BREAKING NEWS

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës, zbulohet se çfarë do të ndodhë nesër në orën 11:00

Këshilli Politik ul siparin, Basha bën lëvizjen e radhës,
x

Opinion / Editorial

Basha natën vret oligarkët, ditën qan biznesmenët

Basha natën vret oligarkët, ditën qan biznesmenët

Lulzim Bashën në relacion me biznesmenët, po ngjan si dy pika uji me sentencën popullore: “Lëre atë se të vret natën e të qan ditën”. Hershmëria e një thënie të tillë, është vërtetuar përditë ndër shekuj, sa herë bëhet fjalë për individë të cilët e kanë natyrë të të vrasin natën, të bëjnë të keqen më të madhe, të pengojnë, të vjedhin, të vënë shkopinjtë nën rrota, larg syrit dhe veshit të njerëzve në errësirë dhe herët në mëngjes, sapo shfaqen rrezet e para të diellit të nisin të lotojnë, të tregohen të dhimbsur, të trishtuar, të mërzitur, duke u rënë lotët deri në fund të këmbëve, sikur ta ketë pësuar i tërë fisi. Në popull për të tillë individë, aq më tepër kur janë të veshur me petkun e kostumin e politikanit modern, bëmat janë edhe më të mëdha dhe sensibiliteti i opinionit të gjerë edhe më i madh. Fiks fare, kështu po ndodh me Bashën dhe partinë e tij që kryeson, sa herë dalin në skenë biznesmenët, të cilët për fat të keq trajtohen si të ishin kavje për eksperimente të politikës ekonomike të partive pretendente për pushtet, po edhe të forcave minore, të cilat pretendojnë se kanë fuqi të ndryshojnë strukturën ekonomike dhe të bëjnë ligjin në lidhje me klasën e biznesmenëve të cilët janë lokomotiva e ekonomisë tonë kombëtare. Prej vitesh, sa kanë dalë në opozitë, PD, liderët e saj dhe funksionarë të rëndësishëm të kësaj force politike, i kanë trajtuar biznesmenët si të ishin armiqtë më të mëdhenj të sistemit, të ekonomisë së tregut. Fatkeqësisht në logjikën e liderëve tanë të opozitës, biznesmenët, jo vetëm janë barazuar me oligarkët e pashpirt, si të kenë zbritur këtu ndër ne, si forca të shkatërrimit dhe të gllabërimit të ekonomisë sonë. Biznesmenët tanë, janë ata që i japin impulse zhvillimit. Ata janë furnizuesit më të mëdhenj të tregut, të turizmit në bregdet dhe në zonat malore. Eksperimentuesit më të mëdhenj të teknologjive dhe të rejave të shkencës. Atje ku hyjnë biznesmenët e mëdhenj, gjithçka ndryshon dhe zhvillohet. Merr ritëm të ri. Si të tillë meritojnë vëmendjen dhe mbështetjen e mbarë shoqërisë. Dhe partitë politike që pretendojnë pushtetin dhe i kanë pasur sa herë kanë drejtuar vendin, si aleatët më të mëdhenj dhe burim mbështetje financiare për vepra të rëndësishme që kanë lënë gjurmë, si rrugë dhe paqe, ndërtime dhe qytete, fabrika e miniera, këta kanë qenë individët më të vlerësuar dhe për ta nuk janë kursyer asnjëherë lavdet. Kujtojmë këtu ish-kryeministrin, Sali Berisha që me biznesmenët e mëdhenj ndërtoi rrugë dhe zgjidhi probleme të mprehta të punësimit të qytetarëve. Nuk është fjala tek dallëndyshet e firmave piramidale pasi ato ishin eksperiment shqiptar i panjohur në ekonominë moderne të tregut. Sa shumë lista u janë deleguar bizneseve në momente të rëndësishme në prag zgjedhjesh kur u janë dashur vota për të përfunduar vepra të mëdha të cilat u kanë shërbyer si pasaportë për të kërkuar më shumë dhe për të krijuar bindjen se shteti ka realizuar premtimet?! Pas çdo objekti të realizuar, pas çdo arritjeje, kanë qenë pikërisht bizneset e fuqishme që i kanë dhënë aq shumë oksigjen ekonomisë tonë. Po sapo kanë rënë nga fiku dhe janë larguar politikanët nga pushteti, pikërisht biznesmenët, njerëzit e parasë, ata që gjenerojnë oksigjen për tërë ekonominë, janë shpallur të padëshirueshëm, gati armiqësorë, tregtarë të poshtër, zhvatës, individë që grabisin xhepat e shqiptarëve, mbartës të PPP, vjedhës të buxhetit të shqiptarëve. Realiteti nuk është kjo që deklarohet prej tyre. Trajtimi nuk është realist. Është taktika e skenari ndryshe. E vërteta e këtij mllefi është hakmarrja dhe inati pse pikërisht ata që deri dje kanë qenë patericat e shtetit, trampolina e tij, financuesi i veprave propagandistike të demokratëve, i japin mbështetje pushtetit aktual. Mbështesin kryeministrin dhe qeverinë e Edi Ramës. Kjo është e patolerueshme për ta. Dhe të mirët, të urtët, progresistët, të mençurit, të papërtuarit biznesmenë, nga shumë të dashur, janë shndërruar në të përçmuar, individë problematikë, që i bëjnë hije dhe lavde qeverisë armike të popullit për të vjedhur shqiptarët dhe gllabëruar të ardhurat kombëtare. Kjo gjuhë na ka vrarë veshët tërë këto vite. Janë sulmuar emra të respektuar e me kontribute, të cilët kanë punësuar deri në dhjetë mijë punëtorë dhe ku ushqehen e jetojnë mijëra familje, të cilat pa ata nuk do kishin asnjë shpresë dhe do mbeteshin rob të asistencës sociale. Po biznesmenët tanë, asnjëherë nuk iu kundërvunë politikanëve edhe pse kanë pasur gjithë të drejtën e zotit për të thënë jo. Boll më! Heshtni se ne u kemi mbajtur dhe jemi ata që i japim frymë ekonomisë. Biznesmenët tanë, janë më të rinjtë në Europë. Nuk kanë trashëguar asgjë. Nuk kanë pasur pararendës të tyre që tu kenë lënë kapitale. E kanë nisur nga zero. Për tri dekada bënë revolucion dhe u ngjitën në majat e lavdisë. Sollën këtu metodologjitë më të përparuar në ndërtim, miniera, prodhimin e pajisjeve dhe zhvillimin e informacionit dhe teknologjisë më të përparuar të kohës. Ajo që të çudit, gjatë këtyre ditëve nuk është anatemimi dhe denigrimi i biznesmenëve. Me këtë fjalor dhe etiketimet pa sens, u mësuan, jo vetëm qytetarët, po edhe vetë biznesmenët. Ata kanë vijuar punën e tyre. Kanë parë veten në vijë të parë edhe në këtë kohë pandemie. Të gjithë vrapojnë për të bërë më të mirën. Po pasi i telendisën i goditën brinjë më brinjë, Lulzim Basha dhe drejtuesit e partisë me gjithë ata të simotrave që mbajnë në vijë shënjimi, kur ata janë duke bërë punën, po dilet në sheshe, bëhen takime sikur janë të shqetësuar deri në palcë për fatin e bizneseve dhe biznesmenëve. Një tjetër melodi, këngë me tekst të përpunuar në selitë e partive me gjuhë ndryshe, të qetë, ëmbëlsisht, u qajnë hallin biznesmenëve dhe bëjnë si të jenë individët që nuk i zë gjumi tërë këto ditë. Kësaj i thonë: “Dallëndyshe ktheje ndryshe”! Miqtë e sotëm deri dje armiq, shyqyr që ndryshuan kahje dhe korrigjuan kursin. Lutemi që të jenë të vërtetë dhe jo të bëjnë hipokrizinë e ditës. Nuk mund të shash një vit dhe të lavdërosh një ditë. Kthesat e shpejta, janë problematike edhe për drejtuesit e Formula Uno, të cilët kthesat i mendojnë shumë herë dhe i marrin me qetësi. Ky ndryshim i beftë i kursit pro oligarkëve, qoftë i vërtetë. Ajo që të habit më shumë dhe të vë në mendime nuk është thjesht ndryshimi i kursit të kupolës së opozitës që qajnë për rrënimin e bizneseve dhe shqyejnë fytyrën se po falimentojnë, se shteti, kryeministri nuk i mbështet. Qëllimisht lihen në harresë paketat për mbështetjen e bizneseve, pagat deri në dyzetë mijë lekë, garancia sovrane për bankat, lehtësitë radhazi, hapja graduale, sa lejojnë kushtet e vështira të pandemisë, “kryeministri” në pritje, Lulzim Basha, ka nisur xhiron rrotull Shqipërisë, duke shkelur edhe gjendjen e fatkeqësisë natyrore, ligjin për takimet në kohë koronavirusi dhe shtrëngon duart me të anatemuarit e deri djeshëm, jo për të shpalosur platformën e të nesërmes, çfarë do bëjë ai më mirë se deri dje nga ata që kanë uzurpuar shtetin, po premton si të kishte çelësat e bankave, buxhetin, firmën e vulën, kompetencën mbi të gjitha për të zgjidhur shqetësimet e bizneseve, Kuvendin e Shqipërisë doemos për të vulosur iniciativat e kryeministrit. Premtimet si të kishte parat e tërë bankave, lëshimi i fjalëve mikluese, jo vetëm të Shqipërisë, po edhe ato të shteteve të pasura. Bamirësi Basha, në gjurmët e doktor Berishës, si të zbriste nga karroca e drerëve, si babagjysh i Vitit të Ri për të zgjidhur kërkesat e biznesmenëve. Do ishte mirë që të ndiqte kursin e gradualitetit. Të takohet me të gjithë. T’i japë dorën secilit. T’i dëgjojë dhe të mbajë shënime. Po jo të bëjë kryeministrin dhe bamirësin. Basha nuk duhet të harrojë se biznesmenët e Shqipërisë dinë t’i bëjnë shumë më mirë llogaritë jo nga ai që di të shumëzojë vetëm me numrin shtatë. Nuk mund të besojnë premtimet. Ata duan vezën sot dhe jo pulën mot. Lulzim Basha është kryetari i partisë dhe nuk i shkon të bëjë si të ishte Ali Baba i Shqipërisë!