Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Basha nga marshimi i madh, relaks në salla të mbyllura

Postuar: 07/11/2019 - 07:09

Me sa duket, Lulzim Basha edhe pse ka ndryshuar strategji dhe u është larguar protestave ose marshimit të madh nëpër rrugët e Tiranës, përsëri nuk ka hequr dorë nga lëvizjet pa objektiva të qarta. Revolucioni “Rama ik”, shoqëruar me potere, tam-tame, zhurmë, molotov, shfaqje të shëmtuara se si nuk duhet protestuar, përdorimi simbolikave të lashtësisë, me shigjetarë, harkëtarë, kacavjerrës në fasadat e godinave të institucioneve të rëndësishme, Kuvendit, qeverisë, munxirosjes së mureve me shkarravina, videove të improvizuara, goditjeve mbi policinë, ultimatumeve, nuk arriti të ankorojë partinë në bregun e shpresës së mirë. Për lëvizjen dhe strategjinë e përdorur nuk u shpërblye me asnjë benefit apo shtim të aksioneve në bursën politike të vendit. Me sa duket, pikërisht nota negative që i vuri populli, braktisja e masave dhe mungesa e mbështetjes së gjerë, pasi nuk u gjet kauza e nevojshme, nuk u prek nervi i ndjeshmërisë popullor dhe nuk u krijua besimi, votuesit shqiptarë refuzuan aksionet opozitare. Masa e gjerë e qytetarëve verifikoi se këto aksione pa sens ishin kundër rrugëtimit në BE. Kjo strategji mori shuplaka radhazi edhe nga faktori ndërkombëtar. Së fundi i dërguar i DASH në Ballkan, Zoti Palmer deklaroi zë plotë dhe fare qartë se: “Zgjedhje të parakohshme, opozita nuk mundi të provokojë me anë të rrugës dhe protestave të dhunshme”. Qytetarët shqiptarë të stërvitur në këto tri dekada me ushtrimet e demokracisë, kanë fituar tanimë përvojën e nevojshme dhe nuk janë më axhaminjtë e vitit të parë të demokracisë, kur besonin se paratë do rriteshin si gjethet në pemë dhe çeku i bardhë do zgjidhte hallet sa të hapje e të mbyllje sytë. Pikërisht, kjo pjekuri demokratike dhe lodhja nga thirrjet në aksione që nuk i përkasin dhe nuk janë për shqetësimet e tij, kanë bërë që shqiptarët t`ia lënë revolucionin drejtuesve të opozitës dhe militantëve politikë që për hir të lidhjeve dhe nostalgjisë për pushtetin e djeshëm, interesave materiale e financiare që u krijon privilegje pa fund, kanë qenë të vetmit që kanë mbushur sheshin para godinës së qeverisë. E vetmja lëvizje e dinjitetshme e njëkohshme me lëvizjet opozitare, po pa pika takimi me të, ishte ajo e studentëve të cilët ia arritën brenda pak ditësh të ndryshojnë mbi gjashtëdhjetë për qind të qeverisë dhe të hartohej një platformë urgjente për ndryshimin e kushteve të jetesës së studentëve. Lëvizje jashtë aksionit të opozitës që nuk e pranoi ndërhyrjen e saj. Pas një viti të shkuar dëm shoqëruar me katrahurën bulevardeske, pa asnjë tregues apo fitore reale, përkundrazi shoqëruar me thellim të krizës opozitare, me braktisje të Parlamentit, grisjen e mandateve, mospjesëmarrjen në zgjedhje më 30 qershor, e thelluan edhe më hendekun e opozitës përballë sistemit politik. I hoqën nga duart edhe atë mbështetje që e kishte fituar me vite përpjekje dhe mund, falë mbështetjes së votuesve që simpatizojnë opozitën shqiptare. Pasi zbriti nën nivelin zero, duke i humbur të gjitha deri edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, të cilët më shumë se një herë kanë këshilluar për një politikë ndryshe dhe futjen e opozitës, PD dhe LSI në sistem, Lulzim Basha, shpalosi lëvizjen më të re. Atë të takimeve nëpër qarqe me të rinjtë për zgjedhje të parakohshme. Të parin takim e nisi me të rinjtë në Elbasan. Ky ishte starti. Nga pamjet e publikuara, mënyra si ishte organizuar ky takim, duket fare qartë se nuk ishte as i madh, as i zjarrtë, as entuziast, as i përmasave minimale për një parti që në çdo sekondë deklaron se ka popullin shqiptar me vete. Pasi njihesh me këtë mini takim, pjesëmarrjen e ulët, indiferencën qytetare, po edhe kur dëgjon ligjëratën e liderit të opozitës, premtimet lumë, pa bërë llogari se një ditë do ballafaqohet me këto premtime dhe do i kthehen në boomerang, kupton se opozita është larg mbështetjes popullore të pretenduar. Në takimet e opozitave shqiptare, në këto tridhjetë vite kur situata është në vlim dhe populli ka vendosur të ndërrojë kuajt e karrocës, të grisi një kontratë dhe të lidhi një tjetër, që në këtë rast i bie të vijë në pushtet, PD dhe aleatët në koalicion antimazhorancë nuk i nxënë jo sallat e kinemave apo hollet e moteleve dhe vilave, po as sheshet. Vargu i njerëzve për të shkuar në takimin e shpresës, për të dëgjuar atë që do sjelli ndryshimin, siç pretendon Basha, makinat me flamuj për të pritur prijësin e ri nuk do kishin të mbaruar. Mpakja dhe rrudhja e takimeve aq më tepër mungesa e të rinjve, për të cilët Basha pretendon se i ka forcën kryesore në aksionin e tij për të bindur shqiptarët se ai është e ardhmja dhe ka në dorë ndryshimin, flet për të kundërtën. Aventurat e saj në rrugëtimin për pushtet me sa duket nuk kanë gjetur terren për të lulëzuar dhe anemia e kontakteve lë për të dëshiruar. Në këto kushte boshllëkun e pjesëmarrjes, se tek e fundit, votat janë numër dhe lëvizja është frymë, flasin se marshimi i madh po shndërrohet në një mini marrshim, me të vetmin ndryshim se tani të rinjtë qëndrojnë ulur në karrige, dëgjojnë me kufje në vesh, ndjekin smartphone-t dhe lexojnë në kohë reale të rejat e show biz. Dikush i bën pjesëmarrësit për të qeshur me tregimet për lagjen e qytetin nga vjen dhe neverinë që ndjen për kundërshtarët politikë. Po kjo është sjellje e porositur. Lulzim Basha në turin e tij ka gjetur edhe disa specifika të veçanta. Kështu, ai veç fjalimeve që do mbajë dhe premtimeve për një jetë ndryshe, për ngritjen e rinisë në piedestal për bursa të plota, ndihma pa llogari për të gjithë të moskamurit, si dhe përsosjes së sistemit arsimor. Paga për të gjithë dyfish. Opozita e ka në ADN kërkesën për zgjedhje parakohe. Kjo është taksative. Nuk ka opozitë që të nesërmen e fitores së kundërshtarit, sapo zënë karriget në sallën e Parlamentit e para kërkesë është zgjedhje të parakohshme. Po ai braktisi të kohshmet. Betejë e ashpër ndaj cilitdo kandidat që pranuan të merrnin pjesë në zgjedhjet e dekretuara nga Presidenti Meta. Për t`ia mbërritur kësaj manovre anti sistem dhe bllokim të procesit zgjedhor, u përfshinë shumë faktorë. Basha duket sikur ka braktisur strategjinë e rrugës. Mikrokontaktet, meqenëse Elbasani ishte starti, një qytet i madh, me aq sa morën pjesë, të vjen keq që ishte aq anemik. PD dhe opozita, pretendon se do fitojë thellë dhe sipas sondazheve e ka të sigurt fitoren me 81 deputetë në zgjedhje të zakonshme apo të parakohshme. Për njëmijë arsye zgjidhjet nuk duken afër. Reforma zgjedhore është e pezulluar. Edhe pse nga opozita deklarohet se ka arritur dy fitore të mëdha, një në Bundestag e tjetrën në SHBA, shenjat nuk flasin për ndonjë ndryshim të thellë as përmbysje, siç reklamon Basha. Me sa duket të rinjtë kanë një axhendë tjetër edhe ditën kur ftohen në këto takime. Ata shkojnë, jo vetëm me pakicë, po edhe pa ndonjë besim pasi shumë prej tyre gjykojnë se më e mira do ishte një biletë pakthim drejt shteteve europiane, sa të dëgjojnë premtime që i kanë dëgjuar dhe provuar prindërit e gjyshërit e tyre. Të rinjtë shqiptarë kanë vite që ushqehen e nuk ngopen me fjalët që nisin me premtime dhe mbyllen me ishte se ç`na ishte... Politika iu ka ardhur deri në fyt. I bënë për të vjellë kur dëgjojnë se do jetojnë në parajsë, sa të vijë Basha në pushtet.

Nga Bardhyl Bejko

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 22/11/2019 - 07:30

Me rastin e 76-vjetorit të krijimit të OKLL, 21 nëntor 1943-2019

Postuar: 22/11/2019 - 07:15

Nuk është kjo as një fjalë goje dhe as mentaliteti i një qytetari të thjeshtë që edhe këtij nuk i

Postuar: 22/11/2019 - 07:14

Ka ditë që politika po merret me Kushtetutën për të gjetur ndonjë klauzolë, që i shpëton nga ndës

Postuar: 22/11/2019 - 07:12

Këto ditë Presidenca përngjan me Mekën. Po me një ndryshim thelbësor.

Postuar: 22/11/2019 - 07:11

Para dy ditësh ishte 30-vjetori i vdekjes së Leonardo Sciascias, ose të madhit të letrave italian

Postuar: 21/11/2019 - 07:18

Nuk bëhet fjalë për romanin e Stendalit “E kuqja dhe e zeza” me këtë titull, madje as

Postuar: 21/11/2019 - 07:16

Projekt-ligji për Buxhetin e Shtetit 2020 që Ministria jonë e Financave ka dërguar në Kuvend, për