BREAKING NEWS

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti s’ka ndodhur në asnjë vend të botës!

Spartak Braho 'kap mat' Metën: Kjo që po bën presidenti
x

Opinion / Editorial

Axheba ku e ka zyrën presidenti ynë i “madhërishëm”

Axheba ku e ka zyrën presidenti ynë i

Është normale që zyra e punës së një presidenti që lypset që të qëndrojë mbi palët dhe të jetë me të vërtetë garanti i Kushtetutës është institucioni i Presidencës. Por sidomos kohët e fundit, presidenti ynë është angazhuar të punojë më shumë në terren sesa në zyrë e që në fakt normale do të ishte e kundërta. Nuk e teproj aspak të them se ka kohë e sidomos kohët e fundit presidenti ynë është bërë si dikur e një moti kiu fiu. Herë e gjen të shfaqet në rrethe duke shpërndarë dekorata me vend e pa vend, me kriter e pa kriter, me hovarda dhe fare pa doganë e duke bastarduar dhe vulgarizuar problemin e duke shndërruar në qëllim në vetvete. Herë tjetër të shfaqet si fantazëm po në terren duke kontaktuar dhe folur e diskutuar me anëtarë të një shoqate në qytetin bregdetar të Durrësit. Nuk vonuan shumë e të shfaqet përsëri në terren duke bërë fushatë për partinë e tij familjare pra LSI-në dhe për opozitën e bashkuar duke luajtur rolin e kryeopozitarit de fakto. Po kështu dhe gjithandej po në terren bën thirrje për revolucion për të rrëzuar me dhunë mazhorancën dhe kryeministrin Edi Rama me synim për të destabilizuar situatën politike në vend me të vetmin qëllim për të krijuar rrëmujë, kaos, konfuzion e anarshi.

Madje madje jo rrallë herë bën thirrje kundërshtarëve politikë që të ndeshen me shpata te sheshi i flamurit duke harruar se lufta e sotme nuk bëhet me mjete mesjetare, por me armë e teknikë të sofistikuar. Dhe më e rëndësishmja është se ai harron se sheshi i flamurit nuk është e nuk mund të jetë kurrsesi vendi ku mund të ndeshen gladiatorët politikë. Përkundrazi sheshi legjendar i Flamurit ku qëndron krenar statuja e pavarësisë me Ismail Qemalin në krye është simbol i bashkimit dhe jo i përçarjes, është simbol i dashurisë kombëtare dhe jo i urrejtjes, është simbol i bashkëpunimit dhe jo i mosdakordësisë, është simbol i pajtimit dhe jo i hakmarrjes, është simbol i patriotizmit dhe atdhetarizmit dhe jo e kundërta e tij, është simbol i progresit, zhvillimit dhe përparimit dhe jo i regresit dhe prapambetjes, simbol i dijes dhe ndriçimit dhe jo i errësirës. Gjithashtu në sjelljet e presidentit kohët e fundit po vërehen edhe disa çekuilibrime politike aq sa dhe e kalon masë kur thotë se do t’i përzënë amerikanët nga Shqipëria për veshi vetëm e vetëm se amerikanët mbështesin Dvoranin të cilin me të drejtë e rendit mes 12 personaliteteve që kanë luftuar vendosmërisht korrupsionin. Po kështu presidenti Ilir Meta duke e konsideruar si primare punën në terren vazhdon takimet si kundër ishte takimi me përfaqësues të shoqërisë civile për problemet e pandemisë kur lëshoi lumë kritikash për qeverinë që sipas tij nuk e kanë në kontroll situatën dhe se po e menaxhon keq atë. Gjykoj dhe arsyetoj se primare duhet të jetë puna e presidentit në zyrën e Presidencës dhe jo puna në terren pasi për punën dhe veprimtarinë në terren ka institucione deri te qeveria që angazhohen dhe atashohen në punët e terrenit në qarqe dhe në rrethe deri edhe në zonat rurale. Padyshim se problematikat e shumta e nga më të ndryshmet janë pikërisht atje në terren e që patjetër që janë të ndjeshme dhe kërkojnë impenjim me reflekse të shpejta për t’iu dhënë rrugëzgjidhje po kaq të shpejta. Në metodën dhe stilin e punës së veprimtarisë së presidentit, përparësi prioritare ka puna, angazhimi, atashimi dhe impenjimi maksimal në Presidencë si dëgjimi, respektimi dhe vlerësimi i mendimit të këshilltarëve të fushave dhe sektorëve të ndryshme të veprimtarisë ekonomiko-shoqërore, financiare dhe sociale. Mendoj se mendimi i këshilltarëve është racional dhe i domosdoshëm për fushat dhe drejtimet që ata përfaqësojnë dhe mbulojnë. Prandaj edhe duhen bërë më të shpeshta dhe praktikë e përditshme e punës me ta në zyrë dhe kokë më kokë me ta dhe që herë tjetër të mos themi axheba ku e ka zyrën presidenti ynë i “madhërishëm”.