Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Basha i delegon popullit revolucionin për pushtet

Postuar: 14/08/2019 - 07:13

Në emër të popullit. Për popullin dhe interesat madhore të tij. Gjithçka për popullin. Me dashurinë për popullin. Ia lëmë në dorë popullit. E di populli. Vendos populli. Është mrekullia popull. Uragani pa kufi. Kur flet populli të gjithë duhet të heshtin. Parullat me popull e për popullin, janë një refren shekullor dhe viral tek ne. Ne, shqiptarët që kemi jetuar në sistemin komunist e njohim më së miri diktaturën në emër të demokracisë popullore, si dhe shprehjen e famshme “`Ç`don populli bën partia, ç'thotë partia bën populli”. Gjithçka bëhej në emër të ideologjisë për të treguar atë unitet të çeliktë imagjinar, i cili shkriu, si bora në diell, sapo ra sistemi në vitin1990. Po pas rënies së sistemit, parullat me popull e për interesat madhore të tij, menduam se u arkivuan në muzetë e komunizmit. Gjykuam se u harruan bashkë me vet sistemin monist. E po filloi një epokë e re gjykuam të gjithë. Koha e realizmit, bashkëpunimit, interesave reciproke, larg sloganeve dhe propagandës së marrëzisë. U duk se nisi një marrëdhënie e vërtetë njerëzore, e verifikueshme, e prekshme, shoqërore. E besueshme nga të gjithë. Po si shumë dëshira edhe kjo mbeti një iluzion brenda nesh. Shumë shpejt, u provua nga qytetarët tanë që menduan se 1990-ta do ndryshonte gjithçka, si me magji, u zhgënjyen. Të njëjtat slogane, të njëjtat deklarata me popull, dëgjon edhe sot e këto tridhjetë vjet, ku nuk ka asnjë ndryshim me të djeshmen. I vetmi dallim është se citimet i bëjnë politikanët e rinj, veshur firmato, ata që punë të parë kanë politikën, që e gjykojnë veten se janë të moderuar, të sofistikuar, më elokuent se paraardhësit e tyre. Politikanët e sotëm në vendin tonë, mbështetin politikën në teknologjitë e reja. Iu duket vetja superiorë pasi përdorin internetin e smartfonët. I përcjellin mesazhet në emër të popullit në rrjetet sociale. Facebook apo e-maile. Dhe parullat me popull, kanë shpejtësinë e dritës, duke ua turbulluar mendjen popullit në kohë reale. Asnjë ndryshim në komunikim. Të gjitha në emër të popullit. Flasin si ta kenë pyetur popullin brenda një sekonde. Tipiku në kohët e fundit që nis e mbaron fjalimet me popull, si të ishte babai i kombit, është kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Po ngjitur me të, janë edhe kryetarët e partive minore që ngrenë zërin si të kishin pas vetes mijëra mbështetës. Edhe ata në emër të popullit flasin. Sa u katapultua në krye të PD-së, në një garë plot falsitete dhe vota të kontestuara që në aksionin e parë anti-qeveri, çdo fjali e nis dhe e mbyll në emër të popullit. Sloganet me fjalën popull, përpjekja për të krijuar idenë se përfaqëson një popull të tërë, filozofia partiake, sikur njerëzit kanë një mendje, një shpirt, një zemër dhe udhëhiqen nga i njëjti mendim. Megalomania se jemi populli. Gëzojmë statusin dhe të drejtën për të folur e vepruar në emër të tij. Justifikimi i çdo akti që ndërmerret në emër të gjithë popullit, sikur je këshilluar me popullin, është vërtetë një lajthitje ekstreme dhe vetëbesim i verbër. Në emër të popullit u betua Lulzimi se do rindërtonte “Republikën e re”, të ndryshme nga republikat ku kanë jetuar shqiptarët ndër vite. Udhëheqja e protestave dhe organizimi i tyre në emër të popullit. Barazimi i një grumbulli militantësh me popullin. Kryerja e akteve të dhunshme në emër të popullit. Paraqitja si zëri dhe shpirti popullor, e kanë bërë Bashën të pabesueshëm dhe e kanë zhvlerësuar çdo pretendim dhe qëndrim megaloman të njehsimit të partisë dhe militantëve me popullin. Pretendimi se i përfaqëson të gjithë. Ëndrra se është shumicë popullore dhe vepron në emër të tij. Burracakëria se edhe në zgjedhjet e fundit, ato të pushtetit lokal i dhanë opozitës fitoren pa marrë pjesë fare në garë, duke i dhënë 85 për qind të votave të shqiptarëve dhe pse në Shqipëri banojnë një numër i reduktuar qytetarësh për vet emigrimin në shkallë të lartë prej tri dekadash, e kanë cenuar tërësisht prestigjin e liderit të opozitës. E kanë zhvlerësuar në sytë e qytetarëve të cilët nuk mund të kuptojnë dhe nuk e justifikojnë kur flet si të ishte bariu i shqiptarëve. Fshehja pas turmave. Paraqitja e vetes si prijës i kombit, është një pretendim nga i cili vuan Basha. Tipike është braktisja e gjithçkaje në emër të interesave të popullit. Realisht, kjo kategori politikanësh bën hesapet në interes të vetes. Që Basha e ka zhvlerësuar tërësisht fjalën “popull”, stërmundimi për ti shitur veprimet e tij edhe kur ato u bien ndesh interesave të popullit, është një e vërtetë që shqiptarët e dinë dhe e njohin. Është absurditet të gjykosh se je zoti mbi tokë të flasësh në emër të popullit. Të bësh sikur je përfaqësuesi i vetëm i tij. Si ti kesh shqiptarët brenda vathës partiake, që mezi presin udhëheqësin e madh të tundi gishtin e të ngrihet uragan në këmbë, të rrëmbejnë armët për të shpëtuar Shqipërinë dhe përmbysur mazhorancën e ligjshme, produkt i votave 2017-të. Gjatë tërë këtyre muajve, sapo mbylli siparin 2018-ta, Basha e ka shpeshtuar kaq shumë fjalën popull, citimin e gjithçkaje, duke iu referuar interesave popullore, sa duket se falsiteti ekstrem është ulur galiç në mendjen e tij. Deklaratat në emër të popullit dhe paraqitja si fytyra e tij, është demagogji, propagandë e rëndomtë. Dëgjoni Bashën e këtyre ditëve. Në çdo takim edhe me grupe të vegjël në Mallakastër, Divjakë, kudo në bashkitë e tjera, ku drejtonin kryebashkiakë të djathtë të cilët i nxori vet në pension me aventurën e braktisjes ekstreme të zgjedhjeve,premtoi se revolucioni nuk do lejonte zgjedhjet. Nuk do dorëzoheshin bashkitë. Kërkoi zgjidhje urgjente, dënime masive të atyre që kanë uzurpuar gjithë pushtetet në vend. Duke bërë njeriun e sapo zbritur në planetin “Tokë”, betohet se revolucioni që do nisi në shtator, do vërë përpara gjithçka. Të parën “bandën” e qeverisë, kryeministrin, ministrat që vjedhin edhe pikën e fundit të gjakut të shqiptarëve. Për Bashën, nëse nuk do ta rrëzojë brenda vjeshtës Ramën, atëherë populli, sovrani, ka të drejtë që me çdo mënyrë të përmbysi uzurpatorët që kanë rrëmbyer financat, që vjedh edhe qindarkën e fundit. Populli, deklaron Basha, ka në dorë të vendosi fatet e veta. Pasi i provoi të gjitha format dhe përdori tërë arsenalin e sulmeve kundër mazhorancës dhe nuk ia mbërriti, lëshoi ultimatumin: Populli të marrë në dorë fatet e veta t`i përmbysi pushtuesit e pushtetit. Ta rrëzojë këtë sistem, regjimin e oligarkëve, të shpëtojë Shqipërinë nga vandalët e majtë. Përsëri në emër të popullit. Me kërkesën ultimatumeve që populli të marrë në dorë fatet e veta. Më në fund kryetari Basha u bind se rruga e derisotme e komandimit të një grupi militantësh nuk ka asnjë shans për të fituar. Ai që nuk ka lënë ditë pa na garantuar se do nisi epoka Basha. Në stilin e tij të deri sotëm flet në emër të shumicës absolute që e barazon me 85- 90 për qind të mbështetjes popullore. Bashës i është mbushur mendja top, se ky popull mezi pret që Bashën ta ngrejë në revolucion. Pret ti dorëzojë tepsinë e pushtetit dhe timonin timonierit të madh. Ndaj kërkon t`i delegojë revolucionin popullit. I bindur se ka me vete një popull të tërë, mbështetje të gjerë është duke u relaksuar në pushimet verore. I qetë se populli do t`ia japë pushtetin në sini sapo të thërrasë revolucionin e opozitës së rrugës komandanti. Slogani me popull vijon. Me popullin. Për popullin. Në emër të popullit. Vendos sovrani popull. Basha ëndërron popullin dhe sheh revoltë revolucionare me popull! I delegon shqiptarëve betejën popullore dhe pret që pushteti ti vijë në dorë me revolucion popullor!

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 08/12/2019 - 07:54

Pas leximit të librit “Blloku” njerëz të fushës së letrave, mes të tjerave vunë në dukje sidomos faktin që libri lexohej me interes ngaqë ishte i shkruar mjaft bukur, pra të jepte një shije të mirë leximi.

Postuar: 08/12/2019 - 07:50

Në këto tri dekada që pas përmbysjes së sistemit komunist, për herë të parë ndodh një rokadë norm

Postuar: 08/12/2019 - 07:48

Tërmeti i 26 nëntorit krijoi jo pak viktima, trauma që zor se kanë për t’u harruar, por gji

Postuar: 07/12/2019 - 07:15

Është praktika më normale që një kryeministër dhe çdo qeveritar të takohet me qytetarët nga më i

Postuar: 07/12/2019 - 07:14

Kaluam një tragjedi të madhe, me humbje jetësh e materialesh, që nuk përshkruhen dhe as nuk harro

Postuar: 07/12/2019 - 07:12

Sipas vlerësimit nga shkencëtarët, në botë për çdo ditë ndodhin mijëra tërmete të intensiteteve t

Postuar: 07/12/2019 - 07:08

Vazhdon të rezultojë si një pyetje e rëndësishme ajo që tundon të gjithë: A mund të riparojnë dëm