Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Auditimet paralele si vlerë e shtuar në KLSH

Postuar: 06/12/2017 - 07:07

Auditimi paralel është një qasje audituese shumë e vlefshme për të studiuar çështje të rëndësishme të përbashkëta, nga shtete të ndryshme në të njëjtën periudhë kohore. Pikërisht Institucioni Suprem i Auditimit (SAI)është ai që i lidh këto shtete në format e bashkëpunimit për auditimet e përbashkëta, paralele dhe të koordinuara.

Auditimet paralele përbëhen nga dy ose më shumë grupe auditimi për çdo SAI pjesëmarrës. Nga ato, secili grup mund të adoptojë metoda të ndryshme auditimi, që i vijnë për shtat nevojave dhe preferencave të vendit të tij. Në këtë mënyrë, vëzhgimet, kërkimet dhe konkluzionet përgatiten nga SAI-t bazuar në eksperiencën e tyre. Synimi kryesor i këtij lloj bashkëpunimi është auditimi mbi një temë të përbashkët ku bëhet i domosdoshëm shkëmbimi i informacionit mbi çështje specifike midis SAI-ve të ndryshme në lidhje me eksperiencën dhe metodologjitë e përdorura.

Me krijimin e Departamentit të Auditimit të Performancës, si dhe me fuqizimin dhe konsolidimin e tij gjatë viteve 2013-2016, në Kontrollin e Lartë të Shtetit nisi aplikimi i praktikës së auditimeve paralele, në kuadër të bashkëpunimit me SAI-t e tjera të Gadishullit të Ballkanit dhe më gjerë.

Koha ka treguar se përpjekjet për auditim të përbashkët dhe të koordinuar kanë dhënë vlerë të shtuar të rëndësishme. Në vitin 2017, KLSH numëron disa auditime paralele të kryera nga Departamenti i Auditimit të Performancës, të cilat janë shembull i një institucioni drejt modernizimit dhe që reflekton standardet ndërkombëtare të auditimit.

Ndër auditimet paralele të kryera nga KLSH spikasin auditimi paralel mbi “Efiçiencën e Energjisë”, mbi “Prokurimet Publike në Shqipëri PPAII”, “Mbi Cilësinë e Ajrit” etj,për të cilat janë mbajtur dhe seminare për mbarëvajtjen e tyre, si dhe për të diskutuar lidhur me problematikat dhe eksperiencat e përbashkëta.

KLSH, në aktivitetin e tij ka bashkëpunuar fort dhe bindshëm me institucione të tjera supreme auditimi të ndryshme. Institucioni ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me 14 SAI (Sllovenia, Austria, Turqia, Polonia, Kroacia, Bosnje Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Republika Çeke, Hungaria, Kuvajt, Qipro, Mali i Zi dhe Bullgaria) midis të cilave janë parashikuar aktivitete auditimi. Auditimet bashkëpunuese të KLSH-së me këto vende janë kryesisht auditime paralele në fushën e auditimit të performancës.

KLSH ka përfunduar 2 auditime paralele për të cilat janë dhënë rekomandimet e nevojshme, si dhe ka në proces disa auditime paralele të një rëndësie të madhe. Auditimi paralel mbi “Efiçiencën e Energjisë për vendet e Ballkanit Perëndimor” në të cilin ka marrë pjesë KLSH me SAI-t e Bosnjes, Turqisë, Kosovës, Malit të Zi etj, është fokusuar në përdorimin e burimeve alternative të energjisë. Nga ky auditim është konkluduar se legjislacioni shqiptar është i paplotësuar dhe ende nuk është i afruar me kërkesat e BE; qëndrueshmëria e furnizimit me energji elektrike nuk është përmirësuar; ligji për burimet e rinovueshme vazhdon të jetë në proces përditësimi për më shumë se dy vite, pa akte nënligjore; është vënë në pah, gjithashtu, një performancë e dobët e Ministrisë së Energjitikës dhe Industrisë dhe Agjensisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.

Auditimi paralel i prokurimeve publike në Shqipëri, në bashkëpunim me SAI-n e Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovës, Bosnjes dhe Serbisë ka pasur si synim shkëmbimin e praktikave më të mira. Nga ky auditim është konkluduar se legjislacioni i prokurimeve publike nuk është në harmoni me legjislacionin e menaxhimit financiar, nuk ka udhëzime specifike për hapat, afatet dhe aktet që do aplikohen nga Autoritetet Kontraktuese në rastet e përdorimit të procedurës së prokurimit publik, si dhe legjislacioni shqiptar nuk është plotësisht në linjën e kërkuar nga BE për këto lloj prokurimesh publike.

KLSH është angazhuar në auditimin Europian të “Cilësisë së ajrit”, në të cilin janë përfshirë 15 SAI, si edhe vetë Gjykata Europiane e Auditimit, të koordinuara nga Gjykata Hollandeze e Auditimit dhe Zyra Supreme Polake e Auditimit, për të zhvilluar një model auditimi të përbashkët të iniciuar nga EUROSAI. Së fundmi, KLSH ka shfaqur interesin e saj dhe është duke marrë pjesë në një auditim performance paralel me SAI-t e shteteve Mesdhetare si Qipro, Malta, Greqia dhe Portugalia për “Zonat e Mbrojtura Detare”, i cili ka nisur muajt e fundit. Auditimet e përbashkëta të KLSH-së duhet të finalizohen brenda çerekut të parë të vitit 2018.

Një auditim tjetër paralel me rëndësi, i cili po zhvillohet me pjesëmarrjen e ekspertëve nga SAI i Kroacisë, në kuadër të zbatimit të Projektit IPA 2013 për rritjen e kapaciteteve audituese te KLSH-së, po shikon cilësinë e ndërtesave shkollore para-Universitare në Shqipëri dhe në Kroaci, me synimin dhënien e rekomandimeve të duhura për përmirësimin e cilësisë së tyre gjatë ristrukturimeve apo ndërtimit të shkollave të reja.

Në kuadër të praktikave për auditimet paralele, Kontrolli i Lartë i Shtetit në datat 14-15 nëntor 2017, mori pjesë në seminarin e organizuar në Pragë, nën kujdesin e Zyrës Supreme të Auditimit të Republikës Çeke dhe EUROSAI-t me temë “Auditimet në bashkëpunim (Cooperative Audits) ndërmjet SAI-ve”. Në këtë Seminar dyditor, morën pjesë rreth 60 përfaqësues nga 18 SAI, nga Gjykata Europiane e Audituesve (ECA) dhe IDI- Organizata për Zhvillim e INTOSAI-t. Pjesëmarrësit në seminar përfaqësonin SAI-t e Suedisë, Zvicrës, Shqipërisë, Kazakistanit, Hungarisë, Sllovakisë, Turqisë, Estonisë, Finlandës, Lituanisë, Bullgarisë, Gjermanisë, Çekisë, Polonisë, Serbisë, Maqedonisë, Irlandës dhe Perusë. Gjatë punimeve të dy ditëve, u paraqitën 16 prezantime nga eksperienca në auditimet e bashkëpunimit ndërmjet SAI-ve.

Gjatë punimeve dyditore në këtë seminar për auditimet paralele, anëtarët përfaqësues të SAI-ve pjesëmarrëse referuan prezantimet në bazë të eksperiencës së tyre mbi këto auditime. Në një fazë të dytë u diskutua në grupe të vogla në formën e një workshop-i mbi pyetjet e ngritura në lidhje me përzgjedhjen, përgatitjen dhe mbylljen e raportit të një auditimi paralel ku pjesëmarrësit jepnin ide sipas praktikave të vendit të tyre. Prezantimet e këtij seminari vunë theksin në disa çështje të cilat rezultuan të ishin problematika të hasura pothuajse nga të gjitha institucionet Supreme të Auditimit të vendeve pjesëmarrëse. Çështje të tjera kryesore që u diskutuan kishin të bënin me projektin më të fundit të SAI-t Çek, projekti BIEP (Benchmarking Information Exchange) i cili është një mënyrë për të shpërndarë informacione të cilat na lejojnë të krahasojmë praktikat audituese të SAI-ve të ndryshme. Gjithashtu, gjatë prezantimit, z. Wilfred Aquilina përfaqësues i Gjykatës Europiane të Audituesve solli në vëmendje edhe projektin PPA II dhe konkretisht auditimin paralel me temë “Cilësia e Ajrit” në të cilin merr pjesë edhe KLSH.

Gjithashtu, IDI, Nisma e INTOSAI-t për Zhvillim, paraqiti disa nga mënyrat nëpërmjet të cilave mund të merret mbështetja e tij, të tilla si zhvillimet e kurseve e-Learning, kurset në platformën online, mbështetje nga mentorët(audituesit me përvojë) dhe drejtues online, si dhe praktikat e publikuara në web. Disa nga eksperiencat e SAI-ve në auditimet paralele ishin: “Identifikimi i risqeve në zhvillimin e qëndrueshëm të financave publike” (SAI Suedez), “Menaxhimi i procesit të Pasaportave Biometrike” (SAI Zvicerian), “Sistemi i ndjekjes së karrierës pasuniversitare”(SAI Hungarez), si dhe studimi mbi auditimet e mundshme bashkëpunuese (SAI Sllovak). Në fund u fol për përfitimet dhe sfidat që mund të hasen gjatë auditimeve paralele.

Grupi i KLSH-së, i përfaqësuar nga z. Sali Agaj, zj. Redina Karapici dhe zj. Angjela Nesturi, në këtë seminar paraqiti eksperiencën e tij në këto auditime, punën e kryer deri tani, problematikat e hasura dhe garantoi për kontributin e tij të shtuar në të ardhmen, në pjesëmarrjen në auditimet paralele.

Këto lloj seminaresh, janë të dobishme dhe shumë të rëndësishme për mbarëvajtjen e punës së audituesit shqiptar. Në to, ne njihemi gjerësisht me punën audituese të kolegëve nga SAI-t evropiane më të zhvilluara, me risitë në punën audituese dhe teknikat e reja që përdoren gjatë auditimit. Si auditimet paralele, ashtu edhe seminaret dhe tryezat e rrumbullakëta në Grupet e ndryshme të Punës të EUROSAI-t dhe nga aktivitetet e përbashkëta me SAI-t partnere, janë një vlerë e shtuar që po bëhet gjithnjë e më e domosdoshme në përballimin e sfidave të reja të auditimit, sidomos atij të performancës.

Nga Angjela NESTURI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 12/12/2017 - 07:03

Shumë vite më parë një korrespondente e gazetës Nju York Times, shqiptarja e shquar, Nexhmije Zajmi nga Libohova që jetoi dhe ndërroi jetë në SHBA, ka shërbyer për shumë kohë si korrespondente e Lindjes në këtë gazetë. E kisha dëgjuar emrin e kësaj zonje të nderuar, por nuk dija shumë rreth saj.

Postuar: 12/12/2017 - 07:01

E kam thënë edhe më herët, po e përsëris prapë, ndërrimi i mendjes për sjelljen në Kuvend të Demarkacionit me Malin e Zi sipas versionit të qeverisë së kaluar do të jetë "v

Postuar: 12/12/2017 - 07:00

Në Parlamentin e Shqipërisë, sigurisht kanë ndodhur shumë e shumë marrëzi politike, marrëzi dhe ultësi njerëzore e mediatike, por padyshim që me këtë nivel kulturor do të vazhdo

Postuar: 10/12/2017 - 09:41

Shoqëria shqiptare po emancipohet, po civilizohet, po del nga kornizat e një bote të mbyllur, ku nuk hynte as drita, as mjeku.

Postuar: 10/12/2017 - 09:37

Nuk ma merr mendja se e kanë ditur në vitin 1990 studentët, por dhe profesorët, që ishin mbledhur për të kujtuar John Lenon-in për kunj të diktaturës, se ai ka një batutë të til

Postuar: 10/12/2017 - 09:18

Duket se në arenë kanë zbritur “Titanët”.

Postuar: 09/12/2017 - 07:13

Thirrja “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, ishte në themel të lëvizjes së dhjetorit 1990.