Lajme të tjera
BREAKING NEWS

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok Çupi lëshon ‘bombën’: Presidentit t’i hiqet …

‘Ilir Meta kërcënon kryeministrin me vrasje’, Frrok
x

Opinion / Editorial

Auditimi i performancës si mjet për një zbatim efektiv të ligjit

Auditimi i performancës si mjet për një zbatim efektiv të

Në një shtet të së drejtës, efektiviteti i zbatimit të ligjit përfaqëson një çështje vendimtare për mbarëvajtjen e vendit. Këtë mësim e mbajmë parasysh në veprimtarinë tonë audituese, e cila është një mjet frytdhënës në lidhje me kontrollin e performancës dhe nxjerrjen e përgjegjësive institucionale për zbatimin e ligjit. E konsideroj të dobishme të ndaj me lexuesit disa nga mësimet që kemi evidentuar ne si grup auditimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, gjatë auditimit të zbatimit të legjislacionit nga institucionet shtetërore kompetente për zhvillimin dhe mbrojtjen e pyjeve. Një vështrim i përgjithshëm në këtë sektor na tregon se baza ligjore ka ndryshuar shpesh. Ligji “Për pyjet dhe shërbimin pyjor”, i cili aktualisht rregullon fondin pyjor në Shqipëri, është miratuar që në vitin 2005. Ai është ndryshuar 7 herë, deri sa në vitin 2016 u miratua ligji i mbiquajtur ligj i moratoriumit të pyjeve, me qëllim reduktimin e ndërhyrjeve mbi fondin pyjor, i cili kishte pësuar dëme të rënda si pasojë e mbishfrytëzimit dhe dëmtimeve të tjera. Këto ndryshime janë shoqëruar e plotësuar në vijim edhe me akte të tjera të Këshillit të Ministrave dhe të ministrit përgjegjës. Teorikisht, një legjislacion i ndryshuar shpesh sjell përmirësimin dhe shtimin e mekanizmave për zbatimin me efektivitet të tij. P.sh., në rastin tonë ligji ka sjellë sanksione më të rënda administrative për shkelësit e tij. Pyetja jonë u shtrua në lidhje me efektivitetin real të ligjit, pra, nëse moratoriumi i pyjeve po arrin objektivat e synuara dhe rezultatet e dëshiruara, apo jo. Përmes metodës empirike ku spikatën studimi i dokumentacionit të parashtruar nga institucionet nën auditim, intervistat me specialistë e përfaqësues të tyre, si dhe burime të tjera, ne ripërsëritëm një konkluzion që nuk ishte i ri, por e kishim njohur edhe në rastet e auditimeve të tjera. Pra, për zbatimin e mirë e me efektivitet të një ligji, nuk mjaftojnë vetëm përmirësimet e plotësimet ligjore, por edhe përmbushja e faktorëve të tjerë, që ndërthurin veprimtari dhe subjekte institucionale, të cilat janë kompetente ose ndihmojnë në zbatimin e ligjit. Kështu, një faktor për zbatimin efektiv të legjislacionit është edhe përshtatja dhe integrimi i ndryshimeve të tij dhe të akteve nënligjore, me strategjitë dhe planet e veprimit të miratuara në këtë fushë. Pavarësisht, konfuzionit të krijuar nga aktet ligjore ne konstatuam se, paqartësitë dhe konfuzioni i krijuar midis burimeve të legjislacionit nuk përbënin shkak për moszbatim të mirë të ligjit të moratoriumit të prerjes së pyjeve. Nga të dhënat e Inspektoratit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujërave dhe Turizmit (ISHMPUT-së) rezultoi se edhe pse ky ligj parashikon sanksione më të rënda administrative se më parë, shkeljet e dispozitave të tij kanë vijuar thuajse njësoj. Pavarësisht nga vlera e lartë e sanksionit prej 5.000.000 lekë gjobë, në periudhën nga viti 2016 në vitin 2018, janë konstatuar 98 raste të shkeljes. Duke mbajtur në konsideratë faktin se jo të gjithë shkelësit kapen në flagrancë dhe se shumë prerje konstatohen post factum, numri i rasteve të ndërhyrjeve të paligjshme në pyje bëhet më shqetësues. Në zbatim të këtij ligji, në disa raste janë gjobitur edhe subjekte, të cilat kanë pasur kontrata ekzistuese me ministrinë dhe tashmë janë në marrëdhënie kontraktore me bashkitë përkatëse. Kjo tregon se rastet më shqetësuese të abuzimeve me pyjet nuk i bëjnë individët, por ato që kryhen nga kompani të organizuara dhe me kapacitete, të cilat shkelin përcaktimet kontraktore. Kjo sepse këto abuzime sjellin dëmtime më të mëdha. Ato japin tregues edhe për mundësinë e sjelljeve jo etike ose të korrupsionit nga subjekte të institucioneve shtetërore që kanë detyrë të mbrojnë pyjet. Një faktor tjetër që dëmton efektivitetin e zbatimit të ligjit është çështja e ekzekutimit të vendimeve të organit administrativ. Nga të dhënat e vëzhguara rezultoi se, në periudhën objekt auditimi, asnjë nga gjobat e vendosura prej Inspektoratit në kuadër të moratoriumit të pyjeve, nuk ishte vjelë. Mosvjelja e gjobave në këtë sektor konfirmohet edhe nga mjaft burime të tjera. Kështu, ajo konfirmohet edhe nga INSTAT, referuar të dhënave për arkëtimet ku rezulton se vjelja nuk ka arritur asnjëherë nivelin 1%, duke u luhatur ndërmjet 0.1% deri në 0.5%. Një gjë e tillë u konstatua edhe në dokumentacionin e vendosur në dispozicion nga Inspektorati, në lidhje me statusin e gjobave. Në këto kushte, ne shtrojmë pyetjen se cilët janë faktorët që pengojnë ekzekutimin e vendimeve dhe vjeljen e gjobave të vendosura në zbatim të ligjit për moratoriumin e prerjes së pyjeve (Ligji 5/2016). Së pari, një pjesë e konsiderueshme e vendimeve për gjobat rrëzohen pasi apelohen në Gjykatën Administrative. Institucioni nuk ishte në gjendje të ofronte statistika në lidhje me numrin e vendimeve që ishin rrëzuar në këtë periudhë, megjithatë, grupi i auditimit shqyrtoi disa raste të tilla. Kështu, synonim të nxirrnim konkluzione në lidhje me përgjegjësitë e Inspektoratit Shtetëror dhe të punonjësve të tij. Megjithatë, ishte tepër e vështirë të arrinim në konkluzione të qarta dhe të sigurta. Kryesisht, ishin vendime të Gjykatave Administrative të Shkallës së Parë dhe të Apelit, por në disa raste çështjet ishin shqyrtuar edhe në Gjykatën e Lartë. Ajo që ne konstatuam në këto vendime ishte paqartësia dhe moskoherenca e gjykatave në interpretimin e ligjit për pyjet, moratoriumit dhe akteve nënligjore në fuqi. Kështu, gjetëm interpretime krejt të ndryshme për raste të ngjashme, disa prej të cilave i afroheshin logjikës së vendimeve të Inspektoratit, disa të tjera e kundërshtonin atë. Për shembull, në njërin prej vendimeve, gjykata anulonte gjobën e vendosur ndaj subjektit blerës të druve, të cilit nuk i ishte konstatuar pajisja me vërtetim transporti. Gjykata interpretonte se vetëm subjekti transportues dhe jo ai blerës ka nevojë të pajiset me një vërtetim të tillë. Por, në të njëjtën kohë, një tjetër vendim shfajësonte nga përgjegjësia subjektin transportues, me arsyetimin se sasia mall transportohej për llogari të blerësit dhe ky i fundit duhet të ishte pajisur me vërtetimin për transportin. Ajo argumentonte në vendim se nenet e ligjit për moratoriumin ishin zbatuar gabim, por nuk kishte një mënyrë të njëjtë interpretimi nga të gjitha gjykatat. Për më tepër, vihen re edhe arsyetime të diskutueshme të vendimeve gjyqësore, nga gjykata të shkallëve të ndryshme. Kështu për shembull në shumë raste, Gjykata Administrative e Apelit vendoste në favor të subjektit, duke rrëzuar tërësisht vendimin e Shkallës së Parë, i cili i jepte të drejtë ISHMPUT-së për vendosjen e gjobës. Prandaj konkludojmë se, vendimet e unifikuara të gjykatave mund të ndihmojnë të nxjerrim konkluzione të sigurta për përgjegjësinë e inspektorëve për interpretimin dhe zbatimin e ligjit. Nga ana tjetër është e qartë që kemi një performancë të ulët të gjyqësorit në një nga detyrat më të rëndësishme të tij, në kontributin për zbatimin me efektivitet të ligjeve në fushën e zhvillimit, shëndetësimit dhe mbrojtjes së pyjeve, prandaj në këtë fushë është e domosdoshme të ketë vendime unifikuese nga Gjykata e Lartë e Shqipërisë. Një dobësi e dukshme vihet re në ekzekutimin e detyrave nga përmbarimi gjyqësor. Pra, në rastin kur vendimet e inspektoratit mbeten në fuqi edhe pas shqyrtimit gjyqësor, ato nuk rezultojnë me vjeljen e gjobave, për shkak të pafuqisë së zyrave të përmbarimit gjyqësor për të ekzekutuar vendimet e gjykatave. Për të ekzekutuar vendimet që kanë marrë formë të prerë, si në çështjet e fituara në Gjykatën Administrative, ashtu edhe në rastet kur subjekti nuk e ka apeluar vendimin e ISHMPUT-së, ky i fundit ka nënshkruar kontrata shërbimi me përmbaruesit gjyqësorë. Në rastet e shqyrtuara nga grupi i auditimit, vihet re se, në mungesë të ekzekutimit vullnetar të detyrimit, pjesa më e madhe e vendimeve kalojnë në ekzekutim të detyrueshëm. Megjithatë, këto masa administrative nuk janë vjelë dhe praktikat e ekzekutimit mbyllen me një shkresë të ISHMPUT-së drejtuar përmbaruesit, në të cilën kërkohet informacion në lidhje me mosekzekutimin e vendimeve. Rrjedhimisht, niveli shumë i ulët i arkëtimeve të gjobave të vendosura në këtë sektor pengon zbatimin e Ligjit 5/2016 dhe cenon efektivitetin e këtij moratoriumi. Për sa më sipër, një konkluzion tjetër lidhej me dobësinë e bashkëpunimit institucional. Kështu p.sh., edhe pse kërkuam të evidentonim shkaqet e mosekzekutimit përmes Inspektoratit, konstatuam se ky i fundit ishte krejt në mosdijeni dhe në mosveprim në lidhje me çfarë ndodhte më pas, për vjeljen e gjobave nga subjekti i ndëshkuar. Prandaj rekomanduam që Inspektorati Shtetëror në rast se konstaton se subjektet, të cilat kanë lidhur kontrata shfrytëzimi me bashkitë, kryejnë shkelje të përsëritura të termave kontraktore, të propozojë pranë bashkive prishjen e njëanshme të kontratave të lidhura me këto subjekte. Kurse, në rast se konstaton se masat administrative të dhëna prej tij, të cilat janë titull ekzekutiv, nuk po ekzekutohen nga përmbarimi, së paku duhet të dërgojë shkresa informuese pranë ministrisë përgjegjëse për pyjet dhe Ministrisë së Drejtësisë. Megjithatë, ne mendojmë se detyrat nuk përfundojnë këtu. Institucionet kompetente duhet të kenë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe insistues për të çuar detyrat e zbatimit të ligjit deri në realizimin e tyre.

 

*Auditues i Parë në KLSH