Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Basha na thuaj një ofertë të ndërkombëtarëve refuzuar nga Rama!

Postuar: 24/08/2019 - 07:51

Studio më e freskët televizive me moderator Çim Pekën nuk kishte si të çelte siparin ndryshe, veç me të intervistuarin e parë, kryetarin e PD-së, Lulzim Basha. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe dhe nuk mund të paragjykohet se ky televizion është i sponsorizuar nga opozita apo familjarë që e kanë udhëhequr atë ndër vite. Edhe nëse është i tillë pak rëndësi ka. Le të jetë një zë opozitar, i fuqishëm, alternativë dhe të kompensojë sadopak boshllëkun e mungesën e opozitës në institucione. Këtu nuk ka vend as për incidentin e rrëzimit të studios gjatë intervistës. TV-të tek ne zor të mbeten njëqind për qind të paanshme. Themelore është të mos jenë totalisht të njërës palë dhe të të shndërrohen në tellall a gramafona të liderëve përkatës. Duke lënë mënjanë pavarësinë e mediave vizive, le të ndalemi tek një pjesë e intervistës së zotit Basha. Jo për fabulën e mollëve të kalbura me korbin grabitqar që fluturoi mbi shportën plotë dhe përzgjodhi, jo mollët e cilësisë së parë, bio-t, ato ekstra, siç janë vetëcilësuar deputetët mandat-djegur dhe larguar nga tempulli i demokracisë demostrativisht, po Rudina Hajdarin e kritikun e ashpër Murizin e Kokën, si të blerë nga Rama. Në psikikën e kryedemokratit, është ngulitur thellë ideja, se ata që nuk iu bindën, janë të blerë dhe sponsorizuar nga mazhoranca, ashtu sikundër ata që u futën pas divorcit të partisë që kryeson me Kuvendin. Të gjithë këta deputet të blerë? Sa shumë i kanë kushtuar Ramës! Bëhet fjalë për individë të përzgjedhur me dorën e tij ata që sot i anatemon dhe i barazon me kalbësira, si ushqim për shpendët më grabitqarë, korbin e zi që përfaqëson sjellësin e fatkeqësive midis kolonisë së shpendëve. Po etiketimi i “dezertorëve” nuk është asgjë para justifikimit të mungesës së marrëveshjes dhe dialogut apo kthimit në institucione me braktisjen flagrante dhe pa asnjë arsye madhore apo parimore, po për të vetmen logjikë, se pasi ka bërë llogaritë ka dalë humbës dhe për këtë arsye e largoi partinë drejtë rrugës dhe shesheve. Kur u pyet për qëndrimin e partisë që kryeson, si do jetë platforma në muajin shtator dhe cila do jetë strategjia politike që do ndjekë, si do luftojë për t`iu qasur institucioneve dhe të rifitojë e rehabilitojë staturën e politikanit vizionar dhe partisë demokratike, si një force politike moderne dhe luajale, siç ka qenë në vitin 1990, e transformuar sot në parti jashtë sistemit, pa u menduar asnjë sekondë, Basha deklaroi, para shqiptarëve, se të gjitha u bënë pasi Rama nuk la mundësi të tjera. Na i mbylli shtigjet. I blindoi portat, se ai nuk iu përgjigj asnjë oferte të ndërkombëtarëve. Shqiptarët kur dëgjojnë këtë deklaratë të kryeopozitarit të thënë nga kolltuku i studios së TV-së, me një vetësiguri absolute, vënë buzën në gaz dhe sigurisht e gjykojnë Bashën si një individ jo koherent, siç duhet të jetë një kryetar partie dhe pretendent për kolltukun e kryeministrit, po të papërgjegjshëm, gënjeshtar, mashtrues dhe hipokrit që nuk i jep vlerë fjalës dhe nuk ka raporte korrekte me të vërtetën. Të flasësh për oferta të kundërshtuara të ndërkombëtarëve, sikur kryeministri u ka ngritur prita propozimeve racionale të SHBA dhe BE-së dhe u ka thënë jo ofertave të tyre në drejtim të zgjidhjes së krizës që realisht është krizë e vet opozitës dhe jo e sistemit, kur realisht je ti dhe partia që drejton së bashku me forcat e tjera në koalicion që nuk ke dëgjuar askënd që të ka ftuar për respektim të institucioneve, demokracisë, kushtetutës, për t`u bërë pjesë integrale e reformave të mëdha. Je ti që i shmangesh çdo këshille dhe sugjerimi nga ata që e kanë orientuar demokracinë në Shqipëri kah progresit dhe janë bërë garantët e rrugëtimit drejt Evropës. Është vërtetë e dhimbshme, e papranueshme, e shëmtuar dhe jashtë çdo logjike të një politikani që e mban veten të moderuar dhe me pretendime të mëdha për t`u sjell shqiptarëve, një rend të ri, “Republikën moderne”, pa oligarkë, pa korrupsion dhe të gënjesh nën dritën e prozhektorëve. Të veprosh në këtë mënyrë kur shitesh si misionar për t`u dhënë të gjithëve drejtësi e dhe mirënie. Kronikat e kohës, sot shkruhet në mijëra mënyra. Politika bëhet faqe të gjithëve. Është nën vëzhgimin e rreptë dhe sytë e medias vizive dhe asaj të shkruar. Qëndrimet e secilit janë të monitoruara nga qytetarët. Të sinkronizuara në filmimet e shumta. Të incizuar nga qindra kamera që qëndrojnë mbi kokën e secilit politikan. Në këtë kontekst, deklarata e mospranimit dhe refuzimit të ofertave të miqve dhe ndërkombëtarëve nga Rama që i ka kundërshtuar dhe ai ka nxitur bojkotin e protestat pasi nuk i ka lënë mundësi tjetër PD dhe opozitës, është jashtë logjike, një lojë si në filmat e animuar. Cilën ofertë ka refuzuar Rama? Në këto dy- tre vite në Shqipëri është duke u hartuar një reformë tërësore e drejtësisë. Kush ka refuzuar dhe mosvotuar ligjet dhe platformat e serviruara nga institucionet e SHBA dhe BE-së? Rama në lidhje me reformën në drejtësi, ka deklaruar se është dakord me çdo platformë opozitare. Mjafton të ketë firmën dhe vulën e SHBA-së. Është refuzim apo pranim pa kushte deri në ekstrem një qëndrim i tillë?! Në sallën e Parlamentit deputetët e PD-së dhe LSI-së, gjatë tërë kohës nuk kanë debatuar. Ata kanë sulmuar dhe futur në sallë frymën e konfliktit fizik. Kanë shkuar të armatosur. Atje ku debatohet e përgatiten ligjet, armët kanë zvendësuar ligjëratat. Kanë sulmuar me veze, me bojë, me çizme, shishe, flakadan, deri edhe me gaz me ngjyrë mazhorancën. A u penguan qoftë edhe njëherë të vetme të flasin çfarë të duan dhe si kohë më shumë se mazhoranca? Kur është refuzuar Basha, Berisha apo Kryemadhi një herë të vetme? Atëherë kush i refuzoi e nuk i dëgjoi ndërkombëtarët? Kush i injoroi ftesat pafund për mos ti djegur manadatet, Rama apo Basha me kualicionistët e tij që aplikuan brex pa marrëveshje me padurim dhe e shpallën këtë braktisje si fitore të demokracisë, vetëm se ikën nga salla e Kuvendit? Jo njëherë, po dhjetëra herë nga përfaqësues të lartë të SHBA-së, si Ndihmës Sekretari Jashtëm amerikanë Palmer, britanikët, homologët e Gjermanisë, Italisë, përfaqësuesit më të rëndësishëm të BE dhe KE-së, Mogherini, Fleckenstain, Hann, e shumë personalitete kërkuan që opozita të qëndronte në institucione, të vepronte si një parti demokratike, larg mentalitetit të luftës dhe betejave në rrugë. Ofertat ndërkombëtare u kundërshtuan fuqimisht, pa asnjë pendesë, pikërisht nga Basha. Dhe sot e shet këtë refuzim si mospranim nga mazhoranca. Kulmin, hedhja poshtë e ofertave dashamirëse për ta vendosur sistemin politik dhe faktorët vendimmarrës në shina, ishte qëndrimi flagrant i bojkotit të zgjedhjeve të 30 qershorit dhe rrëmujës para dhe pas votimeve. Besoj se askush nuk ka harruar si Lulzim Basha me kualicionistët, në sinkron me LSI-në e Metën, refuzuan prerazi pjesëmarrjen në zgjedhjet e pushtetit lokal, duke krijuar një precedent të panjohur në vendet demokratike. Kush nuk iu drejtua Bashës dhe nuk e këshilloi të mos kryente një akt të tillë të panjohur më parë? Kush nga zyrtarët më të lartë të partive aleate të tij, deri tek partitë e majta e të qendrës, institucionet e politikë-bërjes së BE-së e OSBE-së nuk i kërkuan me forcë Bashës të tërhiqej nga aventurat e braktisjes flagrante të zgjedhjeve?! Po ai nuk i dëgjoi. Zërat e ndërkombëtarëve i la të endeshin nëpër mjegullën detare, si zëri i Sirenave të Odiseut të legjendës, nga frika se mund të ta robëronin kryepozitarin dhe ta kthenin në bregun e realizmit. Po edhe këto oferta, i denigroi, i përbuzi. Me fodullëk e çoi partinë, jo në kutitë e votimit, po depove të dinamitit dhe molotovëve. Ushtria e militantëve në vend të shkonte në zgjedhje, marshoi rrugëve dhe bllokoi KZAZ-të e QV-të, dogji e shkatërroi shkolla për ti zhbëre zgjedhjet. Vazhdimisht, zërat e arsyeshëm të Perëndimit i kanë ofruar zgjidhje demokratike pa dhunë Bashës. Po ai i ka injoruar me shpresën se kështu ishte më komod. Se në këtë mënyrë fitonte famë dhe respekt, si qëndrestar që nuk pyet, jo të këtushmit, po deri fuqitë që i japin tonin politikës së globit. Sa oferta ka djegur Basha? Sa funksionarëve të huaj miq, iu ka mbyllur portat para fytyrës?! Nuk ka një qëndrim të vetëm, ku partia e Bashës të ketë thënë: “Yes Sir! Faleminderit zotëri! Jemi gati për t`iu bashkuar institucioneve. Të hymë në gara dhe të japim kontributin tonë për rrugëtimin drejtë BE-së.” Përditë refuzime. Bllokada. Kundërshti. Ultimatume. Zmbrapsje. Mospëlqime. Asnjëherë dakordësi. Po cila është rruga Basha? Si do sillet në shtator? Do pranoj ofertat e brendshme dhe ato ndërkombëtare apo do jetë refraktar, mur që nuk luan, në rrugë? Dhe në fund të lajë gojën si gjithnjë: Rama nuk pranoi asnjë ofertë të PD-së. Refuzoi faktorin ndërkombëtar. Kjo nuk e bën më të moderuar as më të fortë Lulzim Bashën!

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 17/09/2019 - 07:17

Sa herë Presidenti del me deklarata ose jep opinione, konferenca shtypi apo shkruan në rrjetet sociale, jemi tërë sy e vesh për të rejat që kumton, idetë që shpalos, paralajmërimet që bën, objektivat që përcakton për

Postuar: 17/09/2019 - 07:15

....Këtë mund ta besojë vetëm ndonjë mendje si ajo e z.

Postuar: 17/09/2019 - 07:14

Më kujtohet se kur erdhi në pushtet qeveria e Edi Ramës mbas zgjedhjeve të 2013-ës, ju desh njëfa

Postuar: 17/09/2019 - 07:12

Ka kohë që flitet për krisje të marrëdhënieve midis presidentit Meta dhe liderit të selisë blu, B

Postuar: 15/09/2019 - 07:43

Gjatë periudhës së pushimeve në qytetin e Vlorës, më ndodhi, ashtu sikurse i ndodh gjithkujt, që

Postuar: 15/09/2019 - 07:42

Bashkimi Evropian e zgjidhi qesen për reformën në drejtësi.

Postuar: 15/09/2019 - 07:40

Nuk është hera e parë që zonja Monika Kryemadhi, Kryetarja e LSI-së, sot bashkëkryetarja e opozit