BREAKING NEWS

LSI del me bindje të plotë, paralajmëron zhvillime të reja: Do ndodhë së shpejti

LSI del me bindje të plotë, paralajmëron zhvillime të
x

Opinion / Editorial

Aventura me naftën

Aventura me naftën

Qeveria ka ndër duar një projektligj për të krijuar Agjencinë Shtetërore të Rezervave Strategjike të Naftës. Duke qenë se u dogj nga qulli(një kompani në treg falimentoi një vit e tre muaj më parë, duke mos patur asnjë litër karburant rezervë dhe duke mashtruar qindra qytetarë që kishin blerë tollonat e saj), ndoshta qeveria ka menduar të sigurojë qytetarët dhe tani po nxjerr këtë projektligj. Po i fryn “kosit” të sigurisë së një tregu strategjik si nafta. Thotë se tarifa shtesë që do të vendosë (njëzet lekë të vjetra për litër) nuk do të ndihet nga 596 mijë drejtues mjetesh, sepse do lehtësohen kostot e mbajtjes së rezervës strategjike (3 muaj naftë) të kompanive private që tregtojnë naftë me shumicë tek ne. Ndërsa këto kompani, nga ana e tyre, shprehen se nuk kanë kosto për këtë rezervë, pse atë ia mban kompania e huaj nga ku importojnë naftën. Atëherë ç’është ky veprim? Një aventurë? Nuk është se jemi në një situatë kur kompanitë kryesore tregtuese të naftës tek ne janë edhe ato në gjendje falimenti, që qeveria të mendojë të krijojë një xhep shtetëror për të mbajtur naftë si rezervë strategjike. Ky treg vijon aktivitetin e tij normal. Atëherë përse kjo lëvizje? Çfarë fitojmë? Një strukturë shtetërore më shumë? 200 mijë ton naftë (sigurojnë tre muaj furnizim në tregun tonë) të blerë nga paratë e buxhetit që do të vijnë nga taksa shtesë? Sinqerisht nuk kuptohet mirë se çfarë fitojmë. Ndërkohë, kemi rezervuarë mbajtje të naftës në afërsi të porteve tona kryesore, me kapacitet katër herë më shumë naftë, pra tetëqind mijë tonë. Janë magazina private, bosh në tetëdhjetë përqind të tyre sot. Ku do t’i mbajë shteti ynë të 200 mijë tonët e tij të sigurisë? Do marrë me qira disa nga këta rezervuarë? Do t’i blejë nga privatët tanë? Apo do ndërtojë rezervuarë të rinj? Gjithçka duket një mal me para shtetërore që do të shpenzohen pa ndonjë nevojë të fortë urgjente. Deri tani, renditemi ndër 20 vendet me çmimin më të lartë të naftës në botë. Në raport me të ardhurat për frymë, ngjitemi akoma dhe më lart në këtë klasifikim të trishtë. Kapim vendin e pestë në botë me naftën më të shtrenjtë! Ose të dytin në botë për nivelin e lartë të taksave shtetërore brenda çmimit përfundimtar. E kemi 60 përqind. Nga një mijë e shtatëqind e shtatëdhjetë lekë të vjetra litri i naftës sot, një mijë e gjashtëdhjetë lekë të vjetra janë taksa. Po si? Janë shtatë taksat-motra që rëndojnë çmimin e naftës tek ne. Po aq në numër janë kompanitë që tregtojnë naftën me shumicë tek ne. Nafta jonë taksohet me 370 lekë të vjetra akcizë. Pastaj me 270 lekë të vjetra taksë qarkullimi. Pastaj me 30 lekë të vjetra taksë për ndotjen nga karboni. Pastaj me 10 lekë të vjetra taksën e markimit. Pastaj me katërmbëdhjetë lekë të vjetra taksën e skanimit. Me 10 lekë të vjetra është taksa e rilicensimit dhe në fund me treqind e dyzet lekë të vjetra e mbyll Tatimi mbi Vlerën e Shtuar(TVSH). Tani po vjen edhe kjo taksë e tetë. Bie shi në të lagësht, do të shprehej latini. Njëzet lekë të vjetra më shumë për litër në pamje të parë duken pak, por kthehen në qindra mijëra euro në shitjet e karburantit për një muaj. Dhe në 6-7 milionë euro në fund të një viti. Të gjitha këto para do t’i përballojë konsumatori shqiptar. Në një kohë kur çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare po rritet vërtik. Dhe ne importojmë 90 përqind të naftës që konsumojmë. Një fuçi nafte arriti katër ditë më parë në 77 dollarë, niveli më i lartë i çmimit që nga viti 2014. Kjo, pasi nafta e Venezuelës është e bllokuar nga sanksionet ndaj regjimit të Maduros, ndërsa Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se po tërhiqej nga marrëveshja bërthamore me Iranin dhe se do të vendoste sanksione ndaj naftës së këtij vendi. Parashikimet për këto muajt të verës kur të gjithë përgatitemi të udhëtojmë edhe brenda vendit për pushime, janë që nafta mund të shtrenjtohet sërish, nga lëvizjet në tregjet ndërkombëtare. Prognoza në këto tregje nuk paraqitet optimiste. Një rikthim i çmimit të naftës në nivelet e 100 dollarëve për fuçi mund të ndodhë. Në këto kushte, nafta tek ne mund të kërcejë edhe një mijë e nëntëqind lekë të vjetra litri. Prandaj dhe është mirë që qeveria jonë të ndalë këtë qasje me rezervat strategjike shtetërore për naftën. Të shikojë ndonjë mundësi për uljen e nivelit fiks të taksës së qarkullimit, për shembull, meqenëse disa boshte rrugore po mendon t’i japë kundrejt pagesës.

Nga Fatos ÇOÇOLI