BREAKING NEWS

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora

Përballja me Covid-19, ministrja Manastirliu jep lajmin entuziast nga Vlora
x

Opinion / Editorial

Basha, siç zmadhoi shtëpinë kërkon të zgjerojë Parlamentin!

Basha, siç zmadhoi shtëpinë kërkon të zgjerojë

Debati më i ri në Komisionin e Reformës Zgjedhore edhe pse korniza e diskutimeve, kompetencat e komisionerëve,janë të përcaktuara egzaktësisht nga rekomandimet e OSBE-ODHIR-it, është kërkesa e Lulzim Bashës në emër të PD-së për Parlamentin e ri, i cili duhet të jetë sipas tij, jo me një dhomë, po me dy. Pra, Parlament me dy kate. Njëra, dhoma e ulët e deputetëve, e cila në shtete të veçanta emërtohet “Dhoma e Ulët e Kongresmenëve” dhe tjetra ajo e “Senatit” ose e senatorëve. Përvoja e shteteve, është e ndryshme, sipas baballarëve të themelimit të shteteve dhe të miratimit të kushtetutave. Kështu SHBA, prej themelimit të shtetit të pavarur, u konceptua dy dhomëshe dhe kështu ka funksionuar. Dhe ligjet apo vendimet e rëndësishme, kalojnë në disa filtra për të mbërritur në një zgjidhje të pranuar gjerësisht, racionale, të drejtpeshuara. Ose vendos vota në senat, siç ndodhi edhe në problematikat më të fundit, ku Kongresi i dominuar nga demokratët pati një vendim ndryshe nga Senati që dominohet nga republikanët. Dhe këto filtra i shërbejnë më së miri demokracisë. Po SHBA nuk është i vetmi shtet me Parlament me dy dhoma. Kështu funksionon parlamentarizmi në Itali, Francë e shtete të tjera, pa i radhitur të gjitha pasi nuk ka vlerë sasia po përvoja specifike, tradita e çdo shteti. Post sistemi komunist në vitin 1990, Shqipëria u udhëhoq, fillimisht me një “Kushtetutë” të pjesshme e cila përbëhej nga një korpus ligjesh, aktesh e normash të cilat ende nuk kishin marrë formën e ligjit themeltar të shtetit. Historiku i miratimit të Kushtetutës së vendit tonë, ka kaluar nëpër një kalvar të gjatë, labirinte, shtigje e vështirësi pafund. Me makinacione, driblime, me ngjitje e zbritje, me kundërshti, fitore e humbje. E tillë ishte Kushtetuta e vitit 1994 me referendumin e famshëm, i cili u udhëhoq nga presidenti i kohës, Sali Berisha, por që përfundoi me humbje të thellë dhe dështim të miratimit të Kushtetutës së kontestuar gjerësisht, e cila synonte të kalcifikonte sundimin e Berishës dhe për këto tendenca nuk mori votën e shqiptarëve. Si e tillë u hodh poshtë nga vota popullore në referendum. Iniciativa më serioze, po edhe kjo e ndarë mes opozitës së kohës dhe mazhorancës, ishte Kushtetuta e vitit 1988, e cila pasi u formësua, u miratua në popull dhe Parlament. Komisioni i Kushtetutës ishte me bashkëkryetarë nga mazhoranca dhe opozita. Kjo Kushtetutë nuk u pranua nga koalicioni opozitar i kohës me në krye PD. Është Kushtetuta që kemi sot në vija të përgjithshme pasi edhe kjo, u riformatua me votat e 140 deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, ku u përfshinë risi të thella që vunë në themel të ligjit themeltar, bazat e reformës në drejtësi, si dhe shumë ndryshime të tjera, duke i dhënë Kushtetutës aktuale, një përmasë të re. Në të gjitha kushtetutat që kemi pasur në këto tri dekada, duke përfshirë edhe ndryshimet, Rama –Berisha që dhe me kalimin nga mazhoritar në proporcional, me lista të mbyllura, asnjëherë nuk është hedhur ideja e Parlamentit me dy dhoma. Gjithnjë, ka mbetur Parlamenti tradicional, me një dhomë në përbërje të së cilit ka ndryshuar vetëm numri i deputetëve. Numër që është shkurtuar, po asnjëherë nuk është pretenduar për një Parlament me konfigurim ndryshe, duke i shtuar, jo godinës, një kat plus të ri, po vetë sistemit parlamentar, i cili në një propozim surprizë, në një kohë kur kanë mbetur vetëm pak ditë nga mbarimi i afatit të miratimit të reformës zgjedhore me konsensus të gjithë spektrit politik, së pari të PS dhe partive jashtë parlamentare që është 15 marsi, me një nxitim rrufe, të paparashikuar, u kërkua nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha, me këmbëngulje ekstreme të ndryshojë menjëherë struktura parlamentare. Për herë të parë, një forcë politike që synon pushtetin dhe ka pasur pushtet për vite me radhë, propozoi që veç sallës “A” të ketë edhe një sallë “B” e në vijim ndoshta edhe “C” deri tek “XH”. Ndryshe, një Parlament me deputetë dhe një shkallë superiore, ajo e senatorëve. Ky propozim i minutës së fundit në hapat ekstreme në finish, kur i afrohemi fundit, ultimatum si bubullimë, pranimi pa debat, urdhërues kërkon patjetër të merret parasysh nga komisioni zgjedhor politik, dëshira ekstreme. Propozimi është ekstra. Kërkesë që kapërcen tagrin e kompetencave të Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe prek themelin e parlamentarizmit sipas Kushtetutës së Shqipërisë. Askush nuk priste një propozim të tillë. Nga mënyra si u bë, ideatori që e propozoi, partia që e mbështeti, më shumë synon frenimin e sabotimin e reformës zgjedhore se miratimin e saj. Deputetët pa mandate nuk kanë asnjë mundësi praktike dhe ligjore të ndërmarrin në momentet e tanishme, në pozicionin që gjenden, jashtë Parlamentit, të kërkojnë ndryshimin e Kushtetutës. Ata nuk kanë asnjë votë pro apo kundër. Se i kanë djegur mandatet. Ky propozim i kapërcen kufijtë e kompetencave të komisionit zgjedhor dhe ndryshimi i Kushtetutës kërkon një numër rekord votash të cilat nuk i kanë. PD, si propozuese nuk mund të influencojë miratimin e një ndryshimi të tillë esencial dhe parimor, i cili është ndryshe nga tradita që nga themelimi i shtetit shqiptar dhe parlamentarizmit në vendin tonë. Atëherë, cili është synimi i propozuesve? Sa është mundësia e tyre që të miratojnë një nen të tillë në Kushtetutë? Kujt do ia marrin votat borxh dhe si do ta bindin mazhorancën se janë qëllim mirë në këtë nismë, e cila vetëm progresiste nuk është? A mundet opozita t`i diktojë Parlamentit dhe forcave politike që sot gjenden në atë sallë të ndryshojnë Kushtetutën e Shqipërisë sepse kështu iu shkrep në finish, Lulzim Bashës apo Gaz Bardhit, i cili mori përsipër të sqarojë edhe arsyen e një ndryshimi të tillë që është përmbysje në Kushtetutë? Komisioni i Reformës Zgjedhore nuk është për ndryshime kushtetuese. Deri tani opozita parlamentare dhe ajo ekstra jashtë parlamentit e ish-deputetëve, kanë bërë lumë propozimesh. Duket se janë duke prishur bucela për të bërë kanoçe. Objekti i reformës zgjedhore është i mirëpërcaktuar. Kërkesat për miratimin e saj janë adresuar, veç institucioneve që mbikëqyrin zgjedhjet dhe rekomandojnë ndryshmet në ligjin zgjedhor edhe nga BE e veçanërisht nga Bundestagu gjerman, të cilit i referohet, jo vetëm Basha, po edhe presidenti dhe ca më shumë LSI, kur duan të godasin mazhorancën dhe ta bëjnë fajtore për mos miratimin e reformës zgjedhore. Dhe kështu të mbetet e kyçur edhe porta e integrimit! Me opozitarët po ndodh e zakonshmja. Deklarohen po në nisje dhe e mbyllin me refuzime apo propozime që nuk kanë mundësi praktike për t`u realizuar. Me reformën zgjedhore, PD dhe koalicioni opozitar, po luan ping-pong. Hedhin e presin. Propozojnë e ndryshojnë. Atë që kërkojnë sot e mohojnë nesër. Me këtë reformën, po ngjet fiks, si me pëlhurën e Penelopës së Odisesë, e cila për të mbajtur larg lakmitarët që i kërkonin dorën për martesë, u premtonte se do pranonte martesë me njërin prej tyre pa pritur të kthehej në Itakë Odiseja, sapo të përfundonte endjen e pëlhurës. Dhe që kjo të zgjaste pafundësisht, atë që thurte ditën e shqepte natën. Kështu dhe me propozimet surprizë dha gati jashtë çdo logjike e praktikisht të pamundura. Opozita përditë del me një kërkesë të re. Shpik nga një sebep. Hedh nga një shashkë. Një ditë për listat e hapura. Tjetrën për elektronikën. Së fundi të pamundshmen. Pa përfillur traditën, kërkon që Parlamenti të zgjerohet nga një dhomë në dy. Dhe shtëpia e demokracisë, të bëhet nga një kat brenda minutës pallat. Shkurt këmbëngul për Senat. Kjo e Senatit ishte rrufe në qiellin pa re. Ose ku na ha ne, e ku na kruan opozita. Duket se qëllim nuk është senati. Po mosmiratimi i reformës, bojkotimi tinëzar, bllokimi, djegia e afateve të vendosura, si një nga detyrat për çeljen e negociatave të Shqipërisë. Refuzimi i reformës. Dështimi i saj. Shtyrja pafundësisht dhe në fund fajtorët do t`i tregojnë me gisht. Të gjithë të akuzuarit do jenë socialistë natyrisht. Qeveria, kryeministri, ministritë, komisionerët do jenë të liqtë. Ne duam, po ata na sabotojnë, kështu do nisin, kështu do përfundojnë. Ndaj nuk do kemi reformë! Zgjerimi i Parlamentit, shtimi i dhomave të përfaqësimit, Parlament me dy nivele, salla e deputetëve, një kat më lart e senatorëve. Emergjenca e Bashës për të shtuar dhoma, e ulta, tjetra e lartë, është e njëjtë si lakmi me hotelin në Vlorë e zgjerimin e shtëpisë së tij. Ashtu siç bëri me vilën në Kodër, kur la një kat në qytet e mori një vilë siç e deshi vet. Kështu e do edhe Parlamentin e ri. Një dhomë është pak, ndaj do dy. Parlamentarët në kat të parë, senatorët lart si kryebaballarë! Shpikja e Bashës, është vërtet e paparë, veç ngatërron shtëpinë me parlamentarizmin!