BREAKING NEWS

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në Gërdec, prokurorët pritet të marrin në duar faktet nga Drejtësia Amerikane, nisen letër-porositë në SHBA, informacione do të merren edhe për Patrick Henryn, ja lidhja e tij me Delijorgjin dhe S...

Gati të fundoset grupi organizator i biznesit të armëve në
x
BREAKING NEWS

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes së spiunit të Ilir Metajt, presim që ‘shiringa me ujë deti’ që u injektoi zyrtari i lartë i DASH prokurorëve të SPAK të sjellë arrestimin e ‘peshave të rënda’

Daut Gumeni: Ja pse socialistët dhe Gentiana Sula bllokuan hapjen e dosjes
x
BREAKING NEWS

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për votimin pa kuorum të ligjit për Investimet Strategjike, ja si u shkallmua Kushtetuta nga mazhoranca, zbardhet mashtrimi

Plas skandali, Kuvendi i Shqipërisë vihet nën akuzë për
x
BREAKING NEWS

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj që sfidon “ujqërit” e vjetër në politikë, banesë 200 mijë euro, 11 llogari bankare, fitime marramendëse nga qeratë, 180 mijë euro shitje pasurish, si i ka justifikuar milionat nga puna si emigrant,...

Pasuria e dyshimtë e “sheikut” të Kuvendit Laert Duraj
x
BREAKING NEWS

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian Allajbeut dhe Vilma Nushit, vjedhjet me “Hemodializën”, “Check Up”-in, “Laboratorët” dhe “Sterilizimin” janë të faktuara, priten arrestimet nga SPAK

Ja pazaret e PS dhe Rithemelimit, si po mbrojnë korrupsionin e Klodian
x
BREAKING NEWS

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe Reformën në Drejtësi, ja pazaret e reja të “non-gratës” me kryeministrin për të bllokuar arrestimet

Rama-Berisha ngrenë komision për të shkatërruar SPAK dhe
x
BREAKING NEWS

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57 mijë metra katror tokë, të implikuar 2 ministra, SPAK merr në dorëzim padinë për megaoligarkun e qeverisë

Plas skandali i Portit të Vlorës, ja si iu falën Samir Manes 57
x
BREAKING NEWS

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në ditët në vijim, ja disa nga dosjet “përvëluese” që po heton SPAK dhe skema që ndoqën agjentët e BKH për të arrestuar Jorgo Goron, kryebashkiaku në detyrë i Himarës u përgjua 4 muaj rresht me metod...

Gazetarja e njohur paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Opinion / Editorial

Bashkëqeverisja në provë

Bashkëqeverisja në provë

Bashkëqeverisja, fjala që tingëllon shumë bukur. Është njëherësh marrëveshje. Qeveri-popull. Një strategji e re. Metodë qeverisje. Bashkëpunim. Bashkim idesh, forcash, rrugësh, shpresë dhe besim. Nuk është një copy-paste i koalicionit të numrave. As filozofia e bashkimit  të partive për një aleancë në ndarjen e  pushtetit dhe të qeverisë, të përfitimit dhe marrëdhënieve që shumë herë i shërbejnë kryetarëve, bashkë koalicionistëve dhe shumë më pak qytetarëve, votuesve, atyre që i delegojnë pushtet dhe i shpien këta burra e gra drejt e në fronin e parajsës. Ka kohë që në opinionin shoqëror në vendin tonë, kjo fjalë është bërë e zakonshme dhe është shpeshtuar e përmendur mijëra herë. Dëgjon dhe pyet: Të jetë e vërtetë? Ku e ka bazën një qeverisje bashkërisht, qeveri- popull- administratë-, njerëz të zakonshëm- hallka të pushtetit qendror e lokal me kërkesat e shumta, hallet, dertet dhe shqetësimet mbarëkombëtare të shoqërisë tonë? Tingëllon joshëse si ide. Është mikluese  dhe ngacmon ndërgjegjen e njerëzve kudo që janë. Është një shpresë se mes mijëra shqetësimeve do gjejnë zgjidhje disa qindra probleme. Të grupeve shoqërore, individëve. Njerëzve që prej vitesh trokasin ndër dyer të gjykatave, zyrave dhe atyre që kanë në dorë fatin e tyre. Trokasin, por para tyre qëndrojnë dyer të blinduara. A do gjendet çelësi për t`i hapur? A do depërtohet shurdhëria e tyre? Cili do jetë shkopi magjik që do ndryshojë sjelljen e qindra zyrtarëve që para se të të dëgjojnë për hallin të shikojnë  duart se mendojnë se fare pak kohë  i kanë këto karrige dhe janë të përkohshëm. Se nëse vijnë të tjerë që presin peshqeshin e radhës, kërkojnë përfitimin dhe “taksën” që iu duket se e meritojnë dhe u takon edhe pse atje i kanë deleguar ata që sot kanë trokitur  në dyert e tyre për t`iu kërkuar një shërbim. Për të gjetur një zgjidhje. Për të qarë një hall. Do dëgjohen këta zëra apo do shuhen e humbasin në Saharanë e indiferencës së strukturave shtetërore të piramidës së komplikuar të ekzekutivit, drejtësisë, administratës? Deri ku arrin guximi për të besuar se vërtetë do ketë një sjellje tjetër se do qeveriset ndryshe? Do ketë zgjidhje ligjore. Administrata do jetë e moderuar. Administratori do jetë në karrigen e shtetit si shërbëtor e jo si padron.  Bashkëqeverisja është në provë. Dhe nuk kërkon kohë të gjatë për t’u provuar. Do mjaftonin disa muaj. Prej kohësh sapo u mësua për bashkëqeverisjen me njerëzit e thjeshtë  dhe flakjen e tepsisë së famshme të interesave, një strategji e re e qeverisë “Rama2”, ajo e bashkëqeverisjes, janë mijëra denoncime, kërkesa, ankesa, kritika, probleme që janë depozituar në portalet kryeministrore. Dhe kjo nuk është e papritur. Njerëzit kanë shumë halle. Kanë përplasur kokën në murin e pazgjidhshmërisë e shurdhërisë shtetërore prej vitesh. Shqetësime të vjetra, të tanishme. Të freskëta. Të  ditës e viteve. Çdo ditë sjell problematika të ndryshme. Jeta është e vrullshme me plot probleme. Shumica vijnë  nga neglizhenca e zyrtarëve që veprojnë në pallat, lagje, fshat, njësi administrative, gjykatë rrethi, polici apo çdo institucion. Dhe pikërisht pas çdo neglizhence apo mungesë interesimi ka një pakënaqësi. Një moszgjidhje. Dhe shtohet një hall më shumë. Mbetet një njeri i pakënaqur. I pezmatur. Pa shpresë. Dhe prej këtej nis kalvari i vuajtjeve të individëve, marrin udhë ankesat. Dhe njerëzit kanë të drejtë. Të denoncojnë. Të kërkojnë nga qeveria e tyre, zgjidhje të shpejta të drejta të arsyeshme. Kur kanë të drejtë. Ashtu sikundër ka edhe kërkesa subjektive dhe orekse që nuk kanë asnjë mundësi  zgjidhje. Ndarja e ankesave, verifikimi korrekt  në denoncime të drejta dhe subjektive, është detyrë e strukturave shtetërore. Dhe në këto raste duhet folur troç. Ti ke të drejtë. Ju zotëri, jo. Dhe të renditen arsyet përse. T`u pritet rruga kërkesave të padrejta e të tepruara vetëm me qëllim përfitimi. Dhe këto raste mund të bëhen edhe publike, që të ndahet e drejta nga e padrejta. Gënjeshtra, abuzimi nga e vërteta.

Bashkëqeverisja me qytetarët nuk është vija e masave sikur kërkojnë ta paraqesin shakatarët e përparimit.  Nuk është një kthim tek e kaluara. Nuk ka asnjë lidhje  me të djeshmen në kuptimin ideor. Nuk është një kthim në diktaturë siç vrapojnë ta paraqesin opozitarët politikë. Përkundrazi është një metodë e cila në se zbatohet korrektësisht jep rezultate. Rregullon administratën. E vë në efiçencë atë. Zbulon sjelljen e administratorit. Evidenton atë që është i ndershëm nga hileqari e zullumqari. Zyrtarin korrekt e të pakorruptuar nga hajduti e telendari, nga ai që shikon xhepin e kuletën. E shkund zyrtarin e vë në syrin e vëmendjen e opinionit të gjerë. Përballë vlerësimit të tyre. Dhe prej kësaj nuk ka pse të kihet frikë. As të paraqitet si një zgjidhje populiste apo moraliste. Opinioni nuk është gijotinë për askënd. As demaskim. Nuk është subjektivizëm. Puna e mbyllur është  e tillë. Diktaturat nuk janë vepër e masave. Përkundrazi, arbitraritetin e lindin dhe e fuqizojnë mungesa e ballafaqimit. Puna e mbyllur. Fshehja pas ligjit e vendimeve, burokracia shtetërore, sorollatjet e zyrtarëve, puna në errësirë dhe larg syrit të njerëzve. Bashkëqeverisja nuk duhet parë as si një eksperiment. Dhe nuk të lejon të bësh prova. Për bashkëqeverisjen  nuk ka receta për të gjetur zgjidhjet më të mira. Nuk është një rrugë e shtruar me dafina. As e mbushur me zgjidhje të gatshme. Nuk bëhet për të thënë; vërtetë gabova, por gabuam bashkë me popullin. Nuk është ndarje përgjegjësish as fshehje dështimesh dhe justifikim para qeveritarëve dhe  bashkëqeverisësve. Përgjegjësinë, timonin dhe drejtimin e ka  shteti. Arritjet në fund fare, janë të qeverisësve dhe të bashkëqeverisësve, por dështimet kanë vetëm një emër. Qeverinë. Ndaj ky korelacion ka shumë rëndësi të kuptohet edhe nga mazhoranca aktuale. Se në këtë rrugëtim nuk ka bashkëfajtor. As bashkëvuajtës. Nuk ka pjestim përgjegjësish. Ka vetëm një fajtor. Qeverinë. Të mandatuarit për të udhëhequr vendin. Ashtu sikundër rezultatet e bëjnë shumë më të besueshme qeverinë dhe qeverisësit.

Raporti mes qeverisë dhe të qeverisurve me bashkëqeverisje merr një kuptim të ri. Bëhet konkret. Del nga koncepti teorikë dhe verifikohet në jetën e përditshme. Nëse dikujt, qytetarit të zakonshëm që ka pritur vite për zgjidhjen e një halli të vogël, nëse dikush kërkon dhe nuk gjen të drejtë kur i takon, një tjetër ka vite që është pushuar nga puna dhe nuk rikthehet. Kërkon pronën e vet dhe nuk e merr, është dënuar padrejtësisht dhe nuk gjen të drejtë, kërkon invaliditet dhe mjeku e sorollat, ka prodhim dhe nuk e shet se hallkat shtetërore nuk janë funksionale dhe mijëra probleme në dukje të vockla, por jetike për njeriun e zakonshëm në strategjinë e re të qeverisjes ndryshe, i hapet porta, gjenden zgjidhje, sqarohet dhe pritet njerëzisht, pa bërë dallime votuesi im apo kundërshtari ynë, por si njerëz që jetojnë në këtë vend, atëherë kjo fjalë, kjo platformë, kjo ide, kjo metodë, ky stil qeverisës nuk do jetë një slogan, as një burokraci e re, por një rrugë efikase përmes të cilës rritet besimi mes të qeverisurve dhe qeverisë. Rritet shpresa dhe tingëllojnë të huaja, fjalët se ky vend nuk bëhet. Se këtu nuk ka shtet. Se të gjithë vjedhës janë. Këtu nuk jetohet. Dhe fillon dhe rritet besimi dhe forcohet bindja për një të ardhme ndryshe. Po që të arrihet bashkëqeverisja nuk mjafton çelja e një portali për evidencat e ankimeve. As regjistri i shifrave për problematikat e njerëzve. As seleksionimi i tyre, ndarja të lehta të vështira, të mundshme, të pamundshme, të zgjidhshme ta pazgjidhshme. Të vjetra, të reja. Vendosja e besimit mes bashkëqeverisësve, bindja se zgjidhjet nuk kompromentohen dhe njerëzit nuk ndahen dhe problematikat nuk zgjidhen sipas individit, ku mbahet larg miku e shoku, i partisë, mazhorancës e opozitës, por sipas me drejtësi e korrektesës, atëherë bashkëqeverisja nuk do jetë një fiksion. As një fjalë me tingëllim të bukur. Nuk do mbetet një slogan. As një kopje e “Stop korrupsionit”. Nuk do thjeshtëzohet në një parullë. Verifikimi i bashkëqeverisjes është në truallin konkret. Është pjesë e çdo individi. Në syrin dhe vëmendjen e çdo familjeje. Kërkesë e gjithë shoqërisë. Serioziteti i dëgjesave dhe drejtësia e zgjidhjeve, dëgjimi me vëmendje, interesimi permanent, vlerësimi i njerëzve dhe serioziteti me të cilat do trajtohen hallet e problematikat e të qeverisurve do tregojnë shumë shpejtë sa reale dhe efikase do jetë strategjia e bashkëqeverisjes. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk ka më padrejtësi. Se hallet e problemet mbaruan. Jeta sjell problematika të reja. Asgjë nuk është përfundimtare. Nuk mund të thuhet kaq ishin hallet. Mori fund e keqja. Verifikimi do bëhet dhe besimi te bashkëqeverisja do çimentohet nëse do ketë ndryshim në sjelljen e zyrtarëve. Do zgjidhen problemet. Do ketë interesim, jo sorollatje  dhe dashamirësi. Do luftohen të korruptuarit dhe korrupsioni. Do ketë barazi para ligjit. Drejtësi të drejtë. Paanësi. Përkushtim. Atëherë, po. Bashkëqeverisja do jetë një histori suksesi. Dhe unë besoj në këtë histori. Ndryshe do jemi para faktit: Ose të gjithë fitues, ose të gjithë humbës. Qeveria është para provës së zjarrit. Asnjanës nuk do të ketë.

Nga Bardhyl  BEJKO