimë në PD edhe ata që i shkojnë nga pas më shumë për mëshirë se sa shohin tek ai prijësin për fitore. Ata që i kanë kërkuar Lulzim Bashës dorëheqjen, janë ndër zërat më të fuqishëm në PD, duke filluar nga ish-presidenti Nishani, kryetrari i Këshillit Kombëtar dhe kryetar i verifikimit të kandidaturave për deputetë e deri tek ish-kryetarë të PD në degët e rretheve. “Sot është momenti që Partia Demokratike të çlirohet nga shembulli i paaftësisë dhe modelit që po e asgjëson atë pak nga pak. Sot është momenti që Partia Demokratike të lihet e lirë për tu ringritur në madhështinë që i takon si Parti e Lirisë dhe Rinisë. Sot përgjegjësi kryesor i katër humbjeve politike radhazi, vendosi ta mbajë peng Shtëpinë e Lirisë në interes të pushtetit të tij personal! Z. Basha sot duhej të merrte përgjegjësinë e dështimit të tij personal prej 8 vitesh”, kërkon me këmbëngulje Nishani në deklaratën e tij.

Cilat ishin mangësitë e Bashës edhe në këtë fushatë? Humbja nisi që me hartimin e listave, ku Basha edhe pse në mënyrë demokratike gjoja ngriti një komision verifikimi të atyre kandidatëve të dalë sipas parimit “një anëtar, një votë”, vuri veton me arrogancë, jo vetëm duke konfirmuar figura që baza e partisë nuk i votoi, por caktoi kandidatë edhe anëtarë pjesë e komisionit në konflikt të hapur interesi. Shpërfillja e strukturave udhëheqëse të PD, tregoi qartë se Basha ishte pushtuar nga një farë deliri se “fitoren e kishte në xhep”. Së dyti, më e rëndësishmja,Basha nuk arriti të krijojë frymë për të arritur atë që ka pretenduar prej muajsh, ndryshimin. Basha bridhte nëpër qytete e fshatra euforik, “hipur në kalin e erës”, duke u shfaqur ethshëm me deklarata patetike se kudo shihte në sytë e shqiptarëve ndryshimin. Por shqiptarët treguan se ndjeheshin mirë me qeverisjen e Edi Ramës dhe nuk kishin nevojën për ndryshimin që do t’u sillte Basha, bashkë me suitën që e nxiste nga pas. Kryeministri Edi Rama e ka deklaruar vetë me modesti, se “ne nuk jemi më të mirët, por aktualisht më të mirë se ne nuk ka”. Themi kështu se fitorja e Edi Ramës nuk mbështetet vetëm në faktin se ka përballë një opozitë shumë të dobët, por edhe në punët e shumta që ka bërë qeveria e tij në dobi të shqiptarëve dhe vendit. Shqiptarët e kuptuan qartë se vërtet me Lulzim Bashën mund të pësonin një ndryshim, por ama ndryshim për kthim mbrapa dhe jo për të ecur përpara. Dhe kjo ndodh në radhë të parë edhe për faktin se Basha nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi, nuk bëri asnjë kritikë për të kaluarën e tij errët dhe të partisë që drejton. Së treti Basha dhe aleatët e tij, u treguan arrogantë dhe shpërfillës duke shkelur rregullat e mbrojtjes anticovid. Duke mbushur rrugët dhe sheshet me militantë, grumbuj që nuk ishte vështirë t’i mblidhte as partia më e vogël, Basha fryhej dhe delironte për një fitore madhështore, pa patur ndjeshmërinë se në spitale iknin çdo ditë viktima. Duke përqafuar plaka që takonte në rrugë dhe duke u rrahur shpatullat biznesmenëve, fermerëve e tregtarëve që i dilnin me servilizëm përpara, Basha krekosej me dy gishtat lart, duke thirrur me të madhe: “Fitorja është me ne. Njerëzit duan ndryshimin”. Së katërti, Basha dhe ekipi i tij vërshuan qyteteve dhe fshatrave duke nxirë gjithçka të mirë të qeverisjes Rama. Njerëzit që kishin sy të shihnin, i nxirrnin gjuhën nga pas Bashës, kur ai fliste për dështimin total të “kryeministrit në detyrë” Rama. Aq cinike ishte fushata e Bashës dhe e ekipit të tij, sa që jo vetëm nuk thanë një fjalë të mirë për punët e dukshme të Ramës, krijonin edhe video të tipit “Babale” për të hedhur poshtë rezultatet e mira të kësaj qeverie në përballimin e pasojave të tërmetit dhe të pandemisë duke vaksinuar në kohë rekord kategoritë që rrezikoheshin të parat nga virusi. Në këtë kuadër Lulzim Basha i përqendroi tërë shënjestrat e tij ndaj kryeministrit Rama dhe përgojimit të Rilindjes, duke zeruar gjithçka. Basha bënte sikur nuk e kuptonte që pas Edi Ramës ishte një armatë e madhe socialistësh, me struktura të konsoliduara, me drejtues dhe patronazhistë idealistë që u kishin qëndruar vazhdimisht afër njerëzve dhe trokisnin derë më derë duke u kërkuar në mënyrë të ndërgjegjshme e të sinqertë votën çdo qytetari. Minus tjetër i madh i fushatës së Bashës, nuk ishte vetëm rreshtimi i Berishës në listën e kandidatëve fitues, por edhe ngritja e grupeve të ashtuquajtura struktura të mbrojtjes së votave edhe me armë, gjë që nuk ishte dëgjuar ndonjëherë. Dhe kjo nuk ishte një lajthitje e ndonjë drejtuesi politik të një qarku të veçantë si Elbasani, por një strategji për të fituar në mënyrë të dhunshme. Kjo çoi deri në vrasjen e një qytetari në Elbasan dhe desh u pasua me ndërgjegje edhe nga Xhelal Mziu në Dibër, por u tërhoq shpejt për arsye të presionit të ndërkombëtarëve. Akoma më qesharak ishin deklarimet e Bashës dhe disa eksponentëve të tjerë të opozitës, duke përfshirë edhe presidentin Meta disa orë pas mbylljes së qendrave të votimit dhe gjatë ditëve të numërimit të votave. Duke u ngrefosur me sondazhet e exit polleve, ata deklaruan fitoren duke entuziazmuar në kulm tërë militantët dhe strukturat e mbrojtjes së votave. Por kur filloi numërimi, ata duke parë tenderin që ishte në favor të PS, filluan të bëjnë deklarata sofiste se: “Jo po numërohen në mënyrë selektive kutitë, bastione të PS”, “Fitorja e opozitës është e sigurtë, populli ka votuar ndryshimin”, “kemi rritje në njësinë 10” edhe pse në këtë njësi deri në atë kohë PS kryesonte me rreth një mijë vota. Duke dashur të injoronte punën e drejtuesit politik,Taulant Ballën në qarkun e Elbasanit, eksponentë të ndryshëm të PD sillnin si shembull humbjen në një komunë të thellë që nuk ngrinte asnjë peshë, dhe e mbyllën gojën përfundimisht, kur panë se kandidati Balla kryesonte të gjithë kandidatët fitues në shkallë vendi për rezultatin e arritur në këto zgjedhje. E gjithë fushata e Edi Ramës nuk qe poezi, por një prozë e shkruar me kujdes, një komunikim i shtruar, i sinqertë dhe korrekt me njerëzit. Simbolika e Zahos në Vlorë, u ngrit mbi boritë shurdhuese të LSI rreth banesës së tij në Surrel. Se kush është PS dhe Edi Rama e tregoi më së miri serioziteti dhe korrektesa e deklaratës së tij pas mbylljes së votimit, si dhe fjalimi i tij i ndjeshëm dhe aspak euforik në ditën e festimit të  fitores në sheshin Skënderbej. Një lider si Rama që punon gradualisht me sigurinë e fitores, nuk ka pse ulëret dhe rreh gjoksin para kundërshtarit. “Ena bosh bën shumë zhurmë”, thotë Balzaku. Basha u provua tashmë kush ishte dhe kush është, u provua se PD ka ende një mentalitet komunist drejtimi, gjë që u duk edhe atë natë para selisë së saj, ku një grup militantësh ulërinin si në vitet ’90 “poshtë komunizmi”. Ndaj PD duhet të shikojë të gjejë një drejtues tjetër, që të shëndoshë opozitën se edhe PS, duke patur përballë një kryetar si Basha, do t’i mërzitet pushteti.