Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Basha refuzon dialogun dhe zgjidhjen, ofron dhunën

Postuar: 26/05/2019 - 07:40

Letra publike që Kryeministri Rama i drejtoi Kryetarit të PD, Lulzim Basha, ishte një hap në drejtimin e duhur, një ftesë, e cila i hapte rrugë dialogut në tavolinë dhe uljen e palëve të acaruara për të gjetur pikat e përbashkëta, për t’i dhënë zgjidhje krizës së provokuar nga opozita me djegien e mandateve, largimin nga institucionet dhe vërshimit në rrugë. Braktisja e parlamentit dhe rendja në rrugë pa krye e opozitës ka shkaktuar një traumë të rëndë në funksionimin politik opozitë-mazhorancë. Marrëdhëniet mes dy palëve që në krye të herës kanë qenë të acaruara në ekstrem. Shoqëria shqiptare është përballur me dallgë që përplaseshin mbi çdo reformë, politikan, individ, ligj apo strategji politike e zhvillimi që ka ndërmarrë qeveria gjatë tërë këtyre viteve. Këtu nuk bëhet fjalë që opozita duhet të njehsojë politikat e veta me ato qeverisë, as që t’i bëjë fresk pushtetit në aksionet e saj për pushtetin. Përkundrazi. Opozita, si kujdestarja dhe kontrolluese e rreptë për punët e qeverisë dhe rregullatore e çdo veprimtarie që nuk bazohet në interes të masave të gjera apo është në shkelje të ligjit. Opozita duhet të jetë gardian i Kushtetutës dhe ligjit. Është detyra e saj të godasë fenomenet që cënojnë interesat e shoqërisë. Në këtë aspekt, jo për një rast të veçuar, opozita ka pasur të drejtë në denoncimet që ka bërë. Kështu, nëse i referohemi tenderit të “Unazës së Madhe”, jo për vlerën dhe shumat e tenderuara pasi kjo kërkon të provohet sa objektive janë përllogaritur shpenzimet, po për mënyrën si u shpallën fituesit, opozita ka të drejtën legjitime ta dërgojë çështjen deri në prokurori. Të kërkojë të vihen para drejtësisë ata që kanë mbyllur sytë para veprimeve të tilla të dënueshme, ku individë të panjohur me dokumente false arritën të kapërcejnë çdo pengesë ligjore dhe të fitojnë një tender miliona eurosh. Në këtë rast, shteti u gjend gafil. Për të mos thënë që një dyzinë zyrtarësh janë përfshirë në marrëveshje të turpshme përfitimi në korrupsion dhe duhet të japin llogari. Një rast i tillë nuk mund të kalohet me justifikimin se kishte dokumente që vinin nga Amerika. Ishin të noterizuara. Tek e fundit është detyrë e administratës të ruajë me fanatizëm pasurinë e shqiptarëve, pasi prej tyre paguhen. Këto e raste të tjera, opozita është në të drejtën e saj legjitime t’i denoncojë me forcë dhe të demaskojë shkeljet që konstaton. Po opozita jonë fatkeqësisht nuk merret me raste të ngjashme, të cilat mirëpriten nga opinioni i gjerë shoqëror, nga populli i cili kërkon administrim korrekt të financave publike dhe luftë pa mëshirë ndaj cilitdo që shkel ligjin dhe kërkon përfitime në emër të pozicionit zyrtar. Fatkeqësisht, opozita jonë nuk kënaqet me një pikë të vockël me detaje pa peshë. Ajo kërkon të pijë tërë liqenin, të ketë pushtet të pakufishëm, të imponohet përmes dhunës, të përfitojë privilegjet e humbura që nga dita e daljes në opozitë.

Liderët e frontit të bashkuar në kor, në nismat, aksionet e tyre politike nuk kanë zgjedhur të merren me këto halle të vockla. Për ta, më vlerë ka zhurma se zgjidhjet dhe denoncimet që prekin jetën e qytetarëve. Është ky mentalitet që e ka detyruar opozitën të parakalojë me galop në të tjera shtigje dhe kurrë në rrugën e mirëkuptimit dhe dialogut. Në vend të tyre kanë vënë në rend të ditës, imponimin, presionin, ultimatumet dhe aksionet përmes dhunës ekstreme. Fillimisht kjo dhunë është shpalosur në sallën e parlamentit. Atje janë demonstruar të gjitha format, janë shpalosur metodat e stilet e betejave opozitare. Jo përmes fjalës, debatit, kritikave, denoncimeve, po dhunës fizike deri tek akte që kanë mbetur emblematike në metodat e përdorura, të cilat kanë lënë shije të hidhur tek qytetarët. Nuk dihet ende se cili i ka mbushur mendjen Bashës, veç vetvetes, se fuqia dhe forca janë baraz me pushtet. Se këta pushtetarë e duan me hu dhe t’i përplasësh pas murit, duke u marrë edhe shpirtin po qe nevoja, se me të mirë nuk dëgjojnë. Në zbatim të kësaj strategjie, kemi parë marshimet dhe sulmet permanente mbi Kryeministri e Kuvendin e Shqipërisë. Në goditjen e selive qendrore duket një kontrast i thellë edhe me aktet që kanë ndërmarrë pushtuesit në vitet e luftës, të cilët nuk vunë dorë mbi godinat, pasi respektonin arkitekturën e tyre dhe nuk e llogarisnin fitore nëse vizatonin me plumba e flakëhedhëse fasadat e tyre. Përkundrazi i ruajtën dhe i mirëmbajtën për të qenë model të arkitekturës. Kështu, pasi godinat kurrë nuk janë barazuar me institucionet. Ndryshe gjykojnë militantët e opozitës. Nën drejtimin e forumeve të tyre si janë sjellë me këto simbole të shtetit? Dhuna nuk ka llogari. Dhe pas çdo sulmi dhe shkatërrimi dalin në podium dhe thonë se shteti ushtroi dhunë mbi ne se u rrahëm e u sakatosën militantët dhe numri tre i PD-së u godit me shkop gome?! Mohim më ekstrem i dhunës nga ushtarët opozitarë është ajo që bëri Gazmend Bardhi, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së. Bardhi nuk ka parë gishta të prera. Nuk e ka parë asnjëherë Ina Mukën, policen që u tentua të vritet para Parlamentit me lëndë piroteknike. Të gjithë e kanë parë këtë rast flagrant siç kanë parë e shijuar dhe raste të tjera. E panë edhe turqit, mjekët që e operuan, spitali që i shërbeu, shqiptarët doemos, po vetëm Bardhi jo. Të vjen çudi si zoti Bardhi nuk e ka konstatuar këtë rast flagrant. Jam i bindur se nga tre milionë shqiptar vetëm ai nuk e ka parë. Nuk e ka parë edhe pse është me vështrim të përforcuar. Të gjithë e kanë parë dhunën mbi policinë, vetëm opozita jonë ka qenë symbyllur. Po mohimi nuk mund të fshehi aktet e dhunës ekstreme. Ajo ndodh faqe gjithë botës.

Basha i tha jo dorës së shtrirë dhe ftesës për dialog të bërë nga Rama. E përqeshi një ftesë të tillë, duke e emërtuar me shumë epitete fyese. Në vend të përgjigjes deklaroi luftën. Vazhdimin e dhunës me një kapardisje si gjeli mbi togun e plehut. Në vijim të traditës të ushtrimit të dhunës, para aktit të radhës 25 maji që konsiderohet si protesta finale, strategu Basha lëshoi ultimatumin: Të gjithë në këmbë për përmbysjen e Ramës! Dhe në të njëjtën gjatësi vale ca kryetar pa parti emërojnë kryeministra dhe qeveri. Berisha paralajmëroi se jemi para cunamit. Dhe kur e thotë ai, ashtu ndodh vërtetë. Skenari i tij zbatohet në marshimet opozitare. Nuk ka kauzë që të mos jetë arkitekt Berisha. Kështu ka vendosur populli, thotë Berisha. Gjithnjë në emër të popullit flitet. Në emër të tij betohen se do e zbresin Ramën nga kali. Nëse ai ia mbath dhe nuk qëndron atje te dritarja, si Berisha me pushkë në dorë më 21 janar 2011,duke u betuar se do vriste, jo tre e tridhjetë, po edhe treqind protestues që do prekin Kryeministrinë. Berisha çuditet, si ka mundësi që ky frikacak nuk ia bëri njëherë bam dhe ti jepte Saliut dhe Bashës, Monikës e të tjerëve, një dëshmor për të justifikuar dhunën mbi institucionet. Historia e dhunës në të gjitha protestat e opozitës njihet. Veç reklamimit të tyre, si protesta e shekullit, ku merr pjesë tërë populli dhe deklarohen shifra më shumë sa jemi banorë të Shqipërisë, goditen e shkatërrohen me të gjitha mjetet godinat dhe hidhen molotov mbi policinë. E gjitha në emër të lirisë e mbrojtjes së demokracisë.

Pikërisht në një moment të tillë, kryeministri Rama i dërgoi kryetarit të PD-së, letrën publike. Një hap i mirëpritur dhe i vlerësuar nga opinioni i gjerë shoqëror, nga ata që duan qetësi dhe garanci për bizneset dhe familjet e tyre. Po edhe i anatemuar nga radikalët. Ndryshe nga gjykimi objektiv, nuk ishte i këtij mendimi Luzim Basha. Pa u njohur me letrën, në këmbë, u përgjigje me tone poshtëruese me alibi dhe kërcënime, me betimin se nuk ka zgjidhje tjetër nuk ka dialog pa larguar Edi Ramën. PD dhe kryetari i madh e kanë zgjedhur rrugën e tyre. Largimi i kryeministrit mbetet objektivi strategjik i opozitës jo parlamentare.

Si të mos mjaftonte, jo-ja kategorike e Bashës një lumë deklaratash vërshuan nga shumë drejtime. Nuk mund të mbetej pa folur Monika. Për atë, letrat janë nënshtrim. Lodhje, kapitullim. Një letër në 20 orë deklaron Monika me tallje. Natyrisht ajo është për vijën e ashpër deri në absurd. Nuk mund të heshtnin disa analistë që llogariten bashkëdrejtues me opozitën. Të njejtat figura. Me të njejtat qëndrime. Për ta, kjo letër ishte vetëm një manovër. Më pas tërë aktorët rreth Bashës e quajnë letrën një përpjekje për t’i trajtuar opozitarët si leshko. Dashamir Shehi nuk u shfaq aspak dashamir, deklaron se Lulzimi nuk puthet më me Ramën. Po nuk mbeti me kaq. Asgjë racionale nuk u njoh nga ftesa publike. Tek e fundit është një mënyrë komunikimi faqe tërë popullit, një përpjekje për të gjetur dialogun. Po pse Basha ishte kaq refraktar ndaj ftesës së Kryeministrit? Çfarë humbiste ai, nëse u drejtohej forumeve për të gjetur mundësi për t’u marrë vesh? Letra ishte një ftesë e hapur dhe nuk ka pse vihet në dyshim mesazhi i saj. Edhe gjenerali Kim nuk ka reaguar kështu, kur është ftuar në dialog nga amerikanët. Po marrim për një moment se është një alibi. Përse Basha nuk u përgjigj me të njejtën monedhë, edhe ai me një alibi? Po realiteti nuk është ai që shpaloset në reagimet e Bashës. I frikësuari i madh, i akuzuar se shumë herë ia ka dredhur opozitës, ka bërë lidhje të shkurtra, i kujtojnë 17 majin e 2017-ës. Kjo frikë e mban pezull Bashën. Po jo vetëm. Reforma në drejtësi mbisundon çdo logjikë opozitare. Mentaliteti e pengon që të bëj hapat në drejtimin e duhur për ti thënë po dialogut. Kjo sjellje është atipike regresiv dhe flet se liderët opozitarë janë larg frymës së marrëveshjeve. Se janë përjashtues dhe pre e ultimatumeve. Ata shkojnë në sinkron me gjykimin e Presidentit se nuk mund të ulen në tavolinë individ që nuk e duan njëri tjetrin?! Të paqtët me arrogantët?! Po cili politikan opozitar e do atë mazhoritar? Në Shqipëri, politika ka treguar se është baraz me konflikt. Urrejtja është themeli i politikës sonë. Motua si t`ia hedhin njëri- tjetrit për pushtet. Psikologjia e Bashës është ajo e kanunit. Nuk ulet burri. Nuk përkulet e as nënshtrohet. Muri luan, burri jo! Si mund të pranojë ai të ulet në të njejtën tavolinë me armikun e shqiptarëve?! Si mund të përballet me atë që e ka sharë e poshtëruar, e ka etiketuar me një mijë të zezat mbi shpinë? Atë që e ka shpallur armik të demokracisë? Me një gangster? Të korruptuar? Hajdut votash? Personazh të dosjes 339? Të përgjuar! Jo nuk mund të ulet e të pranojë një kryeministër që e do të vdekur dhe e llogarit si pengesë drejt pushtetit. Ndaj qëndrim kundërshtues do mbante ndaj ftesës së Kryeministrit.

Fill pas poshtërimit që iu bë ftesës së parë dhe refuzimit ekstrem të saj, Rama nuk u ndal. Bëri publike letrën e dytë. Nuk do ta quaja përulje, po veprim të dinjitetshëm ftesën e Kryeministrit. Ftesa është në emër të arsyes dhe logjikës. Në emër të detyrës. Përgjegjësisë historike e të ardhmes së Shqipërisë, integrimit dhe përparimit të vendit. Nuk është një larje goje. As sa për të kaluar radhën. Është në të drejtën e Bashës dhe atyre që e rrethojnë ta llogarisin si përulje, si dorëzim, si marrje me të mirë, ftesë sa për evidencë. Po nuk është e tillë kurrsesi. Opozita i ka tërë mundësitë të verifikojë sinqeritetin e Kryeministrit, të provojë, duke u ulur në dialog serioz dhe shterues. Pa parakushte. Larg qëndrimeve kategorike, ultimatumeve, kërcënimit e dhunës. Është paradoksale deklarata e Bashës në përgjigje të ftesës gjermane se është për dialog gjithëpërfshirës, po fshin Ramën, kryetarin e mazhorancës nga ky dialog?! E turpshme kjo! Askush nuk e kupton aq më pak e justifikon dhunën që ka bërë kauzë të vetën Basha. Përkundrazi e dënon çdo gurë e molotov mbi policinë. Shishet e benzinës mbi kryeministri dhe parlament nuk e zbukurojnë opozitë. Nuk i japin fytyrën e demokracisë. Përkundrazi e bëjnë më të urryer. Nuk ka qytetar normal të këtij vendi të justifikojë veprimet e opozitës, largimin ekstrem nga institucionet. Bojkotin e Zgjedhjeve. Retorikën e ashpër. Fjalorin fyes deri në ekstrem. Shqiptarët nuk i falin refuzimin e dialogut si element themelor të marrëveshjeve mes forcave politike në një demokraci normale. Justifikimet me akuza të pafundme. Llogaritjet se nuk fitohet asgjë pa kërcënime e forcë në vend të fjalës, e largon gjithnjë e më tepër opozitën dhe drejtuesit e saj nga politika normale dhe orientimi europian i Shqipërisë. Zgjedhja e dhunës në vend të dialogut është kërcënim, jo vetëm për demokracinë, po edhe vet opozitën. Zëvendësimi i politikës me betejat paramilitare dhe dhunën permanente nuk i hapin asnjë portë opozitës. Përkundrazi, e degradojnë edhe më shumë misionin e saj dhe e armiqësojnë me shqiptarët.

Nga Bardhyl BEJKO

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 20/06/2019 - 07:23

Në vijim të revolucionit antidemokratik të ndërmarrë nga opozita dhe strategjisë së kundërshtimit të zgjedhjeve për ta pamundësuar, 30 qershorin, të inkurajuar nga ç`d

Postuar: 20/06/2019 - 07:21

Presidenti anuloi datën e zgjedhjeve për hir të “unitetit” dhe “mbrojtjes së de

Postuar: 19/06/2019 - 07:24

Edi Rama është nga të pakët politikanë që e ka shoqëruar sherri dhe urrejtja gjatë tërë karrierës

Postuar: 19/06/2019 - 07:23

Ndoshta ne jemi ndër ato vende të pakta që nuk ditëm ta menaxhojmë si duhet demokracinë që e fitu

Postuar: 19/06/2019 - 07:22

Fillimisht do të dëshiroja të tërhiqja vëmendjen, se ideja dhe këmbëngulja e Presidentit Meta për

Postuar: 18/06/2019 - 07:23

Zakonisht dhe praktikisht, "sovran" ka lindur si term për individin mbi popullin!

Postuar: 18/06/2019 - 07:22

Jemi në fushatë për të 61 njësitë e vetëqeverisjes vendore(bashkitë), por deri tani asnjë vërejtj