Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Babëzia e politikanëve dhe armët në duart e “Ridvanëve”...!

Postuar: 25/08/2018 - 07:15

... Janë dy ndër të këqijat më të mëdha midis shumë të tjerave që e mbajnë peng këtë vend për të ecur përpara e për të gjetur pak qetësi, e për t’u integruar në Evropë. Kaluan afro 30 vite qysh kur komunizmi u përmbys dhe vendin e tij e zuri një sistem i ri, i cili edhe mbas kaq vitesh akoma nuk po e tregon që është një sistem demokratik, e nuk e dimë se çfarë emri t’i vëmë. Më e udhës do të jetë ta quajmë një sistem “Rebelokratik”! Mbas rënies së komunizmit, në pushtet erdhën politikanët rebelë duke premtuar se do të ndërtonin një sistem human, demokratik por që këtë as nuk e kishin parë, as e kishin shijuar, por vetëm e kishin dëgjuar. Parrulat e fillimeve të demokracisë si “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” apo “Liri – Demokraci” ishin formale sepse ata që u vendosën në krye të proceseve demokratike, e dinin mirë sesi Shqipëria do të “shkonte në Evropë! “Ujqërit” e diktaturës që hoqën xhaketat e zeza dhe veshën pardesytë e bardha, këtë “mjegull” prisnin dhe u lëshuan si lukuni. I premtuan politikanët popullit mirëqenie, bukë, ujë, liri, rend e qetësi dhe në fund të gjitha këto, kishin një emërues të përbashkët: atë të mashtrimit! Atë çka bënë realitet ishte uria, skamja, varfëria, etja, frika, pasiguria, krimi, babëzia dhe pangopësia e politikanëve, që edhe sot që flasim vazhdojnë të thellohen edhe më shumë.

Nuk është faji as i njërit e as i tjetrit, është i këtij sistemi që klasa politike qysh mbas rënies së komunizmit i ndryshoi rrjedhën demokracisë. Shikojmë sot mbas kaq kohësh se ku kanë shkuar borgjezia e politikanëve dhe ku kanë mbetur shumica e atyre që shpresuan në fillimet e këtij sistemi. Askush nuk flet sot për qindra e mijëra familje që jetojnë në mjerim të plotë, ku shumica e këtij populli që vuajti aq shumë në diktaturë të vuajë edhe më shumë sot. E përse vuan? Vuan për ato më elementaret në jetën e përditshme, për ujin, për bukën, për rrugën, për pronën që ja kanë grabitur të tjerët me forcën e pushtetit, për taksat që ngrihen përditë, për çmimet që rriten, për një shërbim të thjeshtë në administratë... Dy “shtyllat” ku mbështetet demokracia e vërtetë, janë të “kalbura”. Edhe ajo politike, edhe ajo ekonomike. Ajo politike me dhjetrat e partive që bëjnë “tymnajën” dhe ajo ekonomike e pronës që akoma qytetarët janë në kërkim të saj. Sistemi demokratik, me ligjin komunist të 7501 ka shkaktuar një kaos të vërtetë. Ata që flasin më shumë janë ata që kanë grabitur më shumë. Ata, janë ministra, deputetë, gjyqtarë, prokurorë ambasadorë. Të presësh nga këta drejtësi? E pamundur! Akoma vazhdojmë t’i besojmë përrallave të politikanëve, sikur “vetingu do të vërë pikat mbi “i”! Përralla! Nuk e kanë fajin as politikanët që ikin e vijnë, as deputetët, as gjyqtarët e as prokurorët. Faji i vetëm është i këtij sistemi të kalbur e të korruptuar deri në gjen, sistem që nxit krimin e korrupsionin, rrëmujën dhe kaosin.

Të tjerë politikanë do të vijnë, të tjerë gjyqtarë e të tjerë prokurorë do të vijnë. Nuk do të vonojë shumë dhe të gjithë do të “infektohen” si paraardhësit e tyre. Këta politikanë janë përgjegjësit kryesorë që po shpopullojnë këtë vend nga banorët e vet, që po shpopullojnë pyjet nga drurët, që po shpopullojnë liqenet e lumenjtë nga “banorët” e tyre, që po gërryejnë me babëzi edhe shtretërit e lumenjve që urat të bëhen gati për t’u shembur! Basha thotë “jam i tronditur për fatkeqësinë në Gjenova”, por Basha, këtu, në vendin e tij, pret “rezultatet” e thirrjeve të tij, “shkatërroni, thyeni xhama, tërhiqini zvarrë!” Edhe “ustai” i tij, pret “shtatorin e tmerrshëm shqiptar” për rrëzimin e “narkoshtetit! Këta janë politikanët që “ngopen” vetëm me shkatërrime, me djegie. E meqë ra fjala, duhej të ndodhte fatkeqësia në Italinë fqinje që shteti t’i vinte gishtin kokës e të kujtohej për urat, që sot, shumicën e tyre na i nxjerrin jashtë standardeve! Duhet të shtrohen mijëra e mijëra të infektuar në spitale që AKU-ja të ushtrojë kontrolle e të shohë që këtu konsumohen vetëm ushqime jashtë standardeve. Po pse vallë tani e morën vesh organet e shtetit që këtu gjithçka është jashtë standardeve? Kudo është mungesa absolute e ligjit, e kontrolleve. Këtu ekziston vetëm ligji i “babëzisë”!

Të vijmë tani, tek problemi i dytë ai i armëve në duart e “Ridvanëve”! Ka pak ditë që ndodhi një masakër në Selenicë. Edhe kjo është në vazhdën e shumë masakrave të tjera që po marrin në qafë jetë njerëzish të pafajshëm. Por, më e keqe nga masakra që shkaktoi Ridvani duke vrarë tetë nga pjesëtarët e fisit të tij është ajo çka mendon kryeministri. Kjo, thotë ai, nuk ka të bëjë më qeverinë! Akte të tilla, vazhdon ai, ndodhin edhe në vendet e zhvilluara demokratike! Të mendojë kështu një kryeministër, është fatkeqësi. Sipas tij, as vrasjet, as vjedhjet, as aksidentet, nuk kanë lidhje me qeverinë. As më shumë e as më pak kjo do të thotë që qeveria të largohet nga misioni i saj, nga detyrimet që ka për mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe t’ia lërë vendin kaosit dhe rrëmujës, ku pothuaj nuk ndihet fare nëse vepron ligji këtu apo jo. Do të ishte në nderin e tij e të ministrave të tij që të shkonte e të ngushëllonte familjet që i pllakosi kjo fatkeqësi e madhe, por ky, është problemi i tij. Fjalën e kemi tek armët. Është politika e këtyre farë politikanëve që populli u rebelua në vitin 1997 dhe brenda 24 orëve e shembi këtë “pseudo-shtet” demokratik.

Qysh nga ajo kohë e deri në ditët e sotme, nuk janë ndarë vrasjet, plagosjet aksidentet të cilat janë prezent çdo ditë. Po sikur në shtator të realizohet ajo që thotë Saliu me gojën e Çim Pekës, që vendi të shkojë në luftë civile, çdo të ndodhë? Ka edhe një problem tjetër këtu. Ridvani i fshatit Resulaj është i një lloji të veçantë dhe të tjerët, mund të jenë me gishta të këtij lloji. Ky është një rast i rrallë. Por më e keqja është se ka edhe shumë “Ridvanë” të tjerë, që megjithëse nuk i kthejnë armët kundër njerëzve të tyre, i mbajnë për një ditë të zezë! Çfarë tregon kjo? Kjo tregon që qytetarët, nuk kanë besim tek shteti as për atë që ai t’u sigurojë rend e qetësi, as që shteti t’i garantojë pronën dhe pasurinë. A nuk kishte të drejtë Saliu kur bërtiste “U bëj thirrje qytetarëve të këtij vendi të “armatosen”, për të ruajtur pronën dhe pasuritë e tyre nga shteti!” Më mirë se kushdo tjetër, këtë e di vetëm Saliu i cili ideoi këtë “made in shtet” dhe që akoma nuk po e gjen vetveten! Më mirë se kushdo tjetër e dinë vetëm politikanët që edhe ata qytetarë që nuk janë “Ridvanë” armën e mbajnë tek koka apo në vende të fshehta sepse një ditë do t’u hyjë në punë. Sa herë ka bërë thirrje Parlamenti apo Ministria e Brendshme për të mbledhur armët? Shumë herë! Por a ka mbledhur gjë? Përkundrazi, nga njëra anë bëhet thirrje për mbledhjen e armëve, nga ana tjetër qytetarët armatosen dhe një armë do ta gjejnë ku të jetë. E bëjnë këtë sepse e shohin që prona e tyre është grabitur nga tjetri që nuk i takon, që hajdutët bëjnë kërdinë, që pisllëqet janë bërë “male” si me lëndët narkotike ashtu edhe me trafikimin e qenieve njerëzore, etj., etj., pisllëqesh të pafund.

Të vetmin “ngushëllim” ata e gjejnë tek arma, sepse edhe gjykatave, edhe prokurorive e në tërësi tërë sistemit të drejtësisë ja kanë “pirë lëngun” dhe askush nuk ka besim. A nuk i nxori vetingu shumë të tillë që kanë dekada të tëra që kanë menduar vetëm për t’u pasuruar? Përveç kësaj sa e sa “hesape” janë shtuar gjatë këtyre afro tre dekadave për të larë me njëri tjetrin. Edhe në këtë drejtim janë të shumtë ata që kanë ecur nën shembullin e politikanëve, të gjyqtarëve e prokurorëve që jo vetëm nuk e kanë luftuar krimin e korrupsionin, por janë bërë palë me to në shumë raste edhe nxitës e bashkëpunues me ta. Disa “Ridvanë” edhe mund të bëhen “zap”, por shumica e qytetarëve nuk janë “Ridvanë”, ata nuk vrasin e nuk i përdorin armët për të të bërë të këqija, por i mbajnë sepse “nuk i dihet”! Armët kanë shkuar larg, shumë larg, deri në Ruanda e në Uganga, në Afganistan, etj., etj., atje ku kanë shkuar edhe mendtë e politikanëve. Atje ku blejnë toka e pasuri, atje ku gjejnë banka për të depozituar paratë. Në Shqipëri, kanë mbetur shumë pak nga mendtë e politikanëve për t’i dhënë këtyre qytetarëve, ujë bukë, dritë, rrugë, ilaçe, etj., etj., gjërat më elementare për të jetuar.

Njëri pas tjetrit politikanët e të gjitha ngjyrave, për aq kohë sa janë në pushtet, e bëjnë këtë vend një “mrekulli” dhe sapo largohen prej tij e bëjnë një “varr të hapur” e gjithçka bëhet nga kundërshtarët në mazhorancë, janë një “blof”, janë “mashtrim”! Kujt t’i besosh? Më së shumti kjo “rebelokraci” ka krijuar kushte të mira vetëm në burgje ku shpenzimet për një të burgosur e kalojnë pesë e gjashtë herë ato të një familjeje që është në asistencë ekonomike. Vjen një ditë e shteti u pret asistencën atyre familjeve në nevojë kurse të burgosurit nuk e kanë këtë “fat”! Vështirësia më e madhe është të “ndreqen” politikanët e korruptuar, por kjo është një ëndërr. Askush deri sot prej tyre nuk është vënë përpara fronit e të japi llogari siç ka vërtetuar koha e këtyre afro 30 viteve. Për këtë, nuk është faji i tyre, por është i këtij sistemi që “pjell” politikanë të tillë. E meqë këta politikanë do të vazhdojnë rrugën e tyre, edhe armët në duart e “Ridvanëve” të të gjitha tipave, nuk do të mblidhen e do që vazhdojnë të shkaktojnë përditë viktima të pafajshme, ashtu si edhe aksidentet. 

Nga Pandeli Bardhi   

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 9

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/09/2018 - 09:38

Është kthyer në vijë sjelljeje tek ne të bërit politikë, duke mbrojtur paligjshmërinë nën flamurin e pandershmërisë. Qëndrim i hershëm ky i pothuaj shumicës së politikave tanë.

Postuar: 20/09/2018 - 09:35

Opozita në Shqipëri vazhdon të mbetet e "munguar" për vetë faktin sepse ajo nuk mund të

Postuar: 20/09/2018 - 09:33

Një nga studiot e fundit politike mes dy personave të rinj në politikën e lartë të parlamentarizm

Postuar: 19/09/2018 - 07:25

Përmbysja e pushtetit të Demokracisë Popullore, që u ligjërua pas zgjedhjeve farsë të 22 marsit 1

Postuar: 19/09/2018 - 07:23

Kur popullata çame erdhi e detyruar në Shqipëri për t’i shpëtuar vrasjeve dhe masakrave të

Postuar: 19/09/2018 - 07:22

Në rrethet normale, secili prej nesh do t'i gëzoheshim liberalizimit të vizave, gjegjësisht l

Postuar: 18/09/2018 - 07:22

Sa herë vjen ndonjë "Konferencë Peze" dhe sigurisht dalin nostalgjikët e Enverit, Parti