BREAKING NEWS

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen koalicionet parazgjedhore. Zbardhen emrat e deputetëve që votuan pro

Miratohet nisma e opozitës parlamentare: Hapen listat dhe ndalohen
x

Opinion / Editorial

Ballë për ballë: Ramavirusi i ekonomisë dhe Luzimluksi i Shqipërisë!

Ballë për ballë: Ramavirusi i ekonomisë dhe Luzimluksi i

Gara për të bërë premtimet e rastit, ka nisur shumë herët. Ka ditë që duket sikur forcat politike kanë ndezur motorët për fushatën zgjedhore, që është në prag të derës, jo vetëm si kohë e kërkuar nga opozita për zgjedhje të parakohshme, po edhe në afatet kushtetuese në maj- qershor 2021, kur është data normale. Nuk është stina e vetme, pranvera, ku lideri i PD-së, Lulzim Basha dhe koalicionistët rreth tij në opozitë, të hapin thesin e premtimeve, të dalin para shqiptarëve në takime gju më gju me qytetarët apo përmes mediave sociale, Facebook, portale, ekranet e televizioneve, podiumet e selive të partisë për t`i ushqyer stomakët e shqiptarëve me ajër të kontaminuar dhe trullosur mendjet e tyre me ëndrrat se, shumë shpejt do dalin në dritë të vërtetë, në bollëk, do i thonë jo varfërisë, do sjellin të mira materiale e shpirtërore pa hesap. Qytetarët, kanë vetëm një punë të vockël fare për të bërë. Të hedhin votën për Bashën dhe Monikën. T`i japin një shans Nard Ndokës, t`i thonë merri, ja ku i keni votat, Vangjelit, Dash Shehit, Dukës. T`ua japin gjithë tortën e pushtetit, liderëve të koalicionit opozitar. Pas votës, është përgjegjësia e tyre që do kthehet në realitet dhe do garantohet zbatimi i premtimeve dhe realizmit të objektivave edhe pse premtimet derdhen lumë. Ne, shqiptarët, le të bëjmë gati lugët, sepse jo vetëm burimet lumore, po edhe detet që lagin Shqipërinë dhe pellgjet liqenore do bëhen kos dhe të gjithë do turremi për të ngrënë pa hesap, aq sa të pëlcasim. Deviza që na miklon Basha, është të punojmë sa kemi mundësi, të bëjmë jetë mbretërish me gjithë të mirat që nuk do na mungojnë. Po, vetëm një lëvizje e vogël kërkohet, Të largohet qeveria “Rama” dhe të vijë në pushtet qeveria “Basha”. Të gjithë nuk duhet të harrojnë përvojën, zgjidhjet me themel, arritjet, ndryshimet epokale, performancën që i dha Tiranës, katër vite në krye të saj, pretendenti për kryeministër, i vetëshpallur që tani, përmes mediave dhe deklaratave dhe mënyrës së sjelljes kryeministrore. Që Lulzim Basha, ka objektiv të largojë Ramën dhe të vijë vetë në krye të ekzekutivit shqiptar është e paqortueshme dhe asnjë çudi. Kjo është e drejta e ligjshme që i mundëson demokracia dhe rotacioni politik përmes zgjedhjeve të përgjithshme, të lira, ta barabarta, të ndershme të pakontestueshme nga askush. Dhe aktualisht, shanset për zgjedhje korrekte me ligjin e ri zgjedhor që mori bekimin e liderit të PD-së dhe u përshëndet nga faktori ndërkombëtar, si një arritje kompromisi për rregulla të barabarta dhe administrim i balancuar i zgjedhjeve dhe që ka marrë edhe miratimin e katërshes së Këshillit Politik, kjo duket kapitull i mbyllur. Së paku liderët e opozitës, janë entuziastë dhe e kanë shprehur mendimin e tyre, duke e cilësuar fitore madhore reformën e re zgjedhore, e cila për hir të së vërtetës mori vulën e pretendimeve dhe u bë sipas orekseve të opozitës. Deshën administrim politik? U pranua! E deshën firmosjen në vend neutral, tokën amerikane, u dakordësua. Deshën monitorim, si në big brother në qendrat e votimit edhe kjo u realizua. U hodh poshtë rekomandimi i OSBE-ODHIR-it dhe më në fund u hoq dorë nga administrimi teknik ose i individëve pa tesër partie edhe kjo u plotësua. Këmbëngulja e PS në Këshillin Politik u cilësua si sakrilegj dhe tentativë e Ramës për të administruar vetëm zgjedhjet dhe për t`i vjedhur ato. Pra kushtet u plotësuan deri në një. Tani radha u ka mbetur votuesve shqiptarë. Ata vendosin. Po le të vijmë tek premtimet e Lulzim Bashës. “Kryeministri i ekonomisë”, shpëtimtari i shqiptarëve për t`i nxjerrë nga bataku i varfërisë dhe rrënimit. Duke huazuar fjalorin e Covid-19 që është bërë viral dhe mbizotërues në debatet e qytetarëve dhe komunikimeve zyrtare të spikerëve të komitetit anti-covid, edhe Basha e pasuroi emrin e Ramës me prapashtesën, virus. Rama tani e tutje sipas pagëzimit të Lulzimit do të jetë Ramavirus. Një gjetje stilistikore dhe morfologjike, e cila do hyjë në fjalorin shqip-shqip dhe do sqarohet në vitet që vijnë në enciklopedinë shqiptare, si një zë i veçantë me autorësi Bashën. Goxha shpikje apo jo?! Dhe ky Rama, jo vetëm që është virusi i rrezikshëm për qytetarët tanë, po edhe ai që i orienton fondet drejtë oligarkëve të cilët janë barazuar për nga nxirja që u bëhet përditë me gogolin apo djallin. Sikur mos të ishin motorët dhe lokomotivat e zhvillimit të ekonomisë shqiptare dhe punësimit të mijëra vetëve nga çdo cep i Shqipërisë. Kapitalizmi i presupozon të pasurit. Nuk i anatemon. Ata janë bashkëkomplementarë me shtetin në zgjidhjet e mëdha. Kujtoj vite më parë kur u përurua dogana e Tiranës në Vorë. Investimi ishte mbi 25 milionë euro dhe nuk u krye nga portofoli i qeverisë Berisha, po nga një nga ata që shahet përditë si oligark që ha paratë e shtetit shqiptar. Në të gjitha vendet e botës, kapitalistët, administratorët e kompanive të mëdha, janë njerëzit më të respektuar. Atyre u blatohen meritat për zhvillimin e ekonomisë dhe punësimit. Vetëm këtu tek ne, ndoshta edhe si zgjatim i psikologjisë komuniste dhe socializmit në vend të parë, janë proletarët. Paragjykohen të pasurit që trajtohen si delja e zezë. Janë po të njëjtët që ndër vite kanë shoqëruar anembanë Shqipërisë, shtetarët më të lartë që nga kryeministrat deri tek presidentët dhe i kanë dhënë frymëmarrje ekonomisë tonë kombëtare. Sot anatemohen dhe sulmohen, jo për atë që përfaqësojnë, por konsiderohen dhe llogariten në krah të qeverisë dhe i japin oksigjen Ramës. Liderët e opozitës nuk kanë ndonjë gjë me të pasurit në vetvete sepse shumë prej tyre janë të pasur vetë. Po ata janë kundër kontributit të tyre në mbështetje të shtetit dhe përkrahjes së projekteve të mëdha. Kështu, ta cilësosh Ramën bashkëpronar apo mbështetës të oligarkëve, është një autogol, i cili nesër do jetë boomerang për vetë kryeopozitarët që anatemojnë dhe poshtërojnë kapitalistët e rinj, të cilët do bëjnë të njëjtën gjë edhe me ata nesër në pushtet. Kjo është e njohur në gjithë globin. Pra, opozita jonë nuk ka pse armiqësohet me oligarkët. Ata do jenë sigurisht miqtë më të mëdhenj të pushtetit nesër. Po atëherë jam i sigurt se për ta do thuren këngë e do këndohet me vargje biblike. Edhe pse nuk janë të ngjashëm me Rapush Xhaferin apo Suden, që ishin projektuesit dhe konstruktorët e piramidave që mbinë si këpushat nën pushtetin e atyre që sot bëjnë sikur shajnë e akuzojnë grosistët, oligarkët e mëdhenj shqiptarë, si të ishin jo ndërtues po shkatërrues të ekonomisë tonë kombëtare. Në këtë kuptim, sjellja e Bashës kundër tyre, është një paradoks i shëmtuar pa asnjë arsye. Premtimi tjetër i Bashës është në fushën e taksave. Këtu, ai shpaloset ekstremisht komunist, premton një revolucion total, ashtu siç bëri revolucion në vitin 2019 me parakalimet para Kryeministrisë dhe Presidencës. Zerim. Zerim. Zerim! Taksa e sheshtë. Ulje drastike e TVSH-së. Gjithçka në ulje. Gati nul kombëtar. Ashensori ekonomik i Lulzim Bashës, ka vetëm një kahje, atë të zbritjes nga lart poshtë. Këto premtime, vërtet si të çelej shpella e Ali Babait, mjafton të hapet porta dhe të vërshojnë të mirat dhe paratë drejt shqiptarëve, sikur të prodhohen në pemët buzë rrugës. Vetëm gjethet e pemëve bien në vjeshtë, po ato nuk janë të holla dhe nuk kanë vlerë. Paraqitja e Lulzim Bashës me thesin e mbushur me premtime dhe thithjen e investimeve të huaja pa kufi, sikur bota mezi pret të ikin këta dhe të vijë Basha me kompani, është vetëm fantazi e kulluar, po që nuk ka brenda asnjë grimë realizmi dhe mundësi zbatimi. Ekonomia, ka rregulla të hekurta. Mekanizma perfekte. Funksionin sipas parimeve dhe modeleve të njohura. Taksat dhe tatimet, janë burimi kryesor i të ardhurave. Dhe nëse shkojnë drejt zeros, ku do t’i gjejë eurot Basha të na i bëjë pagat mbi njëmijë euro dhe infermierët të paguhen si në Gjermani? Gënjen pretenduesi për kryeministër, po së paku të gënjejë ashtu siç duhet dhe jo kaq hiperbolikisht. Kumbullat e premtimeve janë aq aguridhe sa nuk do guxojë askush t`i provojë se mund të helmohet. Premtimet e Bashës mund të realizohen vetëm nëse e kthejmë ekonominë kombëtare në kohën e piramidave, ku lekët të burojnë lumë. Të hamë sa të duam. Të rrimë për qef. Të pushojmë në diell. Të relaksohemi në hije. Të shkojmë për vakanca ku të na pëlqejë. Po mes fantazisë dhe ekonomisë, hendeku është kilometrik. Ndaj kur dëgjojmë premtimet e Bashës për Ramavirusin e ekonomisë, do ishte iluzion kozmik, se përballë tij, kemi Lulzimluksin e Shqipërisë!