BREAKING NEWS

COVID-19/ 6 humbje jete dhe 959 raste të reja në 24 orët e fundit në Shqipëri, ja zonat "më të nxehta"

COVID-19/  6 humbje jete dhe 959 raste të reja në 24 orët e
x
BREAKING NEWS

I bëri ftesë për të vizituar Kosovën, Rama i përgjigjet Kurtit: Faleminderit

I bëri ftesë për të vizituar Kosovën, Rama i
x
BREAKING NEWS

“Nuk ka kthim pas”/ Lulzim Basha mban qëndrimin e prerë për përjashtimin nga PD të Berishës dhe lëshon paralajmërimin e fortë: Këta të tre janë fatkeqësia më e madhe për çdo shqiptar!

“Nuk ka kthim pas”/ Lulzim Basha mban qëndrimin e prerë
x
BREAKING NEWS

Albin Kurti i dërgon letër publike Edi Ramës: Le të fillojmë përgatitjet për ...

Albin Kurti i dërgon letër publike Edi Ramës: Le të
x
BREAKING NEWS

Vendim i papritur/ Mbyllet Ambasada Gjermane në Tiranë, anulohen të gjitha takimet. Zbardhet njoftimi zyrtar

Vendim i papritur/ Mbyllet Ambasada Gjermane në Tiranë, anulohen
x
BREAKING NEWS

Trondit Spartak Ngjela, tregon fundin e frikshëm që e pret Sali Berishën: Ndodhet në vështirësi! Aq i fortë është ai, sa kur kishte përballë Ramiz Alinë...

Trondit Spartak Ngjela, tregon fundin e frikshëm që e pret Sali
x
BREAKING NEWS

Yuri Kim reagon pas takimit me Lindita Nikollën, jep mesazhin e fuqishëm për politikën shqiptare

Yuri Kim reagon pas takimit me Lindita Nikollën, jep mesazhin e
x
BREAKING NEWS

Del dokumenti/ Nga Berisha tek Kryemadhi, deputetët që nuk votuan qeverinë “Rama 3”, ja kush abstenoi (EMRAT)

Del dokumenti/ Nga Berisha tek Kryemadhi, deputetët që nuk votuan
x

Opinion / Editorial

Basha me tjetër alibi, humbja erdhi nga aleatët dhe LSI!

Basha me tjetër alibi, humbja erdhi nga aleatët dhe LSI!

Pas zgjedhjeve të 13 qershorit, pothuaj një muaj analizë, sipas orientimit të kryetarit, Lulzim Basha dhe Kryesisë së PD-së në të gjitha degët e kësaj force politike mbi bazë bashkish u analizuan rezultatet në zgjedhjet e 25 prillit dhe u kërkuan shkaqet e humbjes. Ndryshe nga euforia e para zgjedhjeve, ku lidershipi i PD-së këmbëngulte me bindje dhe entuziazëm e garanci absolute se fitorja ishte e garantuar dhe mazhoranca me kryeministrin Edi Rama kishin marrë fund, epoka e tyre kishte përfunduar ose siç thirrej në korr nga militantët dhe zëdhënësit e shumtë të partisë në të gjitha qytetet, ku demonstronin me makinat luksoze që xhironin gomat apo lëshonin drejt qiellit tullumbacet shumëngjyrëshe që ngjiteshin në re, faji i humbjes asnjëherë nuk u pa brenda strukturave të partisë, në mos arritjen e frymës së fitores në popull, për pazotësi, po si rrjedhojë e masakrës zgjedhore dhe vjedhjes masive të votave. Pretendimet e opozitës për vjedhje votash me paraveprim e përdorim i tejskajshëm i fondeve publike, siç ishin ato të rindërtimit apo dorëzimit të çelësave tek familjet që u ishte rrënuar banesa nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit 2019, si dhe dhënia e parave kesh të pavërtetuara asnjëherë, veç rasteve kur në pritat e Mziut e Bardhit, u ndaluan aktivistë të LSI dhe PD-së me makina mbushur me pesë mijëshe, i tërë mllefi u derdh mbi ata që nuk votuan Bashën dhe nuk i dhanë shansin të bëhej kryeministër, post të cilin e kishte noterizuar në dhjetëra deklarata që i lëshonte kudo ku takonte mbështetës të partisë dhe që i kishte ushqyer me iluzionin e fitores së padiskutueshme. Pas aksionit që zgjati deri në zgjedhjen e tij, kryetar, po edhe më pas me deklarata dhe akuza për vjedhje të fitores, në selinë e partisë, turin nëpër Shqipëri dhe në të gjitha takimet me të huajt, duke u ankuar me forcë se iu vodh fitorja, tani papritur dhe pa lënë mënjanë akuzat e mëparshme, është mbështetur e gjithë strategjia në një alibi të re. Akuza këtë herë për humbjen e thellë dhe mungesën e fitores për të tretën herë radhazi, është kundër aleatëve, veçanërisht LSI-së. Sipas analizave të degëve nga skaji në skaj të Shqipërisë, sipas analizës u treguan jo bashkëpunues, egoistë, luftuan individualisht, jo në frymën e koalicionit. Shkurt, kanë qenë ata që i humbën shansin Bashës për t`u bërë kryeministër për të realizuar programet e projektet si dhe akt marrëveshjet e kontratat e shumta që kishte nënshkruar para zgjedhjeve të 25 prillit me grupe të interesit, me bindjen absolute se ai do ishte kryetari i qeverisë së re dhe kjo nuk diskutohej e nuk vihej në dyshim, jo vetëm nga mbështetësit e tij, po edhe nga vetë populli në tërësi, të cilin fatkeqësisht e llogaritin, jo të pavarur në marrjen e vendimeve të mëdha, po si të ishte i paditur, raja, bagëti, pa mendim pa llogari, i pavetëdijshëm që bën atë që i dikton partia. Aleancat parazgjedhore, i bëri Basha. I konsultoi. I seleksionoi. I peshoi. I mati i preu. I llogariti. Pati kohë të bollshme t`i gjykonte dhe t`i vlerësonte për ndikimin në elektorat sa mundësi kishte secili për të marrë vota, se tek e fundit, fitorja është baras me shumësi numrash. Po Lulzimi asnjëherë nuk bëri llogari se cila ishte pesha reale e PBDNJ në Tiranë. Dhe përfundimi u reduktua në katërqind vota. Po kështu për republikanët, ballistët, zogistët, Legalistët, PDIU. E njëjta histori edhe me LSI. Edhe pse u duk se ndarja e saj nga koalicioni edhe për oreksin e stërmadh dhe të pabazuar të Monika Kryemadhit, e cila pretendonte për të fituar dyzetë deputetë dhe gjithë të tjerët rreth njëqind, në përfundim dopio gjashta i mbeti në dorë Lulzimit, i cili nuk ia mbërriti as në dyzetë për qind të objektivit që i kishte vënë koalicionit opozitar për numrin e deputetëve që synonte të merrte në zgjedhjet e përgjithshme, duke iu rrëzuar kalaja si të ishte ndërtuar, jo mbi themele të forta në gurë, po mbi rërë. Ishte Basha që u caktoi vendet në listat e kandidatëve aleatëve, bile me vlerësime e superlativa sikur të ishin engjëjt e sapo zbritur nga qielli që populli i priste me padurim si të ishin Mesia mbi tokë. U dha vende në pozicione të sigurta, veçanërisht në Tiranë, ku aleatët mbushën fashën poshtë gjashtëmbëdhjetës aq sa ishte edhe numri maksimal i deputetëve të fituar prej tyre. Kuptohet me këtë pozicionim të aleatëve edhe ata ranë në qetësi dhe nuk kishte pse të sakrifikonin për të bërë politikë dhe takime pa kufi, të lodheshin deri në bezdi deri sa vendet ua kishte siguruar nëna parti, e cila i kishte bërë hesapet pa hanxhinë dhe kishte nënvlerësuar popullin, duke e gjykuar si aleatin e padiskutueshëm, gati për t`i dhënë pushtetin. Tani që ujërat u kthjelluan dhe mendjet u ndriçuan, iluzionet perceptuan, gjykimi është më i ftohtë, PD dhe Basha kanë kuptuar rolin negativ që kanë luajtur aleatët e koalicionit parazgjedhor. Në krye të shkaktarëve të humbjes, vendoset LSI. Këtu nuk përjashtohet ndikimi i presidentit Meta, i cili mori në fushatën zgjedhore, rolin e kryeopozitarit dhe në emër të mbrojtjes së votës, u kthye në pjesë aktive të forcave politike, kuptohet në interes të LSI.

Ndërhyrjet e zotit Meta në Vlorë, Elbasan, Kavajë, deklaratat e tij, si të ishte i pari i opozitës, numri një dhe jo garanti i unitetit kombëtar, ashtu siç e përcakton Kushtetuta e Shqipërisë në analizat e PD janë konsideruar si faktorë negativë që hoqën mijëra vota dhe shkaktuan humbjen e PD. Po kështu edhe apatia dhe mungesa e aktivizimit maksimal si të ishin një makineri e ndryshkur, aleatët sipas analizës së PD-së nuk dhanë frytet e pritura. Dhe aleatët janë cilësuar faktorë që ndikuan rëndshëm, ishin përcaktues, gati të vetmit që i dhanë humbjen e thellë në zgjedhje. E vetmja e pagabueshme mbetet PD dhe prijësi i partisë Lulzimi, i cili nuk mban asnjë përgjegjësi veç po korr lavdi. Deri tani janë afishuar shumë alibi. U bë e para. E dyta. E treta. Muajt do vijnë dhe do shtojnë alibinë. Po dy janë më kryesoret që shkaktuan humbjen e PD dhe koalicionit opozitar. E para masakra zgjedhore e pretenduar nga PD, e cila u kthye në strategji që i shërbeu Bashës për fitoren brenda partisë dhe qetësimin e militantëve të partisë, të cilët i kishte ushqyer me shpresën e fitores të padiskutueshme. E dyta, kjo e aleatëve dhe LSI-së. Po sa realizëm ka në përfundimet që ka arritur Lulzim Basha për shkaqet e humbjes në 25 prill? Një parti serioze sheh së pari brenda vetes. Pasi analizon punën e bërë. Rrugët e ndjekura, aksionet e realizuara, gjatë qenies në opozitë. Organizmin e fushatës elektorale. Përpjekjet për të bindur qytetarët për t`u marrë votën. Gjetjen e shkaqeve dhe dobësive brenda strukturave të partisë dhe lidershipit. Përzgjedhjen e përfaqësimit. Bashkimin e tërë faktorëve politikë. Pasi analizon sjelljen e vet politike. Analizon atë që ka bërë dhe si. Vlerëson tërë ecurinë politike që ka ndjekur. Nxjerr dobësitë dhe shqyrton thellë boshllëqet, mangësitë, dobësitë, vetëm atëherë mund të bësh llogarinë e faktorëve të jashtëm, ata që ke zgjedhur aleatë dhe u ke besuar pjesë të frontit dhe betejat e përbashkëta për arritjen e qëllimit dhe fitores me votë. Po të bënte një analizë të tillë, të shikonte brenda vetes dhe ata që e rrethojnë, strukturat, strategjitë, programet, skenarët, Lulzim Basha nuk do bënte njëra pas tjetrës alibi, se dje na vodhën votat, Rama me kompani dhe sot një tjetër alibi që na hëngrën në besë aleatët, veçanërisht LSI! Me të drejtë pyesin: Mirë ata, aleatët, po vetë ti si zot në shtëpi, a nuk mban asnjë përgjegjësi? Apo të gjitha ti bënë aleatët dhe LSI?!