Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Audituesit e rinj: Ambasadorë të inovacionit në KLSH

Postuar: 06/11/2019 - 07:16

(Fjala e mbajtur në Konferencën e dytëndërkombëtare shkencore “Young ALSAI (KLSH-ja e re)”, në mjediset e Akademisë së Shkencave)

Konferenca shkencore “Young ALSAI” vjen sot në edicionin e saj të dytë dhe synon të shndërrohet në një aktivitet traditë për institucionin, si dhe në një pikë referimi, platformë dhe tribunë shkëmbimi eksperiencash, për nxitjen e brezit të ri të audituesve për të vijuar në karrierën e tyre profesionale në KLSH, duke thelluar dijet në auditim dhe rritur bashkëpunimin mes tyre dhe audituesve më me përvojë, si dhe me rrjetin e audituesve të rinj në SAI-t partnere në Europë dhe më gjerë. Konferenca është aktiviteti i parë i Muajit të Hapur për Qytetarët 2019, i cili ka arritur në edicionin e tij të tretë dhe është shndërruar në një traditë transparence dhe komunikimi për institucionin. Nëpërmjet Muajit të Hapur, ne synojmë të arrijmë transparencën e aktivitetit të KLSH, si dhe një komunikim gjithë përmasor dhe të pandërprerë me qytetarët. Tema e Konferencës ka për qëllim të adresojë çështjet kryesore të auditimit publik në kontekstin e ndryshimeve drejt integrimit evropian të Shqipërisë. Tema dhe nëntemat me kumtesat dhe diskutimet e përgatitura dhe ato spontane që do të zhvillohen, ravijëzojnë sfidat kryesore të auditimit suprem publik shqiptar në ditët e sotme. Këto sfida janë në përputhje të plotë me orientimet dhe temat e diskutuara në Kongresin e XXIII-të të INTOSAI-t në shtator 2019 në Moskë. Dy temat qendrore të Kongresit ishin:

a-      Teknologjia e informacionit për të zhvilluar administratën publike

b-      Roli i SAI-ve në arritjen e përparësive dhe qëllimeve kombëtare.

Përdorimi i T.I. në administratën publike ka evoluar nga dixhitalizimi në epokën aktuale të të dhënave të mëdha (Big Data), gjë që ka çuar në përhapjen dhe shumëllojshmërinë e të dhënave të konsiderueshme. Përqendrimi tek të dhënat si një mjet për të përtërirë dhe optimizuar punën e administratë publike ndikon pozitivisht në vendimmarrje, rrit koordinimin dhe rrit saktësinë dhe transparencën. T.I. pasuron potencialin për të perceptuar, parashikuar dhe menaxhuar faktorët e rrezikut, përshpejton zhvillimin ekonomik, përmirëson metodologjitë dhe rrit cilësinë e shërbimit publik. "Sistemet e funksionimit të mirë të T.I. gjithashtu mund të përmirësojnë shpërndarjen e shërbimeve dhe programeve që janë thelbësore për shëndetin, sigurinë dhe mirëqenien e qytetarëve", theksoi në Kongres z. Gene Dodaro, Kontrollori i Përgjithshëm i GAO-s amerikane.

Në këto vite, kemi ngritur në tetor 2012 Departamentin e Auditimeve të Performancës, katër vite më vonë Departamentin e Auditimit të Teknologjisë së Informacionit dhe tani kemi marrë vendim dhe jemi duke ngritur Departamentin e Auditimeve Inovative dhe të Sistemeve, në reflektim të plotë të mesazheve të Kongresit të XXIII-të të INTOSAI-t. Në trajtimin e temës së dytë, Kongresi theksoi se ndërsa qeveritë po shndërrohen dhe përshtaten për përmbushjen më efektive të qëllimeve kombëtare dhe globale, SAI-t duhet të zhvillohen në mënyrë të ngjashme, në përputhje me Axhendën 2030 dhe 17 Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm, si Objektivi 8 “Promovimi i një zhvillimi të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës ekonomik dhe punësim të plotë e të denjë” dhe Objektivi 12 “Sigurimi i modelit të qëndrueshëm të konsumit dhe prodhimit”. Kongresi i XXIII-të orientoi që SAI-t të auditonin plotësimin e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm sipas përparësive dhe qëllimeve kombëtare, duke zhvendosur aktivitetet audituese nga "përgjegjësia për procesin" në "përgjegjshmëri për performancën", si qasje themelore për përmirësimin e përgjegjshmërisë dhe eficiencës në qeverisjen publike.

Qasja e konferencave tona Young ALSAI është inspiruar edhe nga eksperienca e një grupi të vogël audituesish të rinj nga vende të ndryshme të Europës, pjesëmarrës në Kongresin e VII-të të EUROSAI-t në Krakov të Polonisë në vitin 2008. Puna e tyre u kurorëzua në vitin 2013, me organizimin e Konferencës së parë të Audituesve të rinj europianë “Young EUROSAI (YES)” më 21-22 nëntor 2013 në Rotterdam të Holandës. E cila u përcoll nga dy konferenca të tjera “YES” në nëntor 2015 në Tel-Aviv të Izraelit dhe në shtator 2017 në Tallin të Estonisë. Produkt i menjëhershëm dhe i dukshëm i qasjes Young EUROSAI është rrjeti i krijuar në Evropë nga audituesit e rinj. Shumë pjesëmarrës të konferencave YES, përfshirë dhe disa nga audituesit tanë të rinj, janë në kontakt në vijimësi me njëri-tjetrin, si profesionalisht ashtu edhe personalisht. Rrjeti që ata kanë filluar të ndërtojnë nëpërmjet takimeve në këto konferenca, u siguron atyre një qasje më të lehtë në përvojat në auditim të kolegëve të rinj në SAI-t partnere europiane. U jep mundësinë për të krahasuar qasjet e tyre dhe për të bërë pyetje, gjë që rrit cilësinë e punës së tyre të përditshme. Ai gjithashtu i ndihmon ata dhe më pas SAI-t e tyre, duke identifikuar çështje që shfaqen si në temat e auditimit, ashtu edhe në proceset e organizimit të SAI-ve respektive.

Sot që po flasim, në Londër po zhvillohet Konferenca e Katërt Young EUROSAI, me temë “Rëndësia: Të sigurojmë që institucionet supreme të auditimit të mbeten të rëndësishme në ndryshimet e shpejta në mjedisin qeverisës”, në të cilën marrin pjesë edhe tre auditues nga KLSH. Kjo temë e konferencës ka shumë anë të ngjashme me temën e përzgjedhur nga Konferenca e dytë Young ALSAI “Çështjet kryesore të auditimit publik në kontekstin e ndryshimeve drejt integrimit evropian të Shqipërisë”. Lind pyetja: Si po integrohemi ne si SAI, me ndihmën dhe kontributin edhe të audituesve të rinj? Si anëtar i INTOSAI-t dhe EUROSAI-t dhe partner i SAI-ve të zhvilluara të BE-së, KLSH e konsideron ndërtimin e kapaciteteve audituese një proces të vazhdueshëm, të orientuar nga rezultati dhe objektivat. Që në fillim të mandatit tim si Kryetar i KLSH-së, në platformën strategjike të prezantuar përpara Komisionit për Ekonominë dhe Financat të Kuvendit të Shqipërisë në dhjetor 2011, ndër objektivat kryesore të institucionit theksova “Zhvillimin e burimeve njerëzore të KLSH në nivelin e parametrave të kërkuar nga INTOSAI dhe në përputhje me sfidat integruese të vendit”. Gjatë periudhës 2012–2019, kemi punuar që trupa audituese e KLSH të zhvillohet, mbi të gjitha në drejtim të krijimit të një profili të lartë profesional, me auditues me eksperiencë, të kombinuar me auditues të rinj, që zotërojnë dije, aftësi dhe integritet në nivelet e audituesve të SAI-ve të zhvilluara evropiane. Jemi përpjekur të rekrutojmë sa më shumë auditues të rinj, të bindur në vlerën e shtuar që ata, me mendësinë e re sjellin në qasjet inovative në auditim, ose që mund të promovojnë në institucion. Gjatë këtyre viteve, KLSH ka rritur dhe diversifikuar përbërjen profesionale të stafit, duke ulur ndjeshëm moshën mesatare të punonjësve nga 52 vjeç në vitin 2011, në 42.6 vjeç në fund të vitit 2018. Me qëllim përmirësimin e performancës së tyre në auditim, si dhe për të fituar njohuri e teknika të reja, një pjesë e punonjësve të rinj kanë përfunduar studimet universitare në degë të dyta apo zotërojnë certifikata profesionale të njohura në nivel kombëtar e ndërkombëtar. 9 auditues, ndër të cilët shtatë janë auditues të rinj, kanë certifikata të trajnimeve të zhvilluara on-line nga IDI, Iniciativa për Zhvillim e INTOSAI-t. 20 auditues të rinj kanë marrë pjesë në internship-et e Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA) dhe 6 auditues në fellowship-et e Zyrës së Përgjegjshmërisë Qeveritare të Shteteve të Bashkuara (GAO).

Në zhvillimin profesional të audituesit, në veçanti të audituesit të ri, kemi avantazhuar qasjet inovatore të institucioneve evropiane më të zhvilluara të auditimit, sidomos të Gjykatës Evropiane të Audituesve (ECA-s), duke e konsideruar zhvillimin profesional në funksion të kërshërisë për njohuri të reja, duke pozicionuar trajnimet e stafit të porsarekrutuar nëpërmjet transformimit nga vizioni në realitet, si dhe asimilimin e dijeve të reja në formate elastike, sipas pozicioneve të stafit, si auditues, ndihmës, ekspert, përgjegjës grupi auditimi apo drejtues i lartë, në formën e mësimit alternativ, apo si qasje e përzier për të maksimizuar rezultatet. Jemi përpjekur tënxisim të mësuarit alternativ dhe atëtëintegruar- si mjete për suksesin e SAI-t. Kultura e të mësuarit gjatë karrierës dhe të mësuarit gjatë gjithë jetës ka përkuar me politikat e zhvillimit profesional te audituesve në tërësi dhe në veçanti të atyre të rinj në KLSH, duke maksimizuar nevojën për krijimin e vlerave të qëndrueshme, duke aplikuar një proces sistematik të mësimit profesional e etik dhe inkurajuar një mjedis zhvillimi të vazhdueshëm e fleksibël, të aftë për t’u përballur me situata komplekse, si dhe me sfidat dhe rreziqet e kohës. Formatet inovative të trajnimeve si për audituesit e rinj dhe ata të vjetër, por sidomos të përqendruara tek të saporekrutuarit, kanë sjellë ngritjen e aftësive praktike në auditim. Kjo është realizuar nëpërmjet trajnimeve për lidershipin, në tryezat e përbashkëta dhe bashkëpunimin me stafet akademike, si dhe nëpërmjet trajnimeve jashtë vendit me kolegë ekspertë të SAI-ve të zhvilluara europiane. Qasje të tilla kanë qenë forca lëvizëse dhe njëherazi inspiruese për menaxhimin e ndryshimit të qeverisjes institucionale të ALSAI-t, duke sjellë rritjen e kontributin të audituesve të rinj.

Si SAI, kemi konsoliduar reformat e ndërmarra që nga viti 2012 në menaxhimin e burimeve te reja njerëzore, duke u fokusuar në realizimin e tre objektivave kryesore:

1.      Zbatimin e kornizës legjislative të shërbimit civil, implementimin e Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI-ve që mbulojnë fushën e menaxhimit të burimeve njerëzore si dhe qasjeve e praktikave më të mira të identifikuara nga SAI-t më të zhvilluara si GAO amerikane, ECA, etj.

2.      Zhvillimin dhe instalimin e vlerave etike dhe të integritetit tek çdo anëtar i ri i stafit të KLSH, që përbën parakushtin e kredibilitetit institucional dhe bazën e ngrehinës së besimit të qytetarëve tek institucioni i KLSH.

3.      Zhvillimin e kapaciteteve me fokus rritjen e profesionalizmit dhe maksimizimin e produktivitetit të stafit të ri të KLSH.

Kjo filozofi menaxhimi e burimeve njerëzore në institucion reflekton përmbushjen e objektivit prioritar të përcaktuar në Standardin ISSAI 12 “Vlerat dhe Përfitimet e Institucioneve Supreme të Auditimit-Të bësh diferencën në jetën e qytetarëve”, si dhe menaxhimin modern dhe efektiv të kapitalit njerëzor, në funksion të sigurimit të aftësive më të mira profesionale dhe njohurive mbi standardet ndërkombëtare të fushës.

Gjatë periudhës 2012-2019, KLSH mundësoi transformimin nga menaxhimi tradicional i burimeve njerëzore në qasje më proaktive dhe inovatore të ndërtimit dhe zhvillimit të kapaciteteve njerëzore e profesionale, duke mësuar nga eksperiencat e trajnimeve të SIGMA-s, të ekspertëve të SAI-ve të përparuara europiane partnere të tij, si Zyra Kombëtare e Auditimit e Polonisë(NIK), SAI i Kroacisë, ECA, GAO, Gjykata Austriake e Auditimit, SAI çek, etj., mbi bazën e motos së INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus prodest (Nga eksperienca e përbashkët fitojnë të gjithë)”. Politika e ndjekur nga KLSH për zhvillimin e kapaciteteve audituese, e mbështetur nga Strategjia e tij e Zhvillimit 2013–2017, e rishikuar, si dhe me pas nga Strategjia e Zhvillimit 2018-2022, ka synuar rekrutimin dhe mbajtjen e audituesve të rinj të aftë, të përkushtuar e të motivuar për të kontribuar në zhvillimin individual dhe më pas për të gjithë institucionin. Gjej rastin te falenderoj z. Joop Vrojlik, ish-Këshilltar i Lartë i SIGMA, z. Robert Gielisse, ish-Këshilltar i Lartë i Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Europian DG-Budget dhe z. Raymond Hill, Këshilltar i Lartë i DG-Budget, për kontributin e tyre permanent, të rëndësishëm dhe në disa momente deçiziv për zhvillimet institucionale në KLSH.

Në kuadër të përmbushjes së objektivit për një menaxhim modern të burimeve njerëzore KLSH, ka ndërmarrë hapa konkrete dhe një sërë iniciativash për instalimin në institucion të një infrastrukture dhe sistemi efektiv të menaxhimit të kapitalit human dhe krijimin e profilit të një institucioni të besueshëm dhe profesional në optikën e palëve të treta –Parlamentit, medias dhe publikut e qytetarit, si dhe subjekteve të auditimit. Efektiviteti i politikave të burimeve njerëzore në drejtim të rritjes së kapaciteteve profesionale dëshmohet nga treguesi rreth 14 herë më i larta i ditëve mesatare në trajnim në vit për çdo auditues, nga 2,1 ditë mesatare trajnimi në vitin 2011, në një mesatare prej 25 ditë trajnimi për periudhën 2012-2019, duke arritur kështu dhe nivelin më të lartë të këtij treguesi përgjatë gjithë zhvillimit të këtij institucioni ndër 94 vitet e ekzistencës së tij. Ditët mesatare në vit për audituesit e rinj janë 29. KLSH ka orientuar audituesit e tij, sidomos ata të rinj në përdorimin e Sistemit të Informacionit për Menaxhimin dhe Mbështetjen e Proceseve të Auditimit, të quajtur RevZone, si një risi absolute për institucionin që lehtëson dhe plotëson tërësisht me informacionin e duhur drejtimin dixhital në auditim. Institucioni ka krijuar bazën e të dhënave për subjektet e auditimit IT (ICTS Database) dhe ka zhvilluar Manualin Aktiv të Auditimit të Teknologjisë së Informacionit. Ky manual elektronik, me vlera të padiskutueshme në analizimin e riskut, planifikimin e auditimit si dhe përdorimit të eksperiencës së auditimeve të mëparshme, përbën një risi jo vetëm për KLSH, por edhe për komunitetin botëror të auditimit, si produkt që lindi, u testua në një auditim pilot, u përmirësua edhe me kontributin modest të audituesve të Teknologjisë së Informacionit të KLSH (në pjesën dërrmuese i përbërë nga auditues të rinj). Ai është prezantuar në disa evente të grupeve të punës së IT të EUROSAI-t dhe INTOSAI-t, është pranuar dhe po implementohet si një inovacion në fushën e auditimit nga komuniteti ndërkombëtar i auditimit të T.I. Axhendën e INTOSAI-t për profesionalizmin, të prezantuar në Kongresin INCOSAI i XXII-të në dhjetor 2016 në Abu Dhabi dhe të rikonfirmuar e konsoliduar në Kongresin INCOSAI XXIII në shtator 2019 në Moskë, Kontrolli i Lartë i Shtetit e ka përkthyer në detyra që kërkojnë më shumë angazhim nga audituesit publikë, dhe në radhë të parë nga ata të rinj, për të vepruar si profesionistë, duke kryer punën audituese në cilësinë dhe kohën e duhur, me sa më efektivitet dhe eficiencë që të jetë e mundur.

KLSH, mbi bazë dhe të entuziazmit dhe forcës inovatore të audituesve të vet të rinj, aspiron të aftësohet plotësisht për të bërë ndryshim në jetën e qytetarëve shqiptarë, sikurse përcaktohet në standardin ISSAI 12. Kjo është mënyra se si KLSH e ka konceptuar rritjen dhe fuqizimin e kapaciteteve institucionale e organizative, duke u shndërruar në qendër të zhvillimit profesional të audituesve të vet të rinj dhe jo vetëm, për t’i aftësuar ata që të ofrojnë vlera dhe përfitime për qytetarin, në luftën pa kompromis kundër korrupsionit dhe në përmirësimin real të qeverisjes publike, duke audituar me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë përdorimin e parasë së taksapaguesit shqiptar. 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/11/2019 - 19:17

Dita e sotme si një ditë përkujtimore për çlirimin e kryeqytetit nga formacionet partizane u festua nga të gjitha palët e politikës si një ditë e veçantë për kontributin e shqiptarëve në a

Postuar: 17/11/2019 - 07:47

“Nga të gjitha fatkeqësitë që mund ta gjejnë një Komb, asgjë nuk është më tragjike dhe me k

Postuar: 17/11/2019 - 07:45

Për mendimin tonë, për politikën shqiptare në përgjithësi, sindroma e mosrespektimit të të rinjve

Postuar: 17/11/2019 - 07:44

Jam një nga tre milionë shqiptarët që jetoj në Shqipëri.

Postuar: 17/11/2019 - 07:42

Një njeri kërkon të marrë një për qind të produktit tonë të përgjithshëm të Shqipërisë.

Postuar: 16/11/2019 - 20:43

Reforma në Drejtësi përpos çlirimit të drejtësisë nga turlilloj injorantësh, hajdutësh, sharlatan

Postuar: 16/11/2019 - 07:21

Është një ulërimë e madhe, është një gjëmë pa përmasa, është një apokalips dhe përmbysje rrënjëso