Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Basha, midis dy zjarresh që ka ndezur vetë

Postuar: 11/10/2017 - 07:30

Në radhë të parë ju nuk keni fytyrë të uleni në dialog me drejtuesit kryesorë të institucioneve europiane pasi nga çadra e marrjes, siç e ka cilësuar Jozefina Topalli, nuk keni lënë gjë pa shpifur kundër tyre si tepër të korruptuar, të blerë nga Edi Rama me paratë e drogës. Kjo e pakonceptueshme për një politikan që pretendon të marri pushtetin.

Nuk e kam konceptuar dot se si erdhët dhe kush ju solli në radhët e politikanëve shqiptarë. Ju ishit pjestar, si shumë të tjerë, në radhët e KOP-it, që sipas Saliut, do ta hapte PD dhe do të ndryshonin fytyrën e degraduar të saj, po ndodhi e kundërta, ju nuk e ndryshuat gjendjen po përvetësuat veset më negative të saj. Të gjithë ata që erdhën së bashku me ju në PD nuk arritën të jetonin në politikë ashtu si ju. Disa kanë deklaruar se ju erdhët në radhët e PD të zgjedhur nga pjestarët e familjes “Berisha”, ata ju ngritën edhe në përgjegjësi që e keni vërtetuar se nuk e meritoni. Ju u emëruat ministër Transporti, po e diskredituat veten se vodhët nga fondet e ndërtimit të Rrugës së Kombit 232 milionë euro, të denoncoi në organet e drejtësisë KLSH dhe shpëtove nga ligji me disa manovra proceduriale, që jam i bindur që drejtësia që do të kemi nuk do ta lërë në harresë. Ju u emëruat dy herë ministër i Punëve të Jashtme dhe në këtë detyrë bëtë një faj të madh, duke i kaluar në pronësi të shtetit grek 300 km. katrorë det, duke ditur se kjo pjesë është e pasur me naftë që në botë mban emrin “ari i zi “Gjykata Kushtetuese e anulloi vendimin tuaj, po kjo çështje edhe sot e kësaj dite ka mbetur si gozhda e Nastradinit në marrëdhëniet midis dy vendeve. Është kjo arsyeja që Greqia na kërcënon se do të vërë veton për të penguar hapjen e negociatave të vendit tonë me BE.

Ju i nderuar zotëri, tre mua i mbërthyer në çadër luftuat të na armiqësoni me Europën, ju nuk latë gjë pa shpifur kundër drejtuesve të saj, duke filluar nga presidenti, kryeministri dhe komisionerët e BE që nuk mendonin si ju, po bënin thirrje të ktheheshit në Kuvend, dhe ato që thonit tre herë në ditë në çadër t’i artikulonit në Kuvend, atje ku shtrohen dhe zgjidhen problemet që shqetësojnë çdo individ apo grupime politike.

Shumë herë ati juaj shpirtëror, kur e ka parë veten në rrezik ka bërë përpjekje që të provokojë incidente deri edhe të krijojë mundësi që të fusë popullin në një luftë civile dhe jo shumë larg në kohë por para dy dekadash. Ju, për të siguruar një grusht vota në qarkun Kukës e ngritët atë në piedestal duke e konsideruar si një Skëndërbe të dytë për Shqipërinë. Ju, me paturpësinë më të madhe deklaruat se çdo gjë që është bërë në Shqipëri këto të 27 vjet janë mendja dhe dora e Sali Berishës. Por nuk mund të të vëmë shumë faj sepse çdo krim që është bërë në këtë vend, në shumicën e rasteve ju keni qenë bashkëfajtor. Edhe ju nga çadra lëshuat thirrje për luftë me qëllim që të shpëtonit zullumqarët nga zbatimi i reformës në drejtësi. Pa mend mbeta kur një ditë në Kuvend, me zë të lartë kritikuat Edi Ramën se “po pengon zbatimin e reformës”, vetëm se ai nuk ishte dakord me supërpagat që kërkonin personeli që do të merret me këtë punë. Siç duket e keni harruar deklaratën tuaj kur keni sharë vettingun si “projekt mafioz”, por ju katër ditë pas marrëveshjes me Ramën i hodhët të gjitha pas shpine dhe e votuat në Kuvend.

Me 21 janar 2011, ju si ministër i Brendshëm ndihmuat për të penguar zbulimin nga prokuroria të së vërtetës së katër vrasjeve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, eleminuat dhe fshitë pamjet e protestës në kamerat dhe serverin e Kryeministrisë. Ju bashkëpunuat për të falsifikuar zgjedhjet lokale në kryeqytet dhe me paturpësi vendosët fashon e Kryebashkiakut katër vjet pa bërë asnjë punë në shërbim të qytetarëve të Tiranës. Saliu dhe ju Lul deklaruat se shembët murin e bashkisë dhe se së shpejti do të shembnit murin që pengon Shqipërinë të shkojë përpara.

Ju zoti Basha, me zjarrin që ndezët në çadër kërkuat të akuzoni dhe të digjni para opinionit europian të gjithë drejtuesit kryesorë të institucioneve europiane si njerëz të korruptuar, të blerë nga Edi Rama me paratë e drogës. Artur Shopenhaner thoshte: “Sharlatani merr forma sipas rrethanave, por ai është një person që nuk e çan fare kokën për të vërtetën. Ai, thjesht përpiqet të krijojë idenë e rreme të së vërtetës për ta përdorur për synimet e veta që janë gjithnjë egoiste dhe materiale”.

Kundër qëndrimeve tuaja ishin edhe PPE, bile ato hartuan edhe një rezolutë në Kongresin e tyre që u mbajt në Maltë. Të gjithë pjesëmarrësit e firmosën, kurse ju refuzuat të firmosni sepse sipas jush edhe këtu ishte lobuar me paratë e drogës. Një aleati juaj në çadër, që nuk ja vlen t’i zë emrin, ka deklaruar se: “Ndërkombëtarët janë të dehur nga kanabisi dhe paratë e drogës. Habitem thekson ai, nga guximi dhe aventura e tyre diplomatike duke u paraqitur si palë me qeverinë shqiptare, duke thyer çdo etiketë diplomatike, ligjore e kushtetuese. Por megjithë këtë trysni diplomatike nuk arritën të peshkojnë asnjë parti opozitare për të thyer bojkotin Parlamentar. “Në këtë rast ju deklaruat: “Të gjithë ata që janë kundër aleancës tonë janë armiqtë tanë dhe të vënë në shërbim të Edi Ramës, pasi marrin rroga nga paratë e drogës”. Çadra nga dita e parë deri në atë të ‘90-tën mbeti vendi i monologut që nuk e donit dialogun.

Të mos pranosh vërejtjet e perëndimit dhe të njerëzve që drejton, do të thotë se ke zgjedhur një rrugë të gabuar që demokratët e vërtetë do t’i kesh kurdoherë kundër. Ju kërkuat të bëheshit heroi i demokracisë, po me mashtrimet tuaja u bëtë armik i Europës, i SHBA. Nga ky moment, nga radhët e partisë tuaj dolën zëra kundër, të cilët me kalimin e kohës u shtuan radhët e tyre dhe tani është krijuar grupi për ringritjen e PD dhe për të realizuar zgjedhje të parakohshme pa ndikim nga lart siç ndodhi në zgjedhjet e 22 korrikut 2017, që u cilësuan të manipuluara nga ana juaj.

Ju bëtë një gjest të veçantë kur një mëngjes shkuat në çadër me të dy vajzat për dore, ku sipas jush po sakrifikoni duke qëndruar në çadër për të ardhmen e fëmijëve tanë. Jo, jo, ne të gjithë e kuptojmë qëndrimin tuaj. Ju jeni nga ajo rracë që nuk mund të rrini gjatë pa pushtet. Këtë e keni manifestuar që nga momenti i krijimit të partisë tuaj me në krye atin tuaj shpirtëror. Çadrën, unë e kam konsideruar si një bunker që brenda mbante militantë që nuk ishin në gjendje të kuptonin qëllimin final të dy bashkëkryetarëve Sali e Lul.

Ju, zoti Basha me qëndrimin që mbajtët, ja arritët qëllimit për të spostuar opozitën si strukturë dhe për të vendosur autoritetin e “njëshit” si figurë e padiskutueshme. Kështu, ju vendosët murin ndarës midis trupës drejtuese si institucion. Kështu, eliminuat demokracinë e vendosët diktatin. Ju u treguat shumë i cekët kur mbivlerësuat veprimtarinë e çadrës më shumë se atë të Kuvendit. Sipas jush, sa u arrit për tre muaj në çadër nuk është arritur për katër vjet në Kuvend. Kjo do të thotë se me mashtrimet tuaja, opozita ka fituar. Por të gjithë ne e dimë se opozita sot është në ditët më të vështira të saj, e përçarë nga brenda. Zjarri nga brenda po ju afrohet dhe ka rrezik t’u djegë përfundimisht. Bëjini hyzmet mandatit të deputetit se ofiqet e tjera do t’u hiqen gradualisht. Nuk zgjidh gjë duke bllokuar foltoren e Kuvendit. Ju duhet ta njihni dhe frazën e Kanunit, ku thuhet: “Në kuvend ka rend”.

Mashtrimet tuaja zoti Basha, me fantazma që u sulmojnë nga brenda dhe jashtë vendit çuditën botën, por ato vazhdojnë edhe sot, dhe mesa po kuptoj, edhe salla e Kuvendit po të duket si çadra juaj në bulevard. Ju para pak ditësh deklaruat se “Edi Rama nuk mund ta luftojë kriminalitetin se kjo do të thotë të luftojë veten, se ai është kryekrimineli”. Për shumë gjëra mund ta akuzoni Edi Ramën, por për kriminel kurrë jo! Ai, kurrë nuk ka vrarë apo kërcënuar njeri për ta vrarë, kurse ju keni deklaruar se mund ta vrisni, bile ta tërhiqni zvarrë e ta hidhni në lumin Lana. Pavarësisht se ju keni bërë krime, kurrë ai nuk u ka akuzuar se jeni kriminel, se ai e din se me kriminelët duhet të merret policia dhe organet e drejtësisë. Kurse ju, çdo ditë akuzoni deputetë apo zyrtarë të lartë se në bazë të ligjit të dekriminalizimit që shumë e keqpërdorni, duhet t’i hiqet mandati apo duhet shkarkuar nga detyra. Kësaj i thonë hakmarrje.

Unë nuk e kuptoj përse nuk i përgjigjeni akuzave të rënda të R. Karajt, se kur ju ishit në pushtet nxirrnit të burgosur nga burgu për të vrarë njerëz dhe pasi kryenin krimin ktheheshin në krevatin e burgut. Ju drejtohem juve, se ju mund të keni dijeni se keni qenë ministër i Brendshëm.

Ju, zoti Basha keni deklaruar edhe para pak ditëve se vendi është në një krizë të thellë ekonomike. Ju, meqenëse keni mbaruar studimet jashtë duhet ta kuptoni se krizat ekonomike kanë tre faza, fazën e rënies, staniacionit dhe atë të ngritjes. Duke u nisur nga viti 2015, jemi futur në fazën e ngritjes që do të thotë se Prodhimi i Brendshëm Bruto ka pësuar rritje dhe në vitin 2017 do të ketë një rritje prej 4 %. Kriza ekonomike në vendin tonë ka filluar në vitin 2009 në një kohë me atë botërore dhe në vitin 2013 e 2014, rritja ekonomike ka qenë e papërfillshme. Në raportin e BE, të vitit 2016, theksohet se Shqipëria ka bërë përparime në ekonomi, po duhet të zbatojë reformën në drejtësi.

Ju e dini se kur e majta mori pushtetin në qershor të 2013, Shqipëria ishte refuzuar tre herë për në BE, por axhenda reformiste që ju nuk i doni, vendi mori në vitin 2014 statusin e vendit kandidat për në BE dhe në fund të vitit 2016, pra pas dy vjetësh priste hapjen e negociatave, por protesta juaj artificiale e shtyri në kohë. Europa është kundër krizave artificiale. Vendi ynë ka nevojë për konsensus ndërpartiak. Vetëm ai që ka dëshirë, që vendi të mos përparojë, krijon pengesa të tilla artificiale.

Ju për 90 ditë deklaruat se nuk do të merrnit pjesë në zgjedhje dhe popullin nuk do ta lejonit që të votojë. Ju nuk e kuptoni se zgjedhjet nuk janë për partitë po për popullin. Këto veprime që propagandoni janë antiligjore dhe antidemokratike.

E para që ju shprehu hapur qëndrimin e Europës përballë jush ishte Federika Mogherini, Komisionere për Politikën e Jashtme në BE, edhe kjo u akuzua nga ana juaj si e blerë nga paratë e drogës. Ju deklaratën e saj se “vettingu është kusht për në BE” e quajtët të pasaktë, se ajo nuk është vendimmarrëse, se ka të drejtë vetëm të propozojë, ajo nuk përfaqëson Europën.

Ju nga njëra anë kërkoni dialog, nga ana tjetër e kundërshtoni atë. Kryeministri ishte shprehur disa herë: “Jam për dialog dhe vendin ta caktoni ju”. Kësaj kërkese, ju i përgjigjeni: “Mund të vijë si kryeministër dhe të dali nga çadra si kryeministër i dorëhequr”. Ju, duke lakuar “fajet” e kryeministrit në të gjitha rasat, si Edi krimi, trafikant i Ballkanit, shtet i narkotrafikut etj. Këtë veprim ju e bënit gjoja për të diskredituar Ramën, qeverinë e tij, PS. Por, në fakt ja nxitë faqen Shqipërisë. Balta e hedhur mbi palët duhet kohë që të pastrohet. Shqipëria nga një vend që ofron stabilitet në Ballkan, e cila është mbështetur nga BE, Gjermania, dhe DASH, ju në çadër bëtë përpjekje që ta paraqisni si një dele e zezë për t’u patur frikë nga të gjithë. Për të gjithë ata që nuk mendonin si ju, çadra ishte e gatshme t’i akuzojë si të korruptuar e të blerë me paratë e drogës.

I gjithë perëndimi ishte i mobilizuar kundër jush dhe qëndronte i gatshëm t’i bënte të pabesueshme për opinionin mashtrimet tuaja. Flisnit në emër të SHBA, ju përgënjeshtronte SHBA zyrtare, flisnit në emër të Brukselit, ju përgënjeshtronte Brukseli, flisnit në emër të PPE-ve, ju përgënjeshtronte një zyrtar i tyre, e kështu me radhë goditjet ishin befasuese si një rrufe në qiell pa re. Se përse mbetët vetëm, duhet t’i gjeni ju arsyet. Që ju të mos pengonit partinë tuaj të merrte pjesë në zgjedhje, kryeministri u dha 1/2 e qeverisë dhe vendosët ministrat teknikë, që i zgjodhët ju, siç u deshi qejfi, bile deklaruat se “luftuam për të marrë të gjithë qeverinë po morëm gjysmën e saj”. Po çfarë ndodhi? Zgjedhjet nuk i fituat dhe morët një rezultat katastrofik dhe pasi humbët, deklaruat se votat u vodhën, u blenë me paratë e drogës, etj., dhe këtë e deklaruat edhe në Parlamentin Europian para dy ditëve në diskutimin e deputetit tuaj. E megjithatë, kjo zhurmë mbi shitblerjen e votave që u bë pas zgjedhjeve doli si një gjë e pashijshme, për të mos thënë e ligë, sepse u njollos me të padrejtë një proces zgjedhor që ishte më i miri, që ne kemi mundur të realizojmë deri më sot. Nuk them se ishin të përsosura, por në krahasim me zgjedhjet e shkuara ishin qartas më të mira. Këtë nuk e them unë po e tha Europa dhe Amerika. Dita e zgjedhjeve e qetë, policia në funksionin e vet, numërimi i votave i qetë, pa asnjë problem. Numërimi u realizua për dy ditë, që nuk kishte ndodhur herët e tjera. Kryetari i KQZ ishte i zgjedhur nga ju. Prandaj ankesat tuaja ishin të pavend.

Ju keni kërkuar t’i vini zjarrin Shqipërisë, po zjarri po ndizet brenda radhëve të PD që me siguri herët apo vonë do t’u djegë. Mos kujtoni se opozitë në Kuvend bëhet duke ngritur zërin, duke akuzuar kryeministrin si kreu i krimit dhe duke bllokuar foltoren e Kuvendit, siç vepruat me datë 5 tetor dhe në seancat paraardhëse. Kuptoje mirë se mazhoranca që kemi sot nuk ka shumë nevojë për ju. Ka ikur edhe koha kur rregullorja e Kuvendit nuk zbatohej.

Nga Gjon BUSHPEPA

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 5

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 15/10/2017 - 07:44

“Hall i madh” për një parti të madhe politike, që një lidere e saj të mos dijë origjinën e Machiavell-it! “Shumë e rëndë”, akoma më e rëndë se sa t’i ndërtosh Durrësit dhe një aeroport kur je në fushatë elektorale!

Postuar: 15/10/2017 - 07:43

Gjithnjë kam menduar dhe pyetur veten se çfarë raporti ka mes të vërtetës dhe gënjeshtrës në Shqipëri në ditët e sotme që punët e këtij vendi nuk shkojnë mirë.

Postuar: 15/10/2017 - 07:42

Ka kohë që fotografitë janë bërë arma dhe kauza opozitare sa herë duan të godasin kundërshtarët politikë. E vërteta, kjo puna e fotove nuk është e re.

Postuar: 15/10/2017 - 07:40

Kreu i shtetit Edi Rama bëri të ditur se së shpejti në Shqipëri do të vijnë për të zbatuar ligjin e vetingut agjentë specialë nga SHBA.

Postuar: 14/10/2017 - 07:40

Partizani e fitoi ndeshjen me Teutën dhe kjo u pa nga të kuqtë si një moment kthese në kampionat, jo vetëm pse skuadra shënoi golat që i mungonin, por edhe mori tri pikë që shër

Postuar: 14/10/2017 - 07:36

Tirana luan në Kategorinë e Parë këtë edicion, por për trajnerin e saj brazilian skuadra duket sikur luan në Superiore dhe sfidat tekniku bardheblu i përjeton sikur të ishin due

Postuar: 14/10/2017 - 07:23

Projektligji “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare në Republikën e Shqipërisë” i paraqitur disa ditë më parë nga Ministria e Punëve të Jashtme për konsultim publik, me