BREAKING NEWS

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen për Ndryshim”: Ka vetëm dy mundësi në jetë!

‘Koha nuk pret’, Jozefina Topalli prezanton “Lëvizjen
x

Opinion / Editorial

Balloja e maskave në të vërtetë si revolucion në epruvetë!

Balloja e maskave në të vërtetë si revolucion në

Jetojmë në kohën e pandemisë. E ngjashme me kohën e kolerës, përgjithësuar me aq fantazi dhe realizëm nga nobelisti kolumbian, shkrimtari i shquar, Gabriel Markes në romanin “Dashuri në kohërat e kolerës”. Që në marsin e këtij viti sapo Shqipëria u vizitua nga mysafiri i padëshirueshëm, sjellësi i fatkeqësive që merr jetë, rrënon ekonominë dhe shkatërron shoqërinë, debati më i zjarrtë ka qenë dhe mbetet, përballimi i pandemisë, masat e marra, akuzat për mostrajtim me objektivitet të situatës, fshehja e së vërtetës, minimizimi i vdekjeve nga virusi, mashtrimi me tenderat sekretë bërë nga ministria e linjës për të vjedhur fondet e destinuara për blerjen e pajisjeve dhe medikamenteve, si dhe përshtatjen e spitaleve qendrore e rajonale për t`u vënë në gadishmëri për të shpëtuar jetë njerëzish dhe dominuar virusin vdekjeprurës. Ndarë në dy blloqe të mëdha, qeveria në njërën anë dhe opozita në krahun tjetër, si dhe rreshtimi i analistëve, mendimtarëve, llafazanëve, akuzatorëve, lektorëve, të shumëditurve, përballja e ekipeve të specialistëve të shëndetësisë të cilët i kanë vënë gjoksin betejës për të mundur pandeminë, e cila ka mbërritur e paftuar, duke bërë kërdinë mbi njerëzit tanë. Pandemia, është fatkeqësia e tretë në radhë në vendin tonë brenda një viti, pas dy tërmeteve, atij të shtatorit dhe nëntorit që krijuan në Shqipëri një situatë terrori dhe u shoqëruan me humbje jete e shkatërrim apokaliptik të pronës private dhe asaj shoqërore, si shkolla, spitale apo qendra kulturore. Shqipëria, gjatë këtij viti, është gjendur nën breshërinë e fatkeqësive natyrore të cilat janë ndjerë edhe më shumë pasi faktorët politikë e shoqërorë, zëri intelektual e propaganda e shfrenuar, është vendosur në pozicione, gati për betejën fundore luftën për jetë a vdekje, duke mbjellë tek qytetarët pesimizëm dhe frikë për atë që përjetojnë. Kombet e civilizuara në raste fatkeqësish, gjenden të bashkuar, lënë mënjanë interesat e ditës, braktisin pragmatizmin e sëmurë aq më shumë atë për pushtet dhe denigrimin e kundërshtarit, duke përdorur fatkeqësitë natyrore apo njerëzore. Në traditën e shqiptarëve të thjeshtë në raste fatkeqësish bëhen bashkë, mbështesin njëri-tjetrin në nevojë, lënë mënjanë armiqësitë shekullore, gjakmarrjen, hasmëritë, duke i zëvendësuar me solidaritet atyre që u ka rënë mbi krye fatkeqësia, kanë humbur të afërm, u është rrënuar shtëpia apo kanë pësuar fatkeqësi të rëndë në familje a fis. Në të gjitha këto raste, shqiptarët janë bërë bashkë. Kështu kanë vepruar ndër shekuj. Kur ua ka kërkuar interesi kombëtar, mbrojtja e territorit dhe sovranitetit të atdheut nga lakmitë e atyre që kanë dashur të shqyejnë llokma nga toka jonë. Është virtyti shqiptar që i ka bërë bashkë qytetarët edhe kur kanë qenë gati për të shtënë pushkë. Të gjitha këto në emër të jetës dhe dinjitetit, dashurisë njerëzore dhe bashkimit të ndjenjave shpirtërore e traditave shekullore me të cilat janë ushqyer e edukuar shqiptarët gjatë tërë ekzistencës së tyre në trojet ku flitet shqip. Po sot a jemi në një front për të përballuar armikun e padukshëm, virusin që po merr jetë? Sa është ndërgjegjësuar shoqëria jonë se kjo betejë nuk është e njërës palë dhe shqiptarët nuk mund të rreshtohen në fronte pro dhe kundër? Se nuk jemi në vitet e Luftës së Dytë Botërore, ku u ndamë në pro dhe kundër luftës. Në ata që u udhëhoqën nga parulla, “prit të presim” dhe të atyre “Të ngrihemi në këmbë me armë në dorë për çlirim”. Shoqëria jonë nuk është përballë sakrificës për të dalë me armë në mbrojtje të territorit të atdheut dhe nuk kërkohet sakrifica sublime për të dhënë jetën në interes të lirisë dhe atdheut pasi nuk na kërcënon ndonjë fuqi e huaj me qëllim pushtimin apo sundimin e vendit tonë. Sot kërkohet vetëm bashkëpunim, mirëkuptim. Masa të jashtëzakonshme të specifikuara, të mirëstudiuara nga teknicienët dhe specialistët tanë të cilët duhet të hartojnë protokolle të mirëfillta për t‘u përdorur në betejën anti covid. Kërkohet rreshtimi në të njëjtin front përball një armiku që deri tani nga një pjesë e mirë opinionbërësve tanë, veçanërisht nga zëra dhe ata që bëjnë analistin e opinionistin për t`u përballur me rrezikun e humbjes së jetëve nga virusi që është bërë tmerri i mbarë botës. Çdo shtet serioz, është në këmbë për ta dominuar dhe minimizuar efektin negativ të pandemisë që po korr përditë jetë njerëzore. Nuk po flasim këtu për atë që bëjnë specialistët e shëndetit publik. Heronjtë e heshtur të spitaleve, atij infektiv e “Shefqet Ndroqi”, të cilët janë në përballje të drejtpërdrejtë me virusin dhe vijojnë betejën pa i lëshuar asnjë centimetër armikut të padukshëm po që është i rrezikshëm më shumë se një bombë bakteriale apo lëndë helmuese nga ato që kemi parë nëpër seriale të filmave aksion. Debatet e kanë shoqëruar të gjithë periudhën nga rasti i parë i shfaqjes së virusit, pacientit zero deri sot. Çfarë nuk është dëgjuar! Deri ku nuk ka shkuar fantazia. Shumë herë ka dominuar mendimi i çmendur se virusi nuk është real. Se është sajesë dhe politikë, se qeveritarët kërkojnë të mbyllin popullin në karantinë për ta sunduar lehtësisht. Se është një mënyrë për të vjedhur dhe lulëzuar korrupsioni. Nuk ka pasur asnjë një masë të qeverisë në lidhje me pandeminë që politika të mos ketë ngritur akuza pa fund. Një herë është thënë se kjo është shou politik. Të nesërmen se kërkojnë të tërheqin vëmendjen nga skandalet qeveritare. Se kjo është lojë dhe nuk është e vërtetë. Më të avancuarit, se është një komplot ndërkombëtar për të ndryshuar rendin botëror, ku Shqipëria është bërë palë. Legjenda të shumta urbane janë shpalosur si opinione të thelluara shkencore se virusi ka ardhur nga larg. Nga lart për disa. Na e kanë sjellë të na shfarosin të tjerët. Se ka mbërritur në janar. Dikush se erdhi në dhjetor. Të tjerët se nuk ka ardhur fare. Se është qëllim i qeverisë të na mbajë në terr dhe të tmerrojë popullin. Nga individë të njohur, politikanë pretendentë për të na qeverisur, kryetar partish, ka qarkulluar ideja se virusi është imagjinar edhe pse ka marrë jetë të cilat shkojnë në shifra të frikshme. Kemi përjetuar, veç rrezikut dhe frikës së infektimit nga korona edhe një stuhi akuzash e opinione sharlatanësh shumë larg të vërtetës. Shumë herë keqdashëse. Të ngritura në art nga ata që kërkojnë ta shndërrojnë në armë dhe mekanizëm kundër pushtetit për të denigruar masat e marra dhe tërë punën që bëhet për përballimin e kësaj të keqeje që është mbarëbotërore. Kohët e fundit numri i të infektuarve ditor ka njohur rritje. Po kështu edhe numri i atyre që humbin betejën me sëmundjen është pothuaj në të njëjtat nivele katër deri në pesë viktima në ditë. Tendenca e numrit të të infektuarve është në ngjitje. Nga 150 deri në 250 qytetarë rezultojnë kohët e fundit pozitivë. Spitalet e specializuara janë në kapacitet të plotë. Pra, situata nuk është e lehtë as për ta vlerësuar si kalimtare. Pikërisht për të frenuar numrin e të infektuarve, qeveria shqiptare vendosi mbajtjen e maskave në të gjitha mjediset edhe në rrugë nga qytetarët dhe moszbatimi i një mase të tillë do shoqërohet me gjoba nga tre deri në pesë mijë lekë për ata që nuk zbatojnë vendimin. Maska është kthyer në betejën më të fundit mes palëve. Është bërë racioni ditor debateve mes palëve. Shumë prej atyre që janë kundër gjithçkaje dhe kërkojnë t`i kundërvihen çdo mase si në çdo fushë të jetës, janë kundër mbajtjes së maskës të cilën nuk e vlerësojnë si një masë të rëndësishme, të domosdoshme për t’i prerë rrugën avancimit të virusit, po si veprim represive qeveritar. Për të goditur politikat qeveritare si për çdo masë e vendim ata janë kundër vendosjes së maskës masivisht. Politikanë, intelektualë, disa që e mbajnë veten për shkencëtarë, kryetarë partish, analistë apo opinionistë, iu duket se janë në një betejë mes tyre dhe qeverisë, se sfidojnë kryeministrin e Shqipërisë, duke refuzuar mbajtjen e maskës. Me një megalomani të pashoqe, mendjemadhësi, fodullëk, duke vepruar si fëmijët e kopshtit të lagjes, të inatosur deklarojnë se nuk do vendosin maskën. Kryetarja e LSI, Kryemadhi nga ekrani i televizionit, u betua se nuk do vendoste maskë dhe gjobat le t`ia faturonin bashkëshortit presidentit pasi ajo është trung me vete. Po pse mbajnë këtë qëndrim këta individë që u jepet mundësia të flasin para shqiptarëve në një kohë kur maska nuk ka asnjë qëllim diskriminimi dhe nuk është një betejë për të cilën kërkohet të ndeshen palët? A nuk e shikojnë se sa shtete kanë marrë të njëjtën masë ekstreme? Kur dëgjon të deklarojnë me kapadaillëk, se janë kundër vendosjes së makës cilëtdo qofshin bëhen qesharakë. Qytetarët e mirëkuptojnë këtë masë efikase, e cila është për jetën dhe shëndetin e tyre. Është kjo arsyeja që shumica ka respektuar vendimin dhe ka dalë me maskë nëpër rrugë. Ndaj nuk i dëgjojnë zërat vetmitarë, punëprishës, keqdashës, grindavecë, trazovaçë që iu duket se do bëjnë revolucionin e maskave, po që përfundojnë në revolucione në epruvetë. Ky soj mileti, këta individë, që mbahen me të madhe dhe shiten më shumë se ç’janë nuk bëjnë asgjë tjetër veç se luajnë ballon e maskave.