BREAKING NEWS

Plagoset polici dhe dy persona të tjerë në Pogradec

Plagoset polici dhe dy persona të tjerë në Pogradec
x

Opinion / Editorial

Basha heq dorë nga kryeministër, zgjedh të bëjë prokurorin

Basha heq dorë nga kryeministër, zgjedh të bëjë

Pas betejave gati legjendare dhe revolucionit të bulevardit, bllokimit të shtigjeve dhe kryqëzimeve, përdorimit masiv të molotovëve dhe bëmave që çoroditën dynjanë, të gjallë e të vdekur dhe vet militantët e partisë së tij, Basha hedh hapin e ri. Si gënjeu aleatët përditë me përrallat e pushtetit të shpejt. Pasi u dha shpresa ëndërrore votuesve dhe qëndrestarëve që e kanë ndjekur në aventurat pafund, tragjike e komike dhe betimit se do jetë shumë shpejt kryeministri i Shqipërisë, papritur Basha bëri një kthesë 180 gradë. I mërzitur, i lodhur, i zhgënjyer me postin e ëndrrave, i etur për karrigen e njëshit të ekzekutivit dhe programeve të emetuara në eter nga selia e PD-së dhe premtimet për vendimet e ditës së parë, javës së dytë, muajit dhe vitit në vijim, si të fillonte një epokë të re, e veçantë e pangjashme me asnjë sistem të provuar nga shoqëritë post Krishtit doli me një kauzë të re. Duket se ka zgjedhur të bëj, jo kryeqeveritarin, po kryeprokurorin e kryefinancierin apo përgjegjësin e thesarit të shtetit, atë thesar që vite më parë e tretën miqtë e tij dhe mentorët mbi të. Në vijim të platformës së re, atë të bërjes së drejtësisë, si një kundërvënie e hapur ndaj reformës më të rëndësishme më të thellë, më të plotë me angazhimin e BE-së e SHBA-së dhe shteteve më të fuqishme të Evropës, me asistencën e institucioneve të specializuara në fushën e drejtësisë e kontrolluar në çdo centimetër dhe hap që bën. Reforma që pritet ti japë shqiptarëve për herë të parë në historinë e tyre shpresën për një drejtësi të barabartë për të gjithë, pa i klasifikuar shqiptarët, si kontingjent të burgut dhe të paprekshmit ose për të zënë në rrjetat e drejtësisë peshqit e mëdhenj, ata që kanë komanduar çdo arrestim dhe dënim deri sot. Kryeministri imagjinar, ka shpalosur platformën dhe strategjinë e tij, jo si politikan, po si kreu i drejtësisë. Si të bënte Zeusin dhe njeriun magjik, zbritur nga një planet i panjohur, i supozuar, si planeti i ndëshkimit, ka renditur shumë masa përmes të cilave do vendosë drejtësinë. Në ndryshim të thellë nga reforma dhe mazhoranca aktuale të cilën e do të gjithën pas hekurave, këtë drejtësi nuk e shikon si një atribut të organeve kompetente, të pavarura, po si një kompetencë të partisë. Pra drejtësi si deri sot. E gjitha e kontrolluar nga partia shtet,drejtësi sipas orekseve të “kryeprokurorit” të ri i cili nuk vjen nga shkollat juridike, nuk është magjistrat as nga emërtesat e KLP e KLGj, nga qeveria e drejtësisë, po drejtpërsëdrejti nga opozita rrugore, jashtë sistemit politik. Nuk është produkt i shkollës së drejtësisë është thjesht prurje nga partia. Sipas zakonit të partisë së Bashës, partisë shtet, i zotëron të gjitha kompetencat. Është partia që bën diellin dhe shiun, cakton cili është prioritar për tu dërguar pas hekurave, cili e ka radhën më pas. Kush do shkojë në qelitë VIP e cili do degdiset në burgjet e dorës së tretë. Sipas logjikës Basha dhe strategjisë që shpalos nga podiumet e selisë së PD-së, do jetë partia që vendos. I ka ajo në dorë prangat dhe prioritetet nga do nisin arrestimet. Dhe kuptohet i gjithë kontingjenti i arrestimeve fillon me ministrat dhe mbyllet me Ramën, kryeministrin, të anatemuarin e kërcënuarin permanent. Sa për Ramën, atij i tundin prangat çdo minutë pasi do jetë detyra e parë e “kryeprokurorit” Basha i cili ka kohë që lëshon fletë arreste dhe bën pretenca me preferenca. Pasi të mbaroj punë me qeverinë, radha u vjen oligarkëve. Lista e tyre është shumë e gjatë. Janë ata që fitojnë tenderë. Marrin PPP-të. Ata që zhvatin popullin deri në qindarkën e fundit me firmën e Ramës siç deklaron Basha. Çdo të nominuari për burg i caktohet radha. I vendoset numri rendor gdhendur në parakrah me ngjyrë blu. Mes funksionarëve që rrethojnë liderin, ky kontingjent burgaxhinjsh nuk thirret me emra, po me numra, si të internuarit e viteve të Luftës së Dytë Botërore, ku nuk kishte emra, po vetëm numra nëpër kampet e përqendrimit në Aushvic dhe Holokaust, ku përndiqeshin antifashistët e çifutët që u nënshtroheshin dënimeve shembullore. Nëse dëgjon fjalimet e kryedemokratit Basha të duket se ndjek sekuenca nga filmat e torturave dhe përndjekjeve, dënimeve me gjyq e pa gjyq të kundërshtarëve të boshtit të së keqes. Deri kohë më parë e mendonim se posti i të parit të qeverisë ishte synimi i Bashës, aq më tepër që këtë post mezi e presin mbështetësit e paduruar. Po ja që një ditë ai e “braktisi” këtë detyrë në emër të një qëllimi shumë më të lartë, atë të vendosjes së drejtësisë. Një drejtësi specifike që i kapërcen organet e drejtësisë dhe i dorëzohet ideologjisë dhe programeve të partisë. Shkurt, drejtësia që kemi përjetuar në sistemin monist, ku partia të arrestonte, të gjykonte, të dënonte dhe në fund të pushkatonte. Po si është e mundur që kryetari i opozitës, pretendenti për kryeministër t`i dorëzohet subjektivitetit partiak dhe të hartojë platforma të cilat janë kompetencë e drejtësisë dhe të bëjë hetuesin, prokurorin dhe gjyqtarin, si në kohën e partisë shtet, si në këto 30 vjet epokë nga e cila shqiptarët mezi presin të shkëputen për t`ia lënë drejtësisë, organeve që dalin nga reforma më e thellë dhe më e mbështetur në historinë e shtetit shqiptar?! Populli e përmbysi atë sistem. Në emër të drejtësisë. E flaku tutje praktikën e dënimeve nga partia, ku çdo individi i faturohej në shpinë, veç fajit të bërë edhe agjitacioni e propaganda pasi ishte një thes shumë i madh ku mund të futeshin brenda gjithë kodet penale dhe të penalizoheshin pa fund shqiptarët. Logjika e dënimeve nga pretendenti për kryeministër dhe betimet e tij se do bëj gjëmën me arrestime e dënime të atyre që i ka shkruar në listat e zeza të përngjajnë me veprimet e personazheve të Kadaresë, ku gjatë netëve për të dalluar individët që duheshin arrestuar, një dorë e padukshme shënonte mbi portat e shtëpisë, një kryq të kuq, shenjë nga e cila orientoheshin skuadrat e pushkatimit dhe arrestimeve për të dalluar antifashistët apo anti-nazistët. Dashuria e thellë që ka kapluar Bashën në vendosjen e drejtësisë sipas mënyrave të veta, është një deficit serioz në formimin e tij si shtetar i së ardhmes. Po është edhe një demagogji dhe hipokrizi e kulluar. Shqiptarët, gjatë historisë së tyre kanë provuar edhe drejtësinë e Partisë së Punës dhe vendimet e Byrosë Politike dhe për këtë u ngritën dhe i flakën. Kanë provuar edhe drejtësinë e paraardhësit të Bashës dhe janë tmerruar. Dhe rikthimi në këto praktika është i patolerueshëm për çdo qytetarë qoftë ai edhe “prokurori” i vetëshpallur, i cili krah teserës së demokratit, ka vendosur strategjinë e drejtësisë së partisë. Është për t`u shqetësuar se si një kryetar partie që pretendon se ka mbështetjen e 85 për qind të popullit dhe është në rrugëtimin për pushtet, të udhëhiqet nga instinkte të tilla që bien erë myk dhe nuk kanë asnjë mbështetje në masën e gjerë të shqiptarëve. Nuk kërkon zgjedhje po përmbysje me dhunë. Të gjithë prisnim që Basha të dilte në krye të qeverisë, ashtu siç ka deklaruar gjatë tërë këtyre viteve si i dalldisur. Askujt nuk i pëlqen kur ai kërkon të bëj prokurorin e të shfaqë përditë nga një platformë. Qytetarët qeshin kur dëgjojnë: Do t`i arrestoj. Do t`i dënoj! Përgatituni për të zënë qelitë! Do fut në burg atë! Do arrestoj këtë! Do ta shihini! Do e mësoni! Do ta dëgjoni! Dridhuni! Dorëzohuni! Dhe refreni këndohet si melodi zëçjerrë, stonues, siç këndon “Himnin shqiptar” prokurori më i ri, Basha para dhe pas përfundimit të protestave të dhunshme. Po jo vetëm prokurorin. Kryeopozitari i bulevardit të Tiranës, komandanti në përgatitje për të sulmuar institucionet, si paralele me hapjen e dyerve të disa bashkive, ku kryetarët pa mandat nuk dorëzonin karriget, bëhet gati për stinën e arrestimeve. Krahas prokurorit dhe gjyqtarit, po bën edhe audituesin si dublant i kryetarit të KLSH-së dhe të financierit. Nisë të bëj llogari. I dalin të gjitha shifra astronomike. I emërton vjedhje të shekullit. Bashës që shtatë herë shtatë i dalin dyzetë e dy me një të rënë të lapsit nxjerr zbuluar llogaritjet e ekspertëve për çdo vepër publike. Si gjithë historia e partisë që drejton, pushtetet i përkasin partisë. Financat. Reformat. Së pari drejtësia. Ndaj Basha e ka vendosur në “sekuestro konservative” synimin për të qenë kryeministri i Shqipërisë. Dhe ka nisur punën e drejtësisë, Basha, ky kryeprokurori i sotëm i Shqipërisë me sa duket llogarit me më shumë prokurorin se kryeministrin e qeverisë!

Nga Bardhyl Bejko