BREAKING NEWS

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi

Rama jep lajmin e mirë në mesnatë nga Infektivi
x

Opinion / Editorial

Auditimi i “Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike”, si sfidë për përmirësimin e situatës.

Auditimi i “Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike”, si

 

Auditimi i zbatimit të shërbimeve të ndryshme, në vështrimin e parë duket tepër empirik për të dhënë një opinion profesional në lidhje me identifikimin dhe efektivitetit e realizimit të shërbimit.

Për ilustrimin e problematikës së auditimit në zbatimin e shërbimeve, përfytyroni që pas 3-4 vite të realizimit të pastrimit të një segmenti rrugor (pjesë e një kontrate pastrimi në një njësie administrative), auditohet realizimi i shërbimit.

Gjatë auditimit të zbatimit të shërbimit të pastrim-larje rruge/trotuare, nga grupet e auditimit është konstatuar që, në zbatim të kontratës, operatori ekonomik duhet të realizonte pastrimin-larjen gjatë gjithëvitit -365 ditë. Kontraktori ishte paguar për këtë shërbim, kur minimalisht dihet që në ditët me rreshje ky shërbim nuk është realizuar dhe në disa raste, edhe kur rruga ka qenë në rikonstruksion për një kohë relativisht të gjatë.

Nuk ndodh kështu me prokurimin e mallrave dhe zbatimin e punimeve, pasi mallrat e punimet mund të inventarizohen, shërbimet jo.

Policia private në Shqipëri ka filluar të zhvillohet në vitin 1993, pasi u miratua ligji për shërbimin e rojave civile. Gjatë viteve 1990 siguria vazhdoi të konsiderohej si një detyrë ekskluzive e institucioneve shtetërore të sigurisë, kështu që edhe pse u krijua kuadri ligjor për funksionimin e policisë private, policia shtetërore vazhdoi të ofronte shërbime sigurie për subjektet private. Këto shërbime ofroheshin nga Policia e Ruajtjes së Objekteve, degë e Policisë së Shtetit e përcaktuar me ligj të miratuar në vitin 1992. Roli i Policisë së Ruajtjes së Objekteve u ezaura si strukturë e Policisë së Shtetit në vitin 2016, pasi edhe për objektet e rëndësisë së veçantë u kontraktuan subjekte private.

Në vitin 2014 është miratuar ligji nr.75/2014 “Për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike”, i cili paracakton: certifikimin dhe licencimin e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) dhe punonjësve të shoqërive, marrëdhëniet mes SHPSF dhe kontraktuesve të tyre, funksionet, detyrat dhe përgjegjësitë e drejtuesve të SHPSF dhe punonjësve, si dhe sanksionet administrative për kundërvajtjet. Ligji për shërbimin privat të sigurisë fizike (2014) përcakton: standardet profesionale dhe kriteret për përzgjedhjen e personelit të SHPSF, procesin e trajtimit dhe përdorimit të armëve, si dhe ka ndaluar çdo lloj nën-kontraktimi të shërbimeve private të sigurisë. Po ashtu, ligji ka vendosur një detyrim për SHPSF që të krijojnë qendrat e kontrollit.

Ligji për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike përcakton kategorit të licencave: a) kategoria I.3.A e cila është e vlefshme për sigurinë fizike të objekteve, qytetarëve dhe aktiviteteve sociale; dhe b) kategoria I.3.B e cila është e vlefshme për garantimin e sigurisë për transportin e vlerave monetare dhe sendeve të çmuara.

Vlen të përmendet që Kategoria 1.3 B, është pjesa elitë e SHPSF, pasi vetëm rreth 7% e shoqërive që ushtrojnë veprimtarinë në këtë shërbim, kanë këtë kategori licence. Mirëpo, edhepse numri i shoqërive që zotërojnë këtë licencë është i vogël, edhe ato që e zotërojnë, nuk e kanë aftësinë për të garantuar sigurinë në fushën ku veprojnë. Mjafton të kujtojmë grabitjet e ndodhura në aksin rrugor Qafë Kashar-Fushë Prezë për të vlerësuar cilësinë e shërbimit të sigurisë.

Edhe pse shoqëritë e Shërbimit Privat të Sigurisë Fizike (SHPSF) kanë klientë privatë, klientët më të rëndësishëm dhe me më shumë peshë financiare janë institucionet shtetërore. Vitet e fundit vlera e kontratave të SHPSF me ente shtetërore është rreth 50 milion euro. Këto kontrata janë objekt auditimi për audituesit e KLSH.

Nga auditimi i kërtyre shërbimeve, është konstatuar se; në përllogaritjen e fondit limit për shërbimin e rojeve të objekteve merren në konsideratë: a) paga e punonjësit të policisë për 174 orë në muaj (minimalisht pagë minimale +50% + shtesat për turne II, III, festa zyrtare dhe pushime vjetore). shpenzimet vjetore për armë, sigurimet 16.7%, fitimi si dhe veshjet e punonjësve. Kostoja e shërbimeve të shpenzimeve për pagat bruto të rojeve përbën pjesën kryesore të shpenzimeve.

 

Auditimi i pjesës së përllogaritjes së fondit limit në këto procedura prokurimi është rutinë (i vetëpërcaktuar nga legjislacioni), përveç përcaktimit të numrit të vendrojeve dhe orarit të shërbimit në vendrojet. Natyrshëm lindin pyetjet: ku qëndron vështirësia e auditimit të procedurave të zbatimit të SHPSF, ku ekziston një “luftë” e ashpër midis shoqërive të shërbimit të ruajtjes së sigurisë fizike?

 

Referuar Raporteve vjetore të Komisionit të Prokurim Publik :

Gjatë vitit 2016, numrin më të lartë të ankesave dorëzuar Komisionit të Prokurimit Publik, e zënë ankesat në lidhje me procedurat e prokurimit për ofrimin e shërbimit privat të sigurisë fizike dhe shoqërimit të vlerave monetare me total 844 ankesa nga 1393 ose 60.6 % e totalit të ankesave të dorëzuar pranë Komisionit të Prokurimit Publik.

Gjatë vitit 2017, janë regjistruar në KPP 1099 ankesa në total, prej të cilave 1083 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 4 ankesa për procedurat konkurruese koncesione/PPP, 7 ankesa për procedurar e ankandit publik dhe 5 ankesa për procedurat konkurruese leje minerare. Rezulton se 49.95 % (519) prej tyre janë ankesa për procedurat “Për Shërbimin e Ruajtjes së Sigurisë Fizike”, të cilat përbëjnë numrin më të lartë të ankesave të paraqitura për vitin 2017.

Gjatë vitit 2018, janë regjistruar në KPP 1158 ankesa në total, prej të cilave 1148 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 2 ankesa për procedurat konkurruese koncesione/PPP, 5 ankesa për procedurat e ankandit publik dhe 3 ankesa për procedurat konkurruese leje minerare. Rezulton se 53.6 % (614) prej tyre janë ankesa për procedurat “Për Shërbimin e Ruajtjes së Sigurisë Fizike”, të cilat përbëjnë numrin më të lartë të ankesave të paraqitura për vitin 2018. 

Kompleksiteti për auditimin nga audituesit e KLSH i procedurave të shërbimit të rojeve qëndron në faktin që:

a) përveç Ligjit të Prokurimit Publik, Ligjit për Shërbimin Privat të Sigurisë Fizike, aktiviteti i SHPSF rregullohet edhe nga një sërë ligjesh të tjera si Ligji për Armët, Ligji për Përdorimin e Armëve të Zjarrit, Ligji për Licencat, Autorizimet dhe Lejet dhe Kodi i Punës.

b) për mbikqyrjen e funksionimit të SHPSF-ve janë ngarkuar (veç Policisë së Shtetit), institucione për supervizimin e aktiviteteve të SHPSF si: Inspektorati i Punës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Qendra Kombëtare e Regjistrimit dhe Qendra Kombëtare e Licencimit.

c) SHRSF-të kanë disa kontrata me ente private dhe shtetërore, fakt që vështirëson procesin e auditimit në përcaktimin e kapacitetit numerik të punonjësve të shërbimit që nevojiten për realizimin për të gjitha kontratat. (psh, SHPSF ka të çertifikuar si punonjës shërbimi në Drejtorinë Vendore të Policisë 50 punonjës shërbimi dhe ka kontrata, që për realizimin e tyre sipas kushteve të kontratës kërkohen/paguhen 62 punonjës).

Nga audituesit e KLSH në zbatimin e kontratave për ruajtjen e objekteve, vitet e fundit janë konstatuar raste ku;

- numri i punonjësve të shërbimit është më i vogël se numri i punonjësve që nevojiten sipas kritereve të kërkuara.

-përgjithësisht punonjësit e shërbimit nuk plotësojnë kushtet ligjore e fizike për realizimin e shërbimit (punonjës të pa kualifikuar e certifikuar nga Policia e Shtetit, pensionist e të pa aftë fizikisht).

- pagat e punonjësve të SHPSF-ve gjatë realizimit të shërbimit është më e ulët se ajo e deklaruar në kontratat e lidhura me Autoritetin Kontraktor.

- mungesa e dokumentacionit justifikues në realizimin e shërbimit.

Kjo tregon se disa SHPSF përfitojnë nga boshllëqet në sistem dhe mungesën e efikasitetit të kontrollit të institucioneve përgjegjëse për realizimin e shërbimit , deklarimin e të ardhurave dhe tatimeve, për shmangien e taksave.

Në rekomandimet e KLSH është kërkuar nga autoritet kontraktore ku janë audituar kontrata me objekt “Ruajtja e objekteve” e janë konstatuar mangësi në zbatimin e kontratës, të bëhet monitorimi I vazhdueshëm i zbatimit të shërbimit sipas kushteve të kontratës, si dhe rikthimi nga kontraktori i vlerës ekonomike të përfituar për shërbimin e pakryer. 

Mungesa e koordinimit të monitorimit nga institucionet shtetërore, përgjegjëse për supervizimin e aktiviteteve të SHPSF, dikton domosdoshmërinë e auditimit me profesionalizëm të kontratave të shërbimit, si sfidë për audituesit e  KLSH-së, për përmirësimin e situatës dhe garantimin e sigurisë në të ardhmen.

Auditues