BREAKING NEWS

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit prej 9 muajsh nga SPAK në bashkëpunim me Policinë

GJKKO merr vendimin për drejtorin e Kadastrës, u arrestua pas hetimit
x

Opinion / Editorial

Basha, dhunën në Amerikë e dënon, në Shqipëri dhunuesit i falënderon!

Basha, dhunën në Amerikë e dënon, në Shqipëri

Në realitet ajo që pamë në Washington në Kapitol, ishte një ngjarje e panjohur së paku për SHBA-në. Jo se në këtë shtet me demokraci të pjekur nuk kanë ngjarë raste të ngjashme me tërë botën demokratike dhe nuk ka pasur protesta të dhunshme apo ndërhyrje të ashpra të policisë për t`i shpërndarë protestuesit dhe për të mbrojtur rendin dhe sigurinë, po ngjarjet në Shtëpinë e Bardhë, ishin të paparashikueshme, siç u cilësuan nga udhëheqësit botërorë të paprecedenta. Për herë të parë në atë ndërtesë madhështore, atje ku programohen politikat e Amerikës dhe gjithë botës, ndodhi pushtimi i saj nga mbështetës të Presidentit Trump. Situata erdhi duke u agravuar qysh pas tre nëntorit, ditës së zgjedhjeve presidenciale. Fillimisht u nxehën gjakrat përmes kundërshtimit të rezultatit të zgjedhjeve. Më pas me akuzat e shumta për manipulime me votat elektronike, vjedhje të votave në shkallë të gjerë që nuk u vërtetuan asnjëherë. U thelluan akuzat përmes padive në gjykatat e shteteve, ku u akuzua për vjedhje votash dhe arritën kulmin ditën e mërkurë, pikërisht në momentin kur po certifikohej fitorja e Biden edhe nga Kongresi Amerikan dhe u konfirmuan votat elektorale në favor të presidentit të zgjedhur prej 303 vota krahasuar me 232 të fituara nga Presidenti Trump. Për të gjithë qytetarët e globit ishte një goditje e rëndë, veçanërisht për ne shqiptarët që për tri dekada i kemi mbajtur sytë nga SHBA dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri kanë qenë gjithmonë arbitra të paanshëm, duke garantuar zgjedhjet e lira dhe demokracinë, lirinë e fjalës dhe të medias. Kur është dashur të merret një vendim i rëndësishëm, të zbatohen reformat e mëdha që kërkojnë mirëkuptim në shkallë të gjerë të faktorëve politikë dhe bashkërendim të forcave për t`i çuar ato në fund, fjala e SHBA ka qënë vendimtare dhe ka garantuar vijimësinë e demokracisë dhe zgjidhjet më të mira të mundshme. Shqipëria e ka ndjerë mbështetjen e shtetit amerikan në çdo hap të ecjes përpara që nga dita e instalimit të demokracisë në këtë vend. Dhe asnjëherë ata nuk kanë qëndruar sehirxhi apo indiferent, përkundrazi kanë marrë pjesë aktivisht në zgjidhjen e ngërçeve politike dhe zgjidhjen e kontradiktave të thella të cilat kanë qenë aq problematike sa ka pasur moment që është vënë në dyshim vetë sistemi ynë demokratik. Dhe të tilla kanë qënë ato të vitit 1990 kur u instalua sistemi demokratik. Sapo u themelua partia e parë opozitare dhe në vend u vendos pluralizmi politik. Në vitin 1996-1997 kur ra shteti dhe krimi doli në rrugë. Në vitin 2011 në protestën paqësore të opozitës ku në prag të godinës së qeverisë u pushkatuan katër protestues të paarmatosur jashtë dyerve të godinës në bulevard me duar në xhepa. Mbështetja nuk ka munguar në vitin e mbrapsht 2018-2019 dhe në funddhjetorin 2020, ku u organizua revolucioni i adoleshentëve të paguar dhe ku nuk mbeti në këmbë asgjë nga sinjalistika e qarkullimit rrugor apo zbukurimet për Krishtlindje. Ndërhyrja amerikane në tërë këto momente kyçe të fateve të Shqipërisë ka qenë e jashtëzakonshme pa folur këtu për përpjekjet për reformën në drejtësi apo betejën kundër korrupsionit dhe krimit. Ne shqiptarët, u jemi falenderues SHBA-së për gjithçka ka bërë për demokracinë shqiptare dhe përtej kufijve të shtetit tonë, atje ku jetojnë shqiptarët si në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoninë e Veriut, etj. Në këto shtatë vite të qenies të partisë së Bashës në opozitë në sytë tanë kanë mbirë protestat e dhunshme përpjekjet për të marrë pushtetin me dhunë të tejskajshme. Dhunë e cila ka qenë, jo vetëm përmes molotovëve dhe individëve me shishet e benzinës në duar, po edhe me shigjetarët e harkëtarët ujqërit e Cërrikut dhe armatën e Jalës apo militantët e Korpusit “Azem Hajdari”, të cilët janë përdorur në çdo rast për të penguar pushtetin. Për ta përmbysur me dhunë. Për t`i vendosur gurë nën rrota zhvillimit. Për të ndaluar përparimin dhe demokracinë. Për të sfumuar votën e popullit, duke ngritur në piedestal forcën dhe demonstrimin me të gjitha armët. Rrugët e Tiranës për vite radhazi në këto tri dekada kanë provuar mbi shpinë, urrejtjen dhe shkatërrimin. Gurët e drurët deri edhe tek armët, pa folur për qëndrime ekstreme, braktisje të zgjedhjeve dhe bojkotim të institucioneve. Në të gjitha këto raste, dhuna ka qenë ekstreme. Çuditërisht, asnjë nga liderët e opozitës, fatkeqësisht as vetë garanti i unitetit kombëtar, presidenti,Ilir Meta nuk kanë lëvizur as gishtin dhe nuk e kanë dënuar asnjëherë dhunën këtu tek ne. Përkundrazi ata nuk kanë dalë as në podiumet e selive të tyre, sa për të larë gojën t`u drejtoheshin protestuesve të karikuar e instruktuar prej tyre të kthehen në shtëpi dhe të heqin dorë nga trazirat. Të paktën Trump këtë e bëri! Përkundrazi u kanë dalë në krah dhunuesve dhe i kanë inkurajuar me të gjitha format për të ushtruar presion e për të pushtuar institucionet. Kapitoli ynë, Kuvendi, godina e qeverisë desh u kthye përmbys nga forcat e opozitës, të cilët e dogjën dhe e goditën pa asnjë mëshirë dhe vunë në rrezik integritetin e sistemit dhe rendin kushtetues. Kur plagoseshin dhjetë apo njëzetë policë, askush nuk u uronte nga opozita shëndet. Sapo dikush nga protestuesit gërvishte edhe gishtin, ngrihej në këmbë tërë kori i opozitës, duke dënuar plagosjen e gishtit të atyre që me dhunë sulmonin institucionet legjitime të paprekshme të vendit tonë, të cilat u shërbejnë të gjitha forcave politike dhe konsiderohen të shenjta. Në ato godina nuk hedh rrënjë askush. Dhe drejtuesit alternohet sipas vendimit të sovranit. Pa bërë paralelizma mes Shqipërisë dhe SHBA-së, pasi atje demokracia është solide dhe rastësitë nuk përbejnë asgjë, pushtetet janë të ndara dhe balancuara, liderët më së shumti dinë të orientohen, pavërësisht nga përkatësitë politike edhe pas tronditjeve të tilla siç ishte pushtimi i Kapitolit nga individë të dhunshëm e ekstremistë, shteti ishte në këmbë dhe rendi u vendos për punë orësh. Forca e ligjit triumfoi, ashtu siç triumfoi më parë, fuqia e medias profesionale dhe drejtësia me vendimet objektive që mori pas padive të avokatëve të Presidentit Trump. Për çfarë ngjau, liderët botërorë nuk mund të mos flisnin dhe dënonin aktet që u shfaqën përballë opinionit botëror. Foli Kryeministri i Britanisë, i Spanjës, Sekretari i NATOS, Këshilli Europës. Dhe mes tyre foli edhe lideri i PD-së, Lulzim Basha, i cili shkroi në rrjetet sociale në gjuhën angleze. Edhe Basha dënoi aktet e dhunës në Washington! Këtu nuk është fjala për peshën e tij. Edhe ai ka të drejtën legjitime të shkruajë dhe deklarojë gjithçka gjykon për mirë ose keq. Kjo është demokracia. Kontrasti është me qëndrimet që mbanë ndaj dhunës edhe më të egër permanente në Shqipëri. Jo në Washington, po në Tiranë. Jo në Kapitol, po në Kuvend e Kryeministri. Këto janë Kapitoli ynë. Jo vetëm që Lulzim Basha e kompani, duke nisur me Berishën e Monikën, Mediun e Metën, po tërë opinionistët e renditur rreth tyre në vend që të mbajnë qëndrim dhe të dënojnë dhunën, dënojnë policinë dhe Ministrinë e Brendshme. Dënojnë e anatemojnë kryeministrin, si arkitekt të dhunës edhe pse ushtarët në protestë janë organizuar prej tyre. Dënimi i dhunës në Kapitol nga Basha është vërtetë një hipokrizi dhe dyfytyrësi. Duket se është i drejtë me Washingtonin dhe ekstremisht i padrejtë me Tiranën. Të tijtë, këtu edhe pse të dhunshëm u veshë qyrkun e qengjit, atyre në Kapitol u tërheq vëmendjen për dhunën që ushtrojnë. Në parim ka të drejtë. Në sjelljen e tij është deficitar. Basha, dhunën në Amerikë e dënon, në Shqipëri dhunuesit i falenderon dhe i etiketon heronj. Atje, huliganë, këtu engjëllorë e paqësorë! Ec e mos e mendo Bashën, si lider me dyfish karakter. Demokrat me dhunuesit në Washington, falenderues me protestuesit në Kapitolin tonë!