BREAKING NEWS

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep lajmin e mirë nga spitali Infektiv

Në luftë të përditshme me COVID-19, kryeministri Rama jep
x

Opinion / Editorial

Baballarët e kombit duhet të vishen lakuriq!

Baballarët e kombit duhet të vishen lakuriq!

Kjo është një shprehje e poetit dhe shkrimtarit të shquar N. Bulka në fejtonin “Karnaval” ku deklaron se: “Deputetët e të gjithë botës dhe të Tiranës veçanërisht, duhet të visheshin ashtu siç i ka hije baballarëve të kombit, domethënë lakuriq, jo vetëm turpërisht, por edhe shpirtërisht, sepse kështu mileti do të mund të gjykojë dhe votojë sipas veprimeve që kanë bërë”. Kjo thënie zë vend për të gjithë politikanët shqiptarë, por në veçanti ajo vlen për presidentin tonë “të nderuar”, që me të drejtë do ta konsideronim si “babain e kombit shqiptar”. U bënë një kohë e gjatë që shumë politikanë “baballarë të kombit”, i japin mësime “ morali” dhe “nderi” popullit shqiptar, politikanë që jetën e tyre e kanë ngritur mbi intriga, vese, mashtrime, lojëra politike të dyshimta, të cilat janë karakteristikë për moralin e tyre. Përpara fytyrës së tyre ata kanë vendosur një maskë të domosdoshme hipokrizie ku me anë të cilës ata na thonë se ne duhet të ëndërrojmë të zhvishni, të therim, rrjepim njëri-tjetrin dhe më në fund të puthemi dhe pushtoheni midis jush pa pikë turpi. Këta parazitë kumarxhinj, rrjepin popullin në emër të “ligjit” dhe “drejtësisë” dhe tani më në fund na bëjnë thirrje për dhunë. Këta “baballarë” me trup dhe shpirt prej “floriri” po kërkojnë viktima të tjera të radhës, të cilat do ti shtohen atyre të shumta, të sakrifikuar kot për interesa të tyre dashakeqe gjatë tërë kësaj kohe. Shumë njerëz rrojnë të “dehur”, nga ky opium shprese i “baballarëve të kombit”, ata janë në çastet e ëndërrimeve për të ardhmen. Këto baballarë paskan fatin e shqiptarëve në dorë dhe institucioneve demokratike të saj. Ata ia kanë me të pabesë këtë populli të varfër dhe të shumëvuajtur, i etur për liri dhe për një Europë të bashkuar. Gjithmonë në momentet kur mbizotëron paqja dhe po përgatitemi për zgjedhje të lira, ata na sjellin erën e barotit dhe të tymit. Këta të pabesë bashkohen me teoritë antishqiptare se: “shqiptarët kanë bisht” dhe do të mund ti ndjekin ata në çdo çmenduri të tyre. Të gjithë njerëzit e ndershëm në Shqipëri janë habitur me deklaratat ekstreme të presidentit dhe me shkarjen e tij në prag të Samitit të Zagrebit për: hapjen e negociatave me Shqipërinë. Kapadaillëku i tij se: mos luani me kokëfortësinë time, apo me ultimatum si ai i dy marsit, janë shkarje psiqike shumë të rrezikshme të “babait të kombit”, i cili hoqi maskën e tij të “florinjtë”, të cilën e ka pasur shumë për zemër dhe na doli lakuriq në sy të opinionit shqiptar dhe atij europian dhe botëror. Fjala e tij në presidencë i ngjan ligjërimit të një agjitatori komunist, inatçi dhe kapadai që i përket periudhës së shkuar diktatoriale. Thirrja e tij për një “besëlidhje të re” duket se i vjen për shtat edhe disa partive opozitare, të cilat nuk e duan Shqipërinë në Europë për momentin, pasi këtë meritë duan t’ia atribuojë si suksese vetes së saj kur të vij në pushtet. Përse “babai i kombit”, veshur me flori, është fiqirosur në këtë moment kur u ngrit edhe SPAK-u, i cili do kontrollojë veprimtarinë e këtyre Haxhi Qamilsave të kombit tonë liridashës? Degradimi dhe katandisja e tij kanë arritur pikun. Me nervozizmin e tij për gjoja shkelje apo grushte shteti imagjinare, ai po shqetëson gjithë popullin shqiptar, që kanë një arsye akoma më tepër për tu larguar nga vendi i tyre. Thirrjet për “të rrokur armët” dhe zbuar “zaptuesit” e pushteteve, besoj që nuk do të kenë sukses. Prej asaj përpjekje destabilizuese do të “lindë një mi”. Lotët e tij për “Shqipërinë” nuk paskan të tharë! Shqipëria është gati për të hapur negociatat me Europën, por fatkeqësisht ajo është si një nuse pa duvak. Hovet e zemërimit të tij ndaj të “këqijave të qeverisë” nuk kanë të ndalur. Ky “baba i kombit” e vendos vetë se kush e ka fajin dhe nuk mendon se fajtorin e përcaktojnë vetëm zgjedhjet politike. Populli shqiptar nuk ka pse ftohet, të futet në këtë udhë të rrezikshme nga këta “patriotë”, ku besoj që rrëkeja mund t’i marrë me vete dhe mund t’i fusë në një gropë, ku kalben tradhtarët e Shqipërisë. Rinia shqiptare nga këto lëvizje të dyshimta dhe të paqarta të presidentit, gjen motivin e dëshpërimit dhe një ndjenjë të turbullt. Ajo kupton se i është privuar liria dhe po jeton rreth një rrethi vicioz ku nuk po gjen rrugëdaljen. Ajo po humbet shpresat që më parë e kishin frymëzuar. Lëvizjet e presidentit janë lëvizje në interes së frikës së tij nga SPAK-u, ato janë lëvizje që tregojnë që ai është kthyer në një apostull të interesave të tij dhe jo “apostull të shqiptarizmës”. Shqipëria dëshiron të ecë drejt rrugës së progresit. Asnjë s’ka të drejtë të na privojë nga rruga jonë drejt një shoqërie europiane, që është më e përsosur se shoqëritë e tjera. Uniteti i kombit shqiptar duhet patjetër të jetë i garantuar dhe kjo është një ndër detyrat kryesore të kryetarit të shtetit apo “babait të kombit”. Por në fakt roli përçarës i tij të unitetit të kombit, duket se është një gjë e dukshme për ata që duan ta shohin, pasi ai dëshiron ta fusë kombin dhe shoqërinë shqiptare në një rrugë të rrezikshme. Edhe në qoftë se kjo qeveri ka të meta në disa institucione të saj nuk mund të themi që: të gjitha institucionet dhe drejtësia janë të kapura plotësisht nga ajo dhe tani i paska mbetur vetëm presidenti, i cili po lufton i vetëm si një trim me “jatagan”. Ngritja e SPAK po vjen si një “tufan” i egër që do të fshijë një ditë këta “agallarë” dhe “gogozhelë”, që kanë mbetur akoma gjallë në këtë vend të lirë, demokracidashës.